Aktualitet

Merren në mbrojtje ligjore disa raca të pëllumbave autokton të Kosovës

Published

on

Në kuadër të aktiviteteve për mbrojtjen e natyrës, me iniciativën e Institutit për Mbrojtjen e Natyrës, Ministri i MMPHI, Liburn Aliu, përmes vendimeve të ndara ka marrë në mbrojtje disa raca autoktone të pëllumbave të Kosovës.

Me miratimin e këtyre vendimeve llojet autoktone të pëllumbave: Pëllumbi i Pejës, Kryemusmi i Gjakovës, Gjylia e Prizrenit, Piklani i Pejës, Akrobatiku-Dyneku i Kosovës, dhe Kuti i Drenicës i janë shtuar Regjistrit të vlerave të mbrojtura të natyrës që mirëmbahet nga Institutit i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës.

Qëllimi kryesor i nxjerrjes së këtyre vendimeve thuhet se është mbrojtja e këtyre llojeve sipas ligjit dhe përcaktimi i kushteve të mbajtjes. Gjithashtu përmes këtyre vendimeve synohet që të këto lloje të mbrohen nga rreziku për përzierje gjenetike me racat e huaja dhe nga rreziku për nxjerrje jashtë vendit e këtyre racave me qëllim të kryqëzimit me racat e tjera.

Vendimet përmbajnë edhe arsyeshmërine profesionale për marrjen në mbrojtje të këtyre llojeve si dhe përshkrimin e karakteristikave themelore të tyre, të cilat janë hartuar nga një grup punues ndërinstitucional i udhëhequr nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, e ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga Departamenti i Mjedisit dhe i Ujërave dhe Departamenti Ligjor i MMPHI, përfaqësues nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës së UP “Hasan Prishtina”, përfaqësues nga Komisioni për Standardizimin e Racave të Pëllumbave Autokton të Kosovës dhe përfaqësues nga Asociacioni Kombëtarë i Kultivuesve të Kafshëve të Imëta.

Vënia nën mbrojtje institucionale e këtyre racave autoktone të pëllumbave thuhet se është e një rëndësie të veçantë edhe per faktin se këto raca tani do të prezantohen ndërkombëtarisht si raca autoktone të Republikës së Kosovës, lloje vendore të zbutura, përmes së cilave do të paraqitet edhe begatia e vlerave të biodiversitetit të vendit.

Lajmet nga UBT

Ekspertët ndërkombëtarë në UBT: Diskutohet e ardhmja e mjekësisë sportive dhe teknologjive emergjente në parandalimin e sëmundjeve

Published

on

By

Ekspertë, shkencëtarë dhe profesorë ndërkombëtarë po prezantojnë zhvillimet më të fundit në fushën e mjekësisë sportive, edukimit dhe teknologjisë, në kuadër të edicionit të dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive, i cili po zhvillon punimet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së.  

Ngjarja ka mbledhur personalitete drejtuese të mjekësisë sportive botërore dhe ekspertë nga Italia, Austria, Gjermania dhe Kosova, me fokus kryesor kalimin drejt mjekësisë parandaluese, shëndetit funksional dhe integrimit të inteligjencës artificiale në ekosistemet e qëndrueshme shëndetësore.  

Punimet e konferencës u hapën me prezantimin e Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), i cili trajtoi rolin global të FIMS-it dhe rrjetit të saj prej 118 shoqatash kombëtare në ndërthurjen e shkencës, edukimit dhe politikave shëndetësore.  

Pigozzi vuri në dukje se mjekësia sportive moderne po i shërben gjithnjë e më shumë shëndetit të popullatës përmes konceptit “Ushtrimi si Mjekësi” (Exercise is Medicine), si një përgjigje ndaj pandemisë së pasivitetit fizik që prek 1.8 miliardë të rritur në botë dhe shkakton miliona vdekje nga sëmundjet jo të transmetueshme. Ai vlerësoi përfshirjen e Institutit për Mjekësi Sportive të UBT-së në rrjetin e Qendrave Bashkëpunuese të FIMS-it (CCSM).  

