Lajmet

Muri i Berlinit: 10 gjëra që mund të mos i dinit

Published

on

Rënia e Murit të Berlinit ndodhi prej një gabimi

Në një konferencë shtypi mbrëmjen e 9 nëntorit 1989, anëtari i byrosë politike të Gjermanisë Lindore, Gynter Shabovski shpalli në mënyrë të parakohshme se do të hiqeshin kufizimet e vizave të udhëtimit. Kur u pyet se kur do të vihej në zbatim politika e re, ai tha: “Menjëherë, pa vonesë”. Në fakt, kjo politikë do të shpallej një ditë më vonë dhe do të kërkonte gjithësesi një procesë të gjatë aplikimi për gjermano-lindorët. Përgjigjet konfuze të Shabovskit dhe raportimi i gabuar në media se pikat kufitare ishin hapur, shtyu mijëra gjermanë të Berlinit lindor që të shkonin drejt Murit të Berlinit. Në postbllokun e Rrugës Bornholmer, Harald Jager, oficeri në detyrë, u përball me një turmë që sa vinte e rritej në numër. Edhe irritimi sa vinte e shtohej. Duke marrë fyerje, në vend të udhëzimeve, prej eprorëve të tij, si dhe tejet nervoz për shkak se priste të merrte të nesërmen rezultatet e analizave të diagnostikimit për kancer, Jager e hapi pikën kufitare me mendjen e. tij, dhe pikat e tjera ndoqën shumë shpejt shembullin e tij.

Muri i Berlinit ishte ngritur më shumë se 15 vjet pas nisjes së Luftës së Ftohtë

Më shumë se 2 milion gjermano lindorë, shumica punëtorë dhe profesionistë të aftë, u larguan për në Perëndim mes viteve 1949 dhe 1961. Bashkimi Sovjetik kishte refuzuar kërkesën fillestare të Gjermanisë Lindore për të ndërtuar Murin në vitin 1953, por me dezertimet drejt Berlinit Perëndimor që po arrinin numrin 1000 njerë në ditë, në verën e 1961, udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushovi më në fund pranoi. Banorët e Berlinit u gdhinë mëngjesin e 13 gushtit 1961, përballë telave me gjemba që ishin vendosur në vijën ndarëse mes zonës perëndimore dhe lindore të qytetit. Disa ditë më vonë, Gjermania Lindore nisi fortifikimin me beton të kësaj barriere.

Muri i Berlinit ishin në fakt dy mure

Në fakt Muri i Berlinit përbëhej nga dy mure mes të cilëve ndodhej “rripi i vdekjes”, ku ndodheshin me qindra kulla roje, disa kilometra hendeqe kundër kalimit të mjeteve, qen roje, prozhektorë dhe mitralozë.

Më shumë se 100 njerëz gjetën vdekjen në përpjekje për të kaluar Murin

Qendra e Kërkimeve mbi Historinë Bashkëkohore Potsdam dhe Qendra e Memorialit të Murit të Berlinit dhe Dokumentimit raportojnë se të paktën 138 njerëz u qëlluan për vdekje, pësuan aksidente fatale ose kryen vetëvrasje pas përpjekjeve të dështuara për t’u arratisur përmes Murit të Berlinit. Të tjerë studime thonë se numri i viktimave është edhe më i lartë. Viktima e parë ishte Ida Siekman, që vdiq në 22 gusht 1961, pasi u përpoq të hidhej në një rrugë në Berlinin Perëndimor, e cila ndodhej nën dritaren e apartamentit të saj në katin e katërt, në Berlinin Lindor. Tragjedia e fundit ndodhi në mars 1989, kur një i ri gjermano-lindor që përpiqej të fluturonte mbi mur me balonë, ndeshi në kabllot e tensionit të lartë.

