Lajmet
Moskonstituimi i tërësishëm i Kuvendit as në përpjekjen e 59-të
Published
7 months agoon
By
UBT NewsEdhe pse deputetët kanë zgjedhur kryetarin e Kuvendit, Dimal Bashën, dhe katër nënkryetarë, konstituimi nuk konsiderohet i plotë për shkak se nuk është zgjedhur edhe nënkryetari nga Lista Serbe.
Dimal Basha mori besimin e 73 deputetëve, 30 ishin kundër dhe tetë abstenuan.
Seanca vazhdoi me zgjedhjen e nënkryetarëve nga tri partitë më të mëdha shqiptare, ku Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala, u zgjodhën si pako me shumicë të votave, 101 pro, asnjë kundër dhe 9 abstenime.
Në radhët e komunitetit joserbe, u zgjodh nënkryetare Emilia Rexhepi me 73 vota pro, një kundër dhe 23 abstenime.
Gjatë seancës, problemet nisën me propozimin nga Lista Serbe, pasi që kjo parti propozoi tri herë Slavko Simiqin si nënkryetar dhe të tri heret nuk mori votat e mjaftueshme për të kaluar si nënkryetar.
Simiq, mori vetëm dhjetë vota për nga Lista Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha, kurse kundër votuan 56 deputetët e LVV-së, ndërkaq 23 deputetë nga PDK abstenuan, kurse nga deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votim.
Derisa deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq propozonte Simiqin për të katërtën herë, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ia ndali mikrofonin, pasi Simiq kundër rregullores së Kuvendit, komentonte situatën edhe pse nuk lejohet debat përveç propozimit të emrit.
Ai akuzoi Bashën se me ndarjen e votimit veç e veç për komunitetet joshumicë, po shkelin rregulloren e Kuvendit, derisa insistonte që përkundër aktvendimit të Kushtetueses që një kandidat duhet të propozohet vetëm tri herë, ta propozojë Simiqin edhe për herën e katërt.
Basha vazhdoi seancën me votim me short por sërish deputetët e Listës Serbe nuk morën votat e mjaftueshme.
Njëjtë ndodhi edhe me deputetin tjetër nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, i cili është kryetar i Partisë së Pavarur Liberale.
Rashiq mori vetëm 55 vota për, një deputet ishte kundër, kurse shtatëmbëdhjetë sosh abstenuan.
Ndërkaq, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në votim fare në momentin e votimit të nënkryetarit nga komuniteti serb.
Kjo ka bërë që seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, të ndërpritet për të vazhduar të enjten prej orës 11:00.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde duke komentuar moskonstituimin e Kuvendit, për shkak se shumica e deputetëve refuzuan ta votojnë nënkryetarin nga Lista Serbe, ka thënë se protagonistët nuk kanë vullnet politik për të gjetur një zgjidhje dhe se kjo është e keqe për Kosovën.
Ka reaguar edhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili ka shprehur shqetësimin duke theksuar se as në përpjekjen e 59-të, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk arriti të përmbyllë procesin e konstituimit.
“Megjithëse u zgjodh kryetari i Kuvendit dhe tre nënkryetarë nga subjektet më të mëdha parlamentare, KDI vlerëson se gjatë procesit të zgjedhjes së dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë ka pasur shkelje procedurale nga ana e kryetarit të Kuvendit, përmes vendosjes së një procedure të ndarë votimi për kandidatin nga komuniteti serb dhe atë nga komunitetet tjera jo-shumicë. Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese kanë përcaktuar se konstituimi i Kuvendi duhet të bëhet edhe në bazë të praktikave të deritanishme sipas të cilave pesë (5) nënkryetarët e Kuvendit janë votuar në dy pako të ndara. Fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (neni 67), Rregullores së Punës së Kuvendit (neni 12) dhe aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese nënvizon thelbësisht nevojën për konsensus dhe gjithpërfshirje gjatë votimit të kryetarit/es dhe nënkryetarëve. Devijimi nga kjo procedurë, jo vetëm që cenon procesin e konstituimit të Kuvendit por edhe pengon zbatimin e obligimeve kushtetuese për garantimin e përfshirjes së komunitetit serb në institucionet e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.
KDI u bën thirrje subjekteve parlamentare që me përgjegjësi institucionale dhe duke pasur në prioritet interesin shtetëror, të përkushtohen për të gjetur një zgjidhje që përmbyllë sa më parë procesin e konstituimit të Kuvendit në përputhje me frymën e Kushtetutës, Rregulloren e Punës dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.
