Lajmet

Mehaj: Shërbimi i detyrueshëm ushtarak vetëm në koordinim me SHBA-në

Mehaj tha se momentalisht janë të fokusuar për një ushtri profesionale.

Published

on

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, deklaroi sot se shërbimi ushtarak i detyrueshëm do të bëhet vetëm në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, derisa shtoi se Kosova mbetet e palëkundur në rrugën e saj drejt anëtarësimit në NATO.

Duke folur për avancimin e Ushtrisë të Kosovës, Mehaj tha se treni po ecën dhe nuk ka të ndalur.

Mehaj këto komente i bëri para deputetëve të Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku raportoi lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Ai bëri të ditur se Ministria që ai e udhëheq deri më tash ka nënshkruar 15 marrëveshje të bashkëpunimit, dhe tri marrëveshje SOFA.

Sa i përket obligimit ushtarak, Mehaj tha se momentalisht janë të fokusuar për një ushtri profesionale.

“Sa i përket ushtrisë së detyrueshme, unë besoj që kjo është ëndërr e çdo qytetari të Republikës të Kosovës, që ta ketë një ushtri të mirëfilltë. Përkohësisht plani është i hartuar për ushtri profesionale, por ne jemi edhe në koordinim e sipër me partnerë e shtete të tjera, për të parë se në çfarë faza mundet ushtria e detyrueshme të futet në obligim në të ardhmen. Por, këtu duhet marrë plane konkrete, siç janë shtetet baltike… Kështu që jemi në koordinim e sipër këtu, por më e rëndësishmja është që në çdo veprim që marrë, unë e koordinoj bashkë me SHBA-në që të jetë në benefit të Kosovës dhe Ushtrisë të Kosovës”, tha Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes tha se është i përkushtuar maksimalisht në avancimin e ushtrisë.

“Unë jam përkushtuar 200 për qind për ushtrinë e Kosovës dhe Ministrinë e Mbrojtjes, kështu aktivitetet s’kanë të ndalur. Ju po e shihni prej ditës të parë deri më sot nuk kemi të ndalur. Treni është duke ecur, nuk do të ndalet. Kështu që u them të gjithëve: ‘mbështetnani sepse jemi të pandalshëm, të pakthyeshëm’… Vërtet është nga pala e Bosnjës një pengesë, por do ta diskutojmë më hapur pasi që të është mundësia [pa media]”, tha ai.

Ministri Mehaj foli edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës me partnerë të NATO-s, për çka tha se është i shkëlqyeshëm.

“Pjesëmarrja në forume ndërkombëtare ka qëllime të shumëfishta. Përveç vizitës si ministër i Mbrojtjes, shërbejnë edhe në thellimin e bashkëpunimit bilateral. Po ashtu e shfrytëzoj edhe për qëllime të dërgimit të mesazheve të promovimit të vullnetit, përkushtimit të Kosovës në procesin e integrimit në organizata ndërkombëtare. Po ashtu, i shfrytëzoj vizitat për t’iu bërë thirrje shteteve që të mbështesin dhe të ndihmojnë Kosovën në organizata ndërkombëtare dhe të ndikojnë në shtete që të bëjnë të njëjtën… Për momentin, Ministria e Mbrojtjes ka të nënshkruara 15 memorandume të bashkëpunimit dhe tri marrëveshje SOFA. Sofa me Shqipërinë, Kuvajtin dhe SOFA me Maqedoninë e Veriut, kurse jemi në proces të nënshkrimit me Poloninë dhe Kroacinë”, tha ai.

Për ushtrimet stërvitore të FSK-së me shtetet e tjera, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ministri Mehaj tha se synojnë që përmes tyre të përgatiten për kërcënime eventuale.

Sipas tij, rrugën e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare e ndihmon edhe marrëveshja për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së jashtë vendit.

Sa i përket rekrutimit të kadetëve të ri, Mehaj bëri të ditur se për tri ditë kanë pranuar mbi 1 mijë aplikime. Derisa theksoi se do të vazhdojnë me shkollimin e tyre brenda dhe jashtë Kosovës.

Pas kësaj, mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë ka vazhduar të mbahet pa praninë e mediave.

Lajmet

Godet këmbësoren me veturë, arrestohet i dyshuari në Prishtinë

Published

on

Një person është arrestuar në Prishtinë pasi dyshohet se, gjatë drejtimit të veturës nga pakujdesia, ka goditur një këmbësore.

Rasti ka ndodhur më 22 shtator, rreth orës 12:50. Si pasojë e aksidentit, këmbësorja ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Dy persona arrestohen në Kaçanik, dyshohet se keqpërdorën dy gra

Published

on

Dy persona janë arrestuar në Kaçanik, pasi dyshohet se kanë keqpërdorur dy gra.

Rasti është raportuar më 21 shtator, rreth orës 23:00. Viktimat janë intervistuar nga prokurori, i cili ka autorizuar hapjen e rastit.

Të dyshuarit janë identifikuar dhe arrestuar, ndërsa pas intervistimit, me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Shqiptarët protestojnë para OKB-së në New York kundër vendimit të Speciales

Published

on

Shumë shqiptarë janë mbledhur të martën para selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, në protestë kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mesazhe si “Drejtësi, jo politikë”, “Lironi heronjtë tanë” dhe “Heronj të luftës e të paqes”, duke kërkuar lirimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.

Protesta të ngjashme janë zhvilluar që nga 16 shtatori në Kosovë dhe në disa vende të tjera, përfshirë Kanadanë, Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë.

Gjykata Speciale i dënoi Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet, pas shpalljes fajtorë për vepra të lidhura me krime lufte./A.K/

Continue Reading

Lajmet

OpenAI parashikon shpenzime prej 856 miliardë dollarësh deri në vitin 2030

Published

on

OpenAI parashikon fluks negativ të parasë së lirë prej rreth 278 miliardë dollarësh gjatë viteve 2026–2030, ndërsa përshpejton investimet në fuqinë kompjuterike dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e inteligjencës artificiale, raporton Financial Times.

Sipas një prezantimi të kompanisë të siguruar nga Financial Times, OpenAI planifikon të shpenzojë rreth 856 miliardë dollarë për fuqi kompjuterike dhe infrastrukturë deri në fund të vitit 2030.

Në të njëjtën periudhë, kompania pret që të ardhurat vjetore të rriten nga rreth 36 miliardë dollarë në vitin 2026 në 350 miliardë dollarë në vitin 2030, ndërsa të ardhurat kumulative pritet të arrijnë rreth 840 miliardë dollarë.

OpenAI, e cila qëndron pas ChatGPT, ka siguruar 122 miliardë dollarë kapital në mars, por parashikimet e kompanisë sugjerojnë se këto fonde mund të shterojnë deri në vitin 2028, nëse vazhdon ritmi i planifikuar i shpenzimeve.

Ndërkohë, kompania është në bisedime për një raund të ri financimi që mund ta çojë vlerësimin e saj në mbi 1.2 trilionë dollarë.

Shifrat pasqyrojnë përmasat e investimeve që kërkon gara për zhvillimin e modeleve të avancuara të inteligjencës artificiale, veçanërisht për qendrat e të dhënave, çipat dhe kapacitetin kompjuterik./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara