Lajmet

Murati akuzon PDK-në: Premtimet për zgjedhjet e 9 shkurtit i keni të pasakta dhe rrena

Published

on

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Trasnfere në Kuvendin e Kosovës po shqyrton Projektligjin për buxhetin e vitin 2025.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se buxheti 3.6 miliardësh i vitit të ardhshëm është i zhvillimit të Kosovës.

Ai para anëtarëve të komisionit prezantoi në detaje buxhetin, derisa tha inflacioni pritet të bie në Kosovë, që sipas tij kjo do të mundësojë rritjen ekonomike të Kosovës.

Murati tha se në buxhet janë të parapara rritja e pensioneve, rritja e shtesave për fëmijë, rritja e njësive të koeficientit në sektorin publik.

“Buxheti për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 3 miliardë e 607 milionë euro. Ky buxhet parashihet të financohet nga të hyrat buxhetore në nivelin 3 miliardë e 305 milionë euro, kurse pjesa tjetër prej 300 milionë euro do të jetë deficiti buxhetor, e që në kuadër të rregullës fiskale parashihet të jetë saktësisht dy për qind e bruto-prodhimit vendor. Për të ardhur te ky buxhet janë marrë parametrat e zhvillimit ekonomik dhe performancën së vitit aktual. Inflacioni deri në shtator të këtij viti ka qenë 1.9 për qind, duke shfaqur një tendencë të rënies. Pritet që i njëjti trend të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm që mundëson rikthimin e rritjes ekonomike dhe performancës së të të hyrave buxhetore në nivelin mbi mesataren historike. Deri në fund të vitit presim që në terma real ekonomia të zgjerohet me 4.5 për qind, kurse 6.6 për qind në terma nominal. Investimet kapitale parashihet në zgjerohen në infrastrukturën hekurudhore, rrugore, të menaxhimit të ujërave dhe po ashtu duke mos harruar shtimin e buxhetit për infrastrukturën sportive”, tha ai.

Mirëpo të kundërtën e tha anëtari i komisionit nga radhët e PDK-së, deputeti Mërgim Lushtaku.

Ai tha se buxheti i prezantuar është i planifikuar dobët dhe që s’do të ketë rezultate konkrete në implementimin e tij.

Sipas tij, qeveria Kurti ka mashtruar qytetarët me premtimet e tyre boshe, të cilat siç konsideroi Lushtaku tani nuk janë të parapara në buxhetin e vitit 2025.

“Një buxhet i planifikuar dobët. Si pasojë e kemi edhe një realizim të keq të buxhetit. Kur e shohim rezultatin e implementimit, sigurisht ndërlidhet me planifikimin e dobët dhe të keq të tij. Buxheti kryesisht ka shkuar në shpenzime koti të mallrave dhe shërbimeve, subvencioneve pa asnjë efekt në ekonomi. Kurse realizimi i shpenzimeve kapitale ka qenë nën çdo nivel të komunikimit. Përqindjen e realizmit janë të ulëta dhe ato që janë realizuar janë keqpërdorur përmes tenderëve njëburimore. Thjesht janë vjedh për interesa të grupeve partiake të partisë në pushtet, LVV-së”, tha ai.

Atij i reagoi ministri Murati, i cili tha se qytetarët e dinë se kush po mashtron dhe kush po realizon premtimet.

Sipas tij, qeveria Kurti ka realizuar të gjitha premtimet e dhëna, siç janë rritja e pagave, pensioneve dhe shtesave. Ndërkaq, akuzoi Lushtakun se partia e tij, PDK sa kishte qenë në qeverisje diçka tjetër premtonte dhe të tjera gjëra i bënte në ekzekutiv.

“Qytetarët e dinë se kush po mashtron e kush po realizon atë çka ka thënë. Ne kemi përfshirë në buxhet të gjitha premtimet që kemi dhënë, pasi ne sot po e marrim pensionin me rritje, shtesat, qytetarët e shohin se kush premton dhe kush mashtron realisht. Kemi pa edhe ju herën e fundit që keni qenë në qeveri. Premtimet kanë qenë për 200 mijë vende pune, fonde zhvillimore e në fund kemi përfundua duke rritë pagat 100 për qind për veti, ndërsa shërbyesve publik i keni rritë pagat 4 për qind”, theksoi Murati.

Por, Lushtaku tha se PDK-ja s’ka mundur të realizojë premtimet e saja, pasi prej vitit 2014 nuk e ka pasur kryeministrin, por ka qenë në bashkëqeverisje.

“Me pas edhe kryeministrin nga viti 2014 e tutje të garantojë se edhe 200 mijë vende të punës do të ishin të realizueshme. Por sigurisht kur nuk e ki kryeministrin pengohesh”, tha ai.

Në debat u përfshi edhe deputeti tjetër i PDK-së, Ferat Shala, i cili e pyeti ministrin Murati për investime kapitale, derisa tha se ka kontrast në raport me 32 për qind të parapara për subvencione dhe transfere.

“Sa në total e buxhetit është për investime kapitale. Qysh arsyeton 25 për qind të investimeve kapitale në raport me 32 për transfere”, tha ai.

