Lajmet

Murati thotë se Kosova ka nivelin më të ulët të borxhit, kundërshtohet nga opozita

Pas kësaj deklarate, kritika patën edhe deputetët nga partitë opozitare, pasi sipas tyre, borxhi publik nuk ka shënuar rënie.

Published

on

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar se gjatë vitit paraprak ka patur rënie në vlerë aboslute sa i përket borxhit publik, për çfarë tha se si qeveri janë munduar të stabilizojnë këto shifra. Pas kësaj deklarate, kritika patën edhe deputetët nga partitë opozitare, pasi sipas tyre, borxhi publik nuk ka shënuar rënie.

Në mbledhjen e Komisonit për Buxhet, në të cilin po raportojnë ministri Murati dhe përfaqësues të Doganës së Kosovës dhe Administratës Tatimore lidhur me realizimin e të hyrave për vitin e kaluar, Murati ka theksuar se borxhi publik në vitin 2023 ka qenë 17.2 për qind e GDP-së, ndërsa ka shtuar se përqindja e disbursimit është rreth 40 për qind, ndërsa ka thënë se vlera e kredive të ratifikuara është në vlerë rreth 300 milionë euro.

“Si qeveri jemi munduar që të stabilizojmë borxhin publik, e madje në vitin paraprak kemi pasur rënie në vlerë absolute të borxhit krahasim me vitin 2022, dhe për me tepër rënia është theksuar edhe më tej në terma relativ, pra kur krahasohet si borxh ndaj bruto prodhimit vendor. Nëse flasim me shifra konkrete, pra borxhi ndaj GDP-së në vitin e kaluar është mbyllur me 17.2 për qind e GDP-së në krahasim me vitin 2020 që ka qenë 22.44 për qind. Nëse shihet trajektorja, që nga viti 2020 e këtej ka pasur rënie të vazhdueshme të borxhit publik, por vitin e fundit sidomos ka pasur rënie edhe në vlerë absolute, pra duke reduktuar kryesisht vlerën e letrave me vlerë të emetuara nga Qeveria, kjo si përgjigje ndaj rrethanave të jashtme që kanë qenë, e që kanë të bëjnë me rritjen e normave të interesit nga Banka Qendrore Evropiane e që kjo në terma makroekonomik rezulton edhe më një shtrëngim në kreditim të ekonomisë reale. Si qeveri jemi fokusuar që huamarrjen apo nevojat e financimit t’i përmbushim nga burime të jashtme, pra nga kreditor apo institucione financiare ndërkombëtare multilaterale. Pra, kemi pasur maturim të 141 milionë eurove të letrave me vlerë, gjë që edhe ka rezultuar në reduktimin e nivelit të borxhit publik”, tha Murati.

Gjatë raportimit, Murati tha po ashtu se norma mesatare e interesit sillet tek 2.4 për qind përkundër faktit që ka pas rritje rapide të normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane në mënyrë që të adresohet problemi i inflacionit. Ai shtoi se aktualisht Kosova ka nivelin më të ulët të borxhit në shtetet evropiane.

“Sa i përket normës së interesit, norma e saj mesatare sillet tek 2.4 për qind përkundër faktit ka pas rritje rapide të normës së interesit nga Banka Qendrore Evropiane në mënyrë që të adresohet problemi i inflacionit. Mirëpo, shumicën e huamarrjes e kemi në kredi afatgjata dhe me norma fikse të interesit, kështu pavarësisht luhatjes së normave në treg, kanë normë të fiksuar, dhe kostoja kësisoj mbetet e përballueshme. Ka shtete në rajon që vitin e kaluar kanë paguar rreth 500 milion euro vetëm interes, kurse ne si Republikë e Kosovës kemi paguar 42 milionë euro, pra ka shtete që paguajnë dhjetëfishin. Gjithashtu edhe nga aspekti valutor ka ekspozim kryesisht në valutën euro mbi 90 për qind, pjesa tjetër është kryesisht me valutën e fondit monetar ndërkombëtar që më tepër është një shportë valutash të tjera. Si dhe edhe tek çështja e borxhit afatgjatë, pra, koha mesatare e maturitetit është 5.7 vjet për tërësinë e borxhit… Aktualisht kemi nivelin më të ultë të borxhit në shtetet evropiane”, shtoi Murati.

