Aktualitet

Ministri Mehaj pranon nga gjenerali amerikan, flamurin e ShBA-së, të ngritur në nderim të tij në Kampin Film City

Published

on

Ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Armend Mehaj ka pritur sot, në përmbyllje të shërbimit në Kosovë, Shefin e Shtabit të KFOR-it, gjeneral brigadierin e Ushtrisë Amerikane në Kosovë, Larry L. Henry.

Me këtë rast, gjeneral Henry i dorëzoi ministrit Mehaj, flamurin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili është ngritur në nderim të tij në Kampin e Shtabit të Përgjithshëm të KFOR-it në Film City në Prishtinë. Flamuri shoqërohet me përshkrimin: “Ndriçuar në errësirë nga drita e drejtësisë, ky flamur dëshmon për sakrificën dhe guximin e atyre burrave dhe grave që luftojnë forcat armike që kërcënojnë lirinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe botës.”

Në fund, përshkrimi përmbante edhe thënien e famshme të ish-presidentit të njohur amerikan, Ronald Reagan : “Nuk ka asnjë kufizim në sasinë e të mirës që mund të bësh nëse nuk të intereson kush e merr kredinë”

Nga ana e tij, Ministri Mehaj shprehu falënderimin dhe mirënjohjen  më të lartë për kontributin e gjeneral Henryt gjatë shërbimit të tij, dhe për rolin e rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me tërë përkrahjen e madhe e të shumanshme në shtetndërtimin e vendit, ruajtjen e sigurisë, si dhe mbështetjen me rolin e pazëvendësueshëm në zhvillimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së. Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për gjendjen aktuale të sigurisë në vend, që është prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it si dhe trendin e zbatimit të Planit të Tranzicionit të FSK-së. Gjeneral Henry gjatë takimit shoqërohej edhe nga pasuesi i tij, bashkëkombësi, gjeneral Maier, i cili siguroi ministrin Mehaj për vazhdimin e bashkëpunim të ngushtë edhe në mandatin e tij.

Lajmet

Gjendet pa shenja jete një person në Prizren

Published

on

By

Një burrë në Prizren është gjetur pa shenja jete. Sipas raportit 24 orësh te Policisë se Kosovës , rasti ka ndodhur më 27 prill 2026, në rrethana që ende pritet të sqarohen.

Menjëherë pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Deri më tani, shkaqet e vdekjes mbeten të panjohura, duke bërë që autoritetet të nisin hetimet nën cilësimin “hetim i vdekjes”.

Me vendim të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

 

Continue Reading

Lajmet

Prishtinë: Një i arrestuar për kanosje dhe dy armë të sekuestruara

Published

on

By

Brenda 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në dy raste të ndara të kanosjes në rajonin e Prishtinës, të cilat kanë rezultuar me arrestimin e një personi dhe konfiskimin e armatimit.

Në rastin e parë të regjistruar në Prishtinë, policia ka arrestuar një person, i cili dyshohet se ka përdorur rrjetet sociale për të kërcënuar një burrë kosovar. Pas denoncimit të viktimës dhe mbledhjes së provave fillestare, prokurori ka lëshuar vendim që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për procedime të mëtejshme.

Ndërkohë, një tjetër incident ka ndodhur në fshatin Besi, pas një mosmarrëveshje mes dy personave. Policia ka intervistuar palët e përfshira dhe, me qëllim parandalimin e eskalimit të situatës, ka sekuestruar dy armë (për të cilat i dyshuari posedonte leje) së bashku me 60 fishekë. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, ky rast ka kaluar në procedurë të rregullt hetimore.

 

Continue Reading

Aktualitet

I dyshuari për sulmin në Uashington akuzohet për tentativë atentati ndaj Trumpit

Published

on

By

I dyshuari për të shtënat në një ceremoni në Uashington, ku do të fliste edhe presidenti amerikan, Donald Trump, u akuzua për tentativë për atentat, si dhe për një komplot më të gjerë që synonte zyrtarë të lartë qeveritarë.

Prokurorja federale për Distriktin e Kolumbisë, Jeanine Pirro, i bëri publike akuzat në një konferencë për media më 27 prill – dy ditë pas sulmit në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Ajo tha se i dyshuari, Cole Tomas Allen, pritet të përballet edhe me akuza të tjera, ndërsa hetimet vazhdojnë.

“Ato janë vetëm tri akuza të përfshira në kallëzim… do të ketë akuza të tjera, ndërsa hetimet zhvillohen”, tha Pirro.

“Por, të mos ketë asnjë dyshim, kjo ishte një tentativë për atentat ndaj presidentit të Shteteve të Bashkuara”, shtoi ajo.

Më 25 prill, Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, hapi zjarr me një armë gjahu ndaj personelit të sigurisë, duke shkaktuar panik, ndërsa presidenti Trump dhe zonja e parë, Melania Trump, u larguan me shpejtësi nga një sallë pranë, pa u lënduar.

