Lajmet

Moti për dy ditët e ardhshme

Published

on

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të mërkurën dhe të enjten do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat do të krijojnë kushte për riga shiu dhe shkarkime rrufesh, kryesisht përreth maleve.

Sipas IHMK-së, temperaturat gjatë dy ditëve do të jenë konstante në dy vlerat ekstreme.

“Temperaturat gjatë këtyre dy ditëve do të jenë pothuaj konstante në të dy vlerat ekstreme. Minimalet do të lëvizin ndërmjet 16-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 32-33 gradë Celsius. Indeksi UV vazhdon t’i mbajë vlerat e larta dhe këshillat e IKSHP mbeten në fuqi. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes dhe jugperëndimit e lehtë dhe lokalisht e fortë”, thuhet në njoftim./UBTNews

Lajmet

Aktakuzë ndaj katër personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës

Published

on

Prokuroria Speciale, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve B.R., B.H., R.Q. dhe N.L, për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës 02.08.2017 deri më 26.11.2020, në Prishtinë, në cilësinë e personave zyrtarë të Ministrisë së Infrastrukturës, të pandehurit i kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, në lidhje me inicimin, prokurimin, menaxhimin, autorizimin, certifikimin dhe pagesën e kontratës publike “Mirëmbajtja e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017–2019”.

“Të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik, të Rregullores dhe Udhëzimit Operativ për Prokurim Publik, si dhe me Rregullën Financiare për Shpenzimet e Parasë Publike, pasi, ndonëse aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me vlerë të parashikuar prej 500,000 eurosh, janë realizuar pagesa totale në shumën prej 5,377,058.07 eurosh”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, sipas aktakuzës, thuhet se janë nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve me sasi shumëfish më të larta se ato të parapara në dosjen e tenderit, pa aneks-kontratë, pa procedurë të re prokurimi dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni i pranimit të punëve.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës që të pandehurve t’u shqiptohet edhe dënimi plotësues: ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik./A.K/

 

Continue Reading

Lajmet

Shpërthim në portin e Roterdamit, një i vdekur dhe disa të plagosur

Published

on

Një shpërthim ka ndodhur në portin e Roterdamit në Holandë, duke shkaktuar vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve.

Policia njoftoi se shpërthimi ndodhi rreth orës 11:30 në rrugën Moezelweg, ndërsa zona është rrethuar. Shkaku i shpërthimit ende nuk dihet dhe autoritetet kanë nisur hetimet.

Në të njëjtën zonë, kompania Gunvor Energy, e cila menaxhon rezervuarë për ruajtjen e derivateve të naftës, raportoi një incident tjetër gjatë punimeve të mirëmbajtjes, ku disa persona mbetën të plagosur.

Mediat lokale raportuan edhe për ndërprerje të energjisë elektrike në port. Autoritetet po hetojnë nëse ka ndonjë lidhje mes ndërprerjeve dhe shpërthimit.

Porti i Roterdamit është porti më i madh në Evropë dhe përfshin rafineri nafte dhe një numër objektesh petrokimike./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rama: Ukraina e ka gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme

Published

on

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Beograd, ku ky i fundit tha se Ukraina nuk do ta ndryshojë qëndrimin sa i përket pavarësisë së Kosovës.

Rama ka thënë se Ukraina dhe Zelensky “e kanë gabim për Kosovën”, por ka theksuar se kjo nuk e ndryshon mbështetjen e Shqipërisë për Ukrainën dhe të drejtën e saj për të qenë e lirë.

Në një postim, Rama ka kritikuar ata që, pas deklaratës së Zelenskyt, kanë kërkuar që Shqipëria dhe Kosova të ndryshojnë qëndrimin ndaj Ukrainës.

“Miku im i dashur, Volodymyr Zelensky, qëndroi në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët më të zëshëm popullistë në Tiranë dhe Prishtinë nisën të bëjnë llogaritë gjeopolitike: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën, të mos e mbështesim më të lirën dhe të mos vajtojmë për viktimat e bombardimeve. Më të pamaturit prej tyre na sulmuan pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Madje, disa brohoritën për Rusinë!”, ka shkruar Rama./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Ekstradohen dy persona nga Gjermania dhe Hungaria drejt Kosovës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka realizuar me sukses dy ekstradime nga shtete të ndryshme drejt Kosovës, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar për luftimin e kriminalitetit dhe zbatimin e urdhrave ndërkombëtarë të arrestit.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në koordinim me njësitet relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë, më 12 gusht është ekstraduar nga Gjermania në Kosovë shtetasi kosovar me inicialet M.T.. Ai ishte në kërkim me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale që lidhet me blerjen, posedimin, shpërndarjen dhe shitjen e paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe substancave analoge.

Pas ekstradimit, M.T. i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Ndërkohë, më 13 gusht 2026, nga Hungaria drejt Kosovës është ekstraduar shtetasi i Serbisë me inicialet I.S., i cili gjithashtu kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë. Edhe në këtë rast, bëhet fjalë për dyshime lidhur me veprën penale të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe substancave analoge.

Pas mbërritjes në Kosovë, edhe I.S. i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në kuadër të DRP Prishtinë, për procedurat e mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se këto dy ekstradime janë mundësuar falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe autoriteteve të Gjermanisë dhe Hungarisë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftimin e veprave penale dhe lokalizimin e personave të kërkuar nga drejtësia.

Përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë shkëmbimin e informacionit me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e aktiviteteve kriminale, si dhe lokalizimin dhe arrestimin e personave apo grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë territorit të Kosovës. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara