Lajmet

‘Mblidhni vështirësitë dhe shndërrojini në forcë’, Majlinda letër për vajzat e Kosovës

“Guxoni të ëndërroni dhe vraponi fuqishëm pas ëndrrës tuaj”, thotë ajo mes të tjerash.

Published

on

Xhudistja Majlinda Kelmendi, e cila vazhdon të mbetet frymëzim për të rinjtë e të rejat e Kosovës, së fundi u është drejtuar vajzave të Kosovës me një letër.

Në këtë mënyrë, ajo flet për sfidat dhe vështirësitë, por mbi të gjitha ajo shtyn gratë e vajzat e vendit tonë, të ndekin ëndrrat sepse mund të ja dalin!/UBTNews/

Më poshtë mund të lexoni letrën e plotë të publikuar në “Jahjaga Foundation”:

Të dashura vajza të Kosovës,

Rrugës së kthimit nga Tokio, po mendoja se çfarë do t’iu thosha në këtë letër. Kthimi nga Lojërat Olimpike kësaj here për mua ishte më ndryshe se herën e kaluar. Gjatë gjithë rrugës për në shtëpi pata reminishenca të të gjithë karrierës sime si sportiste. Më kujtohej çdo moment, nga kur fillova e deri te gara e fundit e 26 korrikut.

Kësaj here stërvitjet për olimpiadën ishin më intensive se asnjëherë për shkak se rrugëtimi për një tjetër olimpiadë kërkonte përgatitje e motivim edhe më të madh. Çdo ditë ishte tejet sfiduese, por prapë vendosa të kaloja nëpër të njëjtën rrugë sërish, me synimin e një “të arte” të dytë.

Pse do të pyesnit?

Është dëshira për sukses. Dëshira për t’i sjellë vendit tim edhe një tjetër moment historik sikur ai i vitit 2016. Nuk ka asgjë që më bën të ndjehem më e përmbushur se kjo. Dhe e kisha parasysh që përgatitjet për një tjetër olimpiadë do të ishin shumë të vështira. 

Sa herë që reflektoj rreth karrierës sime, e kuptoj se xhudo është ajo që di ta bëj më së miri. Kjo është jeta ime dhe gjithmonë në momente të vështira e sfiduese, ia kujtoj vetes se si nisi gjithçka.

Kosova sapo kishte dalë nga lufta. Qyteti ku isha rritur po i vuante pasojat e një shkatërrimi të madh. Isha tetë vjeçe dhe ditët i kaloja në lagje bashkë me fëmijët e tjerë. Loja me njëri tjetrin është e gjitha që e kishim ato ditë. Ndoshta ne s’e kuptonim mirë se çfarë po ndodhte me vendin tonë, por e kuptuam kur u kthyem – gjërat ishin ndryshe.

Unë s’kam qenë tip sportiv. Më kujtohet që afër në lagjen tonë ka qenë një klub i xhudos por unë vetëm e kam parë nga distanca sa herë më ka rënë të kaloj andej pari. Si shumë shtëpi të qytetit të Pejës, edhe atë objekt lufta e la të djegur.

Por më kujtohet që nga ndërtesat e para që u rregulluan në lagje ishte po ai klub. Mua s’më ngjallte asnjë lloj interesi. Ndërsa motrës time Kaltrinës po. Madje si motra më e madhe që ishte, më detyroi të shkoja me të në stërvitje në një sport luftarak për të cilin unë s’dija as edhe një gjë e madje as nuk më ngjallte minimumin e interesit.

Për t’ia bërë qejfin motrës shkoja çdo ditë me të në stërvitje. S’ishim vetëm ne të dyja. Plot shokë e shoqe të mëhallës ishin aty me ne dhe dita ditës, shkuarja në klub u bë shprehi. 

Aty e njoha Toni Kukën. Ai na mësonte lëvizjet bazike të këtij arti marcial dhe papritmas gjithçka rreth xhudos nisi të më dukej jashtëzakonisht e bukur . Isha ende fëmijë ama ky sport më dha një mision në jetë. Rutina ishte shkollë e stërvitje – shkollë e stërvitje, një cikël që përsëritej e përsëritej dhe mua ma bënte përditshmërinë çdo herë e më me kuptim.

