Lajmet

Mustafa: Me emrin e Rugovës janë identifikuar të gjitha proceset historike të Kosovës

Published

on

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përkujtuar sot presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e shënimit të 76-vjetorit të lindjes.

“Më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut lindi ikona dhe figura emblematike e Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Ibrahim Rugova ishte një personalitet i rrallë i letërsisë, politikës dhe kulturës shqiptare. I shkolluar në Paris të Francës, ai u mishërua me vlerat perëndimore, idealin për liri e pavarësi prej të cilave ai asnjëherë nuk hoqi dorë. Rugova është njeriu letrar dhe politik, një rast i rrallë në botë që me vizionin, dijen dhe përkushtimin e tij u rreshtua kah perëndimi duke fituar simpatinë dhe vëmendjen e botës demokratike për problemin, vuajtjen dhe persekutimin e popullit të Kosovës nën regjimin serb. Sot, është nder për secilin ta kujtojmë figurën e Rugovës, themeluesin e LDK-së, Presidentin Historik të Kosovës, Gandin e Ballkanit, që me dijen dhe urtësinë arriti ta fitoj simpatinë dhe miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, deklaroi ai mes tjerash.

Mustafa thotë se me emrin e Ibrahim Rugovës janë identifikuar të gjitha proceset historike të Kosovës, liria, demokracia dhe shtet-ndërtimi.

“Mjafton ta kujtojmë postulatin e tij: “Asgjë më pak se pavarësi”.Arkitektin e pavarësisë do ta kujtojmë përherë si motiv për ta vazhduar rrugën e trasuar nga ai, forcimin e demokracisë dhe shtetësisë së Kosovës.Lavdi jetës dhe veprës së Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova””, deklaroi ai më tej./UBTNews

Lajmet

Gjenerallejtënant Jashari pret në takim Gjeneral Brigade Pulaj

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), Gjeneral Brigade Ylli Pulaj.

Gjatë takimit, Gjenerallejtënant Jashari i uroi mirëseardhje Gjeneralit Pulaj dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që FARSH po ofron për FSK-në. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy forcave për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe shkëmbimin e përvojave në trajnime dhe arsimim ushtarak.

Nga ana tjetër, Gjeneral Pulaj shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe vlerësoi nivelin e lartë të bashkëpunimit ndërmjet dy forcave. Ai theksoi rëndësinë e shkëmbimit të njohurive dhe përvojave për të rritur gatishmërinë dhe profesionalizmin e ushtarakëve.

Në përmbyllje të takimit, të dy gjeneralët rikonfirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit dhe u pajtuan për zgjerimin e projekteve të përbashkëta në të ardhmen.

Continue Reading

Lajmet

Inaugurohet sheshi “Erhard Busek” në Prishtinë

Published

on

By

“Erhard Busek” është emërtuar sheshi në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare, i cili u inaugurua të enjten nga Komuna e Prishtinës. Busek është ish-politikan austriak, për të cilin u tha se ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se sheshi përballë Bibliotekës Kombëtare ndërlidhet me edukimin dhe se Erhard Busek ka qenë mik i madh i Kosovës.

“Doktor Erhard Busek është një mik i madh i Kosovës, një mik i madh i yni që na ka ndihmuar gjatë kohëve më të vështira, gjatë kohës së luftës, gjatë kohës kur edhe qytetarët tanë, studentët e asaj kohe nuk kanë pasur mundësi të studiojnë ka qenë pikërisht doktor Erhard Busek që i ka hapur mundësi me qindra apo mijëra studentë nga Kosova që të mësojnë, që të studiojnë, që të avancohen, të bëhen profesionistë dhe tashmë edhe t’i ndihmojnë vendit tonë në hapat e radhës për të ardhmen e ndritshme të vendit tonë. Si rezultat edhe si një nevojë për ta nderuar e falënderojë presidentin e shoqatës të miqësisë Kosovo-Austriake që kanë ardhur tek ne në kryeqytet me një propozim që ta nderojmë figurën e doktor e Erhard Busek me emërimin e një sheshi, pikërisht këtij sheshi këtu që qëndron përballë Bibliotekës Kombëtare”, u shpreh ai.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer foli për kontributin e shtetit austriak, ku tha se ishte vendi i parë që njohu diplomat dhe dokumentet nga sistemet paralele shqiptare.

“Është një ditë historike, sot është përvjetori i 3-të i vdekjes së Erhard Busek. Jam i sigurt se ai do të ishte shumë i nderuar, shumë krenar që ky shesh afër Bibliotekës Kombëtare, shumë afër me Rektoratin e Universitetin si dhe afër bibliotekës së vogël austriake që është brenda në këtë ndërtesë, po emërohet pas tij. Erhard Busek ishte një vizionar, për dekada ai punoi pa pushim për integrimin e Evropës Lindore dhe Evropës Juglindore në BE, para rënies së ‘perdes së hekurt’. Ishte ai, që në vitet e 80-ta kontrabandoi libra nga Austria në shtete prapa perdes së hekurt, pra është një vend shumë i mirë që të emërohet pas tij. Ai ishte zëvendës kancelar i Austrisë dhe Ministër i Shkencës dhe Kërkimeve. Austria u bë shteti i parë që njohu diplomat dhe dokumentet nga sistemet paralele shqiptare, nga sistemi nëntokësor, universitetet dhe shkollat në kohën kur ishte e ndaluar të mësohej në gjuhën shqipe. Ai luajti një rol kyç që studentët shqiptar të kishin mundësinë të vazhdonin studimet në Austri si shteti i parë që njohu diplomat”, theksoi ai.

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal të Prishtinës është miratuar propozimi i kryetarit Përparim Rama, që sheshi përballë Bibliotekës Kombëtarë ta mbajë emrin e ish-politikanit austriak, Erhard Busek.

