Botë
Merz i kërkon Francës t’i përmbahet ujdisë për projektin e përbashkët për avionë luftarakë
Published
9 months agoon
By
UBTnewsKancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, tha të mërkurën se Franca dhe Gjermania duhet t’u përmbahen marrëveshjeve të mëparshme mbi konfigurimin e projektit të përbashkët franko-gjerman për avionët luftarakë FCAS, pas u raportua në fillim të kësaj jave se Franca tani kërkon të marrë pjesë në 80 për qind të punës.
Merz tha se është në kontakt të rregullt me presidentin francez, Emmanuel Macron, për projektin, i cili vlen më shumë se 100 miliardë euro dhe ka hasur në vonesa dhe mosmarrëveshje për ndarjen e punëve dhe të drejtave të pronësisë autoriale.
Udhëheqësit e dy ekonomive më të mëdha të Evropës pritet të takohen në Berlin kah fundi i këtij muaji, raporton Reuters.
“Jam plotësisht i vendosur t’i qëndrojmë besnikë marrëveshjeve që kemi bërë me Francën dhe Spanjën në lidhje me FCAS“, tha Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Kompania franceze Dassault Aviation, si dhe Airbus dhe Indra – këto dy të fundit përfaqësojnë Gjermaninë dhe Spanjën – janë pjesë e projektit për t’i zëvendësuar avionët francezë Rafale dhe ata gjermanë e spanjollë Eurofighter, me avionë luftarakë të gjeneratës së pestë duke filluar nga viti 2040.
Megjithatë, Merzi e pranoi se ende ka dallime në qëndrime për mënyrën se si duhet të përbëhet konsorciumi.
“Çështjet që kanë të bëjnë me pikëpamjet e ndryshme për përbërjen e konsorciumit ende nuk janë zgjidhur. Por, jam i bindur se do t’ia dalim“, tha ai.
Franca ia ka bërë të ditur Gjermanisë se dëshiron të ketë rreth 80 për qind të ndarjes së punës në FCAS, tha një burim nga industria e mbrojtjes për Reuters në fillim të kësaj jave.
Nëse Franca nuk heq dorë nga kjo kërkesë, atëherë ndarja e punëve siç ishin pajtuar palët më herët, do të anulohet, tha burimi. Sipas tij, dallimet që do të krijoheshin mes partnerëve të projektit do ta bënin të pamundur që ai të kalonte në fazën e ardhshme siç ishte planifikuar deri në fund të këtij viti./REL
You may like
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar arritjen e një armëpushimi dyjavor me Iranin, një vendim që erdhi pas pranimit të një plani 10 pikësh të propozuar nga Teherani.
Ky dakordësim u bë publik pak para skadimit të afatit të fundit të vendosur nga Washingtoni, ndërsa Trump e ka kushtëzuar paqen e përkohshme me lejimin e qarkullimit të lirë të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Si pasojë e këtij zhvillimi diplomatik, tregjet botërore kanë reaguar menjëherë, me çmimin e naftës që ka rënë nën nivelin e 100 dollarëve për fuçi.
Në anën tjetër, Izraeli ka deklaruar mbështetjen e tij për pezullimin e sulmeve, ndonëse ka specifikuar se ky armëpushim nuk shtrihet në territorin e Libanit. Rolin e ndërmjetësit në këtë krizë e ka marrë Pakistani, i cili ka ftuar përfaqësuesit e të dyja shteteve për bisedime të mëtejshme në Islamabad këtë të premte.
Plani iranian, të cilin pala amerikane e cilësoi si të realizueshëm, synon një ristrukturim të raporteve në rajon.
Ai kërkon tërheqjen e trupave amerikane, heqjen e sanksioneve ekonomike dhe lirimin e aseteve të ngrira, në këmbim të zotimit të Iranit për të mos prodhuar armë bërthamore.
Po ashtu, propozimi përfshin njohjen e të drejtës për pasurimin e uraniumit, ndërprerjen e armiqësive ndaj grupeve të rezistencës dhe arritjen e traktateve të paqes me vendet fqinje nën kornizën e rezolutave të OKB-së.
10 pikat e planit të armëpushimit:
- Tërheqja e trupave amerikane nga rajoni.
- Kontroll i Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit (me lëvizje të rregullt të anijeve).
- Kompensimi i dëmeve ndaj Iranit.
- Tërheqja e të gjitha sanksioneve (primare dhe sekondare).
- Lirimi i aseteve të ngrira iraniane.
- Zotimi i Iranit për të mos krijuar armë bërthamore.
- Pranimi i së drejtës së Iranit për të pasuruar uranium.
- Pajtimi i Iranit për traktatet e paqes me vendet e rajonit.
- Ndërprerja e armiqësive kundër të gjitha grupeve të rezistencës në rajon.
- Miratimi i dispozitave përmes një rezolute të OKB-së për ta bërë marrëveshjen të detyrueshme.
Botë
Trump paralajmëron masa ekstreme nëse Irani nuk pranon marrëveshjen
Published
16 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do të lëshojë “ferrin” mbi Iranin nëse ky i fundit nuk përmbush afatin e tij të së martës, duke deklaruar se një qytetërim i tërë mund të vdesë sonte nëse nuk arrihet një marrëveshje, sipas raportimit të Reuters.
“Ne kemi një plan, falë fuqisë së ushtrisë sonë, ku çdo urë në Iran do të shkatërrohet deri nesër në mesnatë; ku çdo termocentral në Iran do të dalë jashtë funksionit, do të digjet e do të shpërthejë për të mos u përdorur kurrë më,” tha Trump gjatë një konference për media të hënën. Megjithatë, dhjetëra ekspertë të së drejtës ndërkombëtare kanë paralajmëruar se lloje të tilla sulmesh mund të konsiderohen si krime lufte, duke iu referuar Konventave të Gjenevës për mbrojtjen e infrastrukturës civile.
Brian Finucane, këshilltar i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave dhe ish-këshilltar ligjor në Departamentin e Shtetit, analizoi postimin e Trumpit në rrjetin social “Truth Social”. Sipas tij, kërcënimi i presidentit se “një qytetërim i tërë do të vdesë sonte, për të mos u kthyer kurrë më”, mund të interpretohet bindshëm si një kërcënim për të kryer gjenocid.
Finucane shpjegoi se sipas ligjeve ndërkombëtare dhe atyre amerikane, gjenocidi nënkupton veprime të kryera me qëllim shkatërrimin, plotësisht ose pjesërisht, të një grupi kombëtar, etnik, racor ose fetar. Këtu përfshihen vrasjet e anëtarëve të grupit, shkaktimi i dëmeve të rënda trupore ose mendore, dhe imponimi i kushteve të jetesës që synojnë shkatërrimin fizik të tyre.
“Trump mund të shpresojë që ky kërcënim të bëjë presion mbi Iranin në negociatat që po vazhdojnë. Por rreziku që Trump të përshkallëzojë sulmet e SHBA-së mbi Iran – duke u shkaktuar dëm të rëndë popullsisë dhe duke nxitur kundër-përshkallëzim të mëtejshëm – është shumë real,” shtoi Finucane. Ndërkohë, si pasojë e këtij tensioni ekstrem, çmimet e naftës në tregjet fizike kanë arritur nivele rekord, duke iu afruar 150 dollarëve për fuçi./ Reuters/
lajme
Vance: SHBA pret lëvizjen e Iranit për Hormuzin
Published
17 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Gjatë qëndrimit të tij në Hungari për të mbështetur kryeministrin Viktor Orban në prag të zgjedhjeve të 12 prillit, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance u shpreh i bindur se SHBA-ja do të marrë një përgjigje nga Teherani përpara skadimit të afatit të fundit.
Sipas tij, objektivat ushtarake amerikane në këtë luftë janë arritur në masë të madhe dhe tashmë topi është në fushën e Iranit.