Isha tejet e vogël për të menduar për gara. Në fakt, as që e dija se në xhudo zhvilloheshin gara ndërkombëtare e moshatarët e mi garonin me njëri tjetrin anembanë botës. Ne zhvillonim luftëra vetëm mes njëri tjetrit në klub. S’e mbaj në mend të kishte dikush ndonjë ambicie përpos të ktheheshim në lagje pas stërvitjeve, ta luanim edhe lojën e fundit të mbrëmjes e të iknim në shtëpi për darkë.

Mirëpo një ditë Toni na tha se do të shkojmë në Bosnje. As që e dija ku i binte, por tingëllonte kënaqësi. Të gjithë do udhëtonim me autobus, do shkonim në një vend larg Pejës dhe na u tha se do bënim gara. Ne u gëzuam shumë sepse fundja do kënaqeshim…

Ky udhëtim më dha të kuptoja se xhudon nuk e praktikonim vetëm ne. Ishte një botë e tërë mundësish. Njoha garues të tjerë që s’ishin miqtë me të cilët isha rritur. Pashë se ka klube të panumërta që stërviten për gara dhe diçka të tillë duhej ta bënim edhe ne.

Pjesa tjetër është histori.

E kuptova se çfarë doja të bëja në jetë, ndonëse rruga ishte e pasigurt. Unë vija nga Kosova dhe ushtroja në një sallë që s’i ofronte as kushtet minimale për ta përgatitur një sportist për gara ndërkombëtare. Por ne e kishim një gjë që s’e kishte askush që e kisha takuar deri atëherë – motivin për sukses.

Për më tepër një vajzë xhudiste? Tingëllonte pothuajse e pamundur.

Djemtë ishin ata që perceptoheshin si më luftarakë e më të aftë për këtë sport. Madje edhe në botë sporti i xhudos deri vonë ishte i dominuar nga burrat. Madje në Lojërat Olimpike, për këtë sport për herë të parë është zyrtarizuar pjesëmarrja e vajzave vetëm në vitin 1992, kur olimpiada u mbajt në Barcelonë. Kjo u bë 28 vjet pasi xhudistët djem po merrnin pjesë në Lojëra Olimpike – qysh nga olimpiada e Tokios së vitit 1964.

Ndërsa ne vajzat e lagjes, me Tonin ushtronim çdo ditë. Nuk kam munguar asnjëherë në stërvitjet e rregullta. Edhe po u sëmura, e kisha të pamundur ta bindja veten se duhet të qëndroj në shtëpi sepse më ka rënë gripi. Ne e kishim një mision dhe rruga për ta përmbushur pavarësisht pengesave, ishte e pakthim.

Në vitin 2009 kur isha 18 vjeçare, e fitova Medaljen e Artë në Kampionatin Botëror në Paris të Francës. Deri në këtë moment, garat në të cilat kisha marrë pjesë ishin të panumërta. Të gjitha më përgatitën për betejat më të vështira që më prisnin në të ardhmen.

Rrugëtimi im është i mbushur me lot e net pa gjumë. Me momente kur në tapetin e sallës Ippon në Pejë kam luftuar me presionin e brendshëm për të hequr dorë sepse ndoshta s’do t’ia dal. Tani e kuptoj se gjithçka që më ka ndodhur, është dashur të më ndodhte për të qenë kjo që jam sot.

Gjatë tërë karrierës isha në një cikël konstant përgatitjesh për gara. Synim e   kisha olimpiadën dhe përfundimisht, luftova për medalje kur isha 21 vjeçare në Lojërat Olimpike në Londër në vitin 2012. Kosova s’ishte pjesë e Komitetit Olimpik por gjithsesi unë shkova në Britani të Madhe. Shteti i Shqipërisë më pajisi me nënshtetësinë shqiptare dhe ma dha mundësinë ta përfaqësoja flamurin kuq e zi në olimpiadën londineze.

Luftuam shumë që në Londër në veshjet ‘Judo gi’ ta kisha flamurin e Kosovës dhe kjo nuk ndodhi. Diçka tjetër që nuk ndodhi ishte një medalje nën emrin tim e atë të Shqipërisë. Zhgënjimi ishte i madh. Po luftoja me ndjenjat e mia çdo ditë pas luftës që e humba me xhudisten nga Mauritius, Christianne Legentil.

Kjo ka qenë periudha më e vështirë e jetës sime. S’e dija a dua të merrem më me xhudo. Edhe para se të shkoja në Londër shkova me presionin e opinionit publik dhe tërësisht e papërvojë për sfidën që më priste në garë, e edhe pas saj.

Nuk isha e gatshme t’i përballoja komentet negative. Paarsyeshmërisht më bënte përshtypje çdo fjalë që thuhej për mua. Dhe ky ishte gabim.

Më kujtohet që pas garës shkova me pushime në Durrës me familjen time. Në plazh një burrë më njohu dhe mu afrua e më tha: “Po si na turpërove moj Majlinda?” 

Kam qenë aq e thyer emocionalisht që s’mund të diskutoja ose të flisja me askënd. Dhe këtu e mora një mësim. E kuptova që duhej të fokusohesha vetëm te gara dhe të mos e shpërqendroja energjinë time askund tjetër.

Mendimet se a ta lë sportin? Mu larguan me automatizëm. E mora veten dhe nisa zgjimet në 5 të mëngjesit për stërvitje. Tonin e kisha gjithmonë afër dhe vendosa të luftoja edhe me limitet e mia për të arritur aty ku doja – për veten time dhe për vendin tim.

Një vit më vonë mora pjesë në Kampionatin Botëror në Rio de Janeiro. U ktheva me titullin kampione e botës. Në garën finale ku u shpërbleva me medalje të artë, luftova me brazilianen Erika Miranda. Lufta ishte e vështirë por kisha besim të plotë që titulli ishte i imi. Dhe në gjysmë të ndeshjes e mposhta kundërshtaren.

Nga ky vit, nuk kam marrë pjesë në ndonjë garë e të jem kthyer pa medalje. Motivi ishte i madh dhe tashmë e kisha ndërtuar profilin e një sportisteje të nivelit të lartë dhe duhej ta mbaja medoemos këtë nivel. 

Dhe erdhi Rio de Janeiro, 2016…

Isha përgatitur për vjet të tëra për këtë garë olimpike. Doja të shkruaja histori dhe kjo më motivonte edhe më shumë. Do parakaloja në olimpiadë duke e valëvitur flamurin e vendit tim. Më ishte ofruar disa herë që të garoja për shtete të tjera edhe për shuma marramendëse parash. Mirëpo asgjë nuk e lëkundte qëllimin tonë.

E mendoja lagjen time, malet e Pejës në të cilat kisha ushtruar mëngjeseve të ftohta dhe çdo sfidë që si klub e kishim për të arritur në pikën ku ishim. Dhe Kosova, gjithmonë ishte zgjedhja ime e vetme. Doja që flamurin e shtetit tim ta shihja në piedestal.

Të garoja nën ngjyrat e Kosovës ishte krenari dhe privilegj.

Gjithçka që kishim bërë si ekip deri atëherë ma jepte sigurinë e plotë që do të triumfoja. Para olimpiadës kam kaluar net të tëra pa gjumë. Ne kishim punuar shumë në teknikat e luftës dhe tani e kisha pjekurinë që kërkohej për ta fituar garën më të rëndësishme të jetës sime.

Asnjëherë s’më ka rrahur zemra më fort se me 7 Gusht të 2016-tës. Kur hyra në garë me italianen Odette Giuffrida, vetëm katër minuta më ndanin nga realizimi i ëndrrës jetësore. Asgjë s’do të më ndalte dhe medalja ishte e imja – këtë ia bëra vetes të qartë që nga momenti që e kuptova se jam në finale.

Deri këtu mund ta përshkruaj çdo ndodhi të jetës sime me fjalë. Por momentin e fitores, jo. U përfshiva nga emocionet më të forta që mund t’i ndjejë një njeri. Kam derdhur lot gëzimi dhe ajo që po ndodhte më duhej si ngjarje e një bote tjetër dhe sikur s’po më ndodhte mua.

Natën e fitores e kam kaluar duke i parë videot e garës dhe fotografitë – sikur më duhej ta bindja veten që “Po Majlinda, ti je kampione olimpike. Ti e fitove garën. Ti ishte aty, nuk është ëndërr”.

