Op-Ed

Mbrojtja e infrastrukturës kritike

Published

on

(Sulmet agresive të sinkronizuara dhe aktet kriminale terrosite kundër infrastrukturës kritike, siç është rasti i shkatërrimit të një pjese të trasesë së kanalit të ujit të Ibër Lepencit në Veriun e Kosovës, përbëjnë një çështje serioze për sigurinë kombëtare, stabilitetin dhe qëndrueshmërinë politike).

Kanali i Ibër Lepencit është një burim jetik për ineresin e qytetarëve dhe atë nacional, duke përfshirë furnizimin me ujë të pijshëm, për bujqësinë dhe specifikisht në sektorin energjetik për prodhimin e energjisë, ftohjen e kontezatorëve dhe paisjeve në sektorin e prodhimit në sistemin termoenergjetik të Kosovës.

Sulmi në këtë kanal është kërcënim më kritik, që kërkon vëmendje të veçantë për tu përgjigjur pakompromis çdo institucion i sigurisë dhe drejtësisë dhe në një unitet të brendshëm të faktorit politik vendor:

Sulmi i shpërthimit me eksploziv – mjete ushtarake të përdorura nga grupet kriminale ndaj kanalit Ibër Lepenc për nga rëndësia strategjike në infrastrukturën kritike, ka pasë për qëllim  të ndikoj drejtpërdrejt në normalitetin e jetesës së qytetarëve. Çdo ndërprerje ose dëmtim i tij mund të shkaktojë mungesa të ujit për qindra mijëra njerëz dhe biznese, dhe sidomos për minimin e sistemit energjetik. Kuptohet se natyrat e sulmit me dëmtim fizik, ka pasur për qëllim të dëmtojë rrjedhën e kanalit për të ndërprerë furnizimin me ujë, duke paralizuar jetën e qytetarëve dhe paralizimin e sistemit energjetik në Kosovë.

Ky sulm i realizuar nga hedhja në erë me mjete shpërthyese eksplozuese, por vetëm kjo situatë, por rreziku në të ardhmen lidhur me rrezikimin nga helmimi për qëllime  kontaminimi dhe sabotimi.

Aktet e grupeve kriminale  përmes akteve terroriste: Kjo situatë ndërlidhet me grupe të organizuara për të destabilizuar situatën e sigurisë, të cilët janë prezent ende dhe të shpërfaqur masivisht që nga sulmi i pastërt i agresionit terrorist në rastin e Banjskës vitin e kaluar, të cilat kishin qëllim aneksimin dhe destabilizimin e Kosovës.

Zakonisht motivet e sulmeve janë të një natyre politike: Për të krijuar tensione etnike ose destabilizim rajonal, gjithashtu edhe për efekte ekonomike. Kjo në prapavijë në doktrinën pushtuese serbe nënkupton për të penguar ose për të paralizuar  furnizimin me ujë si në rastin e Veriut të Kosovës, agresion ky për të përvetsuar dhe dominuar mbi liqenin e Ujmanit.

Domosdoshmëria e një roli shumë aktiv të autoriteteve shtetore të sigurisë së Kosovës, konsiston në sfidat për mbrojtjen e kanalit që përfshijnë koordinimin ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. Agjencitë e sigurisë dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e infrastrukturës kritike kanë për detyrë të ndërmarrin masa parandaluese me efekte për masat strikte të rekomanduara për mbrojtjen e kanalit Ibër Lepenc dhe përgjithësisht asetet e Infrastukturës Kritike të Kosovës.

Këto masa duhet të përfshijnë monitorimin dhe mbikëqyrjen intenzive: Instalimi i sistemeve të avancuara të kamerave dhe sensorëve për të monitoruar aktivitetin në zonat kritike të veriut, në gjithë perimetrin e kanalit, përfshi monitorimin nga ajri.

Forcimi i bashkëpunimit mes Policisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave dhe institucioneve të ujësjellësit si dhe ndërgjegjësimi i komunitetit, janë fushatat për të informuar popullatën lokale mbi rëndësinë e mbrojtjes së këtij kanali edhe përmes sigurimi fizik me prezencë vëzhgimi të kohëpaskohshëm, apo në këtë fazë kritike patrullimi i rregullt i zonave të rrezikuara dhe vendosja e masave fizike mbrojtëse.

Është i domosdoshëm një studim fizibiliteti për rehabilitimin dhe rivitalizimin e kanalit nga një infrastukturë e stërvjetruar në një model inxhinierik të sigurtë. Duke i përmirësuar protokollet e emergjencës përmes vlerësimit dhe bashkëpunimit ndërmjet aktorëve lokal dhe ndërkombëtar, lidhur me hartimin e strategjive për parandalimin e sulmeve të ardhshme.

Sulmet ndaj infrastrukturës kritike, si rasti i kanalit të ujit në Ibër Lepenc, përfaqësojnë një sfidë të ndërlikuar për sigurinë kombëtare dhe stabilitetin shoqëror në Kosovë. Ky kanal, i cili siguron ujë për bujqësi, industri dhe furnizim të popullsisë, nuk është vetëm një burim i rëndësishëm ekonomik, por edhe një simbol i ndjeshmërisë strategjike të shtetit të Kosovës.