Uashingtoni kërkon rihapjen e menjëhershme të Ngushticës së Hormuzit, rrugë kjo ku kalon rreth 20% e naftës botërore.
Bllokada e tanishme ka paralizuar trafikun detar dhe ka shkaktuar rritje të paprecedentë të çmimeve të karburanteve në mbarë botën, prandaj administrata Trump po këmbëngul që lundrimi i lirë të rikthehet pa vonesa të mëtejshme.
Aktualitet
Irani sfidon Trumpin: Nuk ka tërheqje para kërcënimeve
Published
19 hours agoon
April 7, 2026By
UBTNews
Irani nuk dha asnjë shenjë se do të pranonte ultimatumin e Presidentit amerikan, Donald Trump, për të hapur Ngushticën e Hormuzit deri në fund të së martës, ose në të kundërt do të përballej me bombardimin e infrastrukturës civile – në atë që do të ishte përshkallëzimi më i madh i luftës deri më tani.
Ndërsa ora po troket drejt afatit të Trump-it për të lëshuar “ferrin”, sulmet mbi Iran u intensifikuan gjatë gjithë ditës. Sipas mediave iraniane, u goditën urat hekurudhore dhe rrugore, një aeroport dhe një fabrikë petrokimike, si dhe u këputën linjat e energjisë elektrike.
Irani u përgjigj duke deklaruar se nuk do të përmbahet më nga goditja e infrastrukturës së fqinjëve të tij në Gjirin Persik. Ata pretenduan se kanë kryer sulme të reja mbi një anije në Gji dhe mbi objekte industriale saudite që kanë lidhje me firmat amerikane.
Një burim i lartë iranian i tha agjencisë Reuters se Teherani kishte refuzuar një propozim për një armëpushim të përkohshëm, të përcjellë përmes ndërmjetësve. Sipas këtij burimi, bisedimet për një paqe të qëndrueshme mund të fillojnë vetëm pasi SHBA dhe Izraeli të ndalojnë sulmet, të japin garanci se nuk do t’i rinisin ato dhe të ofrojnë dëmshpërblim për dëmet e shkaktuara.
Gjithashtu, burimi shtoi në kushte anonimiteti se çdo marrëveshje e ardhshme duhet ta lërë Iranin në kontroll të ngushticës, duke u vendosur tarifa anijeve që kalojnë përmes saj.
Trump i ka dhënë Iranit afat deri në orën 20:00 (sipas kohës në Uashington) për t’i dhënë fund bllokadës së naftës në Gji, duke thënë se përndryshe do të shkatërrojë çdo urë dhe çdo termocentral në Iran brenda katër orëve. Irani thotë se do të hakmerret kundër infrastrukturës së aleatëve të SHBA-së në Gji, qytetet shkretinore të të cilëve do të bëheshin të pajtueshme pa energji apo ujë.
Megjithatë, pavarësisht intensifikimit të sulmeve në terren dhe retorikës së ashpër nga të dyja palët, tregjet globale mbetën kryesisht të “ngrira”, në pritje për të parë nëse Trump do t’i shkojë deri në fund kërcënimeve të tij apo do t’i tërheqë ato siç ka bërë në të kaluarën. /Reuters/
Vetëvrasje me armë gjuetie në Prishtinë
SHBA-Iran: Armëpushim dhe Plan Paqeje
Lady Gaga anulon koncertin për shkaqe shëndetësore
Arti kosovar prezantohet në Çeki
Bogujevci pret përfaqësuesen e Ambasadës Amerikane
Haxhiu: Jam e hapur të ndihmoj për çështjen e presidentit
Trump paralajmëron masa ekstreme nëse Irani nuk pranon marrëveshjen
UBT formëson të ardhmen e industrisë kreative përmes programit inovativ – Arti dhe Mediat Digjitale
Vance: SHBA pret lëvizjen e Iranit për Hormuzin
Të kërkuara
-
Lajmet2 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
-
Lajmet3 months agoProfesori i UBT-së, Naser Rugova, publikon studim shkencor mbi digjitalizimin e sistemit shëndetësor në Kosovë
