Lajmet

Meduza: Një përbindësh mizor apo një viktimë e keqkuptuar?

Historia e Meduzës është më e thellë nga ajo që keni dëgjuar.

Published

on

Historia e Meduzës nuk është një histori e re. Imazhi i saj njihet thuajse nga kushdo. Ajo ka në kokë gjarpërinj të gjallë në vend të flokëve. Pjesa e sipërme e trupit është ajo e një gruaje, ndërsa pjesa e poshtme e një gjarpri. Ndërkohë sytë e saj mund ta kthenin në gur çdo mashkull që guxonte ta shihte.

Shumë heronj u përpoqën ta fitonin kokën e saj si një trofe, por dështuan dhe përfunduan si statuja në ishullin e braktisur të Sarpedonit, të cilin përbindëshi e quante “shtëpinë” e tij. Meduza ishte kundërshtarja kryesore e Perseut, që arriti në fund ta vriste duke ia shkëputur brutalisht kokën nga trupi. Kjo është me pak fjalë historia e Meduzës…

Historia e saj është një temë mitologjike shumë interesante, pasi bart disa tipare të jashtëzakonshme, që nuk gjenden tek asnjë mit tjetër. Edhe sot, mijëra vjet më vonë, vazhdon të ritregohet fati tragjik i Meduzës.

Ky mit përshtatet me nevojat e shoqërisë sonë. Ai përmban disa koncepte klasike si dualiteti i së mirës dhe së keqes, bukuria dhe shëmtia, drejtësia dhe ndëshkimi, të cilat janë të gjitha elemente të domosdoshme të çdo historie madhështore. Në fakt origjina e këtij miti nuk dihet me saktësi.

Meduza përmendet për herë të parë në poemat epike të Homerit, të cilat u shkruan rreth shekullit VIII Para Erës Sonë. Por miti i saj është shumë më i vjetër, dhe daton ndoshta që nga koha e Mikenasve, qytetërim që e dominoi Greqinë gjatë epokës së bronzit (vitet 3.300-1200 Para Erës Sonë).

Nga burime historike konfirmohet se në kohën e Greqisë së hershme arkaike (vitet 800-600 Para Erës Sonë) Meduza ishte tashmë një figurë shumë e njohur. Ajo përmendet në veprat e Hesiodit dhe poetit Pindar, ndërsa koka e saj përshkruhet në forma të panumërta në disa vepra arti, duke filluar nga qeramika, skulpturat, mozaikët, hajmalitë dhe bizhuteritë.

Një gjetje tjetër interesante është se koka e saj pikturohej zakonisht në mburojat e ushtarëve grekë për të frikësuar armikun dhe për të mbrojtur bartësin e tij. Spartanëve u pëlqente në veçanti përdorimi i këtij simboli, që dekoronte shpesh mburojat e mbretërve dhe gjeneralëve të tyre.

Në fillim Perseu dhe Meduza nuk kishin asnjë lidhje me njëri-tjetrin. Edhe pse Perseu është themeluesi mitologjik i Mikenës, pra një figurë qendrore në panteonin heroik mikenas, ai thuhet se nuk e ka vrarë Meduzën. Por këtij miti i mungon një element thelbësor: Perëndesha Athina.

Në mitin kryesor, Athina vepron si këshilltarja e Perseut, që e këshillon dhe i jep një mburojë të lëmuar për të pasqyruar shikimin vdekjeprurës së përbindëshit. Kur Meduza vritet, Athina ia merr kokën dhe e vendos në mesin e mburojës së saj si një trofe, por edhe si armë për të trembur armiqtë e saj.

Në variantet e mëvonshme të mitit, në shekujt VI-IV Para Erës Sonë, thuhet se Athina kishte një konflikt personal me Meduzën. Pikërisht në atë kohë kemi një histori të origjinës së përbindëshit. Meduza ishte dikur një grua e bukur e cila mburrej se flokët e saj ishin më të bukur se ato të Athinës.