Në vijim, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi vizionin e UBT Smart City, si një platformë e integruar e teknologjive emergjente dhe mbështetjes inteligjente për edukimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe shërbimet klinike në mjekësinë sportive.  

Duke u bazuar në konceptin e UBT 5S, Rektori Hajrizi theksoi se UBT nuk ofron thjesht infrastrukturë fizike, por një ekosistem të plotë dhe laborator të gjallë (Living Lab) që ndërlidh edukimin, spitalin UNITED Hospital, Institutin për Mjekësi Sportive, rrjetet 5G/IoT, inteligjencën artificiale dhe realitetin e zgjeruar (XR).  

Ai prezantoi rrugëtimin e integruar klinik — nga parandalimi, triazhi, trajtimi kirurgjikal, fizioterapia dhe rehabilitimi deri te rikthimi i sigurt i sportistit në fushë (Return-to-Sport) — si dhe agjendën kërkimore strategjike 2027–2030 për parandalimin preciz dhe shëndetin e komunitetit.  

Prof. Dr. Norbert Bachl nga Austria, Zëvendëspresident i FIMS-it dhe profesor në Universitetin e Vjenës dhe UBT, u përqendrua në shëndetin funksional, parashikimin e rreziqeve dhe revolucionin e inteligjencës artificiale.  

Bachl prezantoi kalimin nga mjekësia tradicionale episodike drejt “Mjekësisë P4” (parandaluese, e personalizuar, pjesëmarrëse dhe prediktive), ku theksi vihet te kapaciteti funksional dhe trajektoret dinamike të jetëgjatësisë së shëndetshme (healthspan).  

Duke analizuar rolin e AI-së si një “krah ndihmës” (helping hand), ai tregoi sesi integrimi i të dhënave të vazhdueshme multimodale dhe simulimi i skenarëve të stilit të jetesës mbështesin mjekun dhe pacientin në vendimmarrjen e përbashkët (Shared Decision-Making).  

Ndërkaq, një paraqitje të thelluar mbi rolin e teknologjisë dha Christian Stammel nga Gjermania, Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv (CEO) i platformës globale WT | Wearable Technologies AG.  

Stammel trajtoi temën se si pajisjet e bartshme (wearables) dhe inteligjenca artificiale po mundësojnë parandalimin preciz dhe avancimin e shëndetit funksional. Duke theksuar rritjen e shpejtë të industrisë së teknologjive të bartshme — me një parashikim prej rreth 1 miliard pajisjesh të prodhuara në vit deri në vitin 2026 — ai shpalosi segmentimin e këtij tregu, nga unazat inteligjente (smart rings), orët dhe byzylykët (wristables), syzet (eyewearables), kufjet me sensorë shëndetësorë (hearables), e deri te fashat e zgjuara me biosensorë (smart patches).  

Stammel shpjegoi rolin e “Binjakut Digjital Njerëzor” (Human Digital Twin) në zbulimin e hershëm të anomalive dhe udhëheqjen e procesit të rimëkëmbjes, duke theksuar se përparësia e së ardhmes po zhvendoset nga sensorët e thjeshtë matës drejt sistemeve të plota “nga sensori në veprim” (sensor-to-action). Ai nënvizoi se nëse sensorët fiziologjikë janë tashmë të maturuar, e ardhmja deri në vitin 2030 i përket sensorëve biokimikë në kohë reale (si matja e kortizolit, glukozës dhe metabolitëve përmes djersës dhe lëngut intersticial), të cilët funksionojnë si një ndërlidhës i pandërprerë mes biologjisë njerëzore dhe vendimmarrjes klinike.  

