Lajmet

Mehaj: Rusia me çdo kusht kërkon destabilizimin e Kosovës

Ai ka theksuar se Kosova qëndron e vendosur në rrugën e demokracisë perëndimore dhe deklaron fuqishëm orientimin e saj euroatlantik.

Published

on

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka deklaruar se trazirat e fundit në veri të Kosovës dhe përfshirja e diplomatëve rusë, siç ishte rasti i ish-punonjësit të UNMIK-ut vite më parë, përfshirja e zyrtarëve rusë dhe bjellorus, gjoja si gazetarë të arrestuar nga Policia e Kosovës, si dhe vizita e ambasadorit rus në Serbi, bërë forcave serbe të grumbulluara në kufi me Kosovën, dëshmojnë se Rusia me çdo kusht kërkon destabilizimin e Kosovës.

Mehaj i ka bërë këto komente gjatë konferencës vjetore të Kartës së Adriatikut-SHBA, para ministrave të mbrojtjes dhe delegacioneve të tyre, të mbajtur dje në Split, ku theksoi se Ballkani është një objektiv i kërcënimeve kineze dhe ruse.

Ai ka theksuar se Kosova qëndron e vendosur në rrugën e demokracisë perëndimore dhe deklaron fuqishëm orientimin e saj euroatlantik. Për të konfirmuar këtë pikëpamje, në fillim të pandemisë COVID-19, ne u përpoqëm të menaxhonim situatën, por në asnjë mënyrë nuk pranuam donacione nga Rusia apo Kina.

“Të gjitha vaksinat e administruara janë të licencuara nga BE. Edhe në kohë të vështira, ne nuk e humbëm fokusin dhe orientimin tonë, sepse besojmë në partneritetin dhe miqësinë e përjetshme dhe përqafojmë vlerat demokratike në çdo kohë”, ka thënë Mehaj.

Fjalimi i plotë:

“I nderuar Ministër Banozic,

I nderuar, zv.ndihmës sekretar Adler

Të nderuar kolegë, ministra të mbrojtjes,

Si Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë e madhe që jam sot këtu me ju, në Ministrealin e Kartës së Adriatiku- SHBA, si pjesë e Takimit Gjithëpërfshirës Rajonal.

Dëshiroj të falënderoj mikun tim, ministrin kroat të mbrojtjes, që na ftoi të marrim pjesë në këtë takim dhe për pritjen e ngrohtë si nikoqir i kësaj ngjarjeje.

Vizioni i Republikës së Kosovës është promovimi i stabilitetit dhe sigurisë, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe për rajonin, Evropën dhe më gjerë.

Kosova është e përkushtuar që të jetë pjesë integrale e strukturave rajonale dhe globale të sigurisë, në veçanti OKB-së, BE-së, NATO-s dhe OSBE-së.

Ne gjithashtu punojmë shumë për të qenë pjesë e nismave rajonale dhe për të promovuar marrëdhënie paqësore fqinjësore në funksion të rritjes së stabilitetit dhe besimit midis vendeve në rajon.

Situata e krijuar nga COVID-19 na e ka bërë shumë të qartë çdo vendi dhe çdo kombi se vendet mund të kenë sukses vetëm nëse veprojnë së bashku. Vetëm kur të gjithë ramë dakord për masat për parandalimin ose ngadalësimin e përhapjes së pandemisë, arritëm ta kontrollojmë atë.

Pandemia na kujtoi se një qasje gjithëpërfshirëse dhe koordinimi i aktiviteteve nga të gjitha vendet e rajonit dhe vendet në të gjithë botën është domosdoshmëri për të shpëtuar jetë dhe për të kontrolluar përhapjen e pandemisë.

Menaxhimi i pandemive ishte gjithashtu një sfidë reale për të gjithë ne. U dëshmua fuqishëm se jemi të sigurt vetëm nëse fqinjët tanë janë të sigurt. Duke qenë qoftë vend i vogël apo vend i madh, në betejën me COVID-19, ishim të barabartë.

