Botë

Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë

Published

on

Lideri konservator gjerman Friedrich Merz nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare për t’u zgjedhur kancelar të martën, duke shënuar një pengesë të papritur për koalicionin e tij të ri me Socialdemokratët (SPD).

Merz, 69 vjeç, i cili udhëhoqi CDU/CSU-në drejt fitores në zgjedhjet federale të shkurtit, mori vetëm 310 vota në Bundestag, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316 votash, njoftoi presidentja e Bundestagut, Julia Kloeckner.

Pas votimit, Kloeckner ndërpreu seancën parlamentare për t’u dhënë grupeve mundësinë të konsultohen mbi hapat e ardhshëm.

Parlamenti gjerman ka tani 14 ditë kohë për të zgjedhur Merzin ose një kandidat tjetër me shumicë absolute, me një votim të mundshëm që mund të zhvillohet sërish edhe gjatë së martës, raporton Reuters.

Edhe pse konservatorët fituan zgjedhjet me 28.5 për qind të votave, ata kishin nevojë për një partner për të formuar qeveri shumice.

Të hënën, ata nënshkruan një marrëveshje koalicioni me SPD-në, e cila kishte dalë me rezultatin më të dobët në historinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 16.4 për qind.

Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

AfD-ja u shpall të premten “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë – një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.

Merz, i cili ka përvojë të madhe në biznes, por zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit të së hënës premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme dhe të planifikuar mirë”.

Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit“, tha ai./REL/

Aktualitet

WFP: Lufta në Iran mund të zhysë 45 milionë njerëz në uri akute deri në qershor

Published

on

By

Sipas analizës së Programit Botëror të Ushqimit (WFP) të publikuar të martën, dhjetëra miliona njerëz të tjerë do të përballen me uri akute nëse lufta në Iran vazhdon deri në qershor, raporton Reuters.

Sulmet amerikano-izraelite ndaj Iranit, që nisën më 28 shkurt, kanë bllokuar rrugët kryesore të ndihmës humanitare, duke vonuar dërgesat jetike për disa nga krizat më të rënda në botë.

Zëvendësdrejtori Ekzekutiv i WFP-së, Carl Skau, u tha gazetarëve në Gjenevë se parashikohet që edhe 45 milionë njerëz të tjerë të bien në uri akute si pasojë e rritjes së kostove të ushqimit, naftës dhe transportit. Kjo do ta çonte numrin global mbi nivelin rekord aktual prej 319 milionë njerëzish.

“Kjo do t’i çonte nivelet globale të urisë në një rekord historik dhe është një perspektivë e tmerrshme,” tha ai.

“Edhe para kësaj lufte, ne ishim në një ‘stuhi të përsosur’ ku uria nuk ka qenë kurrë aq e rëndë sa tani, si në numra, ashtu edhe në thellësinë e saj,” shtoi ai.

Skau tha se kostot e transportit janë rritur me 18% që nga fillimi i sulmeve më 28 shkurt dhe se disa dërgesa është dashur të ridrejtohen. Ai shtoi se këto kosto shtesë vijnë krahas shkurtimeve të thella të shpenzimeve nga WFP, ndërkohë që donatorët po fokusohen më shumë te mbrojtja. /Reuters/

 

Continue Reading

Aktualitet

Udhëheqja e lartë e Iranit shënjestër e sulmeve

Published

on

By

Izraeli deklaron se ka vrarë shefin e sigurisë së Iranit, Ali Larijani, në një sulm dhe se do të “vazhdojë gjahun” ndaj liderëve të vendit. Siç tregon edhe grafika e mëposhtme, shumë prej figurave të larta të vendit të periudhës para-luftës janë vrarë.

Vdekja e Liderit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, u njoftua më 28 shkurt, pas ditës së parë të sulmeve amerikano-izraele mbi Iran.

