Lajmet nga UBT

Me shumicë votash, Erjon Hadergjonaj zgjidhet kryetar i Këshillit Studentor të UBT-së

Published

on

Këshilli Studentor i mbështetur nga UBT ka zhvilluar zgjedhjet për përzgjedhjen e përfaqësuesve të studentëve, ku me shumicë votash, studenti nga Fakulteti Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor në UBT është zgjedhur kryetar i Këshillit Studentor.

Në pozitën e nënkryetares së Këshillit Studentor është përzgjedhur Lyra Begolli, teksa përfaqësuese në Komisionin e Etikës dhe Ankesave në UBT do të jetë Mirdona Muqa, ndërsa Anesa Nimani është zgjedhur përfaqësuese në Komisionin e Disiplinor dhe përfaqësuese në Komisionin Shkencor në UBT është zgjedhur Valmira Nura.

Nën monitorimin e drejtorit për Çështje Akademike në UBT, Blerton Abazi, sekretarit të UBT-së, Artan Tahiri, menaxherit për Çështje Studentore, Skender Ramadani, si dhe koordinatores për Çështje Akademike në UBT, Mirlinda Jashanica, është realizuar procesi zgjedhor për përfaqësuesit e studentëve, në një proces të drejtë dhe transparent.

Nga këto zgjedhje u përzgjodhën pesë përfaqësues, të cilët do të jenë zë i fuqishëm për paraqitjen e kërkesave dhe nevojave të studentëve të UBT-së, duke qenë se ky është edhe qëllimi kryesor i këtij institucioni, krijimi i një gjenerate të re që di të flasë dhe të paraqesë nevojat e veta.

Erjon Hadergjonaj u shpreh falënderues për besimin e kolegëve të fakulteteve të ndryshme brenda UBT-së, duke potencuar gatishmërinë e tij për të mbrojtur dhe përfaqësuar dinjitetshëm interesat e të gjithë studentëve të UBT-së.

Zgjedhjet për përfaqësuesit e studentëve të UBT-së mbahen çdo vit, meqë mandati i përfaqësuesve të zgjedhur është njëvjeçar dhe pas një viti, sërish do të mbahen zgjedhjet për përfaqësuesit e rinj.

Vendi

UBT mbështet rreth 200 studentë me bursa në 18-vjetorin e Pavarësisë

Published

on

By

Në një ditë simbolike për vendin, UBT ka zgjedhur të shënojë 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës duke investuar mbi të ardhmen dhe zhvillimin e studentëve të tij. Rreth 200 studentë ekselentë nga të gjitha fakultetet janë mbështetur me bursa studimi si vlerësim për arritjet dhe përkushtimin e tyre akademik, ndërsa dhjetra studentë të tjerë kanë përfituar mbështetje nga Fondacioni “UBT Jim Xhema”.

Studentët përfitues, me notë mesatare mbi 9.0, do të kenë tashmë një mbështetje konkrete financiare që do t’u lehtësojë rrugëtimin akademik dhe profesional. Ky veprim u konsiderua jo vetëm si shpërblim për suksesin individual, por edhe si një mesazh motivues për të gjithë të rinjtë që synojnë rezultate të larta.

Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se investimi në dije është forma më e qëndrueshme e kontributit për shtetin. Ai u shpreh se UBT mbetet i përkushtuar në krijimin e një mjedisi që nxit inovacionin, zhvillimin profesional dhe përgatitjen e studentëve për tregun global të punës.

Përveç bursave të ndara në këtë përvjetor, UBT çdo vit akordon bursa në vlerë totale prej rreth 2 milionë eurosh, duke mbështetur qindra të rinj nga Kosova dhe rajoni. Kjo politikë mbështetëse ka ndikuar në rritjen e qasjes në arsim cilësor dhe në fuqizimin e brezave të rinj në më shumë se 50 fusha studimi.

Në të njëjtën ceremoni u bë e ditur edhe nënshkrimi i thirrjeve akademike për stafin profesorësh, si pjesë e strategjisë për rritjen e cilësisë dhe zgjerimin e kapaciteteve akademike. Me këtë hap, UBT synon të forcojë më tej pozitën e tij si institucion lider në arsimin e lartë dhe inovacion.

Në këtë mënyrë, përvjetori i Pavarësisë nuk u shënua vetëm si një datë historike, por si një angazhim konkret për të ndërtuar të ardhmen përmes dijes dhe mbështetjes së talenteve të reja.

Continue Reading

Vendi

UBT uron 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Published

on

By

Me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë, UBT uron qytetarët e Republikës së Kosovës, shqiptarët dhe diasporën anembanë botës, duke theksuar rëndësinë historike të kësaj dite dhe vlerat e lirisë e shtetndërtimit mbi të cilat vazhdon të ndërtohet e ardhmja e vendit.

Pavarësia e shpallur më 17 shkurt 2008 erdhi pas dekadash përpjekjesh dhe sakrifice, të mishëruara në rezistencën dhe flijimin e shumë dëshmorëve, në mesin e tyre familja e Adem Jashari nga Prekaz, e cila u bë simbol i qëndresës dhe lirisë. Sot, Kosova funksionon me institucione demokratike dhe me një rini që po kontribuon në afirmimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi se ky përvjetor është një moment reflektimi dhe përgjegjësie për të ardhmen e vendit.

