Disa ekspertë të trashëgimisë kulturore janë optimistë; të tjerët po shqetësohen për largimin e trupave amerikane dhe evropiane për shkak të rrezikimit të jetës kulturore në Afganistan.
Në shtator, kur forcat e fundit të NATO-s dalin nga Afganistani, disa kanë frikë se vendi mund të zbresë në një luftë tjetër civile që përfundon me shembjen e qeverisë dhe triumfin e talibanëve. Kjo perspektivë do të duket një mundësi e zymtë sidomos për ata që kanë për detyrë mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jashtëzakonisht të larmishme të kombit.
Talibanët kur ishin në pushtet, në vitin 2001, shpërthyen statujat më të mëdha në botë, budat Bamiyan, shkuan në Muzeun Kombëtar në Kabul dhe morën pjesë në plaçkitjet fitimprurëse të vendeve antike.
Buda e Bamiyan që i përket shekullit të 6-të e gdhendur në shkëmbin e luginës Bamyan, Afganistan.
Megjithatë, tani talibanët – kanë premtuar të respektojnë historinë e Afganistanit. Ata i udhëzuan ndjekësit e tyre të mbronin me forcë, të monitoronin dhe të ruanin” reliket (gërmadhat), të ndalonin gërmimet e paligjshme dhe të mbronin “të gjitha vendet historike“.
Ata shtuan se do të ndalonin shitjen e objekteve në tregun e artit. “Askush nuk duhet të përpiqet të shqetësojë faqe të tilla ose të mendojë për përdorimin e tyre për përfitim“, thuhej në deklaratë.
Noor Agha Noori, që drejton Institutin e Arkeologjisë, është skeptik se talibanët kanë ndryshuar. “Të them të drejtën, ne jemi shumë të shqetësuar për të ardhmen e trashëgimisë kulturore nëse talibanët do të vijnë në pushtet“, duke theksuar se ka prova që ata janë ende të angazhuar në plaçkitjen e vendeve për të gjeneruar të ardhura.
Mohammad Fahim Rahimi, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kabulit, është gjithashtu i shqetësuar. “Fatkeqësisht deklarata nuk është e qartë, veçanërisht në lidhje me trashëgiminë paraislamike. Ju e dini se çfarë ka ndodhur me koleksionin gjatë luftës civile dhe në vitin 2001”, deklaroi ai.
Të tjerët janë më optimistë se bisedimet midis talibanëve dhe qeverisë afgane do të marrin parasysh nevojën për mbrojtjen e të kaluarës dhe të kulturës së kombit.
“Ky është një hap i shkëlqyeshëm dhe pozitiv“, tha Nasratullah Hewadwall, nga dega e ARCH në Kabul. Ai vuri në dukje se talibanët vitin e kaluar hodhën poshtë shkatërrimin e Bamiyan. Të tjerët kanë fajësuar al-Kaedanë dhe markën e saj ekstreme që kundërshton artin që riprodhon forma njerëzore ose shtazore.
Spektri i kaosit Ekspertët e trashëgimisë kulturore mund të jenë në mëdyshje për sinqeritetin e talibanëve, por ata bien dakord që kaosi me ardhjen e tyre në pushtet, paraqet rrezikun më të madh.
Mungesa e sigurisë dhe aleancat e zhvendosura vazhdimisht kanë mundësuar plaçkitësit – qofshin ata fshatarë, banda endacake, talibanë ose milici të ndryshme – të vjedhin objekte që më pas kontrabandohen në qendrat e artit në Dubai. Vendet budiste, shpesh të mbushura me statuja shumë të vlefshme, janë goditur veçanërisht rëndë.
Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar kthyen në Afganistan mbi 33 objekte me vlerë 1.8 milion dollarë. Objektet ishin vjedhur në dekadën e kaluar dhe ishin pjesë e një koleksioni në New York.
“Këto vepra të rikuperuara janë pjesë të pazëvendësueshme të kulturës së larmishme dhe historisë së pasur të Afganistanit”, tha ambasadori afgan, Roya Rahmani.
Sulme të reja rrisin frikën Tri ditë pas ceremonisë, forcat talebane zunë pritë dhe vranë disa ushtarë qeveritarë që ruanin Mes Aynak, një kompleks antik budist jashtë kryeqytetit. Depo përmbante rreth 8 mijë objekte budiste. Zyrtarët tashmë kanë transferuar rreth 3 mijë nga to në Muzeun Kombëtar.