Më shumë se 5000 persona u arratisën, duke kaluar mbi dhe nën Murin e Berlinit

I pari dezertor që u arratis përmes Murit ishte roja kufitare 19 vjeçar, Konrad Shuman, i cili është përjetësuar në film teksa kërcente mbi telat me gjemba, vetëm dy ditë pasi kufiri ishte mbyllur. Ndërkohë që Muri u fortifikua gjithnjë e më shumë, edhe planet e arratisjes u bënë më të sofistikuar. Të arratisurit fshiheshin në pjesë të fshehta të makinave të berlinezo perëndimorëve që vinin për vizita, gërmonin tunele të fshehta dhe zvarriteshin nëpër tubacione. Tre vëllezërit Bethke realizuan arratinë më spektakolare. Vëllai më i madh Ingo u arratis me një dyshek me ajër, duke lundruar nëpër lumin Elbë në vitin 1975, dhe tetë vjet më vonë vëllai më i vogël kaloi mbi mur përmes një kablli çeliku që e lëshoi me hark dhe shigjetë, duke përfunduar në një çati shtëpie në Berlinin perëndimor. Në vitin 1989, dy vëllezërit fluturuan me një avion super të lehtë mbi mur, duke marrë edhe vëllanë e tretë, Egbert.

John F. Kennedy u shpreh i çliruar kur u ngrit Muri

Në qershor të vitit 1961, Hrushovi paralajmëroi presidentin amerikan, Kennedy, se do të bënte bllokadë Berlinit Perëndimor nëse nuk largoheshin forcat perëndimore, një akt luftënxitës që do të shpinte në luftë. Kur Kennedy dëgjoi lajmin se komunistët kishin ngritur mur përreth Berlinit Lindor, në vend që të shkëpusnin Berlinin Perëndimor nga pjesa tjetër, ai i tha një ndihmësi: “Nuk është zgjidhje shumë e mirë, por një mur është shumë më mirë se sa një luftë. Ky është fundi i krizës së Berlinit. Pala tjetër u kap prej panikut – jo ne. Tani nuk do të bëjmë asgjë, sepse nuk ka alternativë tjetër veç luftës”.

Kennedy nuk u tha berlinezëve se është një “kulaç me karamele”

Në 26 qershor 1963, Kennedy iu drejtua një turme para Murit të Berlinit: “Ich bin ein Berliner”. Presidenti kish për qëllim të shprehte solidaritetin me qytetarët e Berlinit, duke thënë se ishte njëri prej tyre, por disa kritikë thanë se duke shtuar nyjen “ein”, ai në fakt e quajti veten kulaç me karamele, që në pjesën më të madhe të Gjermanisë njihet si “Berliner”. Megjithatë, gjuhëtarët thonë se presidenti nuk bëri një gabim gramatikor, sepse “ein” është e nevojshme kur folësi është duke folur në mënyrë figurative, se i përket një kombësie të caktuar, siç edhe po ndodhte me Kennedyn. Veç kësaj, kulaçi që në gjithë Gjermaninë njihet si “Berliner”, në vetë Berlinin njihet si “pfannkuchen”, kështu që ata që e dëgjonin me siguri nuk janë ngatërruar.

Gjermania Lindore e quajti Murin “Mburoja Antifashiste”

Qeveria e Gjermanisë Lindore pretendoi se e ngriti Murin e Berlinit për të mbajtur jashtë fashistët, spiunët dhe idetë perëndimore. Dy javë pasi urdhëroi ngritjen e “Mburojës Antifashiste”, udhëheqësi Gjermano lindor Valter Ulbriht deklaroi: “Ne kemi mbyllur të çarat në shtëpinë tonë, si dhe vrimat përmes të cilave do të zvarriteshin armiqtë e popullit gjerman”.

Porta e Brandenburgut ka qenë dikur pjesë e një muri të shekullit 18

Mbreti i Prusisë, Frederik Uilliam II porositi ngritjen e harkut të famshëm që bashkon Berlinin lindor dhe perëndimor dhe që ka shërbyer si sfond i fjalimeve të famshme presidenciale të Kennedyt dhe Reaganit. Kur u përfundua në vitin 1791, Porta e Brandenburgut ishte pjesë e murit origjinal doganor të qytetit.

