Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, është i sigurt pas raportimeve për shpërthime në qendër të Damaskut të martën në mëngjes, ka njoftuar Pallati Elysee.
Macron ndodhet në kryeqytetin sirian për një takim me homologun e tij sirian, Ahmed al-Sharaa, në pallatin presidencial. Sipas një burimi të sigurisë për BBC, shpërthimet janë shkaktuar nga dy mjete shpërthyese, ndërsa disa persona kanë mbetur të plagosur.
Pallati Elysee ka bërë të ditur se vizita e Macronit në Siri po vazhdon sipas planit. Pas përfundimit të saj, presidenti francez pritet të udhëtojë drejt Turqisë për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.
Pas shpërthimeve, në rrjetet sociale janë publikuar pamje të tymit dhe flakëve që ngriheshin nga një automjet pranë një hoteli në kryeqytetin sirian.
Televizioni shtetëror sirian raportoi se, në kohën kur u publikuan lajmet për shpërthimet, presidenti sirian Ahmed al-Sharaa kishte pritur Macronin në pallatin presidencial.
Ekipi i BBC-së, duke analizuar pamjet e publikuara, ka vlerësuar se shpërthimet ndodhën rreth 125 metra larg hotelit “Four Seasons”, në trotuarin e rrugës Shoukry al-Quowatly, një nga akset kryesore të Damaskut.
Sipas zyrtarëve francezë, Macron nuk ka dëgjuar asnjë shpërthim gjatë rrugës për në takimin me presidentin sirian./A.K/