Lajmet

Ministri gjerman: Ndryshimi i kufijëve shumë i rrezikshëm

Published

on

Michael Roth: Askush në Evropë nuk mund të jetë pro fantazive për ndryshimin e kufijve.

Intervistë ekskluzive e Deutsche Welle-s me Ministrin Gjerman të Shtetit për Evropën, Michael Roth (SPD) për debatet e kohëve të fundit rreth ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor.

Deutsche Welle:  Zoti ministër, po flitet sërish për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor. Flitet për një dokument të përhapur nga qeveria sllovene. Çfarë di qeveria federale për këtë?

Michael Roth: Ndryshimi i kufijve nuk zgjidh asnjë problem në Ballkanin Perëndimor. Përkundrazi, do të ishte shumë i rrezikshëm dhe do të kërcënonte rihapjen e Kutisë së Pandorës, e cila është plot konflikte. Kjo nuk kërkon ndonjë profeci. E tashmja dhe e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është tek pajtimi, tek bashkëpunimi i ngushtë rajonal, tek distancimi përfundimtar nga nacionalizmi dhe revanshizmi. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë dhe mbeten vende të shoqërive shumëfetare dhe shumëetnike. Ky është parakushti për paqe, prosperitet dhe demokraci. Prandaj jam i qetësuar që qeveria sllovene është distancuar qartazi nga fantazitë për ndryshimin e kufijve. Sepse askush në Evropë nuk mund të ketë interes për këtë.

Pra, e përjashtoni që propozimi të vijë një ditë në tryezën e negociatave?

Ne jetojmë në një demokraci të lirë dhe natyrisht të gjithë janë të lirë të fillojnë debate me propozimet e tyre. Por kjo nuk e ndryshon refuzimin tonë të qartë ndaj ideve të tilla. Përsëri: ndryshimi  i kufijve është një rrugë e gabuar e rrezikshme për rajonin, askush në Ballkanin Perëndimor dhe BE nuk mund të ketë një interes serioz për atë sot. Kujtimet e luftërave të Ballkanit në vitet 1990, të cilat e kthyen ish-Jugosllavinë në një fushë të madhe beteje, duhet të jenë paralajmërim i mjaftueshëm për të gjithë ne. Pozicioni im është i qartë: fantazitë për zhvendosjen e kufijve më në fund i përkasin njëherë e përgjithmonë një të kaluare të dështuar.

A ka kolegë në BE që janë në favor të zgjidhjeve të tilla?

Strategjia e zgjerimit dhe strategjia të BE-së dhe ajo ndaj Ballkanit Perëndimor nuk parashikojnë asnjë demarkacion të kufijve. Kjo është një gjë e mirë, dhe duhet të qëndrojë kështu!

Procesi i Berlinit jep një kontribut drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal. Në verë pritet të ketë një takim përfundimtar të krerëve të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Kancelaren gjermane, Angela Merkel. Si duhet të vazhdojë iniciativa?

Procesi i Berlinit i ka dërguar një sinjal të rëndësishëm rajonit: që ne të qëndrojmë pranë njerëzve në rajon dhe, pavarësisht nga anëtarësimi, të bëjmë gjithçka që mundemi për të promovuar stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Dhe këtë ta bëjmë që tani! Dhe ne jemi ende duke bërë përpjekje të veçanta për të përmirësuar bashkëpunimin rajonal, për të siguruar perspektiva për të rinjtë, për të fituar punësim dhe kohezion social. Çështjet e shëndetit, infrastrukturës dhe digjitalizimit  gjithashtu luajnë një rol shumë të rëndësishëm. Prandaj është mire që ta vazhdojmë me përkushtim Procesin e Berlinit. Tani për tani po ndiejmë se sa e rëndësishme është që Bashkimi Evropian të vazhdojë të perceptohet si një partner i afërt, i besueshëm dhe i mençur i Ballkanit Perëndimor – jo vetëm në sytë e politikanëve, por mbi të gjitha në perceptimin e qytetarëve lokalë. Për shkak se ka edhe zhgënjime, qoftë për shkak të reformave të pamjaftueshme për të forcuar shtetin e ligjit ose luftën kundër korrupsionit. Por edhe sa i përket luftës me pandeminë e koronës, disa shtete mendojnë se BE-ja nuk i mbështet aq mirë sa duhet. Prandaj jam i kënaqur që Bashkimi Evropian po dërgon një sinjal të qartë solidariteti: Nga maji përsëri do të shpërndajmë 650,000 doza vaksinash në vendet e Ballkanit Perëndimor. Procesi i Berlinit gjithmonë duhet të mbështetet me projekte konkrete dhe të prekshme që perceptohen pozitivisht nga njerëzit në rajon. Ato duhet të jenë të dukshme për qytetarët e rajonit dhe të përmirësojnë në mënyrë të qëndrueshme kushtet e jetesës.