Përmes kësaj Konference, UBT po rikonfirmon rolin drejtues në rajon për bashkimin e mjekësisë sportive me teknologjinë më bashkëkohore dhe inteligjencën artificiale, duke krijuar një mjedis unik ku shkenca, klinika dhe inovacioni vihen drejtpërdrejt në shërbim të shëndetit publik dhe mirëqenies njerëzore. 

Punuan: Diona Hajrizi, Gresa Osmani, Elisa Istrefi, Dea Gashi, Enkela Maqedonci, Anisa Kryeziu – studente të vitit të tretë në programin Media dhe Komunikim në UBT.

Continue Reading

Vendi

Komisioni për Buxhet nuk e miraton amendamentin për 1 milion euro për protezat e invalidëve të luftës

Published

on

Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur amendamentin për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës, në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, raporton Ekonomia Online.

Amendamenti i propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Persona të Pagjetur, nuk mori mbështetjen e anëtarëve, pasi pesë votuan për, asnjë kundër dhe pesë abstenuan.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, e prezantoi amendamentin që parasheh ndarjen e mjeteve shtesë për këtë kategori.

“Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe për Persona të Pagjetur në nenin 6 të projektligjit ka bërë që ka të bëjë me nenin 32 të ligjit bazik të paragrafit 2, neni 32a, në fund të tekstit shtohet teksti si në vijim. Të shtohet edhe 1 milion euro për pajisjet, protezat dhe mjetet tjera mjekësore për invalidët e luftës”, tha ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo çështje tashmë është e rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, i miratuar në mars të vitit 2024, dhe se mbulimi bëhet përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Në lidhje me këtë çështje, tashmë ka rregullim institucional, pra që prej marsit të vitit 2024 është miratuar udhëzimi administrativ, i cili e mbulon këtë këst përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Pra, është miratuar udhëzimi nga Ministria e Shëndetësisë, kështu që kjo çështje tashmë ka zgjidhje, nuk e shoh që është e nevojshme të bëhet një amendament i tillë”, tha Murati.

Ndërkaq Haliti theksoi se sipas informatave të marra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2024 janë nxjerrë dy vendime të veçanta për invalidët e luftës së UÇK-së dhe invalidët civilë të luftës, përmes të cilave është përcaktuar mundësia e mbulimit financiar për protezat.

“Unë kam marrë një informatë nga Ministria e Shëndetësisë ku na kanë njoftuar që me vendim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në vitin 2024 janë nxjerrë dy vendime të veçanta që kanë të bëjnë me personat me status të invalidit të luftës, UÇK-së, dhe me personat me status të invalidit civil të luftës, ku përmes këtyre vendimeve është përcaktuar edhe mundësia e mbulimit financiar për ndërrimin, mirëmbajtjen dhe vendosjen e protezës sipas kërkesave individuale të aplikuesve, duke respektuar rregullat dhe procedurat e legjislacionit në fuqi. Sipas raporteve të trajtimit dhe rimburësimit, deri më tani nga këto vendime kanë përfituar 103 persona. Do të thotë, janë 58 invalidë të luftës, UÇK-së, dhe 45 invalidë të civilë të luftës. Çka do të thotë që të gjitha kërkesat që kanë ardhur në për mbulimin e shpenzimeve të gjitha rastet 100% janë zgjidhur dhe janë ofruar me përjashtim të një rasti që është në shqyrtim e sipër. Përndryshe, të gjitha kërkesat janë mbuluar dhe kanë marrë zgjidhje”, shtoi Haliti.

Megjithatë, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e mbështeti amendamentin, duke thënë se invalidët e luftës vazhdojnë të paraqesin ankesa për mbulimin e shpenzimeve të protezave.

