Lajmet

​Ministri Malaj: Shqipëria, 10 miliardë euro të ardhura në buxhet deri më 2030

Published

on

Ministri i Financave i Shqipërisë Petrit Malaj deklaroi se reformat kryesore fiskale të ndërmarra nga qeveria do të garantojnë një sistem më të drejtë, më konkurrues dhe plotësisht të harmonizuar me standardet e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.

Sipas tij, rritja e qëndrueshme ekonomike dhe menaxhimi i përgjegjshëm i financave publike do të çojnë të ardhurat buxhetore në 10 miliardë euro në fund të dekadës.

“Të ardhurat buxhetore parashikohen të arrijnë 10 miliardë euro në 2030, me një rritje prej 311 milionë eurosh në vit si rezultat kryesisht i zgjerimit të bazës tatimore”, tha Malaj.

Malaj theksoi se “Paqja Fiskale” do të sjellë lehtësime të ndjeshme për qytetarët dhe bizneset brenda harkut kohor 2026-2030, përmes faljes së detyrimeve tatimore e doganore të prapambetura, duke i hapur rrugën një marrëdhënieje të re midis administratës dhe tatimpaguesve.

Po ashtu, informoi ai, do të vijojë politika e taksës 0% për bizneset e vogla deri në vitin 2029, me synimin për të nxitur sipërmarrjen e vogël dhe formale. Një vëmendje të veçantë qeveria i ka kushtuar sektorit të bujqësisë, ku pritet rishikimi i skemës së TVSH-së për fermerët në përputhje me praktikat e BE-së.

Në këtë kuadër, ministri vuri në dukje se fermerëve do t’u mundësohet kompensim deri në 10% të TVSH-së për çdo blerje malli apo shërbimi që mbështet zinxhirin e prodhimit.

Në fushën e tatimit të pasurisë, reforma e re do të bazohet në vlerën reale të pronës, duke zbatuar një metodologji të përditësuar të çmimeve të referencës, me qëllim rritjen e drejtësisë fiskale dhe uljen e informalitetit.

Ministri theksoi gjithashtu se do të hapet një proces i ri rivlerësimi i pasurive të paluajtshme me një normë të reduktuar tatimore prej vetëm 5% për individët dhe personat juridikë, për të inkurajuar deklarimin e saktë të pronës./S.K/KP/ATSH/

Continue Reading

Lajmet

​Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, lihen në burg Gjon Shkambi

Published

on

Në Gjykatën e Apelit sot u mbajt seanca për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja.

Gjykata e Apelit ka vendosur të lë në burg Gjon Shkambin dhe punonjësin e sigurisë, Banush Koxhaj.

Ndërkohë vrasësi i gjyqtarit Elvis Shkambi nuk e ka apeluar masën e arrestit me burg.

Gjon Shkambi akuzohet se kishte dijeni mbi planin e nipit, akuza të cilat i ka mohuar. Koxhaj dyshohet se shpërdoroi detyrën duke mos kontrolluar dhe mos vlerësuar alarmin e detektorit që tregoi se vrasësi po hynte me një pistoletë./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Fillon periudha për votimin me postë nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se sot ka filluar periudha e votimit jashtë Kosovës për votim me postë në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave.

KQZ njofton se kjo periudhë e votimit (27 tetor – 8 nëntor 2025) do të vlejë vetëm për 29,712 shtetasit e Republikës së Kosovës që janë regjistruar me sukses si votues jashtë vendit gjatë afatit të përcaktuar për regjistrim (23 korrik- 29 gusht 2025).

“Këta votues i takojnë komunave, të cilat, sipas rezultateve ende të pacertifikuara, janë pjesë e raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave, si: Gjakovë (3,141), Gjilan (2,066), Dragash (2,770), Kaçanik (1,149), Klinë (2,230), Fushë Kosovë (489), Mitrovicë e Jugut (1,188), Obiliq (220), Rahovec (1,902), Pejë (1,895), Prishtinë (1,727), Prizren (2,870), Suharekë (3,325), Viti (1,970), Vushtrri (1,019), Junik (1,363), Mamushë (356) dhe Kllokot (49)”, thuhet në njoftim.

KQZ thotë se ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë.

Me qëllim të ofrimit të mundësisë për votim për shtetasit që janë regjistruar për të votuar përmes postës, kutitë postare janë funksionale në këto shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër./S.K/KP/

Continue Reading

Lajmet

Presidentja Osmani arrin për vizitë pune në Riad, pritet me nderime ushtarake

Published

on

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka arritur në Riad të Arabisë Saudite, me ftesë të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhamed bin Salman, për të marrë pjesë në Future Investment Initiative (FII).

Ky forum, i njohur si një nga ngjarjet më prestigjioze globale për investime dhe inovacion, mbledh udhëheqës botërorë, drejtues të korporatave më të mëdha ndërkombëtare, investitorë, dhe ekspertë të teknologjisë e politikave publike, për të diskutuar idetë dhe strategjitë që do të formësojnë ekonominë dhe shoqëritë e së ardhmes.

Presidentja Osmani kur arriti u prit me nderime ushtarake në Riad të Arabisë Saudite./S.K/UBTNews/

Continue Reading

Lajmet

Aksidentoi dy turistët francezë, arrestohet 35-vjeçari në Korçë

Published

on

Policia e qarkut Korçë ka vënë në pranga një 35-vjeçar nga fshati Grabovicë, pasi u përfshi në një aksident rrugor ku u plagosën dy turiste franceze.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, E. C., 35 vjeç, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ngjarja ndodhi një ditë më parë në aksin rrugor “Korçë–Pogradec”, ku automjeti që drejtohej prej tij u përplas me mjetin në të cilin ndodheshin dy shtetaset franceze.

Të plagosurat u dërguan fillimisht në Spitalin Rajonal të Korçës, dhe më pas u transportuan për trajtim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve, në gjendje shëndetësore të stabilizuar.

Policia bën me dije se grupi hetimor po vijon punën për të përcaktuar me saktësi shkakun dhe rrethanat e aksidentit./S.K/KP/

Continue Reading

Të kërkuara