Përndryshe, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, procesi i konstituimit të Kuvendit të Kosovës shënon hapin e parë institucional drejt formimit të institucioneve të reja të vendit.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, mbledhja konstituive e Kuvendit duhet të thirret nga Presidenti i vendit brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
You may like
Rajoni
Kurti takon Macron në Paris: Franca mbështet integrimin evropian të Kosovës
Published
4 hours agoon
March 27, 2026By
UBTNews
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize në Paris.
Presidenti Macron e uroi Kurtin për rizgjedhjen dhe mandatin e ri, ndërsa Kurti shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës.
Në takim u diskutua për integrimet evropiane, sigurinë dhe bashkëpunimin bilateral, ku u theksua edhe roli i NATO-s në Kosovë përmes KFOR-it dhe misioneve të Bashkimit Evropian.
Kurti, sipas komunikatës, theksoi se “Kosova mbetet e harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së”, duke përmendur edhe progresin në reformat e brendshme.
Ai shtoi se vendi ka shënuar “progres në 35 nga 38 fusha”, sipas Raportit të fundit të BE-së, dhe kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Në takim u diskutua edhe për dialogun Kosovë–Serbi në Bruksel, sigurinë rajonale, si dhe forcimin e bashkëpunimit me aleatët euroatlantikë.
Po ashtu, palët folën për investimet në arsim dhe organizimin e forumeve të reja të biznesit Kosovë–Francë, pas forumit të mbajtur në shkurt në Prishtinë, si dhe për përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030 në Kosovë.
Në takim morën pjesë edhe zyrtarë të lartë francezë dhe diplomatë të Kosovës, ndërsa u konfirmua përkushtimi për thellimin e partneritetit mes dy vendeve.
Aktualitet
SHBA dhe Kosova diskutojnë zgjerimin e bashkëpunimit në energji dhe miniera
Published
6 hours agoon
March 27, 2026By
UBTNews
E ngarkuara me punë në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, ka zhvilluar një takim zyrtar me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, për të diskutuar mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në sektorët e energjisë dhe minierave.
Gjatë këtij takimi, Prattipati rikonfirmoi përkushtimin e Ambasadës amerikane për krijimin e mundësive të reja për bizneset nga Shtetet e Bashkuara, me fokus të veçantë tek ato që operojnë në sektorin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) dhe në industrinë minerare.
Duke vlerësuar ecurinë e bisedimeve, diplomatja amerikane u shpreh se “ne mirëpresim bashkëpunimin e vazhdueshëm në fusha që promovojnë prosperitetin e ndërsjellë” mes dy vendeve.
Të dyja palët konfirmuan vullnetin për të forcuar lidhjet ekonomike, duke synuar projekte që sjellin stabilitet energjetik dhe zhvillim të qëndrueshëm për Kosovën përmes investimeve strategjike amerikane.
Vendi
Osmani pret në takim ambasadorin turk: Vlerësohet lart mbështetja për FSK-në dhe diplomacinë
Published
7 hours agoon
March 27, 2026By
UBTNews
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në një takim zyrtar ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet mes dy shteteve dhe zhvillimet aktuale politike.
Gjatë kësaj bisede, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë ndaj Kosovës, si në planin historik, ashtu edhe gjatë mandatit të saj, duke vënë theks të veçantë në fushat jetike si mbrojtja dhe diplomacia.
Në këtë kuadër, Presidentja Osmani vlerësoi lart rolin e Turqisë në forcimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe përkrahjen e palëkundur që ky shtet ka ofruar në procesin e njohjeve ndërkombëtare. Ajo drejtoi një falënderim të veçantë për Presidentin Recep Tayyip Erdoğan për përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm të ambasadorit Angılı dhe të gjithë stafit të Ambasadës Turke në Prishtinë.
“Një falënderim i veçantë iu drejtua Presidentit Recep Tayyip Erdoğan për përkushtimin e tij ndaj Kosovës, si dhe ambasadorit Angılı dhe Ambasadës së Turqisë për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, thuhet në njoftimin e presidencës.
Gjatë takimit, të dy palët riafirmuan përkushtimin e tyre për ta fuqizuar edhe më tej partneritetin strategjik, në funksion të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të përbashkët.
Në përmbyllje të bisedës, u diskutua edhe për aspektin sportiv, konkretisht për ndeshjen e ardhshme kualifikuese për FIFA World Cup 2026 ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Me këtë rast, u shpreh dëshira që kjo përballje në fushën e blertë të karakterizohet nga fryma e lartë sportive dhe respekti i ndërsjellë që ekziston mes dy vendeve.