“Ky amendament besoj që është i qëlluar. Për vetë faktin, kemi qytetarë kemi këtë rast edhe invalidë të luftës, veteranë të luftës, që na paraqiten vazhdimisht, edhe kanë ankesa në këtë pjesë të pjesës së protezave. Nuk është e vërtetë që janë të mbuluar me të gjitha domethënë financimet për proteza. Prandaj, besoj është e bazuar edhe kërkesa e komisionit në këtë drejtim dhe mbështetjen time e ka në këtë drejtim. Nuk është shumë e madhe që besoj që ndikon në buxhet edhe besoj që kjo kategori duhet edhe duhet vlerësohet më shumë në mbështetjen edhe të buxhetit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e vlerësoi të qëlluar amendamentin, duke thënë se invalidët e luftës janë përballur me vështirësi në sigurimin e protezave dhe se, sipas saj, shpesh kanë pasur nevojë për ndihmën e miqve dhe të bashkatdhetarëve në diasporë.

“Është amendament i qëlluar. Është një realitet i dhimbshëm nëpër çka kanë kaluar invalidët e luftës, njerëz të cilët ndërrimin e protezave shpesh herë e kanë bërë përmes miqve, shokëve në diasporë, të cilët ju kanë ndihmuar vazhdimisht duke u përkujdesur për shëndetin e tyre, kanë qenë kategoria që kanë qenë anash komplet nga institucionet e vendit”, tha ajo.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se përkrah amendamentin, por vlerësoi se çështja duhet të zgjidhet në mënyrë të përhershme, duke i përfshirë shpenzimet për protezat në buxhetin e rregullt të Klinikës së Ortopedisë në QKUK.

“Unë këtë amendament e përkrah. Mendoj që diskutimi për këtë çështje tregon dështimin tonë si shoqëri dhe si institucione për me e adresuar një herë e përgjithmonë këtë çështje. Qeveri pas qeverie kemi dështuar që ta institucionalizojmë kujdesin për këta njerëz. Në kohën e pandemisë kemi ndarë plot atëherë kur kemi qenë në qeveri ne kemi ndarë plot mbështetje për grupe të ndryshme të shoqërisë, përfshirë edhe për organizatat e dala nga lufta. Atëherë, në vitin 2020, kemi bërë një marrëveshje të shkruar me Organizatën e Veteranëve të Luftës, që kjo çështje të institucionalizohet, të bëhet pjesë e buxhetit të rregullt në klinikën e ortopedisë në QKUK, ata të evidentojnë të gjitha rastet që kanë nevojë për proteza, cilat mund t’i kryejnë vetë, dhe cilat duhet t’i dërgojnë jashtë për trajtim, dhe të futet si pjesë e buxhetit të rregullt të QKUK-së dhe të klinikës së ortopedisë, që të mos ketë nevojë as për amendamente shtesë në komision, as për vendime ekzekutive të qeverisë ose të ministrit të Shëndetësisë. Unë mendoj që kjo është qasje që një herë e përgjithmonë duhet me e adresuar këtë çështje. Unë e përgëzoj ministrin që e ka marrë një vendim në vitin 2024, por nuk është zgjidhje përfundimtare. Nuk mund t’i lëmë këta njerëz nën mëshirën, si me thënë, të vendimeve ekzekutive të qeverisë e të ministrave, ose të amendamenteve në komision. Unë besoj që me buxhetin e vitit 2027, kur të vjen, ta adresojmë ne. Nëse qeveria nuk e sjell të tillë, ta adresojmë ne dhe ta zgjidhim një herë e përgjithmonë atë çështje. Pra, protezat të bëhen pjesë e buxhetit të rregullt të klinikës së ortopedisë, jo të fondit për sigurime shëndetësore, se nuk ka nevojë të shkojnë aty”, shtoi Hoti.

Në të njëjtën mbledhje, anëtarët e Komisionit diskutuan edhe ndryshimin e nenit 5 të projektligjit, që lidhet me kompensimin retroaktiv të përvojës së punës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Lushtaku kërkoi sqarime për formulimin e dispozitës, konkretisht për përdorimin e fjalës “mund” në pjesën ku thuhet se Qeveria mund të miratojë pagesën e kompensimeve retroaktive.