Rëndësia e tij bën që çdo akt sabotazhi të tejkalojë një incident të zakonshëm, duke u kthyer në një kërcënim serioz me efekte të destabilizimit me implikime më të gjera politike dhe sociale.

Në aspektin politik dhe të sigurisë, ky dëmtim ndaj kësaj pjese të këtij kanali, lidhet me përpjekjet  e vazhdueshme të Serbisë për të destabilizuar situatën e brishtë në veri të Kosovës. Grupi i interesave që kërkon tensionimin e marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve etnike mund të shfrytëzojë këtë lloj të infrastrukturës kritike si një pikë të dobët.

Nga ana tjetër, ky dëmtim i kanalit qëllim kishte të paralizojë bujqësinë dhe industrinë lokale, duke krijuar varësi nga furnizime të jashtme, sidomos të energjisë dhe duke dëmtuar prodhimin vendor. Siq dihet në rastin tonë, ky kanal është strategjik për ftohjen e kontezatorëve në termoelektranet e KEK-ut, që ndikon  padiskutim në prodhinin dhe stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës.

Pas këtij sulmi ngrejmë pyetje mbi gatishmërinë institucionale për parandalimin dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Megjithëse janë ndërmarrë disa hapa, mungesa e një strategjie gjithëpërfshirëse për parandalim dhe përgjigje është domosdoshme. Monitorimi i pamjaftueshëm, moskoordinimi ndërmjet institucioneve dhe mungesa e ndërgjegjësimit publik krijojnë hapësira që grupe kriminale të brendshme apo elementë të tjerë të jashtëm të keqpërdorin vakume ligjore të zbatimit dhe për rrjedhojë të kemi situata kritike të kësaj natyre.

Si rrugëdalje, është jetike që Kosova të forcojë politikat për mbrojtjen e infrastrukturës kritike përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse. Kjo përfshin investimin në teknologji për monitorim dhe siguri, përmirësimin e legjislacionit dhe krijimin e një kulture ndërgjegjësimi mbi rëndësinë e Infrastrukturës Kritike. Për më tepër, nevojitet një qasje më proaktive nga komuniteti ndërkombëtar, duke ofruar qasje më serioze ndaj situatës politke në raport me Serbinë në të cilën ndodhet Kosova, në rastin me Veriun e Kosovës, për të ofruar mbështetje politike, teknike dhe ekspertizë.

Në fund, rasti i dëmtimit të kanalit për furnizmim më ujë në Ibër Lepenc, duhet të na shërbej si një kujtesë e qartë se infrastruktura kritike nuk është vetëm një çështje teknike, por edhe një reflektim i ndjeshmërive politike dhe ekonomike dhe strategjike përgjithësisht të një vendi.

Mbrojtja e tij duhet të shihet si një prioritet strategjik, që ndikon jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të Kosovës.

Ndikimi i shtetit të Serbisë në sulmet ndaj infrastrukturës kritike në Kosovë, i përfshirë në rastin e sulmit terrorist ndaj kanalit të ujit në Ibër Lepenc, është një çështje e ndjeshme dhe komplekse që kërkon një përgjigjie, parasëgnithash ligjore,  vendime politike të brendshme dhe trysni realiste ndërkombëtare dhe një analizë  shtetrore si të veprohet më tutje.

Serbia, vazhdimisht ka përdorur në mënyrë të përsëritur tensionet në Kosovë për të forcuar pozicionin e saj politik, veçanërisht në veri të vendit, ku struktura paralele, grupe kriminale, organizata terroriste, të kontrolluara ose të mbështetura nga Beogradi shpesh shihen si burim i destabilizimit.

Ndikimi i shtetit të Serbisë prezent në veriun e Kosovës përmes përdorimit të strukturave paralele ka mbështetur dhe financuar struktura paralele në veriun e Kosovës, të cilat  operojnë jashtë çdo kornize ligjore të Kosovës. Këto struktura jo vetëm që sfidojnë sovranitetin e shtetit të Kosovës, por  jenë të përfshira në të gjitha aktet e sabotazhit si mënyrë për të krijuar kaos dhe për të penguar funksionalitetin e institucioneve vendore në verin e Kosovës.

Retorika politike, përmes deklaratave dhe veprimeve politike, Serbia vazhdimisht minon integritetin e Kosovës si shtet, duke e portretizuar atë si të paaftë për të garantuar sigurinë dhe menaxhimin e të qenirit shtet. Kjo retorikë jo vetëm që inkurajon akte të qëllimshme të sabotazhitsi një formë e “luftës hibride”, por edhe i financon me gjithë aparatin e shtetit serb çdo lëvizje subverzive që pengojnë shtritjen e autoritetrve të Kosovës në Veri të Kosovës.

