Lajmet

Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese mbetet një nga shtyllat kryesore të profesionit të gazetarit

Published

on

Me mbi 35 vite përvojë në gazetari, profesori dhe gazetari Musa Sabedini vazhdon të kontribuojë në zhvillimin e gazetarisë përmes botimeve shkencore dhe përvojës profesionale. Në një bashkëbisedim në podcast-in e mediave të UBT-së, ai foli për rrugëtimin e tij në gazetari, librat universitarë që ka botuar, sfidat e gazetarisë hulumtuese dhe ndikimin e teknologjisë në profesion.

Në këtë intervistë, Sabedini ndan përvojën e tij shumëvjeçare në gazetarinë hulumtuese, rëndësinë e etikës në profesion dhe rolin që inteligjenca artificiale dhe digjitalizimi po luajnë në transformimin e mediave.

*****

Pjesë nga intervista:

Driton Hyseni: Pas mbi 35 vite përvoje në gazetari, çfarë ju shtyu që këtë përvojë ta ktheni në libra universitarë?

Musa Sabedini: Vetë fakti që kam një periudhë kaq të gjatë në gazetari më ka shtyrë që përvojën time profesionale ta ndaj me të tjerët. Kam dashur që përvojën e gjatë dhe profesionalizmin që e kam treguar gjatë viteve – përfshirë katër çmime të fituara në gazetari dhe shumë raste të trajtuara si gazetar hulumtues – ta përcjell edhe te gjeneratat e reja.  Kam menduar se është e rëndësishme që studentët, gazetarët e rinj dhe redaktorët e mediave të kenë në dispozicion literaturë profesionale. Prandaj kam vendosur t’u dhuroj katër libra. Libri i fundit, i katërti, që trajton gazetarinë hulumtuese dhe për të cilin po flasim sot, ishte i domosdoshëm, sepse ka shumë mungesë literature në këtë fushë. Pak studiues dhe ekspertë kanë guximin ose vullnetin të merren me libra të tillë. Ky libër ka jo më pak se 718 faqe.

Driton Hyseni: Libri i fundit është mjaft voluminoz dhe përfshin literaturë të gjerë si dhe përvojën tuaj në gazetarinë hulumtuese. Çfarë e bën atë të ndryshëm nga literaturat e tjera?

Musa Sabedini: Libri përbëhet nga tre kapituj. Në kapitullin e parë trajtoj përkufizimet dhe nocionet kryesore të gazetarisë hulumtuese. Kapitulli i dytë fokusohet te digjitalizimi dhe ndikimi i tij në gazetarinë hulumtuese. Ndërsa kapitulli i tretë trajton teknikat e raportimit hulumtues. Ky kapitull i fundit është veçanërisht i rëndësishëm, sepse libri nuk është vetëm studimor, por edhe praktik. Ai përmban shumë shembuj konkretë dhe analiza të mediave dhe portaleve, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Në kapitullin e parë, për shembull, studentët – qoftë në bachelor, master apo doktoraturë – mund të gjejnë përkufizime dhe nocione të qarta pa pasur nevojë të kërkojnë shumë burime të tjera. Libri është i veçantë sepse përmban shumë materiale praktike dhe qindra raste konkrete. Në fakt, deri tani nuk ekziston një libër i tillë as në Ballkan. Mund të ketë dispensa të shkurtra, por një libër i këtij lloji nuk ka pasur më parë.

Driton Hyseni: Meqenëse përmendët se libri është i veçantë në rajon, a përfshin ai edhe shembuj ndërkombëtarë të mediave që fokusohen në gazetarinë hulumtuese? A ka krahasime me gazetarinë në Kosovë?

Musa Sabedini: Po, patjetër. Kjo është një nga veçantitë e librit. Kam përfshirë shembuj ndërkombëtarë dhe vendorë. Nëse kam marrë një rast nga Amerika, e kam krahasuar me një rast në Ballkan dhe më pas me Kosovën. E njëjta gjë vlen edhe për rastet nga Evropa. Kam përfshirë shembuj nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe madje edhe nga Serbia. Pra, libri është unik sepse ka materiale të bollshme dhe të kuptueshme, dhe secila pjesë e plotëson tjetrën.

Driton Hyseni: Sot po shohim që inteligjenca artificiale po hyn gjithnjë e më shumë në industrinë e mediave dhe po e transformon gazetarinë. Si e shihni këtë zhvillim?

Musa Sabedini: Digjitalizimi ka anët e veta pozitive dhe negative. Inteligjenca artificiale mund të jetë shumë e dobishme nëse përdoret në mënyrë profesionale dhe analitike, por ajo nuk mund ta zëvendësojë gazetarin. Një gazetar duhet të dijë ta orientojë temën hulumtuese vetë. Inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në analizë dhe verifikim, por nuk mund ta krijojë vetë gazetarinë. Gazetaria hulumtuese në thelb është proces hulumtimi dhe verifikimi. Nëse gazetarët e rinj dhe studentët dinë ta përdorin teknologjinë në mënyrë profesionale, ajo mund të ndihmojë shumë në avancimin e gazetarisë hulumtuese. Por në shumë raste po keqpërdoret, sidomos në portalet online.

Driton Hyseni: Në librat tuaj shpesh e theksoni rëndësinë e etikës. A mund të ketë gazetari të mirë pa etikë personale?

Musa Sabedini: Për mua etika është thelbi i gazetarisë. Madje e quaj edhe mbretëresha e gazetarisë. Mund të jesh gazetar shumë i aftë dhe shumë i fortë në hulumtim, por nëse nuk ke etikë, gazetaria e humb vlerën e saj. Etika nuk e ndalon gazetarinë. Përkundrazi, ajo të mëson si të sillesh profesionalisht në çdo situatë, madje edhe kur interviston persona të dyshuar për krime. Gazetari duhet të arrijë te informacioni me profesionalizëm dhe jo me fyerje ose paragjykime. Gazetaria nga A deri në Zh lidhet me etikën.

Driton Hyseni: Në librin e fundit keni përfshirë 101 pyetje dhe udhëzime për gazetarinë hulumtuese. Pse mendoni se një gazetar i ri ka nevojë për udhëzime të tilla ose një udhërrëfyes praktik në fillim të karrierës?

Musa Sabedini: Arma e dytë e fuqishme e librit janë pikërisht këto 101 pyetje dhe 101 këshilla apo udhëzime. Këto janë pyetje që i kam ndërtuar vetë nga përvoja ime shumë e gjatë në gazetari. Nuk dua të them që kam “vuajtur” për ta përjetuar gazetarinë hulumtuese, sepse tashmë jam shumë i vjetër në këtë profesion, por kam dashur që gjeneratave të reja t’u lë një lloj testamenti profesional – një dokument apo udhëzues që ua bën më të lehtë realizimin e një interviste hulumtuese, një hetimi hulumtues apo një hulumtimi të gjatë, pavarësisht temës. Nëse i lexoni këto pyetje dhe këshilla, ato janë vërtet shumë të dobishme profesionalisht. I kam përgatitur me shumë dashuri dhe me shumë vullnet dhe besoj se do të ndihmojnë çdo gazetar që dëshiron të merret me gazetari hulumtuese, por edhe studiues dhe ekspertë të fushës. Gjatë mbledhjes së materialeve dhe literaturës për këtë libër kam vërejtur se te ne mungojnë jo vetëm librat, por edhe udhëzuesit e shkurtër praktikë – për shembull një agjendë me 10 apo 20 pyetje që mund ta ndihmojnë gazetarin në terren. Gazetaria hulumtuese nuk është e lehtë. Është një sfidë e madhe. Nëse një gazetar hulumtues nuk e ka përjetuar në praktikë këtë profesion, është shumë e vështirë të shkruajë një libër për të. Këtu teoria është e lidhur ngushtë me praktikën. Unë mund të flas shumë për teorinë e gazetarisë hulumtuese, por kur vjen puna te praktika, duhet shumë punë dhe përkushtim. Është një profesion shumë delikat, por edhe shumë i bukur, me sfida dhe vështirësi të ndryshme.

Driton Hyseni: Si keni arritur t’i ndërthurni të gjitha këto përvoja – nga sfidat dhe kërcënimet deri te përvoja profesionale – në një libër kaq voluminoz universitar?

