Microsoft ka pushuar nga puna më shumë se 15,000 njerëz këtë vit, përfshirë 9,000 vetëm në korrik, një total prej shtatë përqind të fuqisë punëtore globale – pavarësisht rritjes tremujore të fitimit prej 25 përqind dhe një vlere tregu që ka tejkaluar 4 trilion dollarë.
Drejtori ekzekutiv Satya Nadella thotë se Microsoft po “po bën përparim të madh”, por vala paralele e pushimeve nga puna ngre pyetje rreth të ardhmes së punës në epokën e inteligjencës artificiale, raporton Financial Times.
Sipas analizës nga redaktorja e FT, Anjali Rawal, roli i inteligjencës artificiale në ristrukturimin e korporatave po bëhet i drejtpërdrejtë. Kompanitë nuk janë të kënaqura duke bërë më shumë me më pak njerëz, ato po përgatiten për një periudhë në të cilën shumë vende pune nuk do të jenë më të nevojshme.
Inteligjenca artificiale po bëhet më e përhapur dhe vendet e punës po zhduken. Ndërsa udhëheqësit e biznesit pretendojnë se IA po “ridizajnon” vendet e punës, shifrat thonë të kundërtën. Intel dhe BT, kanë njoftuar mijëra shkurtime nga puna që lidhen drejtpërdrejt me IA-në, raporton Financial Times.
Microsoft, megjithëse nuk e ka deklaruar këtë, po pushon nga puna mijëra njerëz, ndërsa shënon fitime rekord. Në të kaluarën, shkurtimet nga puna portretizoheshin si një e keqe e domosdoshme, por sot, drejtuesit po i paraqesin ato si një shenjë progresi, sipas një analize të FT.
Në industrinë e teknologjisë, të ardhurat për punonjës janë bërë pikë referimi prestigjioze. Përshpejtuesi amerikan i startup-eve Y Combinator, i cili ka prodhuar shërbime të njohura si Airbnb dhe Dropbox, promovon idenë se një kompani e suksesshme mund të ndërtohet vetëm me disa punonjës.
Mediat financiare raportojnë se startup-et krenohen me miliona të ardhura, edhe pse punësojnë një numër minimal ekipesh. Bashkëthemeluesi i OpenAI, Sam Altman, ka parashikuar se së shpejti shfaqet një kompani miliarda dollarëshe e drejtuar nga vetëm një person.
Për momentin tingëllon futuriste, modelet gjuhësore në shkallë të gjerë si ChatGPT, Gemini e Grok po e ndryshojnë tregun e punës, veçanërisht në punët në zyrë, shumë pozicione po eliminohen e siç e thonë kompanitë, “detyrat e atyre punonjësve nuk ekzistojnë më”.
Financial Times citon shembullin e një firme të madhe auditimi që përdori inteligjencën artificiale për të shkurtuar kohën e gjenerimit të raporteve me 75 përqind dhe për të liruar 3,600 orë punë analitike. Punësimi i programuesve është ngadalësuar gjithashtu ndjeshëm.
Punëtorët e rinj janë veçanërisht të prekur
Rawal paralajmëron se shtresa të tëra të pozicioneve të nivelit të ulët po zhduken, bashkë me to edhe rrugët tradicionale të karrierës. Pozicionet fillestare dhe stazhet janë të parat që preken, por gjithnjë e më shumë vende pune në menaxhmentin e mesëm po zhduken.
“Rritja e inteligjencës artificiale kufizon rimëkëmbjen e punësimit në disa role të nivelit të ulët në zyra”, tha për Financial Times Dirk Hahn, drejtor ekzekutiv i firmës ndërkombëtare të rekrutimit Hays.
Vlera e diplomave universitare vihet në pikëpyetje e rrugët e karrierës po bëhen më “të shtrembëruara” dhe jolineare.
Puna e pavarur dhe detyrat afatshkurtra po e fragmentojnë më tej tregun e punës. Inteligjenca artificiale vetëm sa po e përshpejton këtë, thotë analiza.
A është fuqi punëtore e reduktuar vërtet më elastike?
Më pak njerëz do të thotë kosto më të ulëta dhe ekzekutim më të shpejtë, kjo nënkupton më pak rezistencë ndaj goditjeve, nga ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit deri te humbja e talenteve. Raval citon shembullin e kompanisë Klarna, e cila pushoi nga puna mijëra punonjës, por teston rikthimin e njerëzve në shërbimin ndaj klientit sepse sistemet e inteligjencës artificiale nuk e kanë provuar veten në ndërveprimet me klientët në botën reale.
Sipërmarrësit e teknologjisë që promovojnë kompani me staf minimal nënvlerësojnë se sa shumë proceset e biznesit dhe kultura e korporatës bazohen në marrëdhëniet dhe ndërveprimet njerëzore. Inteligjenca artificiale mund të marrë përsipër detyrat rutinë, duhet të mësojmë përsëri të vlerësojmë atë që është njerëzore – nga kreativiteti dhe inteligjenca emocionale deri te gjykimi kompleks, thotë analiza e FT.
Por kjo është e mundur vetëm nëse investojmë tek ata që sjellin këto cilësi dhe trajnojmë një brez të ri punëtorësh – dhe tani shumë dyer po mbyllen para se të kenë mundësi të hapen, përfundon autori i Financial Times.