Mbështetja indirekte për këta aktorë të paligjshëm të strukturave paralele, në shumë raste, ka pasur  grupe kriminale serbe në veri të Kosovës, të lidhura me strukturat  shtetërore serbe, mund të jenë të përfshira në sulmet ndaj infrastrukturës shtetërore. Kjo krijon një klimë pasigurie që trumbeton idenë serbe për të ruajtur ndikimin politik të Serbisë brenda shtetit të Kosovës.

Masat që duhet të ndërmerren në raste e cenimit të Infrastukturës Kritike, në sektorët vital të shtetit të Kosovës. Për t’i bërë ballë këtij ndikimi dhe për të parandaluar sulmet e ardhshme, është thelbësore që Kosova të ndërmarrë masa strategjike në disa nivele:

– Forcimi i sigurisë së infrastrukturës kritike dhe Monitorimi teknologjik: Vendosja e kamerave të sigurisë dhe sensorëve përgjatë kanalit dhe objekteve të tjera kritike;

– Patrullimi i përforcuar: Njësitë speciale të Policisë së Kosovës duhet të kenë praninë e përhershme në zonat e ndjeshme;

– Reagimi i shpejtë: Krijimi i një task-forcë të dedikuar për mbrojtjen e infrastrukturës kritike;

– Vazhdimi i luftimit të sinkronizuar i strukturave paralele; Zbatimi i ligjit: Ndërhyrja në strukturat paralele që operojnë jashtë kornizës ligjore dhe që janë të lidhura me aktivitete kriminale apo destabilizuese;

– Ndjekja sistematike penale: Hetimi dhe ndëshkimi i të gjithë individëve të përfshirë në sabotime, akte kriminale dhe mosdurim kushtetues ose mbështetje për këto veprime;

– Diplomaci aktive ndërkombëtare për presion ndaj Serbisë: Përdorimi i platformave ndërkombëtare për të kërkuar llogaridhënie nga Serbia për ndërhyrjet e saj në Kosovë.

– Mbështetje nga partnerët: Përfshirja e BE-së dhe SHBA-së në monitorimin dhe mbështetjen e përpjekjeve për mbrojtjen e infrastrukturës Kritike;

– Përfshirja e komuniteteve lokale nē ndërgjegjësimin publik: Informimi i qytetarëve për rëndësinë e infrastrukturës kritike dhe përfshirja e tyre në raportimin e aktiviteteve të dyshimta;

– Ngritja e mirëbesimit: Angazhimi i komunitetit serb në Kosovë për të dekurajuar mbështetjen lokale për veprime destabilizuese;

– Domosdoshmëria për një rishikim të integruar të strategjisë sigurisë në kontekstin e ri të sigurisë;

– Rishikimi dhe hartimi i një plani kombëtar: Një strategji gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, e cila përfshin aspekte teknologjike, njerëzore dhe diplomatike;

– Trajnime të përbashkëta: Forcimi i kapaciteteve të Sigurisë duke përfshirë FSK -në, Policinë dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave për të trajtuar kërcënimet e sofistikuara;

Qëllimi i këtij artikulli, asnjëherë nuk duhet harruar se ky nivel i ndikimit të Serbisë, i përfshirë direkt në destabilizimin e infrastrukturës kritike në Kosovë është një manifestim i përpjekjeve të saj për të ruajtur ndikimin politik dhe për të sfiduar sovranitetin e Kosovës. Për t’u përballur me këtë sfidë, me përmasa shkatërrimtare, është e domosdoshme që Kosova të veprojë në mënyrë të vendosur, duke forcuar kapacitetet e sigurisë, zbatimin e ligjit dhe diplomacinë ndërkombëtare. Vetëm përmes kësaj qasjeje të bashkërenduar mund të sigurohet mbrojtja e këtyre aseteve jetike, të parandalohen aktet e tjera të sulmeve dhe të mbrohet stabiliteti afatgjatë i vendit në kontekstin e ri të sigurisë që tashmë veq kemi hyrë.

 

 

Prof. Dr. Bahri Gashi,  profesor në programin e studimeve të Sigurisë në UBT, i profilizuar dhe njohës i politikave të Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës

 

 

 

 

 

Op-Ed

Media mund ta parandalojë dhunën, por edhe ta nxisë atë!

Published

on

Nga Safet Zejnullahu – Rastet e vrasjeve dhe të vetëvrasjeve ndodhin në të gjitha shoqëritë. Sikur edhe incidentet e tjera.

Vetëm këtë mbrëmje paskan ndodhur dy sulme fizike në sheshin e Prishtinës dhe të Podujevës me të njëjtin emër.

Një pjesë e portaleve (nga ato që lexoj unë, theksoj këtu Telegrafin, Kohën dhe Infokusin…), raportuan mjaftueshëm për ta përcjellë informacionin te publiku.

Por, një pjesë tjetër, për të satën herë, e tepruan. Duke detajuar përtej të gjitha limiteve. Të tillat seriozisht duhet të ndjehen në faj. Pikë.

