Gjatë takimeve që pati me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin, Albin Kurti Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se autoritetet kosovare duhet të respektojnë marrëveshjen ndërmjet NATO-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), që FSK të mos hyjë në pjesën veriore të Kosovës pa marrëveshje me KFOR-in.
“Kjo është diskutuar dhe e mirëpres që autoritet e Kosovës vazhdojnë të mbështetësin marrëveshjen e vitit 2018, që FSK të mos kalojë në pjesën veriore pa marrëveshjen e KFOR-it. Kjo reflekton sensitivitetin e situatës dhe është mënyra më e mirë për të gjetur një balancë. Ne vazhdojmë të mbështesim zgjidhjen e një marrëveshjeje politike në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd” – tha Stoltenberg.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë marrëveshje të rikonfirmuar në vitin 2018 ndërmjet NATO-s dhe presidentit të atëhershëm Hashim Thaҫi, e sheh të dëmshme për Kosovën dhe si të tillë një muaj më parë ai e ka dërguar në prokurori.
Sipas Kurtit kjo përbën shkelje të Kushtetutës. Në një letër-këmbim të vitit 2013, Hashim Thaçi e ka siguruar shefin e atëhershëm të NATO-s, Anders Fog Rasmussen se FSK-ja “do të ndërmerrte mision në veri të Kosovës vetëm me pajtimin paraprak të KFOR-it”. Ndërsa Sekretari i tanishëm i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, thotë se kjo marrëveshje është akoma e vlefshme.
Kryministri Albin Kurti dhe Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg
“Kjo vlen akoma dhe pasqyron gjithashtu ndjeshmëritë dhe sfidat. Mendoj se është mënyra më e mirë për të vazhduar gjetjen e balancës së duhur dhe shmangien e çdo situate që mund t’i minojë dhe dobësojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje politike dhe të çdo gjëje që mund të minojë dialogun Prishtinë-Beograd”, tha Jens Stoltenberg, duke shtuar se “kur nënshkruani një marrëveshje, ajo vazhdon edhe kur keni persona të rinj në pozita përgjegjëse”, tha Stoltenberg duke komentuar vendimin e kryeministrit Kurti për ta dërguar marrëveshjen në prokurori.
Ndjeshmëri dhe sfida
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, po ashtu tha se NATO-ja do të vazhdojë ta mbështesë Forcën e Sigurisë së Kosovës, por brenda mandatit të saj fillestar, pra para vendimit të Kuvendit të Kosovës që me anë të ligjit FSK-në e shndërroi në ushtri të Kosovës, por pa ju ndërruar emri.
“Kur është marrë vendimi, unë kam thënë se ka qenë i gabuar. NATO do të vazhdojë të punojë me FSK-në brenda mandatit të saj origjinal. Kjo është ajo që ne e mbështesim”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Përkushtim për anëtarësim në NATO
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, shkroi se “NATO-ja, ka rol vendimtar në lirinë e Kosovës, por edhe për kontributin e tashëm për një ambient të qetë e të sigurt, nëpërmjet trupave të KFOR-it”. Ajo tha se KFOR-i po vazhdon trajnimin e FSK-së, e cila procesin e tranzicionit në ushtri, sipas presidentes, po e kryen konform standardeve të NATO-s, duke qenë e denjë për t’u bërë pjesë e kësaj organizate.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Jens Stoltenberg
“Ne po punojmë me përkushtim që të anëtarësohemi në NATO. Kemi nevojë për mbështetjen e kësaj organizate edhe me anëtarët e NATO-s, të cilët nuk e njohin Kosovën”, tha presidentja Osmani.
Dialogu me Serbinë
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, duke folur për kërkesën e vazhdueshme të Prishtinës zyrtare për anëtarësim të Kosovës në NATO, tha se “anëtarësimi në NATO bazohet në konsensus. Ne kemi nevojë që të gjithë aleatët të bien dakord. Andaj, mënyra e vetme për të arritur anëtarësimin për këdo, është që të gjithë aleatët të bien dakord”. Sipas tij gjëja më e rëndësishme që Kosova mund të bëjë tani, është të vazhdojë të angazhohet për dialogun me Serbinë./DW
Ushtarët gjermanë të caktuar në Komandën Rajonale-Lindje (RC-E) të misionit të KFOR-it, të udhëhequr nga NATO, po vazhdojnë patrullimet e tyre të rregullta ditën dhe natën në disa komuna brenda zonës së përgjegjësisë.