Teksa po ju drejtohem juve, po më vijnë ndërmend të gjitha vështirësitë që kam kaluar. Gjatë karrierës jam lënduar fizikisht aq shumë sa më pamundësoheshin stërvitjet e edhe pjesëmarrja nëpër gara. Mjekët në Prishtinë më thoshin se nëse nuk e lë sportin tani, trupi im s’do ta përballojë më dhe se rrezikoja të paralizohem.

Ata flisnin dhe më dukej sikur s’e kishin me mua. Besimi në veten dhe të ardhmen time, më mbajti në sport. E kisha bindjen që gjithçka në karrierë do të shkonte mirë. Isha tejet e kujdesshme me stërvitjet dhe mundohesha që ta shfrytëzoja në maksimum çdo potencial timin.

Mua më motivon suksesi. Më pëlqen të dominoj e të tregoj sukses sepse e di se ashtu i bëj të lumtur njerëzit që më kanë përkrahur në gjithë rrugëtimin tim. E dua suksesin tim edhe për vendlindjen time.

Muret e palestrës sonë në Pejë mund të mos jenë më të bukurat, e as dyshemetë mund të mos jenë të duhurat. Por unë doja t’i tregoja botës e edhe rinisë së Kosovës, që s’ka justifikime. Infrastruktura e mirë e miliona investime, ishin rrethanore. Doja ta dëshmoja se një kampione olimpike nga Kosova është e mundur.

Të dashura vajza,

Për çdo rrugë që e zgjidhni ta ndiqni në jetë, kam vetëm dy gjëra për t’ua thënë: punoni shumë dhe mos hiqni dorë edhe atëherë kur gjërat duken të pamundura.

Zhgënjime do të ketë. Edhe dyer të mbyllura dhe grupe njerëzish që do t’ua bëjnë rrugën vështirë të kalueshme. Mirëpo kjo është e bukura. Çdo sfidë e kaluar shndërrohet në mësimin e radhës.

Mblidhni vështirësitë dhe shndërrojini në forcë. Guxoni të ëndërroni dhe vraponi fuqishëm pas ëndrrës tuaj.

Dikur shpresoja që të mos jem e vetmja medaliste e artë e Kosovës. Nga Tokio u kthyem edhe me dy medalje të arta. Tani Kosova i ka tri. Nuk mund të isha më e lumtur e më krenare se kaq, meqë Nora e Distria u bënë të arta nga olimpiada e fundit.

Besoj fuqishëm që unë kam qenë vetëm e para e shumë medaljeve të arta që do të vijnë për Kosovën.

E juaja,

Majlinda Kelmendi

Lajmet

Aktori Christian Bale duket thuajse i panjohur rrugëve të Atlantas, teksa po xhiron filmin e ri

Published

on

Një nga yjet më të mëdhenj të Hollywood-it është shfaqur i paidentifikueshëm në xhirimet e filmit të ri biografik me temë sportive por a mund ta dalloni kush është?

Aktori 51-vjeçar është parë i veshur me një xhaketë të zezë prej lëkure, me flokë të lëmuar pas dhe duke mbajtur tre unaza të Super Bowl-it në xhirimet e filmit të tij më të ri, shkruan The Sun.

Ky fitues i çmimit Oscar kishte një pamje ndryshe nga ajo me të cilën jemi mësuar ta shohim si zemërthyes klasik, teksa po xhironte të mërkurën në Atlanta.

Ylli i njohur është fotografuar duke shëtitur në setin e filmit me një shprehje goje të hapur në fytyrë.

Por, a e zbuluat se për cilin aktor bëhet fjalë? As më pak e as më shumë, është ylli i filmit Batman, Christian Bale.

Aktori i famshëm është duke xhiruar skena për filmin e tij të ri të titulluar Madden, ku luan përkrah yllit tjetër amerikan, Nicolas Cage, në një projekt shumë të përfolur të regjisorit David O. Russell. Në rolin e tij, Christian Bale i ngjan shumë personazhit real që portretizon – të ndjerit Al Davis, pronari dhe menaxheri legjendar i ekipit Oakland Raiders. Bale shihej me një pamje të zbehtë dhe me fytyrë të skuqur, karakteristike për Davis.