Raportimi senzacionalist dhe në stilin e telenovelave nxit: edhe vrasjet, edhe vetëvrasjet, edhe aktet e tjera.

Një 15 vjeçar, për t’u bërë “hero mediatik” nuk përton ta vringëllojë thikën!

Sa s’janë kaluar të gjithë kufijtë, pariparueshëm, ka një zgjidhje:

Raportojini këto raste në një vend të padukshëm, pa emra, pa foto, pa detaje;

Hulumtoni pse në periudha krizash politike shtohen aktet e dhunshme;

Jepjuni zë ekspertëve që flasin për format e parandalimit të veprimeve të dhunshme.

Media profesionale mund të parandalojë vrasjet, vetëvrasjet dhe format e tjera të dhunës. (Vlerësoj reagimet e AGK-së e KPM-së, por ato, sikur edhe institucione të tjera, duhet të shtojnë përpjekjet, me trajnime shtesë, gjithashtu edhe me udhëzime reja e të përditësuara lidhur me raportimet në këto raste).

 

Continue Reading

Op-Ed

Raportimi i kronikës së zezë, raportimi me ndjeshmëri – Mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?

Published

on

Nga Musa Sabedini – Po i referohem vetëm disa rasteve të fundit siç ishte vrasja e policit Muhamet Lika, të rastit tragjik të dizajnerit Festim Isufi dhe të disa rasteve tjera të plagosjeve e therjeve me thikë, të cilat janë të mjaftueshme, për ta alarmuar në rrafshin profesional mungesën e etikës në raportime të tilla, me ndjeshmëri.

Tituj bombastik e sensacional të përcjellur me të dhëna, e detaje të parakohshme dhe joshja e lexuesit në rrjetet sociale, për të ngjallur me çdo kusht interesimin e tyre për të “pëlqyer”, një lajm nga kronika e zezë, janë dobësi profesionale dhe mungesë respekti dhe etike për viktimat dhe familjarët e tyre.

“Kur bie telefoni në mesnatë, zjarrfikësit i duhet vetëm të veshë pantallonat dhe të shuaj flakët. Kurse gazetari duhet t`u tregojë një milion vetave se kush e ndezi shkrepësen dhe pse” .(David Randall).

Nuk ka më mirë se sa media ose gazetari të njihet ose të vlerësojë, pos Etikës dhe standardeve profesionale të gazetarisë, të njoh edhe aktet juridike që lidhen me Vrasjet, vrasjet e rënda, vrasja e kryer në gjendje të fortë mendore, vrasje nga pakujdesia, vrasja e foshnjës gjatë lindjes.

Jo rastësisht e përzgjodha këtë thënie të një gazetari me përvojë, i cili fuqishëm demonstron arsyen pse burimet janë të dobishme për punën e çdo gazetari apo mediumi, pse parimet dhe mënyra e raportimit për një ngjarje, ndodhi, tragjedi, aksident, zjarrëvënie, dhunim, trafikim të qenieve njerëzore, korrupsion, krime të rënda, vrasje, tentim vrasje, afera të ndryshme e shumë vepra të tjera nga të cilat mund të kemi e të marrim shembuj të shumtë, duke specifikuar këtu edhe natyrën e krimit.

Për të jetuar me këto rregulla e parime etike, duhet patjetër që gazetari të jetë i përpiktë në mbledhjen dhe grumbullim të fakteve për secilin rast, të jetë afër ngjarjes, afër dëshmive, shumë afër të së vërtetës dhe të mos shpif apo spekulojë në asnjë rast të vetëm.

Nganjëherë mediet duke dashur të bëjnë punën më të mirë të mundshme edhe gabojnë me qëllim apo pa të dhe për t`i ikur këtyre defekteve ekzistojnë procedura, udhëzues nga më të ndryshmit e mbi të gjitha kritere e kode etike, nga të cilat mund të mësojmë shumë.

Në gazetarinë kosovare qoftë e shkruar, televizive ose online janë vërejtur defekte të shumta dhe ende ka vrima të zeza që duhet urgjentisht të përmirësohen.

Nuk është e lehtë asnjëherë që një gazetar, një kronist apo një medium, kudo që ndodhet ai, të raportojë me saktësi në momentet e rënda. Gazetari jo gjithherë mund të jetë i disponueshëm ose profesionalisht e psikologjikisht në kryerjen e detyrës, por seriozitetin dhe ndjeshmërinë e raportimit duhet ta respektojë në çdo situatë të ndërlikuar.

Gazetarinë e mirë e ndërtojnë mediet profesionale, por në teren janë kronistët ata që bëjnë lajmin, kronikën, raportin dhe investimi në këtë drejtim është obligim profesional i yni. Andaj raportimi për krimet, dhunën dhe situatat e ndjeshme, padyshim që paraqet njërën nga sfidat më të mëdha të medias, e në veçanti të gazetarit që ballafaqohet drejtpërdrejt me këto situata.

Gazetari që ka përgatitje fizike, psikologjike, emocionale dhe intelektuale, shumë më lehtë dhe më mirë i tejkalon këto rreziqe.

Nuk mund të jemi gazetarë pa ndjenja derisa raportojmë për vrasjet, dhunimet, plagosjet, trazirat, trafikimin, korrupsionin, prostitucionin, por emocionet në gazetari dhe paragjykimet gjatë raportimit, janë e keqja më e madhe e gazetarisë.

Raportimi për situatat e ndjeshme, raportimi për krimet dhe dhunën, janë pikat më delikate për secilin gazetarë edhe nëse ai është profesionist i shkathët e me përvojë. Të mbulosh një ngjarje me natyrë kriminale e të ofrosh para lexuesit dhe publikut të vërtetën, është e mundimshme në rrafshin profesional.

Është e thjeshtë të raportosh për një konferencë shtypi, për një prezantim të ndonjë politikani apo partie politike, por të raportosh për tërmetet, fushat e mbuluara me gjak, krimin e të gjitha llojeve, të mbledhësh informacionet e sakta nga tereni, të jesh i përgatitur për të gjitha sfidat nuk është e lehtë, përkundrazi ky “sport” donë kulturë, edukatë mediatike, zhbirim të shumë arkivave e njohje të përgjithshme të problemeve.

Natyrisht që secila media ose secili gazetarë do të ndihej i lumtur nëse në këto raportime zbulohet dhe thuhet e vërteta, se fundja këtë synim e ka gazetaria.

Por a mund të raportojmë për situatat e ndjeshme e konfliktuoze, e të mos japim paragjykime. Sigurisht që është e mundur dhe patjetër që synim dhe qëllim final mbetet për secilën media që ta avancojë këtë fushë.

Therjet me thikë dhe “tentim vrasja”. Pse janë momente të sikletshme për raportim?

Mediet shpesh herë japin lajme për therjen me thikë ndërsa policia gjithmonë i cilëson si “Tentim Vrasje”.

Duhet një vëmendje e posaçme kur jemi tek ky grup i kualifikimit sepse në Prokurori bazohen në rastet e therjes me thikë tek neni 172 i Kodit Penal që i bije cilësimi si “Vrasje e rëndë” dhe lidhet tek neni 28 që ka lidhje me “Tentativa në vrasje”.

Ndikimi i medies në këtë drejtim është thelbësor sepse ndikon pozitivisht në vetëdijesimin e të rinjve dhe grupeve apo bandave për të hequr dorë nga përdorimi i thikës që quhet dhe mjet i ftohtë.

Mos rrezikoni hetimet, publikoni vetëm detajet dhe motivin?

Dhuna dhe keqtrajtimet sidomos kur në pyetje janë femrat shpesh në mediet tona marrin hov dhe dimension më të madh. Gazetari është një lloj hetuesi dhe këtu s`kam asnjë dilemë dhe i mbështesë hetimet në çfarëdo fazë, vetëm kur ato të jenë të besueshme dhe mirë të vërtetuara.

Por publikimi i rasteve me foto dhe të dhëna përcjellëse brenda 12 orëve është me rrezik për shumë palë të përfshira. Mos harroni kur pala e dëmtuar ose personi që ushtron ankesë dhe ndodhet në duart e policisë dhe prokurorisë, mund ta ndryshoj deklaratën gjatë marrjes në pyetje.

Deklarata në polici mund të jepet nën presion ose detyrim dhe më vonë i njëjti ose e njëjta person mund të tërhiqet nga deklarata.

Pra bëhuni të kujdesshëm në verifikimin e çdo lajmi dhe materiali. Besoni zyrtarëve dhe hetuesve, por më shumë besoni dokumenteve të nënshkruara dhe vulosura dhe vëzhgimeve tuaja  vetjake dhe të drejtpërdrejta. Shprehja amerikane: “Edhe kur nëna të thotë të dua, verifikoje”?

Amerikanët e kanë një shprehje shumë të qëlluar: ”Edhe kur nëna thotë të dua, verifikoje”. Gjithçka që duhet të dimë dhe të veprojmë lidhet me saktësinë dhe vërtetësinë. E vërteta është mbi të gjitha dhe kryesorja sepse gjithçka lidhet e ndërlidhet rreth këtyre dy termeve gazetareske.

Gazetari normalisht që duhet të ketë interesim për punën e tij dhe duhet t`i kushtojë shumë vëmendje edhe gjërave më të vogla.

Botimi i fotografive paralel me lajmin në mes të dhembshurisë dhe mesazhit përçues?

Shumë lajme në mediet kosovare postohen dhe përcillen edhe me foto, pak minuta ose pas aksidentit apo tragjedisë. Fotoja e publikuar pak minuta ose orë është shkelje e privatësisë, ani pse presioni i medieve vije pikërisht nga rrjetet sociale të cilat fatkeqësisht nuk respektojnë as minimumin e mundshëm në raste të tilla.

Kur vendosim ta botojmë një lajm me foto të viktimës duhet të kemi parasysh nëse po shkaktojmë dhembshuri në familje, nëse rasti është në proces e sipër ose tjetra se ne po e kryejmë punën në mënyrë profesionale.