Continue Reading

Lajmet

​Pakënaqësia për rritjen e çmimeve, bëhet thirrje për bojkotimin e supermarketeve më 15 Mars

Published

on

By

Iniciativa “Kosova Bojkoton” bën thirrje për bojkotin e të gjitha supermarketeve në Kosovë më 15 Mars, për shkak të ngritjes së çmimeve.

Aktivistët e iniciativës kanë shpalosur sot një pankartë me mbishkrimin “15 Mars, Kosova bojkoton, të gjitha supermarketet”.

Xhevat Kastrati, anëtarë i kësaj iniciative u bëri thirrje qytetarëve që ti bashkohen kësaj iniciative, për bojkotimin e marketeve. Tutje Krasniqi tha se përmes bojkotit tregojnë fuqinë e tyre blerëse dhe se dërgojnë një mesazh tek marketet dhe qeveria për pakënaqësinë e tyre për rritjen e çmimeve.

“Ne jemi grupi Kosova Bojkoton, jemi grup jo formal qytetarë që e kemi marrë si nismë punën e rritjes së çmimeve edhe një lloj proteste përmes bojkotit që jemi duke e realizuar…… Thirrja për qytetarët është me u bashku me neve dhe me ngrit zërin përmes një bojkoti me tregu fuqinë tonë blerëse sepse kur ne të gjithë bashkohemi në bojkot dërgojmë një mesazh tek marketet dhe qeveria se jemi shumë të pakënaqur dhe e bëjmë një lloj presioni shoqëror për me pas një reagim”, tha ai.

Kujtojmë se këto lloj nismash për bojkotimin e marketeve janë duke u zhvilluar edhe në vendet e rajonit për shkak të rritjes së çmimeve.

Continue Reading

Lajmet

​Rama kërkon pasaportën e BE-së për shqiptarët, Kos: Jeni në udhën e duhur dhe të mbarë

Published

on

By

Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos po qëndron në Tiranë duke shënuar misionin e saj të parë zyrtar në Shqipëri.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë një konference për media së bashku me Kos, tha se ambicia e tyre është që shqiptarët të marrin pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade. Derisa shtoi se Shqipëria është shumë e vendosur që ta përmbushë me sukses objektivin e përfundimit të negociatave brenda 2027-ës.

“Është mbështetja e një institucioni të madh dhe shumë kërkues siç është BE-ja, të cilën ne jemi të vetëdijshëm që duhet ta meritojmë çdo ditë sepse ne duam të bëhemi pjesë e familjes së bashkuar evropiane. Ne e dimë që nuk ka asnjë alternativë tjetër. Pikërisht sepse nuk ka alternativë tjetër të lirisë individuale. Nuk ka alternativë tjetër të barazisë para ligjit, nuk ka alternativë tjetër të bashkëjetesës në diversitet dhe të standardeve evropiane të kësaj bashkëjetese”, theksoi ai.

Rama shtoi se ambicia e shqiptarëve është që ta marrin pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade.

“Ne jemi shumë të vendosur që ta përmbushim me sukses objektivin shumë ambicioz të përfundimit të negociatave brenda 2027-ës dhe ambicia ime, ambicia jonë është që shqiptarët të marrin pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade dhe të mundet që kur ulen në aeroportet e Evropës të hyjnë nga ai korridori me atë konstelacionin e yjeve dhe jo nga ai korridori tjetër ku shkruan të tjerët. Kjo është shumë e rëndësishme për ne se na iku jeta tek të tjerët, me shekuj. Parlamenti i Shqipërisë ka në tryezë sot marrëveshjet financiare për Planin e Rritjes që i hapin rrugë edhe fillimit të financimit të fondeve që janë rreth 1 miliardë euro të dedikuara për Shqipërinë. Kështu që e dashur Marta ne duam lekët tona”, tha Rama.

Derisa në një konferencë për media komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos tha se rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është i sigurt dhe i vërtetë.

“Sigurisht që gjeopolitika, është ajo sot që na tregon se gjithçka mund të jetë e mundur dhe një gjë mund të jetë stabël dhe rrugëtimi juaj drejt BE-së është i sigurt në udhën e vet dhe është i vërtetë. Më pëlqen që takohem me ju, me ekipin tuaj, me Majlindën kryenegociatoren dhe shoh që jeni kaq pasionant për vendin tuaj por edhe për BE-në dhe erdha këtu për t’ju treguar mbështetjen time të plotë për objektivat tuaj kaq ambiciozë për të cilat më ka treguar ekipi im dhe që janë objektiva realiste dhe jo thjesht, ambiciozë”, u shpreh Kos.

Ajo tha se Shqipëria është në rrugën e duhur për ti përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.

“Ju citoj kur ju thoni që dëshironi të mbyllni negociatat deri në fund të 2027 dhe ne po ecim në rrugën e duhur, jemi në udhën e duhur dhe të mbarë sepse janë hapur tashmë grupkapitujt e caktuar, 2, 3 gjithashtu do të jenë dhe gjithë grup-kapitujt e tjerë… Dhe siç e dimë edhe ne, nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e grup-kapitujve, por edhe për mbylljen e tyre. Jam e sigurt se me të gjithë reformat që ju po kryeni kjo do të jetë e mundur. Me shumë dëshirë, duam që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, ju e meritoni sepse me ju brenda BE, Evropa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por dhe më e fortë”, tha komisionerja.

Kos ka përmendur edhe faktin që Shqipëria është ishull stabiliteti duke thënë se kanë fqinjësi të mirë në rajon dhe kjo sipas saj i bënë kampionë për bashkëpunimin rajonal.

Continue Reading

Të kërkuara