Aktorja e njohur hollywoodiane, Megan Fox, ka rrëfyer se periudha pas suksesit të madh me filmin “Transformers” në vitin 2007 ishte një nga më të vështirat në jetën e saj.
Fox, e cila kishte debutuar në “Confessions of a Teenage Drama Queen” (2004) dhe në “Hope & Faith”, ka treguar se fama e papritur e la të ndjerë të tronditur dhe të traumatizuar. Gjatë një shfaqjeje speciale të filmit “Jennifer’s Body” (2009) në Los Angeles, ajo u pyet se çfarë këshille do t’i jepte vetes së re. Fox tha:
“Nuk e di nëse do t’i jepja vetes ndonjë këshillë. Në atë kohë isha shumë e humbur dhe e mbushur me zemërim për mënyrën si isha trajtuar në industrinë e filmit dhe për presionin që vinte nga fama… qysh para se të fillonim xhirimet e Jennifer’s Body.”
Aktorja shtoi se pas suksesit të “Transformers”, nuk po arrinte të përballonte vëmendjen e paparacëve dhe ndjente nevojën për një mënyrë për të shfryrë emocionet që po e mbysnin. Roli në “Jennifer’s Body”, ku luan një vajzë të re e pushtuar nga një demon, i dha këtë mundësi:
“Kisha gjithë atë dhimbje, trishtim, zemërim dhe mllef që duhej të shkonin diku. Mundësia për t’u lejuar të isha e çrregullt, edhe gjatë pushimeve mes xhirimeve, ishte shumë çliruese.”
Fox tha se ndihej e lidhur me personazhin, përjetonte ndjenja të ngjashme: sakrifikim për përfitimin e të tjerëve dhe presion të madh nga industria e filmit.
“E lexova skenarin dhe më preku menjëherë. Personazhi, para se të shndërrohej në një përbindësh, është një vajzë e re që flijohet për përfitimet e të tjerëve. Në atë kohë në karrierën time ndihesha sikur po më ndodhte e njëjta gjë.”
Fox tregoi se kishte hyrë në industrinë e showbizit që në moshën 19-vjeçare dhe kjo periudhë e famës i reflektonte ndjenjat e brendshme: dhimbje, konfuzion dhe zemërim për mënyrën se si funksiononte fama. /A.Z/UBT News/