Derisa po përpiqeshim të kuptonim sëmundjen, mbyllëm kufijtë tanë dhe hapëm shtigje të reja mbështetjeje dhe ndihme. Bashkëpunimi dhe ndihma e njëri-tjetrit ishte e vetmja rrugë.

Me ndihmën dhe mbështetjen e kombeve tona mike, përfaqësues të disave që janë ulur këtu në mesin tonë, Kosova ka marrë një numër të madh të dozave të vaksinave si donacion dhe kemi arritur të vaksinojmë një numër mjaft të madh të qytetarëve deri në 54%, kurse personelin ushtarak dhe civilëve të Ministrisë së Mbrojtjes kemi arritur ta vaksinojmë 100%.

Ne vlerësojmë shumë ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve tanë me donacionet e vaksinave. Dhe unë shfrytëzoj këtë rast për t’ju falënderuar përzemërsisht. Një ndihmë e tillë bujare është një demonstrues i shkëlqyeshëm se duke punuar dhe ndihmuar njëri-tjetrin mund të arrijmë qëllime të mëdha.

Vetë misioni i Kartës së Adriatikut –SHBA është të sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër proceseve integruese në NATO, me qëllimin përfundimtar të rritjes së sigurisë rajonale dhe forcimit të partneritetit ndërfqinjësor.

Prandaj, ne e vlerësojmë shumë ftesën tuaj në këtë takim dhe në të njëjtën kohë, ju bëjmë thirrje të gjithëve që të shtrini dorën dhe të na lejoni t’i bashkohemi nismës, si anëtar i barabartë.

Kosova është e gatshme të marrë role dhe përgjegjësi të reja. Në muajt e fundit, ne kemi treguar përkushtim në disa mënyra. Ne kemi ndihmuar dhe mbështetur operacionin e drejtuar nga NATO për evakuimin e refugjatëve afganë dhe sapo kemi përfunduar bashkë-zbarkimin e parë të trupave të FSK-së në Kuvajt.

Sfidat e COVID-19 kanë ndikuar shumë në bashkëpunimin rajonal.

Rikthimi i bashkëpunimit midis vendeve A5 dhe të tjerëve është i një rëndësie të madhe për të rifituar qëndrueshmërinë, duke iu përgjigjur sfidave të mbrojtjes dhe sigurisë së bashku.

Është i nevojshëm bashkëpunimi më intensiv pas COVID-19 në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, duke pasur parasysh zhvillimin rajonal dhe më gjerë.

Kërcënimet hibride të Rusisë dhe Kinës në rajon dhe më gjerë paraqesin tregues që ne duhet të punojmë së bashku për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe për të mbështetur njëri-tjetrin në rrugën e integrimeve.

Është e vështirë për ne që të përballemi vetëm dhe individualisht me ndikimin e vendeve të fuqishme si Kina apo Rusia, por një qasje e përbashkët bën të mundur menaxhimin e situatës, në funksion të sigurisë së qëndrueshme dhe ofrimit të mirëqenies për qytetarët tanë.

Kosova është e gatshme të kontribuojë në çdo iniciativë rajonale dhe më gjerë.

Anëtarësimi ynë në Kartën e Adriatikut do të na ofronte një mundësi më të madhe për të kontribuar drejtpërdrejt në paqen dhe stabilitetin përtej kufijve tanë.

Në të njëjtën kohë, do të përcillte edhe një mesazh të qartë për kundërshtarët e integrimit të Ballkanit Perëndimor, se kjo pjesë e botës ka një rrugë të sigurt drejt integrimit në NATO dhe se vendet e Ballkanit janë të përkushtuara për të ofruar paqe dhe stabilitet.

Siç e përmenda më herët, Ballkani është një objektiv i kërcënimeve kineze dhe ruse. Me çdo mjet të mundshëm, ata përpiqen përmes vendeve të cenueshme, në këtë rast Serbisë, të ndërhyjnë në stabilitetin e Ballkanit dhe Evropës dhe të krijojnë destabilitet si kundërmasë ndaj vlerave demokratike euroatlantike.