Një copë e Murit ndodhet në banjën e një kazinoje në Las Vegas

Shkatërrimi zyrtar i Murit të Berlinit nisi në verën e vitit 1990. Më shumë se 40 mijë copa të Murit u ricikluan si materiale ndërtimi të përdorur në projekte rindërtimi në Gjermani, por disa qindra prej tyre u shitën dhe tani janë të shpërndara në të gjithë globin, nga kopshtet e Vatikanit deri në një banjë në Main Street Station Casino, në Las Vegas, ku vendurinimet janë kapur pas një Muri të mbuluar me grafit që është i mbrojtur pas një xhami. / KultPlus.com

Continue Reading

Vendi

Kurti takon Përfaqësuesin e UNDP-së, rikonfirmohet bashkëpunimi strategjik

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti sot në takim Përfaqësuesin e Përhershëm të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Nuno Queirós.

Perfaqwsuesi Queirós e uroi Kryeministrin Kurti për mandatin e tij të ri dhe kabinetin qeveritar.

Ndërkaq, Kryeministri Kurti falënderoi Queirós për bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe UNDP-së, duke theksuar se UNDP mbetet një partner strategjik në forcimin e institucioneve dhe në zbatimin e reformave me rezultate konkrete për qytetarët.

Në takim u rikonfirmua gatishmëria për bashkëpunim në fusha me prioriet si lufta kundër korrupsionit dhe sundimi i ligjit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, dokumentimi dhe adresimi i krimeve të luftës, mbrojtja e mjedisit dhe tranzicioni i gjelbër, si dhe reforma në arsim dhe ngritja e kapaciteteve institucionale.

Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e reformës në prokurimin publik, me fokus në rritjen e transparencës, digjitalizimin e proceseve dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës kundër keqpërdorimit të fondeve publike.

Ai bëri me dije se qeveria do të vazhdojë me miratimin e strategjisë anti-korrupsion dhe ligjit për Byronë Shtetërore për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Të dy palët theksuan se bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme dhe shprehën përkushtimin për ta thelluar më tej partneritetin në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe forcimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.

 

Continue Reading

Lajmet

Dialogu Kosovë-Serbi nën udhëheqjen e Konjufcës

Published

on

By

Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, priti sot Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, ku diskutuan mbi zhvillimet e fundit në dialog dhe mënyrën e avancimit të tij.

Gjatë takimit, Konjufca informoi  Sørensen se nga tani procesi i dialogut do të udhëhiqet nga ai personalisht, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. U shkëmbyen pikëpamje mbi momentumin aktual të dialogut dhe parimet që mund të sigurojnë një proces më efektiv dhe të qëndrueshëm.

Konjufca theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar që dialogun ta shohë si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, si dy shtete sovrane në rrugën e tyre drejt integrimit evropian.

Konjufca dhe Sørensen u pajtuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis Kosovës dhe Bashkimit Evropian për një dialog konstruktiv dhe të rezultateve konkrete.

Continue Reading

Vendi

Haxhiu dhe ambasadori britanik diskutojnë zgjedhjen e Presidentit

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ku biseduan mbi marrëdhëniet e mes dy vendeve, zhvillimet aktuale institucionale dhe proceset lidhur me Presidencën.

Gjatë takimit, Kryetarja Haxhiu shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, veçanërisht në faza kyçe të zhvillimit të saj, duke theksuar progresin e arritur në konstituimin e institucioneve dhe në kalimin e fazave të rëndësishme.

Ambasadori Hargreaves e përgëzoi Kryetaren Haxhiu për zgjedhjen në detyrë dhe vlerësoi përparimin e shpejtë të Kuvendit në miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe buxhetit për vitin 2026. Ai gjithashtu diskutoi me Kryetaren për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe shprehu pritshmëri për bashkëpunim të ngushtë mes parlamenteve të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar.

Në këtë takim u ritheksua nga të dy palët gatishmëria për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, duke përfshirë edhe intensifikimin e shkëmbimeve parlamentare që lidhen me institucionet e larta të shtetit.

