Lajmet

Mijëra luanë të detit ngordhën në Peru

Gripi i shpendëve, i njohur gjithashtu si H5N1, është përhapur te shumë specie në Peru.

Published

on

Në Peru, mijëra luanë të detit kanë vdekur si pasojë e shpërthimit të gripit të shpendëve, njoftoi Shërbimi Kombëtar i Zonave të Mbrojtura nga Shteti i Perusë (SERNANP).

Gripi i shpendëve, i njohur gjithashtu si H5N1, është përhapur te shumë specie në Peru. Fillimisht u raportua për shpërthimin e gripit te zogjtë në fund të muajit nëntor të vitit 2022 përgjatë bregdetit peruan. SERNANP tani ka raportuar për të paktën 63 mijë zogj të ngordhur për shkak të virusit.

Të paktën 3 mijë e 487 luanë të detit kanë ngordhur për shkak të virusit, sipas agjencisë – mbi 3% e popullsisë së luanëve të detit të Perusë. Gjithashtu kanë ngordhur edhe pesë foka të leshit si pasojë e gripit./UBTNews/

Bota

Numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm në Afganistan arrin në 2200

Published

on

By

Operacionet e kërkim-shpëtimit nga tërmeti i fuqishëm i së dielës në Afganistanin lindor po vazhdojnë, me numrin e të vdekurve që tejkalon 2.200, sipas zyrtarëve.

Hamdullah Fitrat, zëvendës zëdhënës i administratës së përkohshme, tha në kompaninë amerikane të mediave sociale X se numri i të vdekurve u rrit në 2,205, ndërsa numri i të plagosurve arriti në 3.640, vetëm në provincën Kunar.

Me shumë njerëz ende të bllokuar nën rrënoja, numri i të vdekurve mund të rritet më tej ndërsa operacionet e kërkimit për të mbijetuarit vazhdojnë“, tha më parë Rahimullah Hamzala, zëdhënës i forcave lokale të sigurisë në provincën Kunar.

Autoritetet në Kabul kanë frikë gjithashtu se numri i të vdekurve mund të rritet, ndërsa ndajnë të dhëna nga provincat Nangarhar, Laghman dhe Panjshir, të cilat u goditën gjithashtu. Të paktën 12 vdekje janë raportuar tashmë në Nangarhar.

Agjencitë humanitare paralajmërojnë se shkalla e shkatërrimit kërkon mbështetje urgjente ndërkombëtare për të parandaluar një krizë të përkeqësuar.

Turqia këtë javë dërgoi 25 ton ndihma në vend, duke përfshirë materiale strehimi, pako higjienike dhe kuti ushqimore.

Pakistani fqinj gjithashtu ka dërguar 105 ton ndihma, ndërsa Irani, Kina dhe India, si dhe vendet perëndimore, janë zotuar të dërgojnë ndihmë./D.B/KP

Continue Reading

Lajmet

Më 22 shtator shpallet konkursi për pranimin e 60 ushtarëve nga radhët e komuniteteve jo shumicë

Published

on

By

Më 22 shtator do të shpallet konkursi për pranimin e gjashtëdhjetë (60) ushtarëve aktiv nga radhët e komuniteteve jo shumicë.

Kështu ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

“Të gjithë të rinjët e të rejat e interesuara për t’iu bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës mund të gjejnë kushtet e konkursit në web faqen https://mod.rks-gov.net/Page/16 / që do të bëhet publik me rastin e hapues së konkursit”, thuhet në njoftimin e tij.

 

Continue Reading

Bota

​Rutte thekson garanci të forta sigurie për Ukrainën, të mbështetura nga Evropa, Kanadaja e SHBA

Published

on

By

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se presidenti amerikan Donald Trump e theu bllokimin me presidentin rus Vladimir Putin dhe “tani Evropa dhe Kanadaja me SHBA-në duhet të hartojnë garanci sigurie për të siguruar që Ukraina të ketë mbështetje të plotë në bisedime”.