Ndërkohë, Nicolas Cage është parë në set i veshur me një kostum special që e bënte të dukej më i shëndoshë, me flokë të gjatë, duke interpretuar trajnerin e famshëm të Raiders dhe më pas transmetuesin legjendar të NFL-it, John Madden.

Në film marrin pjesë edhe komediani John Mulaney në rolin e Trip Hawkins, themeluesit të Electronic Arts, si dhe aktorja britanike Sienna Miller, e cila luan Carol Davis, bashkëshorten e Al Davis.

Sipas një deklarate nga Amazon, “Filmi ndjek rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Madden – nga partneriteti i suksesshëm në Super Bowl me Al Davis dhe ekipin Raiders, te krijimi i lojës së famshme Madden NFL, e deri tek shndërrimi në një nga zërat më ikonë në historinë e futbollit amerikan”.

Fansat e NFL-it kanë reaguar me habi ndaj transformimit të Christian Bale dhe Nicolas Cage për rolet e tyre.

“Prisni pak, a është kjo e vërtetë?”, shkroi një përdorues. “Ata s’duken aspak si vetja e tyre e vërtetë”, komentoi një tjetër. “Jo, nuk ka mundësi që ky të jetë John Madden!”, shtoi dikush tjetër i habitur.

Filmi Madden është i drejtuar nga David O. Russell, i cili ka qenë i nominuar për çmimin Oscar me filmat si The Fighter dhe Silver Linings Playbook.

Ai gjithashtu ka shkruar skenarin e këtij filmi, i cili është i bazuar në jetën e vërtetë të John Madden – nga koha si trajner i NFL-it, tek karriera si komentator dhe më pas fytyra ikonë e lojërave video Madden NFL të EA Sports.

Madden ndërroi jetë në dhjetor të vitit 2021, në moshën 85-vjeçare. Në film përfshihet edhe jeta e Al Davis – pronarit karizmatik të Raiders, i njohur për moton e tij të famshme: “Fitoni, thjesht fitoni, baby.” Davis ndërroi jetë në tetor të vitit 2011, në moshën 82-vjeçare për shkak të dështimit të zemrës.

Në prill të kaluar, u bë e ditur se roli i Madden do t’i besohej Nicolas Cage, ndërsa më vonë u konfirmua se Christian Bale do të portretizonte Al Davis. /

Continue Reading

Lajmet

Tërnava u uron besimtarëve Kurban Bajramin

Published

on

By

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka uruar besimtarët për Festën e Kurban Bajramit, duke u bërë thirrje për më shumë mirësi mes tyre.

Në urimin e tij tradicional në prag të Festës së Bajramit të Vogël, Tërnava tha se kjo festë është përkujtim i sakrificës të profetit Ibrahim, “i cili ishte i gatshëm të flijonte më të dashurin e tij për hir të Zotit të madhërishëm, e i cili na mësoi se besimi i vërtetë nuk njeh kufi e as frikë nga sprovat, por gjen kuptimin e lartë pikërisht në dorëzimin ndaj vullnetit hyjnor të Zotit”.

Në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë dhe bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron në frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë”, tha ai.

Myftiu Tërnava tha se Kurban Bajrami është festë fetare, por bart edhe mesazhe të thella shoqërore dhe atdhetare.

Festa e Bajramit nuk kufizohet vetëm me adhurim, por ajo kontribuon në forcimin e vlerave që ndërtojnë shoqërinë dhe forcojnë atdheun”, u shpreh ai.

Festa e Kurban Bajramit karakterizohet me therjen e kubanit dhe kryerjen e haxhillëkut.

Sot, kur miliona besimtarë janë në tokën e shenjtë të Mekës dhe ku do ta kalojnë këtë ditë në rrafshnaltën e Arafatit dhe në mesin e tyre gjenden edhe haxhilerët nga Kosova, të cilët janë duke e përjetuar haxhillëkun – udhëtimin e jetës – me lutjet e tyre drejtuar krijuesit për falje gabimesh, shëndet dhe mirëqenie për familjet e tyre, për popullin tonë dhe siguri për vatanin tonë”, tha Tërnava.