Lidhur më këtë, kritika pati nga deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, i cili ka kërkuar nga ministri Murati t’i citojë shifrat saktë, pasi sipas tij, nuk ka ulje të borxhit nga kjo qeveri.

Hoti ka pyetur ministrin për vlerën e kredive që janë ratifikuar në Kuvend gjatë mandatit të kësaj qeverie, e po ashtu edhe për disbursimin. Për këtë, Murati ka thënë se shifra e ratifikimit të marrëveshjeve kap vlerën rreth 300 milionë euro.

“Përafërsisht do duhej të ishte diku tek 300 milionë euro… Nga një kalkulim që kam pasur para disa muajve, kanë qenë diku rreth 40 milionë euro më shumë të disbursuara sesa që kanë qenë të ratifikuara… (Përqindja e disbursimit) do duhej të ishte tek 40 për qind duke pas parasysh që këto janë projekte disavjeçare, dhe nuk mund të pritet që vitin e parë ose të dytë të disbursohet çdo gjë. Shumica shkojnë në periudha pesëvjeçare, është një disbursim goxha i kënaqshëm sepse ka pasur progres”, është përgjigjur Murati.

Hoti ka shtuar se pavarësisht marrëveshjeve që po ratifikohen në Kuvend, nuk është se ka progres nga ana e qeverisë, për çfarë akuzoi ministrin që nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim. Sipas tij, nëse krahasohen shifrat e vitit 2019, sot janë 462 milionë euro më shumë borxh publik.

“Ne po ratifikojmë marrëveshje në Kuvend por nuk është se po bëhet progres, nuk është bërë progres i duhur edhe në marrëveshjet paraprake, gjatë këtij mandati nuk ka një progres të madh në këtë drejtim sa i përket planit të disbursimit… Nëse e merreni vitin 2019, besoj se kjo duhet të merret, sot kemi 462 milionë euro më shumë borxh publik, nuk po them se është keq, por t’i citojmë shifrat saktë…Nuk e ke ulë borxhin publik, e ke mirëmbajtur një praktikë të mirë, të etabluar nga qeveria e Kosovës në mbështetje të partnerëve ndërkombëtar, Fondi Monetar në veçanti. Bile ti ke qenë një ndër personat kyç në huazimet gjatë qeverive të kaluara, vet i jep kredi edhe vetes edhe realitetit…Puna jote në borxhin publik shenjë nuk ja ka lënë këtij vendi, asgjë nuk ke bërë, 17 për qind e ke gjetur”, ka pyetur Hoti.

Për këtë, Murati ka thënë se është hera e parë në histori të këtij vendi që ka ulje të nivelit të borxhit publik.

“Jo, 22 për qind e kam gjet, aq e kam gjet unë… Është hera parë në histori të këtij vendi që ka ulje të nivelit të borxhit publik”, tha Murati.

Vendi

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një deponi me goma të vjetra në Sllatinë

Published

on

By

Një deponi për grumbullimin e gomave të vjetra në Sllatinë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur që është përhapur në zonën përreth. Deponia ndodhet në afërsi të rrugës kryesore.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se ekipet janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë punën në terren. /Ekonomia online/

Continue Reading

Rajoni

Ministri i Shqipërisë Hoxha i përgjigjet Gjuriqit: Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime

Published

on

By

Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama, nuk ka munguar as ai i Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha. Kryediploti shqiptar i është përgjigjur deklaratave të ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, duke theksuar se e ardhmja e rajonit qëndron te dialogu, besimi dhe bashkëpunimi pragmatik, e jo te kërcënimet apo akuzat.

Përmes një reagimi lidhur me debatin për lumin Ibër, kryediploti shqiptar bëri të ditur se uji nuk duhet të përdoret si instrument ndëshkimi. Ndonëse Ibri nuk rrjedh përmes Shqipërisë, Hoxha nënvizoi se çfarëdo kërcënimi për ndërprerjen e ujit dëmton bashkëjetesën paqësore në të gjithë rajonin.