Duke ofruar mbështetje ushtarake dhe politike, si dhe vaksina për Serbinë, Rusia përpiqet të imponojë narrativën e saj dhe të ndikojë në Serbi, duke e përdorur atë si një përfaqësues kundër NATO-s në këtë pjesë të rajonit.

Ne ishim dëshmitarë të tentativës së Serbisë për të destabilizuar Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Në aksionin e MPB-së së Kosovës në veri të Kosovës, ministrat serbë kërcënuan me luftë dhe përdorën retorikën e viteve të 90-ta. Të njëjtën gjuhë si krimineli i luftës, Sllobodan Millosheviq.

Të kujtojmë krimet e Serbisë në Kosovë: 1,1 milion qytetarë të dëbuar, 20 mijë gra të dhunuara, 230 mijë shtëpi të djegura, 1600 të zhdukur, 13 mijë të vrarë, etj. Të kujtojmë krimet e Serbisë në Bosne dhe Kroaci, me qindra mijë të vrarë, miliona të deportuar, mijëra gra të dhunuara, qindra vendbanime të djegura e shkatërruara.

Prandaj duke mos harruar kurr, është koha të rrugëtojmë së bashku drejtë anëtarësimit në NATO.

E ashtuquajtura Qendra Humanitare Ruse në jug të Serbisë dhe TV Rus “Sputnik” , transmetues në Serbi, janë qendra propagande dhe dezinformimi kundër NATO-s, BE-së dhe vendit tonë.

Trazirat e fundit në veri të Kosovës dhe përfshirja e diplomatëve rusë, siç ishte rasti i ish-punonjësit të UNMIK-ut vite më parë, përfshirja e zyrtarëve rusë dhe bjellorus, gjoja si gazetarë të arrestuar nga Policia e Kosovës, si dhe vizita e ambasadorit rus në Serbi, bërë forcave serbe të grumbulluara në kufi me Kosovën, dëshmojnë se Rusia me çdo kusht kërkon destabilizimin e Kosovës. E së fundmi, më 23 tetor, vendi ynë shpalli “non-grata” dy diplomatë rusë.

Të nderuar të pranishëm,

Kosova qëndron e vendosur në rrugën e demokracisë perëndimore dhe deklaron fuqishëm orientimin e saj euroatlantik. Për të konfirmuar këtë pikëpamje, në fillim të pandemisë COVID-19, ne u përpoqëm të menaxhonim situatën, por në asnjë mënyrë nuk pranuam donacione nga Rusia apo Kina. Të gjitha vaksinat e administruara janë të licencuara nga BE. Edhe në kohë të vështira, ne nuk e humbëm fokusin dhe orientimin tonë, sepse besojmë në partneritetin dhe miqësinë e përjetshme dhe përqafojmë vlerat demokratike në çdo kohë.

Edhe një herë ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm për ne.

Le të punojmë për një rajon më të mirë për të gjithë ne.

Ju faleminderit për vëmendjen!

Lajmet

UBT shënon Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë: Kërkohet vetëdijesim dhe zbatim i standardeve evropiane

Published

on

By

Me qëllim të adresimit të sfidave kritike në mjediset e punës dhe rritjes së vetëdijesimit institucional, UBT ka organizuar një konferencë shkencore dhe panel diskutimi për nder të Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Në këtë ngjarje, përfaqësues të qeverisë, odave profesionale dhe akademisë, analizuan faktorët që po çojnë në pasiguri fizike dhe aksidente fatale, duke kërkuar zbatim strikt të standardeve ndërkombëtare.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, hapi diskutimin duke vënë në dukje hendekun mes legjislacionit evropian dhe kulturës së sigurisë në Kosovë. Ai sqaroi se ndonëse Bashkimi Evropian ka agjenci dhe standarde strikte për këtë fushë, në Kosovë kjo ende nuk është përpunuar si lloj kompetence profesionale.

Sipas Hajrizit, është e domosdoshme që siguria dhe shëndeti të trajtohen si kushte prioritare në çdo vend pune. Ai ngriti pyetjen nëse numri i lartë i aksidenteve vjen si pasojë e dështimit të proceseve, mungesës së kompetencave apo nivelit të ulët të vetëdijesimit, duke shtuar se “Definitivisht kemi një numër të rasteve që janë vështirë të pranueshme, qoftë me aksidente fatale, qoftë me aksidente të llojeve të tjera”.