Zyrtarët thanë se një pjesëtar i sigurisë u qëllua, teksa Allen tentoi të kalonte një pikë kontrolli, por nuk pësoi lëndime serioze, pasi mbante jelek antiplumb.

Sipas prokurores Pirro, hetuesit besojnë se ai synonte të “qëllonte sa më shumë zyrtarë të lartë të Qeverisë”.

Në të njëjtën konferencë, ushtruesi i detyrës së prokurorit të përgjithshëm, Todd Blanche, tha se autoritetet kanë siguruar një manifest, që i dyshuari besohet se ua kishte dërguar familjarëve të tij.

Sipas tij, është e qartë se objektivi kryesor ishte presidenti Trump, ndërsa motivet e tjera po hetohen nga FBI-ja dhe agjencitë e rendit.

Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, Allen kishte rezervuar më 6 prill një dhomë në hotelin ku mbahej darka dhe kishte udhëtuar nga Kalifornia drejt Uashingtonit me tren.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë në Uashington, Alex Raufoglu, ishte i pranishëm në ceromoni, kur ndodhën të shtënat.

“Ishte tronditëse. Të gjithë po kërkonin mundësi strehimi”, tha Raufoglu, duke kujtuar momentet e para.

“Padyshim, disa filluan të fshiheshin menjëherë nën tavolinë. Gazetarët menjëherë filluan të dokumentonin, duke kërkuar informacione. Papritur u shfaq Shërbimi Sekret dhe e shoqëroi presidentin jashtë”, shtoi ai. /REL/

Continue Reading

Lajmet

Zgjedhja e Presidentit: Prapaskenat e një dite me dy seanca dhe dështimi i votimit në rundin e parë

Published

on

By

Zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës rreth zgjedhjes së Presidentit të ri janë shoqëruar me tensione të larta, akuza për shkelje të Kushtetutës dhe një bllokadë totale nga ana e partive opozitare.

Gjithçka nisi me një seancë të thirrur të hënën në orën 17:00, e cila ishte paraparë si një hapësirë për diskutim lidhur me procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit. Gjatë këtij takimi, kandidatët e mëparshëm, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, u tërhoqën zyrtarisht nga gara për t’i hapur rrugë një procesi të ri, por kjo nuk mjaftoi për të bindur opozitën.

Partitë opozitare si PDK, LDK dhe AAK e bojkotuan këtë seancë, duke e cilësuar atë si një performancë të brendshme të partisë në pushtet dhe jo si një përpjekje serioze për konsensus kombëtar.

Në vazhdën e kësaj situate, një tjetër seancë e jashtëzakonshme u thirr në orën 20:30, ku në procedurë votimi u futën dy kandidatet e reja të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Megjithëse procesi nisi, ai dështoi që në rundin e parë, pasi në sallë nuk ishin të pranishëm 80 deputetë, siç kërkohet me rregullat kushtetuese. Kandidatja Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë, duke bërë që kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ta ndërpresë seancën për ta shtyrë atë për të martën.

Gjatë kësaj kohe, Haxhiu u bëri thirrje vazhdimisht deputetëve të tjerë që të hyjnë në sallë, duke pretenduar se ata ndodheshin në zyrat e tyre brenda ndërtesës së Kuvendit, por thirrjet e saj ranë në vesh të shurdhër.

Nga ana tjetër, kryeministri Albin Kurti e akuzoi opozitën për mosrespektim të vullnetit të popullit dhe për bllokadë të qëllimshme. Ai u shpreh se qeveria ishte e gatshme për bashkëpunim, madje duke ofruar edhe pozitën e kryeparlamentarit apo propozimin e emrave konsensualë, por sipas tij, opozita ka preferenca për koalicione të padeklaruara që synojnë vetëm dëmtimin e subjektit fitues.

Kjo qasje u kundërshtua ashpër nga krerët e opozitës. Bedri Hamza nga PDK dhe Besnik Tahiri nga AAK e cilësuan nisjen e votimit pa kuorumin e nevojshëm si një “puç kushtetues” dhe një goditje të rëndë ndaj demokracisë. Ata kritikuan edhe joseriozitetin e thirrjes së seancave brenda pak minutave, duke e konsideruar këtë si një përpjekje për të detyruar institucionet në rrugë antikushtetuese.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes kryetarit Lumir Abdixhiku, shprehu pakënaqësinë e saj, duke bërë të ditur se kishin mbledhur 15 nënshkrime për të mbështetur një kandidaturë, por akuzuan Lëvizjen Vetëvendosje se e refuzoi dialogun e mirëfilltë.

Ndërkohë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) paralajmëroi se çdo tentativë për të zgjedhur presidentin pa praninë e dy të tretave të deputetëve në dy rundet e para është një shkelje e hapur e ligjit dhe krijon precedentë të rrezikshëm për stabilitetin e vendit. Me afrimin e datës 28 prill, që është edhe afati i fundit ligjor për zgjedhjen e presidentit, vendi mbetet në një pritje të tensionuar mes nevojës për institucione të qëndrueshme dhe krizës së thellë politike.

 

Continue Reading

Të kërkuara