Duke folur në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin çek Peter Fiala në Pragë, Rutte theksoi se bashkësia ndërkombëtare po koordinohet ngushtë për të përgatitur garanci sigurie që do të siguronin që Ukraina të ketë mbështetjen e plotë të anëtarëve dhe partnerëve të NATO-s jashtë aleancës, së bashku me një mbrojtje të fortë kombëtare, raporton KosovaPress.

Shefi i NATO-s tha se pas takimit të 15 gushtit në Alaska midis Trump dhe Putin, “tani është për ne të hartojmë garancitë e sigurisë si evropianë dhe Kanadaja me SHBA-në për t’u siguruar që kur të fillojnë bisedimet, presidenti ukrainas e di se ka mbështetjen e plotë të SHBA-së, të Kanadasë, evropianëve, të gjithë neve në NATO, por edhe të vendeve tona jashtë NATO-s”.

Ai shtoi se themeli i këtyre garancive duhet të jetë forcimi i forcave të armatosura të Ukrainës.

Fiala theksoi qëndrimin e unifikuar të aleatëve të NATO-s, duke vënë në dukje nevojën për të vazhduar mbështetjen për Ukrainën në mënyrë që ajo të mund të mbrohet dhe të mbajë presionin mbi Rusinë, duke krijuar njëkohësisht kushte për një paqe të qëndrueshme.

Duke iu referuar takimit të koalicionit të të vullnetshmëve në Paris, udhëheqësi çek tha se ekziston gjithashtu një konsensus i fortë se duhet të ketë garanci të forta sigurie, të cilat do ta dekurajonin Rusinë nga agresioni i mëtejshëm.

Continue Reading

Lajmet

​Mangani sivjet shfaqet më herët në Badoc, qytetarët: Më shumë shpenzojmë për ujë se ushqime

Published

on

By

Për të tretin vit me radhë, në liqenin e Badocit është evidentuar ngritja e vlerave të manganit, i cili ndikon në cilësinë e ujit të pijshëm, por që sivjet është shfaqur më herët. KRU Prishtina ka apeluar qytetarët të mos e përdorin ujin për pije dhe përgatitjen e ushqimit. Qytetarët ankohen se po detyrohen të blejnë ujin e pijshëm dhe kjo po iu kushton më shumë se ushqimet.

Në rrugën “Sokol Sopi”, qytetari Hysen Ramadani ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me mungesën e investimeve nga ana e ujësjellësit KRU Prishtina. Ani pse Ramadani paguan ujin rregullisht, ai ka thënë se duhet të furnizohet me ujë të blerë.

Këta të ujësjellësit i kanë (fajet) që nuk bëjnë investim se këta vetëm dinë t’i marrin paratë, po investim nuk bëjnë. Rrjetin e kanë të moçëm, këtyre gypat iu mbushën myshk, e këta duhet me i dërguar gypat nga fundi lart, po nuk i çojnë, se duhet investim i madh. Shumë i bie shpenzim, as gjellë, as asgjë nuk mund ta përdorësh ujin e ujësjellësit…Nuk mund të llogarisësh, ujin e paguajmë rregullisht dhe duhet të blej ujë”, ka thënë Ramadani.

Një situatë e ngjashme është edhe në rrugën “Muharrem Fejza”, ku qytetari Shaban Pllana ka theksuar rrezikshmërinë që paraqet mangani. Pllana, ka thënë se ai shpenzon dy- tre euro në ditë për ujë, e sipas tij më shumë harxhime se për ushqim.

Është komponenti më i rrezikshëm për jetën, prandaj ne duhet të përdorim këtë dhe në mungesë të ujit të pijshëm që kemi nëpër banesa tona duhet ta marrin në autobot. Është mirë që pushteti të marrë masa, së pari shkakun a është nga natyra apo dora e njeriut, është e mundshme… 1:00 Dy- tri euro apo një euro e gjysmë për bidon, harxhojmë më shumë para për ujë sesa për ushqime”, ka theksuar Pllana.

Nga aspekti profesional, eksperti i ujërave Skender Bublaku ka shpjeguar se fenomeni i pranisë së manganit në ujin e liqenit të Badocit është i përsëritur dhe i lidhur ngushtë me faktorë natyrorë e klimatikë. Ai ka paralajmëruar se ky fenomen do të shfaqet edhe në vitet e ardhshme.

Fenomeni i rritjes së vlerës së manganit në liqen dhe reflektimin në ujin e pijes, duket që është një fenomen që përsëritet tash e disa vite. Natyra po na tregon se ndryshimet klimatike por edhe vjetërsia e liqenit janë prej faktorëve kryesorë që njëfarë forme shfaqen. Po na paralajmëron se ne duhet të marrim masa që ky fenomen të minimizohet në shfaqjen e tij përmes aplikimit të masave të ndryshme që arrin ta zvogëlojë. 1:29 Mund të themi se është e konfirmuar që ky fenomen do të shfaqet edhe në vazhdimësi”, ka thënë Bublaku.

Ndërsa zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Prishtina, Arjeta Mjeku ka bërë të ditur se në qershor të 2024 kanë kërkuar nga Institutin e Kimisë të ndihmojë në hulumtimin për gjetjen e faktorëve të rritjes së vlerës së manganit, por deri më tash nuk kanë marrë përgjigje.

Ne jemi rekomanduar nga IKSHPK që të zvogëlojmë prodhimin e ujit, në mënyrë që ta ruajmë cilësinë e ujit, të bëjmë shpëlarjen e linjave magjistrale dhe sekondare, gjë që po ndodh, si dhe shpërndarjen e ujit prej autoboteve. Para gjashtë muajve në qershor të vitit 2024 kemi pasur takim edhe me Institutin e Kimisë dhe u kemi bërë kërkesë të na ndihmojnë në hulumtimin se çfarë po e shkakton konkretisht rritjen e përqendrimit të manganit, por deri më tash nuk kemi marrë përgjigje… 1:58 Mund të ketë nivel më të ulët në mëngjes (të manganit), por në mbrëmje niveli është më i lartë. Qytetarët nuk duhet ta konsumojnë ujin për pije, përgatitjen e ushqimit, pasi mangani është element kimik dhe nuk largohet me vlimin e ujit. Ata duhet ta përdorin ujin vetëm për higjienë personale dhe ambientale”, ka thënë Mjeku.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), gjatë monitorimit dhe përcjelljes së cilësisë së ujit të pijshëm, ka vërejtur ngritje të vlerave të manganit në mostrat e ujit në zonën e cila furnizohet nga liqeni akumulues i Badocit.

Me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës, IKSHPK ka apeluar te qytetarët që furnizohen nga Fabrika e Ujit në liqenin e Badocit që të mos e përdorin ujin për pije deri në njoftimin e radhës.

IKSHPK ka theksuar se ndotja e ujit me mangan është ndotje kimike dhe se vlimi i ujit nuk e eliminon manganin. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, mirëmbajtjen e higjienës personale dhe të ambienteve të banimit.

Pjesët e vendbanimeve që përballen me këtë problem janë Bregu i Diellit, Çagllavica, Fshati Ndërkombëtar, Graçanica, Hajvalia, Kishnica, Kodrina, Lagjja e Spitalit, Lagjja jonë, Lagjja NIC, Qëndresa, Lagjja e Studentëve, Llapnasella, Lugina e Thellë, Marigona Hill, Mati 1, rruga Muharrem Fejza, Preoci, Prishtina e Re, rezidenca Royal Green, Shashkoci, Sushica, Ulpiana e Re, Xhambazët dhe Veterniku.

Mangani është element kimik natyror, që gjendet në tokë, shkëmbinj, ujë dhe bimë. Është një metal i rëndë, i domosdoshëm për trupin e njeriut në sasi shumë të vogla, por kur gjendet në sasi të larta në ujë apo ushqim, mund të jetë i dëmshëm për shëndetin.

Ngritja e nivelit të manganit në ujë ndodh zakonisht kur ndërrohen stinët, por sivjet rritja e vlerave të këtij elementi kimik ka ndodhur më herët./D.B/KP

Continue Reading

Të kërkuara