Sipas tregimeve të tjera ajo flinte me Poseidonin brenda tempullit të shenjtë të perëndeshës. Për të ndëshkuar arrogancën e saj, Athina e mallkoi Meduzën duke i shndërruar flokët e saj në gjarpërinj të gjallë, dhe duke e bërë atë që të shndërronte në gurë çdo burrë që shihte.

Pas vdekjes së Meduzës, Athina jo vetëm që e merr kokën si trofe, por edhe identitetin e saj. Ajo shihet si kujdestare e popullit dhe mbrojtëse e jetës shtëpiake. Kur angazhohet në një betejë ajo është e egër, duke u shkaktuar frikë të madhe armiqve të saj.

Ndërkaq, në epokën arkaike, poeti grek Pindari ishte i pari që e përmendi fytyrën e bukur të Meduzës. Që nga ajo pikë e tutje, shumë shkrimtarë e përqafuan këtë ndryshim dhe filluan të përshkruanin një anë më të butë dhe dashamirës të Meduzës, ku ajo ishte viktima e tregimit, dhe jo gruaja e ligë. Ai ndryshim u përqafua gjerësisht gjatë kohës romake.

Kishte shumë versione, por më i shquari u përshkrua nga Ovidi në librin e tij “Metamorfozat”. Atje mësojmë për herë të parë mbi historinë e përdhunimit të Meduzës nga Poseidoni. Sipas Ovidit: “Ajo ka qenë dikur shumë e bukur, shpresa e shumë njerëzve. Një ditë Neptuni (emri romak i Poseidonit) e gjeti dhe e përdhunoi në tempullin e Minervës. Kështu perëndesha u largua nga tempulli e lënduar, fshehu sytë pas mburojës së saj dhe i ndërroi flokët e saj në gjarpërinj. Dhe për të trembur çdo njeri keqdashës, ajo mban në parzmore nepërkat e saj metalike, si një paralajmërim i tmerrshëm për hakmarrjen e saj”.

Ky është miti që shpjegon origjinën e Meduzës, dhe se si ajo u shndërrua në një përbindësh pasi u fajësua nga Athina pse u përdhunua nga Poseidoni. Arsyeja pse ai e përdhunoi Meduzën, ishte sepse ai akt shihej si një mënyrë për t’u hakmarrë ndaj Athinës. Kështu ai e përdhosi tempullin e saj të shenjtë duke e dhunuar priftëreshën e tij supreme.

Meduza është pa dyshim një nga qeniet më komplekse të mitologjisë greke. Nga një perëndeshë e pjellorisë, ajo u shndërrua në një demon, më pas në një përbindësh dhe sërish në një grua përbindësh të bukur, e cila u bë simboli i grave të dhunuara në mbarë botën.

Edhe sot ajo vazhdon të prezantohet në shumë forma të ndryshme të artit, duke iu përshtatur stileve më të reja. Ajo është simbol i shumë organizatave feministe, një kujtesë e vazhdueshme e shtypjes, sulmit seksual dhe trajtimit të padrejtë. Në ritregimet moderne të mitit, Meduza është gjithashtu një luftëtare, të cilën Athina e bekon duke i dhënë asaj “vështrimin e gurtë” në mënyrë që të mbrohet dhe të mos lejojë më kurrë të lëndohet nga një burrë tjetër.

Në botën tonë moderne, ku krimet seksuale kundër grave janë fatkeqësisht ende të pranishme, mite të tilla janë shumë të rëndësishme. Konceptet si fajësimi i viktimës, dënimi i aktit të turpshëm të përdhunimit pa marrë parasysh identitetin e kriminelit dhe akti i vetëmbrojtjes dhe rimëkëmbjes personale pas një incidenti të tillë, duhet të mësohen në mbarë botën.

Ndoshta ka ardhur koha të ndalojmë së adhuruari princeshën e stilit Disney, dhe të nisim t’u kushtojmë më shumë vëmendje këtyre përbindëshave të keqkuptuar, historitë e të cilëve kanë kaq shumë për të na mësuar rreth botës.

