Magazinë

Më shumë se 3 muaj në grevë, Teatri rihapet duke shpresuar në premtimet e Hajrulla Çeku

Published

on

Stafi i Teatrit Kombëtar të Kosovës këtë javë po i kthehet punës. Pas më shumë se tre muajsh, aktorët, punonjësit tekniko-artistikë do të kthehen në skenë për të hapur dyert për publikun. Janë shfaqjet që ishin në repertor para se greva e aktorëve të fillojë, ato që do t’ia hapin dyert institucionit më të lartë teatror në vend.

Në ditët e para aktorët do të punojnë pa ndonjë benefit real nga greva, por janë në pritje të realizimit të një zotimi verbal që iu ka thënë ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Janë shfaqjet “Martesa”, “Makbethi” e “Kamarja e turpit” që do ta hapin “sezonin” post-grevë. Udhëheqësi artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, ka thënë se është lajm i mirë pezullimi i grevës. Sipas tij, është mirëpritur rinisja e punës.

“Natyrisht jemi shumë të kënaqur që po fillojmë me punën”, ka thënë ai duke treguar se do të nisin provat për shfaqjen “Art” me tekst të francezes Yasmina Reza e regji të Bashkim Ramadanit. Bëhet fjalë për një komedi me tri personazhe.

Aktorët e Teatrit Kombëtar kanë pezulluar grevën me 28 shkurt pas më shumë se tre muajsh aktivitet sindikal. Ky pezullim kishte ardhur pasi kishin marrë “porosi” nga ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku se kërkesat e tyre do të plotësohen brenda nja tri javësh. Pezullimi po ashtu është bërë pasi vetë disa aktorë kanë thënë se janë kërcënuar indirekt me ndalje të pagave e largim nga vendi i punës.

Sipas njoftimit zyrtar të Shoqatës Sindikale të Aktorëve të TKK-së, të premten vonë aktorët kanë pezulluar aktivitetin sindikal.

“Pas një greve tremujore dhe insistimit tonë të vazhdueshëm për një konfirmim zyrtar nga Ministria e Kulturës lidhur me afatin e zgjidhjes së çështjes së ekuivalentimit të pagave të aktorëve, na është komunikuar verbalisht nga një anëtare e Bordit të Teatrit Kombëtar se ministri Hajrulla Çeku është zotuar që kjo çështje do të zgjidhet brenda tri javësh”, shkruhej në njoftim.

Bëhej e ditur se në momentin që Sindikata e Aktorëve merr konfirmim zyrtar nga MKRS-ja se ky zotim realizohet brenda afatit të deklaruar nga ministri Hajrulla Çeku, do ta ndërpresin përfundimisht grevën. Vendimi është marrë me shumicë votash: 9 pro, 5 kundër, 2 abstenime.

“Sindikata vendos ta pezullojë grevën dhe t’i rikthehet skenës. Nëse brenda afatit të përcaktuar kjo çështje nuk zgjidhet, duke pasur mirëkuptim për pengesat eventuale, ne do të presim edhe tri javë të tjera. Nëse edhe pas kësaj periudhe nuk kemi një konfirmim zyrtar nga MKRS-ja për aprovimin e kërkesës sonë për ekuivalentimin e pagave, ne rezervojmë të drejtën për të rifilluar grevën dhe veprimet e tjera sindikale, në përputhje me të drejtat tona ligjore”, shkruhej në njoftim.

Të hënën e javës së kaluar, ministri i Kulturës në detyrë, kishte pritur në takim Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës, aktivitetet tjera të asaj dite janë bërë publike, pos këtij takimi. Ministri Çeku ka folur me përbuzje për grevistët e ka thënë se për dy-tri javë do zgjidhet kjo çështje. Synimet janë që nëpërmjet një rregulloreje për sistematizim të vendeve të punës të bëhet ngritje e pagës për aktorët.

Në fillim të kësaj jave, aktori Shkëlzen Veseli kishte thënë se pavarësisht kërcënimeve e shantazheve, ata nuk tërhiqen. Aktori Adrian Morina kishte përmendur edhe grevën e urisë si masë radikale. Por, në këtë rast kishte folur vetëm për veten.

Para disa ditësh, aktorët i janë drejtuar me një letër ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku ku i kanë bërë me dije se ka kaluar koha ligjore e ndërmjetësimit. Kanë kërkuar që të dinë se deri ku ka shkuar procesi i plotësimit të kërkesave të tyre dhe janë shprehur të gatshëm për takim të përbashkët. Por MKRS-ja s’u ka kthyer zyrtarisht ndonjë përgjigje.