Gjithmonë kemi dilema në pyetjet që parashtron fotografi Garry Bryant i “Desert News”, i cili ofron këtë listë të pyetjeve kur japim imazhe përcjell me lajmin:

– Ky moment a duhet të bëhet publik?

– A do t`u shkaktojë një traumë subjekteve të fotografuar?

– A jam në distancën e duhur për të mos u shqetësuar?

– A po veprojë me dhembshuri?  (Philip Patterson, Lee Wilkins,“Etika në media, çështje dhe raste”.

Ne kemi obligim të kujdesemi për të gjitha detajet dhe elementet që raporti apo kronika të mos përshkruhen me shkelje drastike.

Raportimi i kronikës së zezë – Ballafaqimi me traumat dhe viktimat?

Asnjëherë mos harroni se viktimat dhe njerëzit e traumatizuar kërkojnë një vëmendje bukur delikate edhe në fazën e raportimit po edhe gjatë hetimeve tuaja.

Keni parasysh se shpesh edhe mund të humbni raste të mira për një lajm të mirë dhe ekskluziv, nëse shmangni listën udhëzuese për traumat dhe viktimat.

Një lajm i thjeshtë mund të jetë një pikë kthese për një storie me shumë peshë për publikun. Mirëbesimi dhe kontrolli logjik në pyetjet e shtruara dhe në trajtimin mediatik me shumë korrektësi është fitorja e juaj e parë.

Në udhëzuesin e “Res Publika” thuhet se gjithmonë do ju vijë rasti të gjeni fytyra njerëzore, të vizitoni shtëpitë dhe vendet e punës dhe t’u bëni njerëzve pyetje të pakëndshme për historitë.

“Por viktimat mund të jenë të traumatizuar. Ata mund të mos duan të identifikohen dhe të diskutojnë për ngjarjen. Edhe emërtimi i vendit ku jeton viktima mund të krijojë probleme me komunitetin, duke e lënë familjen e viktimës edhe më të pasigurt”.

Disa këshilla që mund të japim janë:

– Trajtojini viktimat me dinjitet.

Lëreni viktimën t’ju “ftojë” në historinë e vet.

– Lëreni viktimën të diktojë kohën dhe vendosjen e intervistave.

– Jini transparent.

– Merrni pëlqimin e informuar se si do të identifikohet viktima.

– Vendos njerëzoren përpara historisë. Së pari jepni përparësi mirëqenies së viktimës, së dyti historisë.

– Mos e mbingarkoni fillimisht me pyetjet më të vështira.

– Kini empati dhe dëgjoni.

– Ballafaqimi i përsëritur me viktimat e traumatizuara mund të ndikojë tek ju. (https://rm.coe.int/udhezues-praktik-per-mbrojtjen-dhe-sigurine-e-gazetareve/1680a4e081). Mediet dhe reporterët që mbulojë sektorët problematik ose të ndjeshëm duhet ta zbatojnë në secilin rast që është e mundur Etikën dhe përherë të jenë në shërbim të interesit publik.

Në situatat kritike e të raportimit të mangët reagon edhe Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës, i cili merret ekskluzivisht me të drejtat dhe gabimet që bëjnë mediet online. Ekziston një udhëzues që i dedikohet mënyrës së raportimit për incidentet, aksidentet, të arrestuarit dhe të akuzuarit për veprat penale.

Në preambulën e KMSHK-së pika V janë të qartësuar në detaje “kufizimet”.

“Mediet e shkruara nuk do ta trajtojnë asnjë individ si fajtor, para se diçka e tillë të konfirmohet nga Gjykata. Mediat e shkruara gjatë raportimit për incidente, aksidente apo vepra penale duhet të kenë parasysh prezumimin e pafajësisë për secilin të përfshirë dhe si të tillë duhet ta paraqesin në shkrim/raportim”.

Në librin tim dedikuar enkas situatave të ndjeshme dhe raportimeve delikate :”Mediet, etika, raportimet për situatat e ndjeshme, hetimet dhe nocionet juridike në gazetari”, botuar në vitin 2023, kam prezantuar dhe analizuar në hollësi, të gjitha rastet dhe mënyrën e raportimit profesional për rastet e vrasjeve, vetëvrasjeve, vrasjet e rënda, veprat penale të të gjitha kategorive, dënimet, armët, shkeljet ligjore, etika gjatë raportimit, vdekjet, tragjeditë, privatësia, lajmet e rrejshme, vrasjet, plagosjet, aksidentet, zjarret, personat me aftësi të kufizuara, të miturit, të sëmurët mentalë, dhunimet, krimet e luftës, raportimet nga gjyqet, raportimi për pandemitë, raportimi për aspektet fetare, trafikimi me qenie njerëzore, prostitucioni, kontrabandimi i migrantëve, raportimi për kronikën e zezë, personat e zhdukur, dhuna në familje, dhunimi, vrasjet e grave shtatzëna, vetëvrasjet, ngacmimi seksual, shantazhi, kanosja, shtrëngimi, detyrimi, hakmarrja, korrupsioni, ryshfeti, skemat piramidale dhe bixhozi, vjedhja, vjedhjet e rënda, grabitja, mjediset konfliktuoze, raportimi për protestat, trazirat, demonstratat, raportimi mbi konfliktet, trazirat sociale, siguria e gazetarëve dhe rreziqet, trazirat e marsit 2004, gjenocidi, sulmet terroriste, rrëmbimet, pengjet, spiunazhi, sabotimi, krimet kundër njerëzimit, pornografia, pedofilia, bigamia, krimet kibernetike.