Haxhillëku ka nisur më 4 qershor dhe besimtarët myslimanë do të kryejnë rite fetare në Mekë deri më 8 qershor. Këtë vit, më shumë se 1.5 milion pelegrinë po marrin pjesë në ritualin më të rëndësishëm të Islamit./REL/

Continue Reading

Lajmet

​Bajrami: Nuk kemi nevojë që ta përsërisim një proces zgjedhor

Published

on

By

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami deklaroi se nuk ka nevojë që të përsëritet sërish një proces zgjedhor. Sipas tij, qëndrimi i LDK-së është që ketë konstituim të institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, teksa shtoi se bashkimi i dy palë zgjedhjeve do të shkaktonte probleme të mëdha.

Kështu u shpreh deputetetja Bajrami, pas dështimit për herë të 27-të për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Unë mendoj që ne veç sa e kemi kaluar një proces të zgjedhjeve nacionale, në fakt edhe si parti e kemi të njëjtin qëndrim dhe duhet të bëhet konstituimi i institucioneve të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Nuk kemi nevojë që ta përsërisim një proces zgjedhor, sepse nuk mund të priten as edhe ndryshime të mëdha. Në ndërkohë ne e dimë të gjithë procesin tejet të ndërlikuar dhe kohën që e ka marrë për numërim të votave nga ana e KQZ-së. Bashkimi i dy palë zgjedhjeve në një periudhë të caktuara do të shkaktonte probleme të mëdha dhe ka shumë mundësi që zgjedhje të tilla mandej edhe të mos pranohen nga ndonjë subjekt”, u shpreh Bajrami.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se degët e LDK-së në komuna janë në procesin konsulatativ për paraqitjen e kandidaturave për kryetar komunash.

Nuk janë përcaktuar emrat, janë mbajtur takime të përbashkëta me kryesinë dhe kryetarët e degëve, gjithashtu me kryetarin dhe kryetarët e degëve, e kemi ndarë procesin në tri faza. Dhe tani janë komunat, degët e LDK-së në gjitha komunat në Kosovë të cilat janë në fazën e procesit konsultativ, disa prej tyre veç i kanë paraqitur kandidaturat, disa të tjera janë në proces”, shtoi Bajrami.

Continue Reading

Lajmet

Kryeziu-Hyseni: Qëllimi i partive opozitare nuk është zgjidhja por vazhdimi i bllokadës

Published

on

By

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni ka thënë se qëllimi i partive që deri tani ishin në opozitë nuk është formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, mirëpo vazhdimi i bllokadës dhe krizës politike.

Pas dështimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit për herë të 27-të, ajo tha se këto parti parlamentare qëllimshëm nuk po marrin pjesë në votim për formimin e komisionit verifikues për zgjedhjen në mënyrë të fshehur të kryeparlamentarit.

Qëllimi i partive opozitare nuk është zgjidhja por vazhdimi i bllokadës që ata vet e kanë krijuar qysh në fillim të sagës së këtyre seancave të vazhdueshme. Fillmimisht kanë refuzuar komisionin për verifikimin e mandateve dhe më pastaj duke refuzuar të marrin pjesë në votim për komisionin verifikues për votim të fshehtë të kryeparlamentarit”, tha ajo.

Madje, Kryeziu-Hyseni para gazetarëve tha se në procesin e zgjedhjes së nënkryetarëve ata nuk do të votojnë për asnjë deputetë të LDK-së, kurse për ata të PDK-së tha se votojnë vetëm Nait Hasanin dhe Sala Jasharin.

Është qëndrim i joni që nuk do të votojmë asnjë emër tjetër nga radhët e PDK-së përveç Nait Hasanit dhe Sala Jasharit. Ndërkohë që edhe ne kemi vendosur reciprocitet ndaj LDK-së dhe nuk pranojmë asnjë propozim nga ana e tyre. Nëse duam që të hyjmë në ciklin e dëshirave dhe të shndërrojmë Kuvendin në vend të dëshirave, e jo në vend të numrave atëherë le të vendosim këso lloj kriteresh”, tha ajo./KosovaPress/

Continue Reading

Të kërkuara