Continue Reading

Lajmet

DW:Rrezik për zgjedhje të reja në Kosovë?

Published

on

By

Partitë politike opozitare shprehen, se për zgjedhjen e Presidentes/it të Kosovës duhen marrëveshje politike me partinë në pushtet në mënyrë që të gjendet një emër konsensual.

Kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë nga koha kur Parlamenti i Kosovës duhet të zgjedhë presidenten apo presidentin e ri të vendit në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme parlamentare. Presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë është deklaruar se dëshiron të kandidojë edhe për një mandat pesëvjeçar, por, në këtë fazë, akoma asnjë nga subjektet politike nuk janë deklaruar hapur, nëse do ta mbështesin kandidaturën e saj. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,  që është edhe lideri i partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, ka filluar konsultimet me partitë politike opozitare për ta diskutuar çështjen e presidentit, por, as Kurti, në këtë fazë akoma nuk është deklaruar nëse do ta mbështesë presidenten aktuale, Vjosa Osmani, edhe për një mandat. Do të ketë konsensus me opozitën?

Kurti takimin e parë që zhvilloi për çështjen e presidentit ishte ai me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, me të cilin, sipas Kurtit, “Hamza shprehu gatishmërinë për koordinim parlamentar për çështje të interesit shtetëror e kombëtar”. “U diskutua për zhvillimet politike në vend e më gjerë dhe nevojën për të hapur një kapitull të ri të komunikimit dhe dialogut konstruktiv qeveri-opozitë në të mirë të Republikës sonë dhe pluralizmit partiak e demokratik. Natyrisht, temë e bisedës ishte edhe çështja e zgjedhjes së Presidentit, për çfarë kanë mbetur vetëm edhe 10 ditë kohë në bazë të afateve kushtetuese. U konstatua që bashkëpunimi është i nevojshëm, duke qenë se duhen së paku 2/3 e deputetëve të Kuvendit për votim të suksesshëm”, tha Kurti pas takimit me Bedri Hamzën.

Kreu i PSK, pas takimit me Kurtin, tha se zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë përfaqësuesve të zgjedhur. “Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese. Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë”, tha Hamza, që është edhe kryetar i partisë më të madhe opozitare, PDK.

Albin Kurti, nga ana e tij, paralajmëroi takim edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, për të vazhduar më pas edhe me udhëheqësit e subjekteve tjera parlamentare në opozitë. Të gjitha partitë politike opozitare shqiptare në zgjedhjet e 28 dhjetorit morën gjithsej 41 mandate në Parlament, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e vetme ka 57 mandate.

Partitë opozitare nuk duhet të dorëzohen pa kushte

Për analistët politikë, rezultati i zgjedhjeve të dhjetorit ishte kryesisht pasojë e gabimeve strategjike të partive opozitare. Analisti Artan Muhaxhiri i tha më herët DW-së se kjo patjetër që nuk do të thotë se partitë opozitare “duhet të dorëzohen pa kushte në procesin e zgjedhjes së presidentit, sepse ky është kontekst i ri në të cilin ato janë të patejkalueshme”. “Proporcionalisht me pushtetin parlamentar, roli parësor në gjetjen e zgjidhjes i takon gatishmërisë së Kurtit për të ofruar propozime të respektueshme dhe realiste, pa performanca komplikuese. Gjatë gjithë mandatit Presidentja Osmani ka qenë përkrahëse e devotshme e ideve të Kryeministrit Kurti, prandaj rikandidimi i saj eventual do të mund të mendohej vetëm nëse Kurti do të ishte i gatshëm për të lëshuar pe ndaj ndonjë kërkese të rëndësishme opozitare”, thotë Muhaxhiri. Kryeministri Kurti më herët është deklaruar se ai do ta takoi Osmanin dhe të flasë me të, sikundër që është i gatshëm të flasë edhe me subjektet e tjera politike, qoftë për ta rizgjedhur Osmanin, qoftë për kandidat tjetër konsensual. /DW Shqip/

 

Continue Reading

Të kërkuara