Autori është ligjërues në degën e Medias dhe Komunikimit në UBT.

/UBT News/

Continue Reading

Op-Ed

Gazetaria e sotshme dhe ajo hulumtuese, e skajshme, periferike dhe larg problemeve akute që po na rrethojnë

Published

on

Nga Musa Sabedini – E tërë lufta në gazetarinë ditore dhe informative ka për qëllim që të tregoj të vërtetën, që të thuhet ajo kur dhe si duhet. Gazetaria kosovare fatkeqësisht e ka devalvuar këtë maksimë dhe në vend të saj, në të gjitha mediet nacionale, dominojnë lajmet protokollare të zbehta dhe të pa vlera.

E kam thënë edhe më herët se gazetaria online në Kosovë, duke mos përjashtuar as TV nacionale e radiot, po dominohet nga lajmet protokollare, të cilat ekskluzivisht përshkruajnë një hark të ngushtë Parlament – Qeveri – Presidencë – Shtabe të partive politike, e portrete me politikanët e subjekteve politike.

Dikur në mediet qendrore kishte edhe paralajmërime nga gazetar me zë dhe media kredibile në stilin “Super intervistë”, “Ekskluzive ose super ekskluzive me Albin Kurtin..etj”.

Ky trend me gjasë sivjet pak ka ndryshuar, pikërisht sepse u pa që as kryeministri e as kushdo tjetër, nuk ua rregullon gazetarëve, as kushtet financiare e as vendin e punës. Duke i dhënë hapësirë përherë lajmeve të kota nga Qeveria, Parlamenti, Presidenca dhe çfarëdo informacioni që del nga “klubet institucionale”, qytetari i rëndomtë mbetet larg realitetit dhe përditshmërisë.

Personalisht as nuk i postoj e as publikojë shtëpitë kafaz të tipit “Big Brother”, sepse për mua nuk kanë asnjë vlerë etike dhe të mos flas mediatike. Por kështu nuk po e shohin televizionet qendrore të cilat për interesa të tyre, e për klikime po janë në gjendje të shkaktojnë lloj – lloj krize me publikun.

Ndërsa kur erdhi puna te protestat e rrymës, u ndalë turri mediatik sepse nuk kishte ndonjë interes të theksuar prej asaj pune.

Media parasë gjithash ka rol edukues, ka rol këshillues e sensibilizues për të përkrahur çdo iniciativë të shoqërisë, të grupeve të shëndosha të interesit dhe të gjithë atyre që vërtet punojnë e veprojnë për një vend ligjor e demokratikë.

Unë parimisht përherë i kam përkrahur të gjitha nismat e gazetarëve kundër institucioneve kokëforta, por “Shefat” e medieve kryesore nuk duhet të dërgojnë gazetar të rinj e të papërvojë dhe të shohin si realizim të “ëndrrës” një përgjigje nga Albin Kurti apo Vjosa Osmani, e ndonjë lider tjetër politik.

Për mua këto prononcime dhe ky vrapim i gazetarëve shpërfaq një gjendje kaotike të vet medieve kryesore, që tolerojnë, që aq ulët e aq jo profesionalisht, lejohen të nëpërkëmbën nga ndonjë kryeministër që i mungon sjellja etike.

Gazetaria sot dhe ajo që do të vije pas nesh, duhet të fokusohet në tema problemore, tema të nxehta, trajtim serioz ndaj të gjitha dukurive negative, një hulumtim dhe hetim profesional për të gjitha dilemat e dyshimet, që lidhen me korrupsion e krim të organizuar.

Gazetaria hulumtuese sikur nuk ekziston fare në këtë Kosovë të dërmuar nga politikat shterpe. Gazetaria hulumtuese mund të praktikohet orë e çast në Kosovë, duke i parë defektet që i kemi si shoqëri.

Po kush e zhvillon dhe e avancon gazetarinë profesionale dhe atë hulumtuese. Sigurisht të gjithë ata, që e duan me shpirt e zemër gazetarinë, dhe të gjithë ata profesionist të vërtet që nuk tremben nga e vërteta që përshkruhet nga argumenti dhe vërtetësia e fakteve.

Hetoni, hulumtoni, zbuloni, verifikoni dhe raportoni, pa u ndaluar përkundër pengesave dhe presioneve tuaja. E dua një gazetari vërtet kredibile e cila i nënshtrohet një rregulli bazik e funksional, e kjo lidhet edhe me guximin dhe arsimimin e gjeneratave të reja.