Musa Sabedini: Gazetaria hulumtuese i ka edhe rreziqet e veta. Në libër e kam përmendur këtë në disa vende dhe kam dhënë edhe shembuj konkretë. Unë personalisht kam rreth 35 raste kërcënimesh me vdekje nga njerëz të ndryshëm. Të gjitha këto raste janë të evidentuara në polici dhe në databaza përkatëse. Megjithatë, asnjëherë nuk jam frikësuar dhe as sot nuk frikësohem. E vetmja frikë që mund të ketë ekzistuar ndonjëherë për mua ka qenë nëse pa dashje i kam hyrë dikujt në hak, por nuk besoj se kjo ka ndodhur, të paktën jo me vetëdijen time. Gazetaria hulumtuese nuk ka kompromis. Këtu gjithmonë ekziston një palë tjetër dhe një e vërtetë që duhet zbuluar. Kur shkruan për gazetari hulumtuese duhet të jesh jashtëzakonisht i saktë. Parimi im ka qenë gjithmonë: verifiko ose beso – por gjithmonë verifiko. Këto dy elemente janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Një gazetar nuk mund të merret me hetimin e njerëzve, kompanive të mëdha, universiteteve, profesorëve, bizneseve apo institucioneve publike pa pasur fakte dhe dëshmi. Nëse nuk ke dëshmi, është shumë e rrezikshme për një gazetar. Prandaj këshilla ime është që fokusi i gazetarit duhet të jetë gjithmonë te e vërteta. Mos i paragjykoni njerëzit dhe mos i akuzoni pa nevojë. Hulumtoni, verifikoni dhe pastaj publikoni. Kur them “beso”, nënkuptoj të besosh në dokumente konkrete: një dokument zyrtar, një incizim, një video, një fotografi, një aktakuzë, një aktgjykim apo çdo material tjetër që e mbështet informacionin. Gazetari duhet të shkojë te pala tjetër i përgatitur mirë dhe me fakte në dorë, në mënyrë që të mos duket qesharak as para palës dhe as para publikut.

Driton Hyseni: Përveç botimeve akademike, ju vazhdoni të kontribuoni edhe në gazetari dhe të realizoni tekste hulumtuese. Çfarë ju motivon të vazhdoni në këtë profesion?

Musa Sabedini: Të drejtën me thënë, nuk mund të jetoj pa gazetari. Edhe kur kam filluar angazhimet e mia akademike, një nga kushtet e mia ka qenë që të mos e ndal gazetarinë. Edhe pse sot nuk jam aq aktiv sa kam qenë më herët, vazhdoj të kontribuoj në këtë fushë. Kam fituar katër çmime në gazetarinë hulumtuese dhe për këtë arsye kam vendosur ta ul pak intensitetin e punës, për t’u dhënë hapësirë edhe gazetarëve të tjerë të rinj. Megjithatë, unë e njoh shumë mirë frymën e gazetarisë hulumtuese. E di saktësisht se si funksionon dhe sa përkushtim kërkon ky profesion. Gazetaria hulumtuese kërkon shumë vullnet, shumë përkushtim, ndërgjegje profesionale dhe kujdes të madh. Gazetari duhet të ketë intuitë të fortë, integritet profesional dhe ndikim publik. Duhet të jesh një figurë që kur dikush dëgjon emrin tënd, ta kuptojë se përballë ka një gazetar serioz që merret me të vërtetën. Fatkeqësisht, sot në hapësirën online kjo pjesë e gazetarisë hulumtuese shpesh nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Edhe pse vetë kam qenë pjesë e kësaj fushe dhe kam portal, shpesh vërehet se baza profesionale mbi të cilën duhet të ndërtohet gazetaria hulumtuese po anashkalohet.

Lajmet

Në Durrës hapet ekspozita fotografike “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”

Published

on

Në qytetin e Durrësit është hapur ekspozita fotografike “Shqipëria 1921 – Eugène Pittard”, e cila sjell për publikun pamje të rralla të Shqipërisë së fillimshekullit XX.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë nënkryetarja e Kuvendit, Klodiana Spahiu, si dhe ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ruth Huber. Ekspozita është realizuar në bashkëpunim ndërmjet Ambasadës së Zvicrës në Tiranë dhe FotoKlub Durrës, duke ofruar një udhëtim të veçantë vizual përmes fotografive të realizuara nga akademiku dhe antropologu zviceran Eugène Pittard dhe bashkëshortja e tij, Hélène Pittard.

Gjatë viteve 1921 dhe 1924, çifti Pittard udhëtoi nëpër Shqipëri duke dokumentuar jetën e përditshme, qytetet, fshatrat, peizazhet dhe traditat shqiptare. Përmes objektivit të tyre, ekspozita sjell dëshmi autentike të historisë dhe identitetit kombëtar shqiptar, të ruajtura në fotografi me vlerë të veçantë historike dhe kulturore.

Në fjalën e saj, Klodiana Spahiu e vlerësoi këtë nismë si një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kujtesës historike dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke falënderuar organizatorët për sjelljen e kësaj ekspozite për publikun durrsak.

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria nesër në skenën e Eurovision 2026, Alis Kallaci përfaqëson vendin me këngën “Nan”

Published

on

Shqipëria do të ngjitet nesër në skenën e madhe të Eurovision Song Contest 2026, ku do të përfaqësohet nga këngëtari Alis Kallaci me këngën “Nan”.

Performanca shqiptare pritet të sjellë emocion, ndjeshmëri artistike dhe interpretim vokal të fuqishëm, ndërsa fansat shqiptarë kanë shprehur mbështetje të madhe për këngën që do të prezantohet para publikut europian.

Alis Kallaci do të performojë më 14 maj në një nga netët më të rëndësishme të kompeticionit muzikor europian, duke synuar kualifikimin në finalen e madhe të Eurovisionit. Ndërkohë, delegacioni shqiptar tashmë ka mbërritur në Vjenë të Austrisë për të mbështetur përfaqësuesin e Shqipërisë në këtë edicion të festivalit.

Eurovision Song Contest mbetet një nga ngjarjet më të ndjekura muzikore në Evropë, ku artistë nga vende të ndryshme konkurrojnë për trofeun prestigjioz dhe vëmendjen e publikut ndërkombëtar.

Continue Reading

Lajmet

Ministria e Kulturës organizon aktivitete për Ditën Ndërkombëtare të Muzeut

Published

on

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës ka njoftuar organizimin e aktiviteteve të veçanta në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Muzeut.

Sipas njoftimit, aktivitetet synojnë ta afrojnë publikun me koleksionet muzeale, historinë dhe trashëgiminë kulturore të vendit, përmes programeve edukative dhe prezantuese.

Në kuadër të agjendës do të organizohen vizita, ekspozita dhe aktivitete të hapura për qytetarët, duke e prezantuar muzeun si një hapësirë aktive të jetës kulturore dhe jo vetëm si vend ruajtjeje të objekteve historike.

Ministria ka ftuar qytetarët që të bëhen pjesë e aktiviteteve të planifikuara për shënimin e kësaj dite, me synimin për të promovuar rëndësinë e muzeve në ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë kulturore.

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet afati për certifikim, katër parti nuk dorëzojnë listat

Published

on

By

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar zyrtarisht se është përmbyllur afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë që synojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se gjatë periudhës 11-ditore janë pranuar aplikimet nga 23 subjekte politike, ku përfshihen 18 parti politike, 3 koalicione, 1 nismë qytetare dhe 1 kandidat i pavarur. Megjithatë, përkundër njoftimeve paraprake për pjesëmarrje, katër parti politike kanë mbetur jashtë këtij procesi pasi nuk kanë arritur të dorëzojnë listat e tyre me emrat e kandidatëve brenda afatit ligjor që përfundoi më 12 maj.

Në total, numri i kandidatëve të propozuar për këto zgjedhje është 917, prej të cilëve 603 janë burra dhe 314 janë gra. Tashmë KQZ-ja ka nisur fazën tjetër, atë të verifikimit të përshtatshmërisë së kandidatëve, proces ky që pritet të përfundojë deri më datën 15 maj.

Gjatë kësaj kohe, listat e kandidatëve do t’u dërgohen institucioneve relevante për të vlerësuar nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili përcakton aftësinë ligjore të personave për të garuar për poste publike. Ky proces verifikimi është një praktikë e rregullt e KQZ-së, që synon të sigurojë se të gjithë kandidatët përmbushin obligimet ligjore përpara se të certifikohen zyrtarisht për garën e qershorit.

Continue Reading

Të kërkuara