Sipas njoftimit, këto patrullime sigurojnë një prani të dukshme dhe qetësuese në terren, rrisin ndërgjegjësimin situativ dhe kontribuojnë drejtpërdrejt në ruajtjen e stabilitetit rajonal. Patrullat janë pjesë thelbësore e misionit të vazhdueshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.
KFOR-i thekson se vazhdon zbatimin e mandatit të tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, me qëllim sigurimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes për të gjithë, në çdo kohë.
Po ashtu, KFOR-i vepron në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë, duke synuar ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.
Kryeministri Edi Rama është nisur pasditen e kësaj të marte drejt Brukselit. Rama nesër do të marrë pjesë në samitin mes BE dhe vendeve te Ballkanit Perëndimor.
Takimi pritet të përqëndrohet në gjetjet më të fundit të paketës së zgjerimit 2025. Gjatë takimit do të dikutohet edhe Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliard eurosh.
Ndërkaq, nga Kosova europianët i çuan ftesë presidentes Vjosa Osmani, e cila ka konfirmuar se do të marrë pjesë në këtë samit.
Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali nisi sot një vizitë dyditore në Greqi me ftesë të homologut grek, George Gerapetritis. Vizita e Ministres Spiropali nisi në Presidencën greke, ku u prit nga Presidenti Konstantinos Tasoulas.
Gjatë takimit Spiropali theksoi se “Shqipëria beson fort se nën udhëheqjen greke të Presidencës së BE, Ballkani Perëndimor do të mbetet në krye të agjendës europiane”.
Më pas Spiropali zhvilloi një takim dypalësh me homologun e saj Gerapetritis, të fokusuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Në konferencën për shtyp, Spiropali tha se Greqia duhet të heqë ligjin e luftës, duke theksuar se dy vendet janë pjesë e NATO-s.
“Duke qenë partnerë në NATO, të lidhur nga një Traktat Miqësie dhe me perspektivë të përbashkët europiane, Shqipëria mbështet përfundimin sa më parë të çdo reference ligjore atavike nga Lufta e dytë Botërore, me pasoja në marrëdhëniet aktuale, e cila nuk pasqyron realitetin e marrëdhënieve tona si aleatë dhe si miq”, tha Spiropali.
Ministrja theksoi se Shqipëria është e hapur për dialog për çështjen e detit dhe shtoi se duan të vijojnë negociatat për njohjen e pensioneve.
“Shqipëria mbetet po ashtu e përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të lidhura me kufirin (përfshirë edhe delimitimin e hapësirave detare) në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ku palët janë plotësisht të hapura për dialog konstruktiv. Ne do të vijojmë të udhëhiqemi nga vlerat thelbësore të BE-së, nga respekti për normat e të drejtës ndërkombëtare për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve dhe promovimin e stabilitetit në rajon”, shtoi ajo.
Mëngjesin e së mërkurës, në orën 09.00, Spiropali do të takohet me Ministrin e Mbrojtjes, Niko Dendias. Në orën 09.45, Spiropali do të takohet me përfaqësues të bizneseve dhe sipërmarrjeve që operojnë mes Shqipërisë dhe Greqisë, për potencialin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri, i cili dyshohet se është kontaktuar përmes rrjeteve sociale.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, bëri të ditur se rasti është raportuar më 15 dhjetor 2025, rreth orës 11:00, në stacionin policor të Fushë Kosovës.
Sipas policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në territorin e Ferizajt. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim për veprën penale “Dhunimi”, ndërsa policia, në bashkëpunim me institucionet relevante, po punon intensivisht për identifikimin e të dyshuarit dhe sqarimin e plotë të rastit, duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës.
“Më datë 15.12.2025, rreth orës 11:00, policia e stacionit policor në Fushë Kosovë, ka pranuar informacionin lidhur me një rast të dyshuar të abuzimit ndaj një të mituri. Dyshimet e ngritura sugjerojnë se i mituri është kontaktuar përmes rrjeteve sociale dhe se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur diku në territorin e Ferizajt. Specialist të policisë për hetimin e rasteve të tilla, në bashkëpunim me institucionet relevante, janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, gjithnjë duke garantuar konfidencialitetin dhe mbrojtjen e viktimës, policia ka iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Dhunimi”, përderisa po punohet intensivisht në identifikimin e të dyshuarit dhe përcaktimin e vendndodhjes së tij.”