Nuk po them që s`ka fare gazetari në Kosovë, e as hulumtuese, por kjo për momentin është e pamjaftueshme, për ta bërë më të përgjegjshme klasën politike, ndaj obligimeve shtetërore që kanë ata.

Media ka obligime publike për ta avancuar saktë, drejtë, shpejt, objektivisht, me argumente e saktësi çdo zhvillim që ndodhë rreth nesh.

Porosia për gazetarët e mediet servile ndaj pushteteve. Kurrë mos harroni se politika është jetëshkurtër, kurse profesioni e karriera e juaj në gazetari nuk vdes, e as shuhet kurrë. Gazetaria e mirë dhe e vërtetuar jeton gjithmonë në zemrat e çdo lexuesi, dëgjuesi apo shikuesi.

Autori është gazetar profesionist dhe ligjërues në degën e Media dhe Komunikimit në UBT. /UBT News/

Continue Reading

Op-Ed

A është Putini vërtet i interesuar për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë?

Published

on

By

Shkruan: Alfred Marleku

Presidenti rus, Vladimir Putin, së fundmi ka shprehur mbështetje të kushtëzuar për propozimin amerikan, i cili më parë është pranuar edhe nga pala ukrainase, për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë. Megjithatë, ekzistojnë disa arsye kokëforta dhe strategjike që shpjegojnë se përse Putinit në fakt nuk i konvenon një marrëveshje e tillë, edhe pse ai me elegancë diplomatike dhe për të mos ofenduar Presidentin Trump, pohoi se është një propozim “me vend”.

Rusia ka aktualisht një avantazh strategjik në terren. Forcat ruse kanë arritur të rikthejnë gradualisht territore të humbura më parë dhe momentalisht janë në një pozicion të favorshëm për të forcuar më tej kontrollin e tyre në rajone strategjike. Sipas burimeve të shumta, në rajonin e Kurskut dhe në lindje të Ukrainës, forcat ruse janë afër spastrimit të plotë të forcave ukrainase pas muajsh të tërë inkursionesh të dështuara nga pala ukrainase. Në këtë kontekst, një armëpushim tani do të lejonte Ukrainën të rimarr frymë, të siguroj mbështetje shtesë ushtarake nga aleatët perëndimorë dhe të përgatitet për kundërofensivë, duke rrezikuar humbjen e avantazhit që Moska ka fituar me shumë kosto.

Putini e specifikoj se çdo marrëveshje për armëpushim duhet të çoj në “paqe të qëndrueshme dhe të eliminoj shkaqet rrënjësore të krizës”. Por, ajo që ai e quan “shkaqe rrënjësore” janë në fakt kërkesat maksimale të Rusisë ndaj Ukrainës dhe Perëndimit. Ndër këto kërkesa, e para është mosanëtarësimi i Ukrainës në NATO. Që prej fillimit të konfliktit, Kremlini ka theksuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbën kërcënimin kryesor ndaj sigurisë kombëtare të Rusisë dhe se një Ukrainë e lidhur me aleancën ushtarake perëndimore është e papranueshme për Moskën. Rusia kërkon një Ukrainë neutrale sa i përket rreshtimeve ushtarake, pra një shtet që nuk lidhet me asnjë bllok ushtarak dhe që nuk pranon trupa të huaja në territorin e saj.

Një tjetër kërkesë qendrore e Rusisë është njohja zyrtare si territor rus e rajoneve që Moska i ka aneksuar. Donetsku, Luhansku, Khersoni, Zaporizhzhia dhe Krimea konsiderohen nga Putini si pjesë integrale e Federatës Ruse dhe çdo armëpushim, sipas Moskës, duhet ta përfshijë pranimin e këtij realiteti të krijuar me forcë. Kjo kërkesë, natyrisht, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me vetë parimet e sovranitetit të Ukrainës.

Një kusht tjetër i shpallur nga Kremlini është refuzimi kategorik i vendosjes së trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Ukrainë. Rusia kundërshton çdo ide që do të sillte forca ndërkombëtare për të garantuar armëpushimin ose për të mbikëqyrur zbatimin e tij, pasi kjo do të dobësonte kontrollin rus dhe do të nënkuptonte pranimin e një roli të drejtpërdrejtë të Perëndimit në zgjidhjen e krizës.

Në këtë sfond, edhe pse Putin deklaron publikisht se “në parim” pajtohet me propozimet për ndalim të luftimeve, ai njëkohësisht thekson se “armëpushimi duhet të çojë në paqe të qëndrueshme”, duke përsëritur se shumë çështje mbeten të hapura dhe se çdo marrëveshje duhet të garantoj sigurinë afatgjatë të Rusisë. Në të vërtetë, këto janë vetëm mënyra diplomatike për të thënë se pa plotësimin e këtyre kërkesave, armëpushimi nuk është realisht i mundshëm.

   

 

Autori është profesor i Shkencave Politike

 

Continue Reading

Të kërkuara