Ndërsa në mars, Ministria e Kulturës njoftoi se me mbështetjen nga Turqia, kishte filluar të rindërtonte vendlindjen e poetit Rumi të shekullit të 13-të në qytetin verior të Balkh.
“Sapo paqja e qëndrueshme të vijë në vendin tonë, ne jemi të etur ta ndajmë këtë trashëgimi me botën”, tha Murtaza Azizi, zyrtare nga ministria. Ndërsa, Omar Sharifi, zyrtar i Institutit Amerikan të Studimeve Afgane në Univsersitetin e Bostonit, shtoi se kjo nuk është çështje vetëm e mbrojtjes së objekteve dhe ndërtesave antike. “Kjo ka të bëjë me ruajtjen e njerëzve tanë”, përfundoi ai./UBTNews
(Arjeta Ibishi, studente në Media dhe Komunikim në UBT)
Në podcastin “Inside Politics with Anisa I”, i ftuar ishte profesori i shkencave politike në UBT, Blerim Canaj, i cili foli për gjendjen e demokracisë në Kosovë dhe në rajon, duke ngritur dilema mbi mënyrën se si ajo funksionon në praktikë.
Canaj tha se nëse demokracia shihet nga këndvështrimi historik që nga Greqia antike, atëherë shqetësimet e filozofëve si Platoni dhe Aristoteli mund të jenë ende relevante edhe sot. Sipas tij, shpesh krijohet përshtypja se sot jetojmë në një demokraci formale.
“Kam përshtypjen se ne sot jetojmë në një demokraci formale. Kemi zgjedhje, dhe në Kosovë ato madje janë për t’u lavdëruar krahas rajonit, por demokracia nuk nënkupton vetëm votimin,” u shpreh ai.
Sipas Canajt, demokracia nuk kufizohet vetëm te votimi, por përfshin edhe funksionimin e shoqërisë civile dhe mediave. Ai theksoi se në realitetin ballkanik, rol të madh shpesh luan edhe fuqia financiare dhe mënyra se si ajo ndikon në proceset politike.
Në Ballkan shpesh rol të madh luan kush i ka paratë. Fatkeqësisht, në periudhën e zgjedhjeve shpesh shohim sulme ndaj mediave dhe përdorim të buxhetit të shtetit, gjë që e dëmton zgjedhjen e lirë dhe të barabartë,” tha ai.
Ai shtoi se në shumë raste kjo krijon avantazh për ata që kanë më shumë burime financiare dhe e deformon garën demokratike.
Duke folur për fenomenin e “liderëve të fortë”, profesori Canaj u shpreh se në shoqërinë tonë ende nuk mbizotërojnë partitë programore, por kulti i liderit. Sipas tij, kjo ka ndikuar që vëmendja të largohet nga programet politike dhe të fokusohet te individi.
“Nuk fokusohemi te programet politike, por te kulti i liderit. Dhe nga kjo shpesh prodhohen edhe deputetë që nuk janë të përgatitur sa duhet,” u shpreh ai.
Ai theksoi se kjo qasje ka sjellë edhe largimin e njerëzve profesionalë nga politika, pasi shpesh përballja me kandidatë më pak të përgatitur krijon frustrim. Sipas tij, kjo ka ndikuar në forcimin e kultit të liderit dhe në krijimin e një dinamike ku lideri shihet si figurë qendrore, pothuajse “si baba”, ndërsa mbështetësit ndihen pjesë e një strukture familjare politike.
Në pjesën për mediat, Canaj tha se ato kanë rol thelbësor në funksionimin e demokracisë dhe në informimin e qytetarëve. Ai i konsideroi mediat si një lloj “qeverie në vete”, për shkak të ndikimit që kanë në shoqëri dhe në politikë.
“Po të mos ishin mediat, njerëzit nuk do t’i dinin të mirat dhe të këqijat e një vendi. Unë mediat i shoh si një qeveri në vete,” u shpreh ai.
Sipas tij, një shoqëri që i sulmon mediat rrezikon të rrëshqasë drejt tendencave autokratike, ndërsa theksoi se pa media të lira dhe funksionale nuk mund të flitet për demokraci të mirëfilltë, pavarësisht sfidave dhe problemeve që mund të ekzistojnë brenda vetë mediave.
Fakulteti i Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës në UBT vazhdon të sjellë ekspertë ndërkombëtarë që u ofrojnë studentëve njohuri dhe përvoja nga praktikat më të avancuara globale.
Në këtë kuadër, studentët patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga Assoc. Prof. Dr. Anders Johan Almas nga Western Norway University of Applied Sciences (HVL), e organizuar në kuadër të lëndës “Arkitektura e Qëndrueshme”, të udhëhequr nga Prof. Dr. Visar Hoxha.
Gjatë ligjëratës me temën “Building Envelopes and Climate Adaptation”, Dr. Almas trajtoi rëndësinë e projektimit të mbështjellësve të ndërtesave dhe rolin e tyre në rritjen e efikasitetit energjetik, qëndrueshmërisë dhe rezistencës ndaj kushteve klimatike në ndryshim. Përmes shembujve konkretë dhe praktikave të aplikuara në vende të ndryshme, studentët u njohën me qasjet moderne që po transformojnë industrinë globale të ndërtimit.
Me më shumë se 20 vite përvojë në industri, kërkim shkencor dhe akademi, Dr. Almas ka kontribuar në fusha të ndryshme si menaxhimi i ndërtesave, projektimi, konsulenca, ndërtimi dhe hulumtimi shkencor. Përvoja e tij përfshin institucione dhe kompani prestigjioze si NTNU, SINTEF, Multiconsult, Veidekke, Vestlandsforsking dhe HVL, duke sjellë një perspektivë të gjerë mbi zhvillimet më të fundit në ndërtimin e qëndrueshëm.
Për studentët e Fakultetit të Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës, kjo ligjëratë përfaqësoi një mundësi të vlefshme për të kuptuar nga afër sfidat reale të sektorit dhe mënyrën se si njohuritë akademike zbatohen në praktikë. Diskutimet e zhvilluara gjatë aktivitetit i ndihmuan studentët të krijojnë një pasqyrë më të qartë mbi rolin e profesionistëve të ardhshëm në projektimin dhe menaxhimin e ndërtesave të qëndrueshme.
Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit Juridik në UBT për të kombinuar mësimin teorik me përvojën praktike, studentët e lëndës “Procedura Civile e Avancuar”, të udhëhequr nga Prof. Egzona Osmanaj, realizuan një vizitë studimore në Gjykatën Komerciale të Kosovës.
Gjatë vizitës, studentët u pritën nga Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, i cili i njoftoi me organizimin, kompetencat dhe funksionimin e kësaj gjykate, si dhe me rëndësinë e saj në trajtimin e çështjeve që lidhen me biznesin, investimet dhe marrëdhëniet tregtare.
Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës ishte mundësia që studentët të ndjekin nga afër një seancë gjyqësore, duke vëzhguar në praktikë zbatimin e procedurave civile dhe mënyrën e zhvillimit të proceseve gjyqësore. Kjo përvojë u mundësoi atyre të lidhin njohuritë teorike të fituara në auditor me realitetin e sistemit gjyqësor dhe praktikën profesionale.
Vizitat studimore të këtij lloji përbëjnë një pjesë të rëndësishme të metodologjisë së mësimdhënies në Fakultetin Juridik të UBT-së, duke u ofruar studentëve mundësi të drejtpërdrejta për të njohur institucionet e drejtësisë, proceset ligjore dhe sfidat e profesionit juridik.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar një person të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pas dyshimeve se ka dëmtuar buxhetin e shtetit.
Sipas hetimeve, S.S., i punësuar në Komunën e Kllokotit si zyrtar për kulturë, rini dhe sport, si dhe menaxher i bibliotekës, dyshohet se nga viti 2019 deri në mars të vitit 2026 ka përfituar paga mujore pa u paraqitur fare në vendin e punës dhe pa ushtruar detyrat e tij zyrtare.
Prokuroria thotë se i dyshuari, “me dashje ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i përmbushur obligimet e punës”, duke shkaktuar dëm në buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej rreth 39 mijë euro. Rasti është zbuluar pas hetimeve dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore nga prokuroria në bashkëpunim me njësitet përkatëse.
Nga Prokuroria është bërë e ditur se ndaj të dyshuarit janë duke u zhvilluar hetime të mëtejshme, ndërsa pritet që në afatet ligjore të kërkohet edhe masa e sigurisë në Gjykatën Themelore në Gjilan. “Do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit,” thuhet në njoftim.