Shqetësimin për përkeqësimin e situatës në terren e ndau edhe Binak Beqaj, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor. Ai u shpreh i habitur se si krahas konsolidimit ligjor dhe institucional, shifrat e aksidenteve mbeten në rritje, gjë që sipas tij tregon se diçka nuk po funksionon siç duhet.

Beqaj veçoi mungesën e kujdesit në punishte dhe mospërdorimin e duhur të makinerive si shkaktarë kryesorë.

“Faktorët kryesorë lidhen me mosrespektimin e standardeve për sigurinë fizike, sidomos në fushën e ndërtimtarisë, siç është pasiguria në punishte dhe moskujdesi gjatë përdorimit të makinerive”, u shpreh ai.

Mbi rolin e institucioneve dhe ndryshimet legjislative foli Avni Zogiani, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ai bëri të ditur se monitorimet e shtuara gjatë fundit të vitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025 kanë treguar një ndryshim pozitiv në uljen e rasteve fatale, por theksoi se sektori i ndërtimit mbetet më i ekspozuari.

Zogiani njoftoi se ministria është duke punuar në ligjet e reja për ndërtimin dhe planifikimin hapësinor, duke kërkuar angazhim më të madh nga odat e profesionistëve.

“Odat dhe forumet e profesionistëve do të duhej t’i kushtonin më shumë kohë këtij diskutimi rregullativ në fushën e sigurisë dhe të jenë bartëse të aktiviteteve për rregullimin e kësaj fushe”, deklaroi Zogiani.

Ndërkaq, Kryetari i Odës së Inxhinierëve të Kosovës, Arsim Rapuca, u fokusua te specifikat teknike të rrezikshmërisë, duke kujtuar se jeta e punëtorit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër industrial.

Ai përmendi rreziqet e larta që vijnë nga punët në lartësi, gërmimet e thella dhe përdorimi i skelerive, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut. Rapuca potencoi se: “Parimi bazë, edhe në Ligjin e Ndërtimit edhe në ligjin e odave, është që prioriteti kryesor të jetë shëndeti dhe siguria e punëtorit”.

Në përmbyllje të diskutimeve, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Dr. Visar Krelani, theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla që bashkojnë akademinë me industrinë.

Ai vuri në dukje se bashkëpunimi i ngushtë është kyç për të trajtuar tema thelbësore si siguria dhe zhvillimi i qëndrueshëm në sektorin e ndërtimit, duke u bërë thirrje të gjithë akterëve që ta trajtojnë këtë fushë jo vetëm si detyrim ligjor, por si një vlerë njerëzore dhe profesionale.

 

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Energjisë në UBT vizitojnë parkun e erës në Kitka

Published

on

By

Fakulteti i Inxhinierisë së Energjisë në UBT ka realizuar një vizitë studimore me studentët në parkun e turbinave me erë në Kitka, me qëllim thellimin e njohurive praktike dhe njohjen nga afër me funksionimin e sistemeve moderne të prodhimit të energjisë së rinovueshme.

Vizita u zhvillua nën udhëheqjen e profesorëve të fakultetit dhe u fokusua në ndërlidhjen e teorisë me aplikimin praktik në terren, duke u ofruar studentëve një përvojë të drejtpërdrejtë në industrinë energjetike.

Studentët u pritën nga drejtori menaxhues i parkut, z. Ibrahim Akyol, i cili prezantoi infrastrukturën e turbinave me erë dhe kapacitetin e instaluar prej 32.4 MW. Ai i njohu studentët me karakteristikat kryesore të parkut, performancën e tij dhe rolin që luan në sistemin energjetik të vendit.

Në vazhdim, zëvendësdrejtori Amir Zeneli shpjegoi aspektet teknike të operimit të parkut, duke ndërlidhur konceptet teorike me praktikat e teknologjisë moderne të aplikuara në këtë kompleks energjetik. Ai elaboroi organizimin e parkut në tre blloqe gjeneruese, si dhe funksionimin e sistemeve të kontrollit dhe monitorimit.

Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të shohin nga afër strukturën e turbinave, përfshirë gjeneratorët dhe transformatorët energjetikë për secilën njësi gjeneruese. Vëmendje e veçantë iu kushtua ndikimit të shpejtësisë së erës në prodhimin e energjisë, si dhe performancës së flatrave gjatë fazave të ndryshme të operimit.

Në momentin e vizitës, të gjitha turbinat ishin në funksion, duke u mundësuar studentëve të përjetojnë në kohë reale procesin e prodhimit të energjisë dhe rëndësinë që ka energjia e erës në zhvillimin e qëndrueshëm energjetik.

Continue Reading

Lajmet

Arrestohen pesë persona për falsifikim të pronave në Ferizaj, Prishtinë e Gjilan

Published

on

By

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Ferizaj, ka arrestuar pesë persona pas një hetimi disamujor lidhur me falsifikimin e dokumenteve të pronësisë.

Gjatë operacionit të koduar që u shtri në tri lokacione të ndryshme në rajonin e Ferizajt, Gjilanit dhe Prishtinës, policia arriti të sigurojë prova se të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin falsifikuar dokumente për t’u paraqitur rrejshëm si pronarë të disa parcelave tokësore në një fshat të Ferizajt.

Sipas njoftimit zyrtar, mbi të arrestuarit rëndojnë katër vepra të ndryshme penale: njëri prej tyre dyshohet për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa katër të tjerët ngarkohen për “falsifikim të dokumenteve”, “legalizim të përmbajtjes së rreme” si dhe “blerje apo fshehje të sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”.

Gjatë bastisjeve janë sekuestruar dëshmi, dokumente dhe fotografi që do të shërbejnë si prova në procesin gjyqësor. Pas intervistimit në prezencë të avokatëve mbrojtës, me vendim të prokurorit, pesë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Continue Reading

Lajmet

Shtyhet për në orën 19:00 seanca për zgjedhjen e presidentit

Published

on

By

Pas dështimit të radhës për të siguruar kuorumin e nevojshëm, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka konfirmuar se seanca për zgjedhjen e presidentit shtyhet për në orën 19:00. Ky vendim vjen pas mungesës së vazhdueshme të deputetëve të opozitës në sallë, gjë që ka pamundësuar fillimin e procesit të votimit.

Në tentativën e dytë, pas asaj të orës 11:00, Haxhiu u kishte bërë sërish thirrje deputetëve opozitarë që të reflektojnë dhe të marrin pjesë në votim. Ajo rikujtoi se pjesëmarrja në punimet e Kuvendit është një detyrim ligjor që rrjedh nga aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Ligji për Deputetët, i cili obligon përfaqësuesit e popullit të njoftojnë për çdo mungesë.

Deri më tani, e vetmja mungesë e arsyetuar zyrtarisht është ajo e deputetes Afërdita Hajrizi nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila mungon për arsye shëndetësore. Seanca e orës 19:00 shihet si tentativa e radhës për të zhbllokuar procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit.

Tentativa e dytë për presidentin: Haxhiu thirrje opozitës të kthehet në sallë

Në tentativën e dytë, pas asaj të orës 11:00, ka nisur seanca për zgjedhjen e presidentit. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë sërish thirrje deputetëve të opozitës që të jenë të pranishëm në sallë dhe të marrin pjesë në votim.

Haxhiu u kërkoi deputetëve të reflektojnë mbi detyrimet e tyre ligjore për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit, duke u bazuar në Ligjin për Deputetët. Sipas këtij ligji, përfaqësuesit e popullit janë të obliguar të marrin pjesë në seanca dhe të njoftojnë paraprakisht për çdo mungesë të tyre.

Gjatë hapjes, ajo bëri të ditur se e vetmja deputete që ka marrë leje zyrtare për të mos qenë e pranishme në këtë seancë është Afërdita Hajrizi nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila mungon për arsye shëndetësore.

Continue Reading

Të kërkuara