Marrë me shkurtime nga HIstory of Yesterday – Bota.al

Continue Reading

Vendi

Dizajneri grafik Berin Hasi ligjëron për studentët e Dizajnit të Integruar në UBT

Published

on

Në kuadër të lëndës Artet dhe Hapësira, pjesë e programit Dizajn i Integruar në UBT, gjatë kësaj jave u organizua një ligjëratë e veçantë me dizajnerin grafik Berin Hasi, i cili u ftua si ligjërues mysafir për të ndarë përvojën dhe njohuritë e tij profesionale me studentët e këtij programi.

Gjatë takimit, Berin Hasi prezantoi rrugëtimin e tij profesional në fushën e dizajnit grafik, duke ndarë me studentët shembuj konkretë nga puna e tij, projekte të realizuara dhe praktikat bashkëkohore që aplikohen sot në industrinë kreative. Ai u ndal në mënyrë të veçantë te procesi kreativ, duke sqaruar fazat kryesore nga ideimi fillestar deri te realizimi final i një koncepti dizajnerik.

Diskutimi u fokusua gjithashtu në trendet më të fundit në dizajnin grafik, ndikimin e teknologjisë dhe mediave digjitale në formësimin e identitetit vizual, si dhe rëndësinë e integrimit të dizajnit me hapësirën, kulturën dhe kontekstin shoqëror. Ligjëruesi theksoi se përshtatja e vazhdueshme me zhvillimet e reja dhe ndërtimi i një mendësie fleksibile janë elemente kyçe për suksesin profesional në këtë fushë dinamike.

Studentët patën mundësinë të angazhohen aktivisht përmes pyetjeve dhe diskutimeve, duke shkëmbyer ide mbi sfidat e profesionit, mundësitë e zhvillimit të karrierës dhe rëndësinë e ndërtimit të një portofoli cilësor që reflekton identitetin personal dhe profesional të dizajnerit.

Continue Reading

Vendi

Elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave, të trajtuara në terren nga studentët e UBT-së

Published

on

Studentët e nivelit Bachelor të programit Inxhinieri e Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT realizuan një vizitë studimore në terren në kuadër të lëndëve “Urat” dhe “Gjeoteknika Inxhinierike”, me qëllim të ndërlidhjes së njohurive teorike me praktikën inxhinierike reale.

Vizita u zhvillua në intervalin kohor 13:00–14:30, në një urë rrugore funksionale në afërsi të UBT Dukagjini në Prishtinë, nën udhëheqjen e Prof. Arsim Rapuca, bartës i lëndës “Urat”, dhe Prof. Hysen Ahmeti, bartës i lëndës “Gjeoteknika Inxhinierike”.

Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte analizimi praktik i një objekti real inxhinierik, duke u fokusuar në elementet konstruktive dhe gjeoteknike të urave. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me strukturën e urës, mënyrën e projektimit dhe zgjidhjet teknike të aplikuara në ndërtim.

Ura e përzgjedhur u vlerësua si shembull shumë i përshtatshëm studimor, pasi ofron dukshmëri të plotë të elementeve të nënstrukturës dhe mbistrukturës, zgjidhje konstruktive moderne dhe komponentë të qartë gjeoteknikë dhe mbrojtës.

Gjatë vizitës, Prof. Arsim Rapuca realizoi një shpjegim të detajuar praktik për elementet kryesore të lëndës “Urat”, duke përfshirë: nënstrukturën, si: shtyllat bregore, shtyllat e mesit, themelet dhe krahët e urës; mbistrukturën, përfshirë mbajtësin kryesor të tipit tra–pllakë, trarët skajorë, shtresat izoluese dhe shtresat e asfaltit, etj.

Nga ana tjetër, Prof. Hysen Ahmeti trajtoi në mënyrë profesionale aspektet gjeoteknike që ndikojnë drejtpërdrejt në projektimin dhe stabilitetin e urave. Studentët u njohën me: funksionin e mureve mbrojtëse dhe rolin e tyre stabilizues; ndërveprimin strukturë–tokë; arsyetimin teknik të thellësisë së fondimit, etj.

Vizita studimore e realizuar u vlerësua si shumë e suksesshme dhe me vlerë të lartë akademike, duke përmbushur plotësisht objektivat e lëndëve Urat dhe Gjeoteknika Inxhinierike.