“Po më interesonte neni 5, se kemi pasur diskutime edhe në mbledhjet e kaluara të legjislaturës së kaluar. Që realisht është dashur me pasur një kompensim të përvojës së punës dhe gjykata kushtetuese vetëm pse e ka marrë vendimin për atëherë nuk ishte në planifikim. Tash, ju me këto po mundoheni me i vendos në planifikim. Por përveç kësaj, po më interesonte fjala te fjala te rreshti i parë me propozim të ministrit të financave, “qeveria mund të miratojë pagesën e kompensimeve retroaktiv”. Domethënë, pse fjala “mund” kur besoj që deri sot është nen i ligjit duhet të jetë, duhet të miratojë. Po sigurisht, ndoshta kjo është çështje e fjalive, por besoj që është e rëndësishme edhe teknikisht e përmirësuar”, tha Lushtaku.

Ministri Murati tha se formulimi është çështje juridike dhe se përdorimi i fjalës “mund” synon krijimin e bazës ligjore për kompensimin, pa krijuar detyrime që mund të çojnë në tejkalime buxhetore.

“Kjo është çështje më shumë juridike, do të thosha, sesa financiare. Është gjuhë që përdoret zakonisht, nëpër ligje të tilla, ideja është pra që të krijohet mundësia dhe baza ligjore. Dhe me këtë rast, kjo fjali e krijon bazën ligjore, pra për t’u bërë ky kompensim retroaktiv. Ndërkaq, tek fjala “duhet”, zakonisht nuk hezitojnë edhe juristët, pra që të shtojnë fjalë të tilla obligative marrë parasysh që shpesh herë mund të ketë edhe nuanca në pjesën e mbetur të fjalisë. Edhe nëse ka një gabim, pastaj ai bëhet obligim, pavarësisht nëse është, nëse ka qenë qëllimi i tillë apo jo. Prandaj, çdo herë është fjala “mund” që përgjatë rrugës, pra nëse shihet se mund të, le të themi, përshtatet dhe të mos ketë tejkalime buxhetore apo të mos ketë tejkalime të asaj që është paraparë qëllimi fillestar, pra që është kompensimi sipas gjykimit të gjykatës kushtetuese, kjo veçse e krijon bazën ligjore. Pra, është më se e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai.

Hoti kundërshtoi këtë formulim, duke thënë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese përbën obligim dhe jo çështje diskrecionale të Qeverisë.

“Besoj që në rastin konkret të fjali- fjalia duhet të jetë: “Duhet” ose “Qeveria ndan mjete për pagesën e tjera”. Jo “mund”. Sepse tash, duke qenë se është akt gjykimi i gjykatës kushtetuese, nuk është më diskrecion. Unë e kuptoj gjuhën afirmative si shkruhen nenet, por në rastin konkret është obligim për ekzekutivin për zbatimin e këtij akt gjykimi. Pra, ose bëjmë “duhet” ose themi “Qeveria ndan mjete për pagesën e tjera”, potencoi Hoti.

Edhe përfaqësuesja e Zyrës Ligjore të Kuvendit u shpreh se formulimi mund të rishikohet duke e hequr fjalën “mund”.

“Edhe unë e kam vërejtur këtë specifikë te projektligji, edhe realisht në këto kishim mundur me e përshtat vetëm me bo qeveria miraton, me e heq këto “mund të”, me e bo me propozim të ministrisë, së financave, që qeveria miraton pagesën e kompensimit retroaktiv”, theksoi ajo.