“Lumenjtë duhet të bartin ujë, jo kërcënime, ndërsa kufijtë duhet të përcaktojnë juridiksione, jo të ndajnë përgjegjësinë tonë për paqen”, ka deklaruar Hoxha.

Më tej, ai hodhi poshtë pretendimet për projekte të mëdha territoriale, duke potencuar se i vetmi projekt që e intereson Shqipërinë është një “Bashkim Evropian më i Madh”, që përfshin Kosovën, Serbinë, Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.

Kryediploti i Shqipërisë shprehu gatishmërinë e plotë për dialog dhe bashkëpunim konkret mes shqiptarëve dhe serbëve, duke bërë thirrje për më shumë fokus drejt së ardhmes evropiane dhe më pak drejt mitologjive të së kaluarës. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

BE-ja: Deklaratat për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit duhet të shmangen

Published

on

By

Bashkimi Evropian ka thënë se deklaratat për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër, si dhe veprimet që nuk i shërbejnë normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duhet të shmangen.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të arrihet vetëm përmes dialogut”, tha një zëdhënës i Komisionit Evropian më 11 gusht.

“Deklaratat, përfshirë ato për ndryshime të mundshme të rrjedhës së lumit, dhe veprimet që nuk e mbështesin këtë synim duhet të shmangen”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian për Radion Evropa e Lirë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 9 gusht se autoritetet serbe po shqyrtojnë me ekspertë mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, duke e lidhur këtë me rrënimin e shtëpive dhe vilave të serbëve pranë Liqenit të Ujmanit, në veri të Kosovës.

Deklarata e tij nxiti reagime të ashpra nga zyrtarët në Kosovë dhe u pasua edhe nga një përplasje publike ndërmjet zyrtarëve të Shqipërisë dhe Serbisë.

Komisioni Evropian rikujtoi gjithashtu se përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të avancojnë në rrugën e tyre evropiane.

BE-ja komentoi edhe rrënimet e fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, me të cilat presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e kishte lidhur deklaratën e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Sa i përket situatës në liqenin e Gazivodës/Ujmanit, ne tashmë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me rrënimet e fundit”, thuhet në përgjigje.

Sipas Komisionit Evropian, çdo masë zbatuese me pasoja të pakthyeshme duhet të respektojë procesin e rregullt ligjor.

“Personave të prekur duhet t’u jepet mundësi efektive për të kërkuar mbrojtje ligjore dhe, kur është e zbatueshme, mbrojtje të përkohshme gjyqësore para se masa të zbatohet”, thuhet në përgjigje.

Lumi Ibër, rreth 270 kilometra i gjatë, buron në Mal të Zi, kalon nëpër Serbi dhe më pas hyn në Kosovë, ku furnizon liqenin artificial të Ujmanit.

Rreth dy të tretat e këtij liqeni ndodhen në territorin e Kosovës.

Uji nga sistemi i Ujmanit dhe Ibër-Lepencit furnizon shtatë komuna, përdoret për ujitje dhe për ftohjen e termocentraleve në Obiliq, të cilat prodhojnë pjesën më të madhe të energjisë elektrike në Kosovë.

Ekspertët që kanë folur më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se devijimi i rrjedhës së Ibrit është teknikisht i mundshëm, por do të ishte jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe, nëse do t’i shkaktonte dëme Kosovës, do të binte ndesh me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare.

Serbia është nënshkruese e Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1997 për përdorimin e rrjedhave ujore ndërkombëtare për qëllime të tjera përveç lundrimit.

Kjo konventë përcakton, mes të tjerash, parimin e shfrytëzimit të drejtë dhe të arsyeshëm të ujërave ndërkufitare, si dhe detyrimin për të mos u shkaktuar dëme të konsiderueshme shteteve të tjera.

Kosova nuk është palë në këtë konventë, pasi nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara. /REL/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara