Lajmet

MFPT: Masa e punësimit në komunat veriore ofron mundësinë e subvencionimit të 70 për qind të pagës

Published

on

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve fton të gjithë punëdhënësit dhe punëkërkuesit në komunat e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit të regjistrohen në Zyret e Punësimit në komunat e tyre për të aplikuar për masën e punësimit për qytetarët e këtyre katër komunave.

Në njoftim thuhet se masa ofron mundësinë e subvencionimit të 70 për qind të pagës së punëtorëve të angazhuar për një periudhë prej gjashtë muajsh.

Lajmet

Panairi i Gruas mbledh ndërmarrëset nga e gjithë Kosova në Prishtinë

Published

on

Gratë ndërmarrëse nga e gjithë Kosova janë mbledhur në Prishtinë në edicionin e dytë të Panairit të Gruas, ku kanë prezantuar produkte artizanale, veshje dhe ushqime tradicionale, me synim promovimin e bizneseve të tyre dhe zgjerimin e bashkëpunimit.

Ndërmarrësja Sanije Hyseni tha se interesimi për blerjen e produkteve artizanale ka rënë, pasi qytetarët po orientohen kryesisht drejt produkteve ushqimore dhe nevojave bazike.

Në hapje të panairit, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur se ministria ka lansuar skema grantesh për gratë ndërmarrëse dhe se, në kuadër të Agjencisë së re për Ndërmarrësi dhe Inovacion, do të krijohet një divizion i veçantë për mbështetjen dhe promovimin e grave në biznes.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi se fuqizimi ekonomik i grave është thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, duke nënvizuar se pa përfshirjen e tyre nuk mund të ketë rritje të plotë ekonomike.

Edicioni i dytë i Panairit të Gruas është organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me GIZ-in, me synim promovimin e produkteve vendore dhe mbështetjen e grave në zhvillimin e bizneseve të tyre./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Lumir Abdixhiku mbetet në krye të LDK-së, delegatët rrëzojnë nismën për shkarkimin e tij

Published

on

Lumir Abdixhiku është rikonfirmuar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pasi delegatët e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë kanë rrëzuar nismën për shkarkimin e tij.

Për vazhdimin e mandatit të Abdixhikut votuan 170 delegatë, ndërsa 152 votuan për largimin e tij nga drejtimi i partisë.

Pas votimit, Abdixhiku u zotua se do të punojë për bashkimin e LDK-së dhe shmangien e përçarjeve të brendshme, duke theksuar se nuk do të bëjë kompromise me vlerat e partisë.

Ai e cilësoi zhvillimin e Kuvendit si një nga momentet më pak krenare në historinë 37-vjeçare të LDK-së, por shtoi se anëtarësia e partisë arriti ta tejkalojë këtë sfidë.

Nisma për shkarkimin e tij ishte ndërmarrë pas zgjedhjeve të 7 qershorit, në të cilat LDK-ja u rendit sërish si forca e tretë politike me 16.7 për qind të votave. Pas rezultatit, disa figura të larta të partisë kishin kërkuar ndryshime në udhëheqje, por delegatët vendosën t’ia rinovojnë besimin Abdixhikut./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Moti sot

Published

on

Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot do të mbajë mot me diell dhe i nxehtë, me temperatura të larta në pjesën më të madhe të territorit.

IHK njofton se temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 13 dhe 16 gradë Celsius, ndërkaq ato maksimale nga 30 deri në 38 gradë.

Era do të fryjë e dobët deri mesatare nga drejtimet perëndimore dhe veriperëndimore, me shpejtësi 1–6 m/s.

Continue Reading

Lajmet

REL: Prokuroria serbe thotë se BIA nuk i është përgjigjur kërkesës për ta marrë në pyetje Vuçiqin në rastin “Panda”

Published

on

By

Prokuroria për Krimin e Organizuar në Serbi ka bërë të ditur se Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë nuk u është përgjigjur kërkesave për zhvillimin e bisedave me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe me ish-drejtuesit e Sigurimit të Shtetit, Jovica Stanishiq dhe Franko Simatoviq, në kuadër të hetimeve për vrasjen e gjashtë të rinjve serbë në kafenenë “Panda” në Pejë në vitin 1998, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në një përgjigje për REL-in, Prokuroria tha se ka kërkuar në disa raste nga BIA që të zhvillojë biseda me personat e propozuar për të verifikuar nëse ata posedojnë informacione të rëndësishme për hetimin, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Sipas Prokurorisë, veprimet e mëtejshme do të varen nga raporti që pritet të dorëzohet nga BIA.

Kërkesa për marrjen në pyetje të Vuçiqit, Stanishiqit dhe Simatoviqit është paraqitur nga avokati i familjeve të viktimave, Ivan Niniq, i cili argumenton se ata mund të kenë njohuri të rëndësishme për rastin. Në veçanti, Vuçiq ka deklaruar disa herë publikisht se ekzistojnë informacione lidhur me vrasjet në kafenenë “Panda”, ndërsa në vitin 2013 kishte thënë se nuk kishte prova që autorë të krimit ishin shqiptarët dhe se opinioni publik serb do të përballej me “të vërteta të tmerrshme”.

Në kërkesën drejtuar Kryeprokurorit Publik, Niniq ka kërkuar gjithashtu që të verifikohen pretendimet se Radomir Boban Baqoviq mund të jetë autori i drejtpërdrejtë i masakrës. Këto pretendime u publikuan së fundmi në një video në rrjetin social Telegram nga shtetasi malazez në arrati, Milosh Medenica.

Prokuroria bëri të ditur se Baqoviqi nuk është marrë asnjëherë në pyetje në lidhje me këtë rast, pasi deri më tani nuk është konsideruar dëshmitar i besueshëm në hetim.

Autoritetet serbe theksuan se hetimet, të nisura në vitin 2016, vazhdojnë ende, pasi nuk janë siguruar prova të mjaftueshme për të krijuar dyshim të bazuar mbi autorët e krimit. Prokuroria shtoi se është e gatshme t’i paraqesë Prokurorisë Supreme Publike një raport të plotë mbi veprimet e ndërmarra deri më tani.

Më 14 dhjetor 1998, pesë nxënës të shkollës së mesme dhe një studente u vranë kur persona të armatosur hynë në kafenenë “Panda” në Pejë dhe hapën zjarr. Në atë kohë, autoritetet serbe arrestuan disa shqiptarë nën dyshimin për përfshirje në krim, por ata u liruan një vit më vonë nga Gjykata në Beograd për mungesë provash./REL/

D.L

Continue Reading

Të kërkuara