Continue Reading

Lajmet

​Gjykata Supreme shfuqizon kufizimin në kohë të së drejtës për kompensim të udhëtimeve zyrtare

Published

on

By

Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesëpadinë e Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër Qeverisë së Kosovës dhe ka shfuqizuar nenin 6, paragrafi 6, të Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

Paditësi KDI në Gjykatën Supreme ka parashtruar padi kundër të paditurës Qeveria e Kosovës për shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, përkatësisht paragrafit 6 të nenit 6 të Rregullores Për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit.

KDI, në korrik 2025, ka pranuar ankesë nga një grup i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendos kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj, por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar nuk parashihet në ligj.

Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor.

Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë, përkujton Gjykata Supreme.

Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon të drejtën e garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë.

Continue Reading

Lajmet

Komunat në veri votojnë për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

Published

on

By

Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – kanë votuar për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës të enjten, pasi duan të jenë pjesë e një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim vjen pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që mbështetet nga Serbia – e riktheu pushtetin në këto katër komuna pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Kryetarët e rinj nga kjo parti kishin paralajmëruar në fillim të dhjetorit se do t’i rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

Ata paralajmëruan një “shqyrtim të hollësishëm të gjendjes së trashëguar juridike dhe financiare, në mënyrë që në periudhën e ardhshme të merren vendime në përputhje me ligjin dhe në interesin më të mirë të qytetarëve”.

Në seancën e parë të rregullt më 18 dhjetor, në Mitrovicë të Veriut për kryetar të kuvendit komunal u zgjodh Nemanja Bisevac, në Zveçan Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq Marko Rakiq, ndërsa në Zubin Potok Nemanja Jakshiq.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, duke arsyetuar kërkesën për t’u tërhequr nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, tha se kjo kurrë nuk ka qenë dëshirë e popullsisë serbe në këtë komunë dhe se bëhej fjalë për një “vendim politik”.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku u udhëhoqën nga kryetarë shqiptarë nga maji i vitit 2023 deri në zgjedhjet e tetorit 2025, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje në nëntor të vitit 2022, si pjesë e nismës së përbashkët të serbëve për t’i braktisur institucionet e Kosovës në shenjë kundërshtimi ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.

Ky asociacion vepron si organizatë joqeveritare me qëllim të shkëmbimit të përvojave dhe mbrojtjes së interesave të anëtareve të saj.

Lista Serbe e kishte kundërshtuar asokohe anëtarësimin e komunave me shumicë serbe në të, duke vlerësuar se vendimi nuk ishte marrë “në dobi të qytetarëve dhe ishte i paligjshëm”.

Asokohe pati reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke vlerësuar se komunat me shumicë serbe duhet të ishin pjesë e një asociacioni të komunave me shumicë serbe, për themelimin e të cilit Kosova dhe Serbia u pajtuan disa herë gjatë dialogut të tyre nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kosova nuk ka bërë hapa për ta themeluar këtë asociacion, me gjithë trysninë nga bashkësia ndërkombëtare.

Gjatë qeverisjes së tyre në komunat me shumicë serbe, kryetarët shqiptarë gjithashtu morën në administrim objektet në pronësi të tyre ku funksiononin institucionet serbe, ndaluan ndërtimet që i quanin të jashtëligjshme të financuara nga Serbia, si dhe paralajmëruan rrënimin e vendbanimeve të ndërtuara pa leje.

Po ashtu, komuna e Mitrovicës së Veriut, verën e këtij viti, nënshkroi memorandum mirëkuptimi me komunën e Mitrovicës së Jugut, i cili parashikoi ndërtimin e urave mbi lumin Ibër për këmbësorë dhe automjete, gjë që u mbështet nga Qeveria e Kosovës.

Lista Serbe ka paralajmëruar se do të kërkojë rishikimin e të gjitha këtyre vendimeve.

Ligji për vetëqeverisjen lokale parasheh që, për një vendim ose akt tjetër të komunës që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, mund të kërkohet rishqyrtim nga organi mbikëqyrës – në këtë rast Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ose institucione të tjera përgjegjëse të Qeverisë së Kosovës./REL

Continue Reading

Të kërkuara