Por, ministri Murati, tha se rritja e pensioneve ka bërë që të rriten subvencionet dhe transferet. Sipas tij, mosdija për këto çështje tregon se premtimet që po i bën PDK-ja për zgjedhjet e 9 shkurtit janë të paplanifikuara, të pasakta dhe rrena.

“I kemi rritë pensionet. Si po mendoni ju me i rritë pensionet pa i rritë subvencionet dhe transferet. Kjo tregon se edhe premtimet që i bëni i keni totalisht të paplanifikuara, të pasakta dhe rrena”, theksoi Murati.

Atij iu kundërpërgjigj, deputeti Shala, i cili tha se ministri Murati po manipulon.

“Tash po e shoh se ke ardh me manipulu buxhetin dhe opinionin. Definitvisht ke ardh me manipulu këtu”, theksoi Shala.

Kritika ndaj buxhetit për vitin 2025, adresoi edhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“E kam të qartë që nuk po mund t’i mbroni as dikasteret, as ministritë dhe ju mund të planifikoni shkëlqyeshëm por unë e shoh sa ka qenë produktiv dhe ajo para publike sa ju ka shërbyer qytetarëve. Nëse shohim në vitet në vijim, kjo qeveri dhe dikasteret përkatëse, gjitha ministritë, mund të them se janë ministritë që kanë shpenzuar më së paku investime kapitale, vetëm këtë vit po e marr, deri në shtator, në investime kapitale keni shpenzuar 11 për qind, edhe tre muaj kanë mbet, dhe nëse e marrim vitin paraprak sa keni shpenzuar buxhetin. Nëse dikush mund të mbahet mend për bartje të projekteve në të gjitha, është kjo qeveri. Janë dikasteret tuaja që më besoni nuk kisha qejf me qenë në lëkurën tende, të vij këtu dhe t’i mbroj ata që s’kanë punuar fare. Mirëqenie sociale, 4 mijë shtëpi për qiftet e martua, sa i keni shpenzuar, a i keni bart mjetet. Në këto katër vite vija buxhetore dhe shpenzueshmeria është më e ulët në gjitha qeveritë që kanë ekzistuar, më thuaj një projekt që e kanë përfunduar të investimeve kapitale”, tha ai.

Në komision po vazhdon debati në lidhje me Projektligjin për buxheti për vitin 2025.

lajme

Prokuroria e Pejës nis hetime ndaj zyrtarëve që dyshohet se neglizhuan rastin e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka iniciuar hetime zyrtare ndaj një zinxhiri zyrtarësh që u përmendën nga e ndjera Arlinda Zekaj në një parashtresë drejtuar kryeprokurores, ku denoncohej neglizhenca e tyre institucionale.

Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, bëri të ditur në një konferencë për media se viktima kishte dorëzuar letrën më 22 tetor – vetëm tri ditë para se të vritej. Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar masa urgjente, duke paralajmëruar me shkrim se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të humbiste një jetë njeriu.

Sipas Nikçit, viktimës i ishte njohur e drejta e shfrytëzimit të pronës dhe ishte lëshuar urdhër që bashkëshorti të mos i afrohej në distancë prej dy metrash. Vendimi gjyqësor u ekzekutua të enjten në prani të policisë, por pak orë më vonë shpërtheu një konflikt.

Zyrtarët i kishin kërkuar viktimës të mos qëndronte në atë shtëpi për shkak të rrezikut të lartë për sigurinë e saj, duke ftuar edhe dy vëllezërit e saj për ta bindur që të strehohej te ta derisa të gjendej një zgjidhje.

Arlinda Zekaj u vra të dielën në mbrëmje në Vitomiricë të Pejës. I dyshuari kryesor për këtë vrasje është kunati i saj, i cili vazhdon të jetë në arrati. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

“Shteti e vrau Arlindën”: Organizata QIKA me aksion simbolik para Qeverisë kërkon përgjegjësi për vrasjen e Arlinda Zekajt

Published

on

By

Organizata për Barazi Gjinore QIKA ka zhvilluar sot një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar llogaridhënie të menjëhershme institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.

Aktivistet vendosën mbishkrimin “Shteti e vrau Arlindën” në hyrje të ndërtesës dhe hodhën ngjyrë të kuqe në shkallë, si simbolikë e jetëve të humbura të grave dhe përgjegjësisë shtetërore.

Përfaqësuesja e QIKA-s, Blenda Asllani, theksoi se e ndjera kishte ndjekur të gjitha procedurat ligjore, kishte siguruar urdhër mbrojtjeje dhe kishte paralajmëruar rrezikun e dokumentuar, por megjithatë u vra pak minuta pasi kërkoi ndihmë.

“Shteti u kërkon grave ta denoncojnë dhunën, t’i dokumentojnë kërcënimet dhe t’u besojnë institucioneve. Por çfarë vlere kanë këto procedura kur një grua mund t’i ndjekë të gjitha dhe, megjithatë, të vritet? Vrasja e Arlindës është pasojë e një shteti që i braktis gratë”, deklaroi Asllani.

QIKA kërkoi hetim të hollësishëm për të gjitha hallkat zyrtare, duke kërkuar që çdo person përgjegjës – përmes veprimeve apo mosveprimeve – të përballet me drejtësinë pa asnjë tolerim apo fshehje prapa procedurave burokratike. /E.A/

 

Continue Reading

Live

Izraeli voton të martën: Netanyahu në garë të ngushtë për mbijetesë politike pas tre vitesh luftë

Published

on

By

Tre vjet pas sulmit të 7 tetorit 2023, Izraeli përballet të martën me zgjedhje parlamentare vendimtare, ku kryeministri 77-vjeçar, Benjamin Netanyahu, kërkon rizgjedhjen në një garë jashtëzakonisht të ngushtë.

Zgjedhjet shihen si një plebishit për të ardhmen e vendit dhe llogaridhënien e pushtetit:

Kundërshtarët: Të udhëhequr nga ish-shefi i ushtrisë Gadi Eisenkot, kërkojnë përgjegjësi për dështimet e sigurisë të 7 tetorit dhe e akuzojnë Netanyahun për udhëheqjen e një “luftë të përjetshme” pa fitore politike.

Mbështetësit: E shohin Netanyahun si të vetmin lider që i bëri ballë Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit, ndërsa vetë ai ka mbështetur fushatën në sloganin e djathtë kundër krijimit të një shteti palestinez dhe mbështetjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Përveç pasojave të luftës, votuesit mbeten të ndarë edhe për përjashtimin e ultraortodoksëve nga shërbimi ushtarak dhe reformën e diskutueshme në gjyqësor. Meqë asnjë parti nuk pritet të fitojë vetëm shumicën prej 61 mandatesh, rezultati do të përcaktohet nga bisedimet e vështira për koalicion.

 

Continue Reading

Lajmet

Reagimi i Prokurorisë: Si u trajtuan rastet dhe paralajmërimet e Arlinda Zekajt para se të vritej

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Pejë ka reaguar edhe njëherë lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke njoftuar për siç thuhet në komunikatë, veprimet që ka ndërmarrë kryeprokurorja e kësaj Prokurorie dhe prokurorët e shtetit pas pranimit të kërkesës së viktimës dhe gjatë trajtimit të rasteve të raportuara më parë.

Në komunikatë thuhet se dy ditë para vrasjes së saj, më 23 tetor, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare. Ndërkaq më 16 tetor, disa ditë para ngritjes së aktakuzës,  Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët. Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

“Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Bëhet e ditur se në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit. Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, thuhet se prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

“Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.  Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj”, thuhet në njoftim.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, në komunikatë thuhet se prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, thuhet se viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë. Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët”, thuhet në njoftim.

Theksohet se pasi kryeprokurorja pasi kishte pranuar kërkesën nga Zekaj ku ishte ankuar për mënyrën e trajtimit të rasteve të mëparshme, kishte kërkuar që me urgjencë të vlerësohej situata në mënyrë që sipas saj “të verifikoheshin pretendimet për lëshime eventuale dhe të ndërmerreshin veprimet brenda përgjegjësive ligjore të secilit institucion”.

Nata kritike: Kthimi në shtëpi nën shoqërimin e Policisë dhe vrasja 

Prokuroria ka sqaruar se natën kritike, më 25 tetor 2026, në orën 19:48, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin kujdestar të Departamentit të Përgjithshëm lidhur me një rast të dyshuar të dhunës në familje, i cili kishte ndodhur në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima. Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.

Gjatë trajtimit të rastit, Prokuroria thotë se viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Pas kësaj, viktima ishte shoqëruar nga një patrullë policore për në shtëpi, rreth orës 21:00. Pak minuta pas kthimit të saj, prokurori kujdestar ishte njoftuar se ajo ishte goditur me një mjet të fortë brenda shtëpisë nga kunati i saj, A.S., i dyshuar në këtë rast.

Pas marrjes së njoftimit, në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe prokurorja kujdestare e Departamentit për Krime të Rënda, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Prokuroria njofton gjithashtu se, më 23 tetor 2026, kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, J.S., për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

Prokuroria Themelore në Pejë deklaron se pretendimet e paraqitura nga tani e ndjera Arlinda Zekaj në kërkesën e saj janë trajtuar me seriozitet dhe se Kryeprokurorja ka ndërmarrë veprime për adresimin e tyre te institucionet kompetente, si dhe ka iniciuar rast për hetimin e veprimeve ose mosveprimeve të mundshme të personave zyrtarë.

“Prokuroria shpreh keqardhje të thellë për humbjen tragjike të jetës së Arlinda Zekajt dhe shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen e saj. Në të njëjtën kohë, Prokuroria thekson rëndësinë e një hetimi të plotë, objektiv dhe profesional për zbardhjen e të gjitha rrethanave të këtij rasti dhe vlerësimin e përgjegjësive eventuale të të gjithë personave të përfshirë. Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar, i cili ende nuk është arrestuar”, thuhet në njoftim.

 

Continue Reading

Të kërkuara