Lajm në zhvillim
Familja Ademaj flet pas dënimeve të përjetshme: “Ky është një mësim për të gjithë”
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar sot burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vite burgim për vrasjen e Liridona Ademajt. Menjëherë pas përfundimit të seancës, vëllai i viktimës, Leonard Ademaj, u deklarua para mediave duke shprehur lehtësimin e familjes për vendimin e drejtësisë.
“Ajo që u vërtetua sot është ajo që e kemi thënë ne nga fillimi, se Naimi së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës, e kanë organizuar këtë krim,” tha ai para gazetarëve.
Ademaj theksoi se pesha e këtij vendimi tejkalon dhimbjen e tyre familjare, duke u fokusuar te fëmijët që mbetën pa nënë. “Ky vendim nuk shkon vetëm për ne, shkon edhe për Liridonën dhe për gjithë fëmijët e Liridonës, të cilët nuk do ta shohin më nënën e tyre përjetësisht,” shtoi ai me emocione.
Në fund, ai bëri thirrje që kjo dritë e drejtësisë të shërbejë si parandalim për shoqërinë. “Andaj ky dënim duhet të jetë edhe një mësim për të gjithë të tjerët që mundohen apo krijojnë mundësi që ta bëjnë një krim të tillë,” përfundoi Leonard Ademaj.
Ky vendim vjen pas një procesi të gjatë ku u vërtetua se Naim Murseli e kishte porositur vrasjen e bashkëshortes së tij, duke inskenuar një grabitje të rreme në fshatin Bërnicë në nëntor të vitit 2023.
Burgim i përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, 30 vite burg për Kushtrim Kokallën
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur sot aktgjykimin dënues për vrasjen makabre të Liridona Ademajt, duke shqiptuar dënime maksimale për protagonistët e këtij krimi.
Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës i cili u vërtetua se ishte organizatori i vrasjes, dhe Granit Plava, në cilësinë e ekzekutorit, janë dënuar me burgim të përjetshëm.
Ndërkaq, i akuzuari i tretë, Kushtrim Kokalla, është dënuar me 30 vite burgim për bashkëpunim në kryerjen e kësaj vrasjeje të rëndë. Ky vendim vjen pas një procesi gjyqësor maratonë që zgjati mbi një vit, gjatë të cilit u zbardh skenari gjakftohtë i inskenuar si grabitje e armatosur.
Sfondi i kësaj tragjedie daton më 29 nëntor 2023, kur Liridona Ademaj u vra në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurorja Javorka Perlinçeviq, Naim Murseli e kishte planifikuar vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak të raporteve të prishura dhe me qëllim përfitimin financiar nga një polisë e sigurimit jetësor në vlerë prej 3 milionë kruna suedeze.
Për ta jetësuar planin, ai kishte bashkëpunuar me familjarin e tij, Kushtrim Kokallën, i cili e kishte njoftuar me Granit Plavën, personin që pranoi ta kryente vrasjen për një shumë prej 30 mijë eurosh.
Në ditën kritike, Murseli dhe Plava blenë armën nga Tom Dodaj (i dënuar më parë me 3 vite burgim), dhe inskenuan ngjarjen në atë mënyrë që të dukej si sulm nga grabitësit.
Dosja e prokurorisë përshkruan një moment rrëqethës ku thuhet se Murseli e kishte mbajtur Liridonën për dore që ajo të mos u shmangej plumbave të shkrepur nga Plava, para se ai të largohej nga vendi i ngjarjes me fëmijët. Megjithëse të akuzuarit refuzuan të ishin prezentë në sallë për shpalljen e vendimit, ky aktgjykim i shkallës së parë shënon epilogun e një prej rasteve më tronditëse në historinë e drejtësisë kosovare.