Në ditën e shpalljes së grevës më 17 nëntor të vitit të kaluar aktorët kishin thënë se mosreagimi pozitiv dhe përmbajtjesor i Ministrisë së Kulturës e ka sjellë gjendjen deri në këtë pikë. Konsiderojnë se janë degraduar me Ligjin për pagat në sektorin publik dhe kërkojnë “asgjë më shumë se kthim ku kanë qenë të ranguar”.

Këtë kërkesë e kanë pasur edhe kur kishte nisur aplikimi i këtij ligji para 22 muajsh. Koeficienti i tyre ishte përcaktuar të jetë 8, kurse kërkesat qenë për 11. Përkthyer në shuma: paga e aktorit të kategorisë së parë me koeficient 8 është 880 bruto.

Deri te greva aktorët kanë ardhur pas paralajmërimit të parë në mes të shtatorit, kur provat kishin nisur me 10 minuta vonesë.

Para 22 muajsh, kur ishin ngritur pagat me zbatimin e Ligjit për paga në sektorin publik, pakënaqësitë ishin shfaqur në disa institucione, duke filluar nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Në kërkesën e Shoqatës Sindikale, të dërguar ende pa u aprovuar ligji, renditen edhe koeficientet e propozuara për pozitën e dramaturgut, mjeshtrit të dritave, organizatorit e deri te punëtorët tekniko-artistikë.

Kërkesa për rangime të tjera ka gjithandej institucioneve qendrore të kulturës. Asokohe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, u kishte premtuar se koeficientet do të rishqyrtoheshin. /UBT News/

Magazinë

Artemis II nis rrugën drejt Hënës pas ndezjes së motorit final

Published

on

Katër astronautët e misionit Artemis II kanë lënë orbitën e Tokës, pasi kapsula Orion ndezi motorin kryesor për një shtytje përfundimtare drejt Hënës. Ndezja 5 minuta e 55 sekonda, e njohur si Translunar Injection (TLI), kaloi “pa probleme”, sipas NASA-s.

Astronauti kanadez Jeremy Hansen, i pari jo-amerikan që udhëton drejt Hënës, tha se ekuipazhi po ndihej “shumë mirë” dhe se pamja e Tokës duke u zvogëluar ishte spektakolare.

Orion po ndjek një rrugë rreth Hënës, që mund ta çojë më larg nga Toka se kurrë më parë – mbi 7,600 km përtej Hënës – duke e bërë këtë udhëtim potencialisht më të largët se Apollo 13.

Në ditën e gjashtë, astronautët do të shohin një eclipse totale diellore, me Hënën duke mbuluar plotësisht Diellin dhe Tokën të dukshme anash.

NASA thekson se TLI është një hap historik drejt kthimit të njerëzve në sipërfaqen e Hënës dhe simbolizon fuqinë e shpresës dhe bashkëpunimit njerëzor në eksplorimin e hapësirës.

Continue Reading

Magazinë

Lively dhe Baldoni: Shumica e padisë hidhet, tri akuza në gjyq

Published

on

Një gjykatë federale ka hedhur poshtë shumicën e akuzave në padinë për ngacmim seksual që Blake Lively ngriti kundër Justin Baldonit, duke lënë në fuqi vetëm tre akuza: shkelje kontrate, hakmarrje dhe ndihmë në hakmarrje. Këto çështje do të shkojnë në gjyq civil më 18 maj në Nju Jork.

Lively kishte paditur Baldonin dhe studio-n e tij, Wayfarer, duke e akuzuar për ngacmim në set dhe një fushatë për të dëmtuar reputacionin e saj, ndërsa Baldoni mohoi akuzat dhe ngriti kundërpadinë e tij. Gjykatësi Liman hodhi poshtë padinë për ngacmim dhe shpifje, duke përmendur teknikalitete ligjore dhe faktin se disa veprime ndodhën jashtë juridiksionit të Kalifornisë, ndërsa disa akuza për hakmarrje u konsideruan të denja për gjyq.

Rasti ka të bëjë me xhirimet e filmit It Ends With Us, ku Lively luan rolin kryesor, dhe ka përfshirë akuza për manipulim në media dhe sulme ndaj reputacionit. Baldoni kishte ngritur gjithashtu çështje për shpifje ndaj Lively dhe bashkëpunëtorëve të saj, por gjykatësi i hodhi poshtë këto akuza vitin e kaluar.

Continue Reading

Magazinë

Trashëgimia e Michael Jackson gjeneron mbi 3.5 miliardë dollarë pas vdekjes

Published

on

Michael Jackson vazhdon të mbetet një nga figurat më fitimprurëse të industrisë muzikore, edhe më shumë se një dekadë pas ndarjes nga jeta në vitin 2009.

Trashëgimia e tij jo vetëm që nuk është zbehur, por përkundrazi vijon të gjenerojë të ardhura të jashtëzakonshme në tregun global të argëtimit. Sipas të dhënave të fundit, pasuria e tij ka sjellë mbi 3.5 miliardë dollarë që nga vdekja.

Vetëm gjatë vitit 2025, ai është renditur sërish si personazhi i ndjerë me të ardhurat më të larta në botë, duke gjeneruar rreth 105 milionë dollarë.

Një pjesë e madhe e këtyre të ardhurave vjen nga dëgjimet në platformat e streaming, ku këngët e tij vazhdojnë të dëgjohen nga miliona fansa në mbarë botën. Albumet dhe hitet e tij ikonike mbeten të pranishme në listat më të dëgjuara, duke dëshmuar ndikimin e tij të pandryshueshëm në muzikë.

Në të njëjtën kohë, një rol të rëndësishëm luan edhe katalogu i tij muzikor, i konsideruar ndër më të vlefshmit në histori. Projekte si “MJ: The Musical” kanë rikthyer në vëmendje jetën dhe karrierën e tij, duke tërhequr interes të madh nga publiku dhe duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme.

Edhe pas shumë vitesh, “Mbreti i Pop-it” vazhdon të dominojë industrinë dhe të mbetet një ikonë globale e padiskutueshme.

Continue Reading

Magazinë

Zendaya dhe Tom Holland shmangin zërat për martesë, theksojnë privatësinë e lidhjes

Published

on

Aktorja e njohur Zendaya ka deklaruar se ajo dhe partneri i saj, Tom Holland, nuk kanë ndërmend të konfirmojnë apo të mohojnë spekulimet për martesë, pavarësisht interesimit të vazhdueshëm publik.

Thashethemet për një martesë të mundshme nisën muajin e kaluar, pasi stilisti Law Roach pretendoi se çifti ishte martuar në fshehtësi. Megjithatë, dy yjet e filmit “Spider-Man” nuk kanë dhënë asnjë reagim të drejtpërdrejtë lidhur me këto pretendime.

Në një intervistë për podcastin “Modern Love” të The New York Times, Zendaya ka theksuar se zgjedh të mbajë disa aspekte të jetës personale larg vëmendjes publike.

“Ndjej që publiku ka krijuar një lloj afërsie emocionale me jetën time personale. E di që jam figurë publike dhe ai gjithashtu, dhe jemi rritur para syve të publikut, madje kemi luajtur në filma ku dashurohemi. E kuptoj këtë dhe nuk dua ta mohoj me qëndrime si ‘qëndroni larg jetës sime’”, është shprehur ajo.

Aktorja ka shtuar se, pavarësisht famës, mbetet një person mjaft privat.

“Në shumë mënyra jam shumë private dhe përpiqem të kem disa gjëra vetëm për veten dhe për të”, ka thënë ajo.

Ylli i serialit “Euphoria” ka nënvizuar se qëllimi i tyre nuk është të fshihen nga publiku, por të ruajnë intimitetin e marrëdhënies.

“Nuk po përpiqemi të fshihemi nga bota, por të ruajmë disa gjëra për veten tonë, që të mbajmë atë lumturi brenda rrethit tonë, me familjen dhe njerëzit e afërt”, ka deklaruar ajo.

Zendaya ka pranuar gjithashtu se vendos kufij të qartë për atë që zgjedh të ndajë me publikun.

“I dëgjoj këto gjëra, por kam edhe kufijtë e mi për atë që dua të flas dhe çfarë jam e gatshme të ndaj”, ka shtuar ajo.

Së fundmi, ajo iu shmang sërish pyetjeve për martesë në një intervistë tjetër, duke u përgjigjur me humor: “Nuk e di, kjo është puna e sekreteve, apo jo?”.

Sipas raportimeve, çifti është fejuar në fund të vitit 2024, pas disa vitesh lidhjeje. Ishte pikërisht Law Roach ai që rindezi debatet, duke deklaruar për Access Hollywood se “dasma ka ndodhur tashmë”.

Nga ana tjetër, Holland ka theksuar më herët se marrëdhënia e tyre është diçka që e mbrojnë me kujdes.

“Marrëdhënia jonë është diçka që e mbrojmë shumë dhe duam ta mbajmë sa më të shenjtë. Nuk i detyrohemi askujt shpjegime; është çështja jonë dhe nuk ka lidhje me karrierat tona”, ka thënë ai.

Continue Reading

Të kërkuara