Burimi: Nga Ekonomia Online

Continue Reading

lajme

Rektori Hajrizi: UBT po ndërton infrastrukturën shkencore dhe mjekësore për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”

Published

on

By

Gjatë punimeve të Konferencës së Dytë Ndërkombëtare për Mjekësinë Sportive (ICSM 2026), Presidenti dhe Themeluesi i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka bërë të ditur se ky institucion po punon intensivisht për krijimin e kapaciteteve të qëndrueshme shkencore dhe mjekësore në shërbim të ngjarjes më të madhe sportive në historinë e vendit – Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Sipas Rektorit Hajrizi, mjekësia sportive moderne tashmë e ka kaluar kornizën e thjeshtë të trajtimit të lëndimeve, duke u shndërruar në një fushë ndërdisiplinore ku bashkohen inteligjenca artificiale, pajisjet inteligjente të bartshme (wearables), diagnostikimi i avancuar dhe shëndeti funksional.

“Ne po shikojmë drejt Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ si një mundësi të madhe për të ndihmuar në zhvillimin e kapaciteteve të qëndrueshme në mjekësinë sportive, arsim, parandalim dhe rehabilitim. Synimi ynë nuk është thjesht të mbështesim një ngjarje sportive, por të forcojmë infrastrukturën shëndetësore dhe shkencore që do të mbetet trashëgimi afatgjatë për vendin pas tyre”, u shpreh Hajrizi.

 

Ai theksoi se vizioni i UBT-së është ndërtimi i një ekosistemi të integruar, ku arsimi, kërkimi shkencor dhe teknologjia vendosen plotësisht në shërbim të shëndetit publik dhe performancës sportive. Në këtë kuadër, koncepti “UBT Smart City” shërben si një hapësirë kërkimore praktike për zbatimin e inteligjencës artificiale, modelimit digjital dhe teknologjive më të avancuara interaktive në arsim.

“Në UBT, ne besojmë fuqimisht se e ardhmja e kujdesit shëndetësor dhe e mjekësisë sportive do të varet pikërisht nga ky integrim. Teknologjia nuk duhet të jetë qëllim në vete, por një mjet efektiv që na ndihmon të mbrojmë shëndetin, të parandalojmë dëmtimet dhe të përmirësojmë cilësinë e jetës së sportistëve dhe të gjithë komunitetit”, tha mes tjerash Rektori Hajrizi.

Përmes këtij angazhimi dhe akreditimit të fundit nga Federata Ndërkombëtare e Mjekësisë Sportive (FIMS), UBT po konfirmohet si shtylla kryesore akademike dhe shkencore që do të mbështesë përgatitjet teknike e mjekësore për Lojërat Mesdhetare 2030.

Continue Reading

Lajmet

UBT pranon zyrtarisht pllakën e anëtarësimit në Federatën Botërore të Mjëkësisë Sportive

Published

on

By

Në kuadër të Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Mjekësinë Sportive (ICSM 2026), Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), Prof. Dr. Fabio Pigozzi, i ka dorëzuar zyrtarisht pllakatën e anëtarësimit Rektorit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Ky hap historik e fut UBT-në dhe Kosovën në rrjetin ekskluziv global prej vetëm 31 qendrave të njohura të mjekësisë sportive në të gjithë botën.

Me rastin e dorëzimit të pllakatës, Presidenti i FIMS-it, Prof. Dr. Fabio Pigozzi, vlerësoi lart këtë sukses institucional.

“Dëshiroj t’i dorëzoj zyrtarisht pllakatën Edmondit, e cila do të vendoset në mjediset e qendrës së re, dhe t’ju uroj përzemërsisht për këtë arritje të jashtëzakonshme. Vlen të theksohet se këtë vit kemi akredituar vetëm tri qendra të reja në nivel global: në Prishtinë, në Tashkent të Uzbekistanit dhe në Hong Kong të Kinës”, u shpreh Pigozzi.

Nga ana e tij, Rektori Edmond Hajrizi theksoi se ky pranim ndërkombëtar kurorëzon vizionin e UBT-së për ndërlidhjen e shkencës, teknologjisë dhe shëndetit publik, duke krijuar kështu një bazë të fuqishme edhe në prag të organizimit të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

 

Continue Reading

Të kërkuara