Procesi i Berlinit njihet gjithashtu si një dhomë pritjeje për anëtarësimin në BE. A mund të shpresojnë këto vende që nën Presidencën Sllovene të Këshillit të BE në gjysmën e dytë të këtij viti do të arrihet ai progres i zgjerimit që nuk mund të arrihej gjatë Presidencës Gjermane të Këshillit të BE-së?

Ne kemi punuar shumë fort në Presidencën Gjermane të Këshillit të BE-së dhe nuk lamë gur pa lëvizur. Por parakushti për fillimin e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është një konsensus në Këshill. Nuk e arritëm atë vetëm për shkak të bllokadës së një vendi të vetëm. Kjo ishte e hidhur, por nuk po dorëzohemi! Unë i jam shumë mirënjohës Presidencës Portugeze për vazhdimin e këtij procesi. Për shembull, dje në Këshillin e Ministrave Evropianë patëm një informim mbi situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor. Në maj dhe qershor tema e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimi do të jenë në fokus të takimeve të Këshillit të Ministrave të Jashtëm dhe Evropianë. Atëherë do të na duhet “drita jeshile” për fillimin e negociatave të pranimit. Sidoqoftë, unë do të bëj maksimumin. BE duhet të mbajë fjalën dhe nuk duhet ta shtyjë procesin e pranimit për këto vende. Na duhen urgjentisht më shumë sinjale pozitive për rajonin! Është në rrezik jo më pak se besueshmëria e BE-së. Dhe sidomos dymbëdhjetë muajt e fundit  kanë treguar se BE ka rivalë të sistemit në Ballkanin Perëndimor të cilët po plotësojnë boshllëqet që po u lëmë ne. Është në interesin tonë të mirëkuptuar të lidhim rajonin gjithnjë e më pranë nesh.

Megjithatë, çështjet ndëretnike mbeten të pazgjidhura, si në rastin e Kosovës ose Bosnjë-Hercegovinë. Çfarë duhet bërë, sipas mendimit tuaj, për të mënjanuar përfundimisht fantazi të tilla?

Roth: Unë e pres me gëzim bashkëpunimin me qeverinë e re të Kosovës. Qeveria Kurti ka prezantuar një program shumë ambicioz në luftën kundër korrupsionit dhe për forcimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ky është një sinjal i fortë dhe qeveria mund të llogaris  me mbështetjen tonë. Përveç kësaj, Gjermania do  të angazhohet edhe më tej me vendosmëri për liberalizimin e regjimit të vizave me qytetarët kosovarë. Unë shpresoj që ne në BE së shpejti do të arrijmë një vendim për këtë dhe do ta realizojmë sa më shpejt. Mbi të gjitha, një qëllim që vazhdon të largohet gjithë e më shumë kërcënon të kthehet në mirazh – dhe kështu të humbasë fuqinë e tij  tërheqëse dhe transformuese Dhe sa i përket Bosnjë-Hercegovinës, një gjë është e qartë: pavarësisht nga ndasitë shoqërore, një shumicë dërrmuese e popullsisë boshnjake mbështet një qëllim të përbashkët: një të ardhme në BE. Por është po aq e qartë se vendi tani duhet të trajtojë me vendosmëri reformat që janë kaq të nevojshme për të bërë përparim më të shpejtë në rrugën “nga Dejtoni në Bruksel”. Për shembull, reforma e ligjit zgjedhor duhet të projektohet në mënyrë të tillë që të kontribuojë në pajtimin dhe bashkëpunimin dhe jo në ndarjen e mëtejshme. 

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin bullgar: Diskutohet forcimi i bashkëpunimit në siguri dhe politikë të jashtme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim njoftues ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Kraevski e uroi ministrin Konjufca për mandatin e tij të ri, duke rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Fokus i diskutimit ishte thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe koordinimin e politikave të jashtme.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se partneriteti ndërmjet Prishtinës dhe Sofjes mbetet stabil dhe me interes të ndërsjellë për stabilitetin rajonal.

Me këtë rast, ambasadori Kraevski i dorëzoi ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e radhës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Ky takim i rëndësishëm i nivelit rajonal pritet të mbahet në Sofje gjatë muajit qershor të vitit 2026.

Në fund të takimit, u rikonfirmua se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar për të avancuar partneritetin me Bullgarinë, si një shtet mik dhe mbështetës i rrugëtimit euro-atlantik të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për finalizimin e Spitalit të Ferizaj

Published

on

By

Pas një pritjeje të gjatë dhe shumë sfidave procedurale, është hedhur hapi final për kryerjen e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar sot se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve, një projekt ky që kap vlerën prej 24 milionë eurove.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh”, ka bërë të ditur Vitia.

Ai ka shtuar se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon dhe se do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore.

Përzgjedhja e fituesit erdhi pas një procesi të gjatë prokurimi ku morën pjesë tetë grupe operatorësh ekonomikë. Ndonëse fituesi ishte shpallur që në nëntor të vitit 2025, nënshkrimi u zvarrit për shkak të ankesave në Ministri dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ky hap pason kontratën për riprojektimin e plotë të spitalit që ishte nënshkruar në mars të vitit 2024, duke i hapur rrugë tenderit aktual për ndërtim.