Gjithashtu, në valën e parë të sulmeve u vranë: këshilltari i sigurisë Ali Shamkhani, ministri i mbrojtjes Amir Nasirzadeh, komandanti i Gardës Revolucionare, gjenerali Mohammad Pakpour, si dhe shefi i shtabit të forcave të armatosura, Abdolrahim Mousavi. /BBC/

Continue Reading

Aktualitet

Shtetet e Gjirit kërkojnë nga Trump neutralizimin e Iranit

Published

on

By

Shtetet arabe të Gjirit nuk i kanë kërkuar SHBA-së të hyjë në luftë me Iranin, mirëpo shumë prej tyre tani po bëjnë thirrje që operacioni të mos ndalet pa u siguruar që Republika Islamike të mos ketë më mundësi të kërcënojë rrugët jetike të naftës.

Siç raporton Reuters, burime nga Gjiri bëjnë të ditur se shqetësimi kryesor mbetet mbrojtja e ekonomive që varen tërësisht nga ky rajon.

Sipas burimeve diplomatike perëndimore dhe arabe, Uashingtoni po ushtron presion mbi shtetet e Gjirit që t’i bashkohen luftës SHBA-Izrael. Presidenti Donald Trump dëshiron të tregojë mbështetje rajonale për fushatën, me qëllim që të forcojë legjitimitetin ndërkombëtar dhe mbështetjen e brendshme.

“Ekziston një ndjenjë e gjerë në të gjithë Gjirin se Irani ka kaluar çdo vijë të kuqe me çdo vend të rajonit,” tha Abdulaziz Sager, kryetar i Qendrës kërkimore të Gjirit me seli në Arabinë Saudite. Ai shtoi se sapo Irani nisi sulmet e drejtpërdrejta, u klasifikua si armik.

Irani sulmon gjashtë shtetet e Gjirit

Teherani ka demonstruar tashmë fuqinë e tij duke sulmuar aeroporte, porte dhe objekte të naftës në gjashtë shtetet e Gjirit përmes raketave dhe dronëve. Gjithashtu, është penguar qarkullimi në Ngushticën e Hormuzit, që shërben si “arteria” kryesore për një të pestën e furnizimit global me naftë.

Udhëheqësit e Gjirit besojnë se mosveprimi tani përbën rrezikun më të madh. Sulmet e fundit kanë dëmtuar imazhin e stabilitetit që këto vende janë përpjekur të ndërtojnë për të tërhequr tregtinë dhe turizmin.

Frika nga një luftë e gjerë

Pavarësisht kërkesave për dobësimin ushtarak të Iranit, brenda Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) ende mungon një konsensus i plotë për hapat e mëtejshëm. Ndërsa Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, deklaroi se partnerët e Gjirit po rrisin angazhimin, Emiratet e Bashkuara Arabe janë treguar më të përmbajtura, duke thënë se nuk kërkojnë të përfshihen në eskalime.

Nga ana tjetër, Sager paralajmëroi se Arabia Saudite mund të detyrohet të hakmerret nëse Irani godet pikat kritike, siç janë impiantet e shkripëzimit të ujit ose objektet madhore të naftës. “Në atë rast, Arabia Saudite nuk do të kishte zgjidhje tjetër veçse të ndërhynte,” u shpreh ai. /Reuters/

 

Continue Reading

Lajmet

Kallas: BE-ja kërkon zgjidhje diplomatike për Ngushticën e Hormuzit

Published

on

By

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, deklaroi të martën se duhen gjetur rrugë diplomatike për të mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit, teksa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bën thirrje aleatëve të dërgojnë anije luftarake atje për të siguruar tranzitin mes luftës në Iran.

“Askush nuk është i gatshëm t’i vërë njerëzit e vet në rrezik në Ngushticën e Hormuzit. Ne duhet të gjejmë mënyra diplomatike për ta mbajtur këtë (ngushticë) të hapur, në mënyrë që të mos kemi krizë ushqimore, krizë të plehrave artificialë, si dhe krizë energjetike,” tha Kallas në një intervistë për Reuters.

Continue Reading

Të kërkuara