Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, priti në vizitë zyrtare shkrimtarin norvegjez Osvald Bjelland, i cili ndodhet në Prishtinë me rastin e konferencës ndërkombëtare që i dedikohet librit “Shpresë për jetën në planetin tonë: frymëzim për shtatë gjenerata”.

Kryetari Rama u shpreh se ka pasur privilegjin të jetë një nga gjashtëdhjetë e katër (64) autorët e librit “Shpresë për jetën në planetin tonë: frymëzim për shtatë gjenerata”, një vepër e veçantë me kontribuues të mëdhenj nga mbarë bota.
Ai shpreh mirënjohje për ftesën që iu bë për të kontribuar në këtë botim, dhe e cilëson si një libër që ngjall shpresë dhe frymëzim për të ardhmen e planetit dhe për shtatë gjeneratat që vijnë.
Rama duke e falënderuar autorin Bjelland, e ftoi atë të ndajë me publikun arsyet dhe idetë që qëndrojnë pas krijimit të kësaj vepre.
“E përmenda më parë emrin e librit “Shpresë për Jetën në Planetin Tonë – Frymëzim për Shtatë Gjenerata”, është një përmbledhje me 64 autorë dhe unë kam pasur fatin, nderin dhe kënaqësinë që të jem njëri prej tyre. Prandaj të falënderoj që më ftove të kontribuoj në këtë libër fantastik, i cili ka shumë autorë – autorë të mëdhenj, njerëz të mëdhenj – por sot, shumica prej tyre janë gjallë. Fatkeqësisht, disa prej tyre kanë ndërruar jetë. Por dua që ti të flasësh për arsyen pse je këtu dhe për idetë pas librit tënd – këtij libri të mrekullueshëm – Shpresë dhe idetë për të ardhmen, Shpresë për Botën, frymëzim për shtatë gjeneratat e ardhshme, siç më ke frymëzuar mua në mënyrë të jashtëzakonshme”, tha Rama.
Ndërkaq, autori norvegjez Osvald Bjelland u shpreh i kënaqur për vizitën e tij në Prishtinë, derisa tregoi si erdhi deri te frymëzimi për shkrimin dhe botimin e librit “Shpresë për jetën në planetin tonë: frymëzim për shtatë gjenerata”.
Ai ndau një përvojë personale nga koha e pandemisë, kur për shkak të kufizimeve nuk mund të festonte 60-vjetorin me njerëzit e dashur. Në atë kohë, siç tha ai vendosi t’u shkruante personave që kishin ndikuar në jetën e tij, duke i pyetur: “Cila është shpresa jote për të ardhmen?”. Kështu, duke kontribuar në shkrimin e kësaj vepre.
“Është vërtet një kënaqësi. Me të vërtetë mezi pres të rikthehem në Prishtinë dhe këtë pjesë të botës, të cilën e kam njohur vetëm në pak vitet e fundit. Ka shumë përvoja personale që formësojnë mënyrën si mendojmë dhe si e shohim jetën. Pesë vite më parë, festova 60 rrotullime rreth diellit dhe kuptova që njerëzit që doja t’i sillja së bashku nuk mund të takoheshin për shkak të COVID-it. Ajo që përjetuam atëherë ishte se si familje njerëzore jemi mjaft të brishtë. Por gjithashtu, në retrospektivë, shihet se sa të fuqishëm jemi kur vendosim të bashkohemi. Prandaj mendova: mirë, çfarë mund të bëj tani? Kështu që dërgova një email te njerëzit që kanë ndikuar në jetën time – përfshirë nënën time, dajallarët dhe të afërmit e tjerë – dhe u bëra vetëm një pyetje: Më trego për shpresën tënde për të ardhmen. Kjo ndodhi në mes të pandemisë COVID. Dhe përgjigjja ishte e jashtëzakonshme. Mora shumë materiale të bukura. Dhe më pas, natyrshëm fillova të mendoj dhe të lexoj të gjitha këto”, tha Bjelland.
Bjelland tha se çdo pjesë e librit ka diçka për të mësuar, për çka u shpreh krenar për siç përmendi ai gjashtëdhjetë e katër (64) kontributet.
Me rastin e vizitës së tij në kryeqytet, Bjelland tha se Prishtina është i mrekullueshëm dhe që ka rritur shumë progres.
“Është tashmë një qytet i mrekullueshëm. Keni arritur shumë progres. Shoh shumë ide përpara në fushën e energjisë së qëndrueshme, jetesës urbane dhe fusha të tjera ku po përpiqeni të ecni përpara. Mendoj se çelësi i të ardhmes së qyteteve është të krijojmë një ambient ku njerëzit lulëzojnë – ku mësojnë, mbështesin njëri-tjetrin, ndihen të përfshirë dhe krenarë për qytetin e tyre, sepse aty lindin ide të reja”, potencoi Bjelland.
Në anën tjetër, i pari i kryeqytetit, Përparim Rama foli edhe për një konferencë që do të mbahet nesër dhe pasnesër në Prishtinë.
Ai tha se në konferencën për Qytetet e Banueshme do të diskutohet për transformimin e kryeqytetit.
Rama potencoi se intervenimet të cilat po bëhen janë pjesë e kësaj ideje që ndërlidhet ngushtë sipas tij edhe me librin – “Shpresa, Frymëzim për Shtatë Gjeneratat e Ardhshme”.
“Konferenca për Qytetet e Banueshme, për vitin 2025, diskuton për mënyrën se si ne vizioni ynë për transformimin e kryeqytetit, punët që i kemi bërë deri më tani në aspektin transformues për kryeqytet. Nesër e tregojmë këtë smart city infrastrukturën e cila tashmë është e instaluar në kryeqytete. Dhe mënyra se si kjo do të shfrytëzohet për të planifikuar për të ardhmen e kryeqytetit. Në të njëjtën kohë, intervenimet të cilat ne jemi duke i bërë si vizionit të qytetit, siç janë platformat, nënkalimet, gjelbërimet, digjiitalizimet, janë pjesë e kësaj ideje që ndërlidhet ngushtë edhe me këtë libër – “Shpresa, Frymëzim për Shtatë Gjeneratat e Ardhshme”, tha Rama.
Kjo konferenca për librin pritet të mbahet nesër dhe pasnesër në Prishtinë./kosovapres/