Kontrata e parë për nisjen e punimeve ishte nënshkruar në janar të vitit 2018, në kohën kur ministria udhëhiqej nga Uran Ismaili, i cili asokohe premtonte përfundimin e objektit brenda tri viteve.

Megjithatë, punimet ishin ndërprerë në vitin 2021, duke lënë projektin në pritje deri në riprojektimin e fundit që i dha rrugë marrëveshjes së sotme.

Continue Reading

Lajmet

REL: Mali i Zi bën thirrje për paqe dhe bashkëpunim pasi Serbia blen raketa kineze

Published

on

By

Zyra e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se Podgorica mbetet e përkushtuar ndaj “marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” dhe bashkëpunimit në rajon, pasi Serbia konfirmoi blerjen e raketave kineze CM‑400AKG me aftësi sulmuese.

Në një përgjigje për portalin malazez, Vijesti, zyra e Millatoviqit deklaroi se Mali i Zi ka besim dhe bashkëpunim me të gjitha vendet në rajon, duke theksuar se këto janë parakushte të rëndësishme për “paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm”.

Sipas deklaratës, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në vitin 2017 “e ka forcuar sigurinë” e këtij vendi dhe një gjë e tillë mbetet themeli i sistemit të tij të mbrojtjes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi javën e kaluar se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike nga Kina, CM‑400AKG, duke u bërë vendi i parë në Evropë që i posedon ato.

Ky veprim ndezi alarmin në rajon, sepse objektivat e këtyre raketave, me fuqi të madhe shkatërruese, mund të jenë disa qindra kilometra larg.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se me këtë blerje, Serbia shpërfaqi tendencat hegjemoniste ndaj fqinjëve të saj.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se e ka informuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për blerjen e raketave kineze nga Serbia, ndërsa presidenti kroat, Zoran Millanoviq, tha se nuk e kupton “përse Serbia furnizohet me armë sulmuese”, duke përmendur edhe shqetësimet për prishjen e mundshme të sigurisë rajonale.

Vuçiq tha se Serbia “nuk po përgatitej për sulm”, por pretendoi se vendet fqinje, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, janë duke krijuar një aleancë ushtarake, të cilën Beogradi e sheh si kërcënim.

Tri vendet i hodhën poshtë këto pretendime.

Bashkimi Evropian, ku Serbia synon të anëtarësohet, tha se rruga e saj evropiane kërkon “zgjedhje të qarta strategjike”, përfshirë shmangien e varësive që nuk janë në përputhje me integrimin evropian.

NATO-ja, partnere e së cilës është Serbia, nuk reagoi ende. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

5-vjeçari në trajtim intensiv për plagë të rënda nga keqtrajtimi i prindërve

Published

on

By

Dy prindër nga Komuna e Lipjanit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nën dyshimin se keqtrajtuan fëmijën e tyre  5-vjeçar, i cili është në gjendje trëndë shëndetësore dhe ka plagë të rënda në dy shputat e këmbëve dhe ndryshime të theksuara gangrenoze.

5-vjeçari aktualisht është duke marr trajtim mjekësor në repartin e Kujdesit Intenziv Pediatrik në Klinikën e Pediatrisë pasi gjendja e tij shëndetësore është e  rëndë dhe dyshohet për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.

“Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, thuhet në përgjigjen e QKUK raporton KosovaPress.

Tutje nga QKUK bëjnë të ditur se pas konsultave mjekësore me pediatrinë dhe kirurgun plastik është rekomanduar që 5-vjeçari të hospitalizohet urgjentë në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë.

Për shkak të dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, QKUK ka njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.

Ndërsa, tashmë 5-vjeçari i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratike, dhe ka marrë edhe trajtim psikologjik për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike.

Sipas QKUK-së fëmija ndodhet në Kujdesin Intenziv Pediatrik pa përkujdesje prindërore apo kujdestar ligjor.

Siç thonë nga Qendra Klinike Universitare për të miturin po kujdesin stafi shëndetësor dhe punonjësi social.

“Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin.Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale. Aktualisht, fëmija ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla”, thuhet në përgjigjen e QKUK për KosovaPress.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për KosovaPress kanë bërë të ditur se tashmë me vendim të prokuroritdy prindërit e të miturit janë ndaluar për 48 orë ndërsa, brenda afatit ligjor do të bëhet edhe kërkesa për caktim të masës së paraburgimit.

Prindërit e 5-vjeçarit dyshohen për veprën penale veprën penale “Shkelje e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

“Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona në kohë zgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale ‘Shkelja e detyrimeve familjare’ sipas nenit 244 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ sipas nenit 186 të KPRK-së. Në këtë drejtim, Prokurori i rastit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të ofrojmë detaje lidhur me këtë sepse mund të dëmtohet integritetit dhe mbarëvajtja e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës ky rast është cilësuar si “shkelje e detyrimit familjar”. “Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana e prindërve të tij. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

 

Continue Reading

Të kërkuara