“17 Shkurti na kujton se shteti i Kosovës u ndërtua mbi sakrificë, ndërsa e ardhmja e tij ndërtohet çdo ditë përmes arsimit cilësor, inovacionit dhe përkushtimit qytetar. Rinia jonë është dëshmia më e fuqishme e lirisë, një brez që duhet ta shndërrojë atë në zhvillim, drejtësi dhe dinjitet për të gjithë,” u shpreh Rektori Hajrizi.

Ai theksoi se investimi në arsim, inovacion dhe zhvillim të qëndrueshëm mbetet mënyra më e sigurt për ta fuqizuar shtetin dhe për ta shndërruar lirinë në mirëqenie dhe progres shoqëror.

Tetëmbëdhjetë vite pas pavarësisë, një gjeneratë e tërë është rritur në Kosovën e lirë, duke u bërë dëshmi e gjallë se sakrifica për liri ka marrë kuptim përmes ndërtimit të një shoqërie demokratike dhe orientimit drejt vlerave euroatlantike. Në këtë ditë të shënuar, UBT rikonfirmon përkushtimin e tij për të kontribuar në zhvillimin e vendit përmes dijes, inovacionit dhe përgatitjes së brezave të rinj që do ta ndërtojnë të ardhmen e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

UBT ndan Mirënjohje Institucionale për Prof. Dr. Lothar Hofmann në nder të Pavarësisë së Kosovës

Published

on

By

Në kuadër të festimeve për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, UBT ka ndarë Mirënjohje Institucionale për Prof. Dr. Lothar Hoffmann, një personalitet të respektuar në fushën e drejtësisë dhe mik të çmuar i komunitetit akademik të institucionit.

Prof. Hofmann, me formim në Universiteti i Vjenës, ka ndërtuar një urë të qëndrueshme mes dijes shkencore dhe praktikës juridike ndërkombëtare. Përvoja e tij kërkimore dhe angazhimet në të drejtën evropiane dhe ndërkombëtare e kanë pozicionuar atë ndër ekspertët më të vlerësuar në fushën e drejtësisë.

Gjatë angazhimit të tij me UBT-në, Prof. Hofmann ka ndarë përvojën dhe ekspertizën ndërkombëtare me studentët dhe stafin akademik, duke pasuruar procesin mësimor dhe duke ofruar perspektivë të avancuar mbi zhvillimet më të fundit juridike. Trajtimi i temave si zgjidhja e mosmarrëveshjeve në epokën digjitale dhe mbrojtja e të dhënave personale ka fuqizuar debatin akademik, duke ndërlidhur teorinë me praktikën dhe duke rritur kapacitetet profesionale të studentëve.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka vlerësuar lart kontributin e Prof. Hofmann, duke theksuar se ai është një ndër profesorët e parë që ka kontribuar në UBT që nga fillimet e institucionit. Roli i tij ka qenë i veçantë në procesin e ligjëratave dhe zhvillimin e akademisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e cilësisë akademike, pasurimin e përmbajtjes mësimore dhe formimin profesional të shumë gjeneratave të studentëve.

Kjo Mirënjohje Institucionale u dedikohet personaliteteve të shquara për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në sfera të ndryshme të jetës shoqërore dhe akademike, duke forcuar standardet e larta të arsimit dhe kërkimit shkencor në UBT, në këtë vit të veçantë kur kremtohet Pavarësia e Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Me një organizim të veçantë u shënua 18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës nga UBT International Smart Schools

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizuan ceremoni solemne me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke bashkuar nxënës, mësimdhënës, prindër dhe drejtues institucionalë në një atmosferë festive dhe plot emocion.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi theksoi rëndësinë e arsimit në forcimin e shtetit dhe në formimin e brezave të rinj me vizion evropian dhe global. Ai vlerësoi angazhimin e UBT International Smart Schools në kultivimin e dijes, inovacionit dhe vlerave kombëtare.

Ndërkaq, Zëvendës-drejtoresha e shkollës, Shqipe Agushi, në fjalën e saj nënvizoi rolin e mësimdhënësve dhe prindërve në edukimin dhe përgatitjen e nxënësve për të qenë qytetarë të përgjegjshëm të vendit.

Programi artistik përfshiu një varg performancash të realizuara nga nxënësit e klasave të para dhe të dyta, të cilët interpretuan poezi për pavarësinë, këngë kushtuar mëmëdheut dhe vallen “Garda e Kosovës”. Një moment i veçantë ishte interpretimi i poezisë “Kosova” nga nxënësja Sara Ymeri.

Atmosfera u pasurua me pika muzikore nga kori i shkollës, së bashku me nxënëset Dilara Jashanica dhe Nina Kuçani, të cilat interpretuan këngën “Ti moj Kosovë”, si dhe nga nxënëset Era Iberdemaj dhe Orges Tmawa me këngën “Jakup Ferri”.

Në vazhdim, performanca tematike “Horizonti i Kosovës”, realizuar nga Alea Halili, Troi Ejupi dhe Era Raçi, solli një mesazh frymëzues për të ardhmen e vendit, ndërsa vallja tradicionale “Vallja e Kosovës” dhe “Vallja e Drenicës” rikthyen në skenë elementet e trashëgimisë sonë kulturore.

Një tjetër pikë muzikore u interpretua nga nxënëset Vlera Krasniqi dhe Anda Rexhepi me këngën “Atje është Prishtina”, ndërsa homazhi historik kushtuar heroinës kombëtare Isa Kastrati, nga Arba Kastrati (Isa Kastrati & Muharrem Fejza), u prit me duartrokitje të gjata nga publiku.

 

 

 

Continue Reading

Të kërkuara