Lajmet
Vetëm 33% e raketave të Iranit janë shkatërruar me siguri nga SHBA
Published
7 hours agoon
March 27, 2026By
UBTNews
Shtetet e Bashkuara mund të përcaktojnë me siguri se kanë shkatërruar vetëm rreth një të tretën e arsenalit gjigant të raketave të Iranit, ndërsa lufta e SHBA-së dhe Izraelit kundër vendit po i afrohet markës së saj njëmujore, sipas pesë personave të njohur me inteligjencën amerikane, raporton Reuters.
Statusi i rreth një të tretës tjetër është më pak i qartë, por bombardimet ka të ngjarë të kenë dëmtuar, shkatërruar ose varrosur ato raketa në tunele dhe bunkerë nëntokësorë, thanë katër nga burimet. Burimet folën në kushte anonimiteti duke pasur parasysh natyrën e ndjeshme të informacionit.
Një nga burimet tha se inteligjenca ishte e ngjashme edhe për aftësitë e dronëve të Iranit, duke thënë se kishte një shkallë sigurie se rreth një e treta ishte shkatërruar.
Vlerësimi, i cili nuk është raportuar më parë, tregon se ndërkohë që shumica e raketave të Iranit janë ose të shkatërruara ose të paarritshme, Teherani ka ende një inventar të konsiderueshëm raketash dhe mund të jetë në gjendje të rikuperojë disa raketa të varrosura ose të dëmtuara sapo të ndalojnë luftimet.
Inteligjenca bie në kundërshtim me deklaratat publike të Presidentit Donald Trump të enjten se Irani kishte “shumë pak raketa të mbetura”. Ai gjithashtu duket se pranoi kërcënimin nga raketat dhe dronët e mbetur iranianë për çdo operacion të ardhshëm të SHBA-së për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit, e cila është jetike ekonomikisht.
Reuters raportoi i pari se ai po shqyrton nëse do ta përshkallëzojë konfliktin duke vendosur trupa amerikane në brigjet iraniane përgjatë Ngushticës.
“Problemi me ngushticat është ky: le të themi se bëjmë një punë të shkëlqyer. Themi se kemi goditur 99% (të raketave të tyre). 1% është e papranueshme, sepse 1% do të thotë një raketë që godet trupin e një anijeje që kushton një miliard dollarë,” tha Trump në një mbledhje kabineti të transmetuar në televizion të enjten.
I pyetur për koment, një zyrtar i Pentagonit tha se sulmet me raketa dhe dronë iranianë kanë rënë me rreth 90% që nga fillimi i luftës. Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane “ka dëmtuar ose shkatërruar gjithashtu mbi 66% të objekteve të prodhimit të raketave, dronëve dhe mjeteve detare, si dhe kantieret detare të Iranit,” shtoi zyrtari.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Përfaqësuesi demokrat Seth Moulton, një veteran i Korpusit të Marinës që shërbeu katër turne në Irak, refuzoi të komentonte gjetjet e Reuters, por ai kundërshtoi pretendimet e Trump për ndikimin e luftës në arsenalin e Iranit.
“Nëse Irani është i zgjuar, ata kanë ruajtur një pjesë të aftësive të tyre – nuk po përdorin gjithçetka që kanë. Dhe ata po qëndrojnë në pritë,” tha Moulton. /Reuters/
Kurti takon Macron në Paris: Franca mbështet integrimin evropian të Kosovës
SHBA dhe Kosova diskutojnë zgjerimin e bashkëpunimit në energji dhe miniera
Osmani pret në takim ambasadorin turk: Vlerësohet lart mbështetja për FSK-në dhe diplomacinë
Vetëm 33% e raketave të Iranit janë shkatërruar me siguri nga SHBA
Betohen anëtarët e rinj të KQZ-së para Presidentes Osmani
Kosova U19 shkëlqen me fitore të thellë ndaj Gjibraltarit në kualifikime
Ndahet nga jeta Salih Zogiani, ruajtësi i anekdotave shqiptare
KPK-ja themelon Komisionin për monitorimin e rasteve të korrupsionit dhe krimeve ekonomike
Komuna e Prishtinës ndalon qarkullimin e mjeteve bujqësore në zonat urbane
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoStudentët e UBT-së vizitojnë agjencinë Base Agency për të mësuar mbi marketingun dhe inovacionin
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
