Op-Ed

Mbi turizmin në Shqipëri: Patriotët kujdestarë, për ata që e duan me zemër dhe ata që e shohin dhe e ndjejnë nga distanca vlerën e turizmit

Published

on

Nga Musa Sabedini

Ditëve të fundit është bërë çështje problematike krejt e panevojshme dhe madje për mua humbje kohe, mbi turizmin në Shqipëri, mbi propagandat e ulëta dhe mbi gjendjen reale në Shqipëri, dhe mbi faktet e pamohueshme që Shqipëria në të ardhmen duhet të përballet me gjendjen reale.

Meqë brenda vitit sigurisht frekuentoj mbi 12 herë në bregdetin shqiptar, e njoh mirë situatën atje dhe asnjë lajm, kronikë, apo dokumentar nuk mund ta dëmtoj apo pengoj shkuarjen e kosovarëve në Shqipëri.

Kosovarët mund të pengohen, dëmtohen, torturohen vetëm nga sjelljet e vendasve, çmimet e pakontrolluara dhe lojërat e shpeshta me ndjenjat e pushuesve. Pra, Shqipëria duhet ta ndryshojë strategjinë mbi turizmin, sidomos ndaj kosovarëve sepse nëse njëherë e ke mashtruar apo gënjyer kosovarin, ai nuk të harron lehtë ose anasjelltas. Vëllezërit tanë në Shqipëri duhet ta kuptojnë se ne bëjmë nga katër deri në tetë orë rrugë të lodhur e me rreziqe të shumta për ta shijuar ujin e ngrohtë të bregdetit shqiptar. Liberalizimi i vizave e ka frenuar në një masë të madhe frekuentimin masiv të kosovarëve drejt bregdetit shqiptar, por kjo nuk zgjatë shumë sepse vlerat që i ka deti i Shqipërisë nuk i ka asnjë vend përreth.

Krejt çka duhet të investohet nga shteti shqiptar është cilësia, vlera dhe mikpritja më e ngrohtë për pushuesit kosovar. Kjo nuk do të thotë se ka munguar ose mungon mikpritja, por koha e sezonës kërkon një përkushtim dhe përgjegjësi më të avancuar, kundrejt kërkesave të pushuesve kosovar. Politikanë, gazetarë, qytetarë, vëzhgues pasiv, komentues të kot në rrjetet sociale e të tjerë, ditëve të fundit janë marrë me një fenomen, që në dukje të parë duket shumë i ulët dhe pa asnjë fitore të taborëve të ndryshëm. “Plazhet bosh”, “Mungojnë pushuesit kosovar”, “Çmimet e larta largojë pushuesit”, “Shezllonet me çmime astronomike”, pra janë vetëm disa nga titujt që u pushtuan nga portalet, duke mos e pasur asnjë fitim nga ky muhabet shterpë.

E vërteta është se mbi turizmin në Shqipëri duhet të flitet, duhet të debatohet shtruar dhe pa asnjë ngarkesë sepse turizmi mendoj unë, pak a shumë është brengë e përbashkët, në këtë rast të kosovarëve si pushues dhe të vendasve si mikpritës. Pra çështjen e trajtoj ose do ta orientoj në këtë pikë. Se turizmi në Shqipëri lëngon prej shumë vitesh nga gjëra të thjeshta, por shumë të domosdoshme për një pushues, kushdo qoftë ai dhe ky shpjegim imi as është ndërtuar nëpër laboratorët e Rusisë e Serbisë, siç kanë dëshirë ta përshkruajnë “patriotët kujdestarë” e të gjitha kohërave, që nuk pajtohen asnjëherë me ndonjë vlerësim, që ata mendojnë se dëmtohet Shqipëria.

Unë asnjëherë s’jam pajtuar edhe me këto video-lojërat e momentit që bëhen virale në situata të ndryshme në bregdetin shqiptar. Pushues do të ketë gjithmonë në Shqipëri dhe këtë fakt se ndalon askush, por ne mund të flasim për ngritjen e cilësisë së shërbimeve në hoteleritë, apartamentet private, plazhet që shpesh janë të papastra, mungesa e energjisë elektrike deri në tetë orë në ditë, mungesa e infrastrukturës, etj.

Kam frekuentuar ose qëndruar edhe në hotele të 200 eurove për një natë, po edhe në hotele nga 70 euro e tutje dhe asnjëherë s’e pashë ose nuk e takova te dera e hotelit një person apo shoqërues që do të thotë “Mirëserdhe zotëri”. Pse mungon ky gjest mikpritjeje asnjëherë se kam kuptuar. Do të duhej që në rate të tilla një shoqërues të shprehet: “Mirë se erdhe vëlla dhe kaloni qaste të mira në ambientet tona”, mungon ky detaj në çdo cep të bregdetit. Duhet ta keni parasysh se pushuesi kosovar zgjohet në 5 të mëngjesit për të mbërri në plazh, vjen i lodhur, i rraskapitur dhe momenti i parë ose kontakti i parë atij i kërkohet pagesa dhe netët e qëndrimit.

Janë elemente dhe cikërrima periferike, por që kanë peshë te pushuesit. Më rastisi të jem natën finale të kampionatit evropian në Shëngjin. Një hotel bukur luksoz ku hyra për të pirë kafe, mezi më shërbyen me arsyetimin se janë të rezervuara tavolinat. Ngula këmbë dhe qëndrova derisa e përfundova kafenë. Përballë ose në hyrje të hotelit luksoz ishin hiç më pak se 30 thasë mbeturina, ndërsa ngjitur pothuajse pushuesi kosovar që ishte me familje po kryente ushqimin e pasditës. Kjo nuk është propagandë as diçka që e dëmton turizmin, përkundrazi ua hap sytë pronarëve, që kujdesi ndaj klientëve duhet të jetë maksimal dhe jo të shihen apo trajtohen si punë leku. Pa humbur kohë turizmi në Shqipëri mund të dëmtohet e lëndohet vetëm nga vendasit, pra nga personat e parë që kanë kontakt me pushuesit, këtu hynë kamerierët, stafi i hotelit, mbikëqyrësi i plazhit, kuzhina dhe pjesa e ushqimit.

Shqipëria po ec shpejt, por krahas kësaj ajo duhet të kujdeset urgjentisht për cilësi në ushqime, cilësi në sjellje e mirësjellje, cilësi e shtim të sigurisë, kujdes maksimal në urgjenca mjekësore, shmangie e tollovi të trafikut, balanci i çmimeve ose ruajtja e tyre, sigurimi i energjisë elektrike, kujdestari 24 orë të largimit të mbeturinave nga kontejnerët, që kundërmojnë erë të tmerrshme. Atëherë pse mos t’i debatojmë hapur këto situata absurdi dhe situata që me pak përgjegjësi institucionale dhe kujdes shtetëror mund të eliminohen. Nuk besoj që ka ndonjë kosovar, me përjashtim të Agjencive Turistike, që tek e fundit e kanë biznes vajtje ardhjet në Shqipëri, dëshirojnë apo i gëzohen situatave kur plazhet mund të duken të zbrazëta.

Unë takova disa pronarë të hoteleve dhe më thanë me shqetësim se sivjet ka rënie të numrit të turistëve, krahasuar me vitin e kaluar dhe kjo dukej qartë. Tjetër janë dronët e Edi Ramës, i cili pa pikë nevoje mundohet të tregojë situatën ndryshe. Në vend që Edi Rama të investojë miliona në ngritjen e cilësisë së shërbimeve, të paktën në trotuaret publike, që duken jo të mirëmbajtur sa duhet dhe të krijojë e mundësojë rend e rregull edhe në trafik.

Më pëlqeu kolegu nga Tirana, Lutfi Dervishi, i cili me shembuj konkret kishte ngritur shqetësimin serioz të siç është shprehur ai :“Shkatërrimit të turizmit në jug” pikërisht nga pasoja e ngritjes së çmimeve. E dëgjova edhe këtë teori se biznesmen nga Vlora kishin ardhur në Shëngjin dhe u kanë bërë presion hoteleve të atjeshme që të ngrisin çmimet e dhomave dhe kjo më është argumentuar nga disa pronar shumë serioz.

Tani, a duhet të brengosemi për mungesën e pushuesve, që mund të jetë e përkohshme apo duhet të brengosemi për të gjitha ato shqetësime, e dilema që i prezantova më lart. Bindja ime bazohet vetëm në gjetjet faktike që turizmi në Shqipëri, ka nevojë për reforma hoteliere, komunikim modern dhe qasje në komunikim në të gjitha platformat.

Tani dhe një shembull shumë periferik, por që pushuesit kosovar i kushton shumë. Shumë hotele kanë mungesë të recepsionistëve ose kanë mungesë stafi. Dhe nëse ti i thirr në tel ose Viber apo WhatsApp në 90% të rasteve nuk e hapin telefonin dhe të sugjerojnë që të shkruash mesazh. Mungesa e kamerierëve profesionistë është shumë evidente dhe ata përbëjnë një peisazh të rëndësishëm të asaj që quhet turizëm me nivel cilësor. Kamarierët janë shumë “agresiv” dhe nuk kanë dëshirë të humbin shumë kohë me ty sepse nuk e kanë mendjen fare aty, ata e shohin vetën të përkohshëm dhe jo si pjesë e pandashme e hotelit, ku punon e paguhet.

Nga ky mal problemesh tani në sfond na dalin “mbrojtësit kujdestarë” ata patriotët me bateria që sulmojnë çdo personalitet, që jep një mendim ndryshe ose të paktën tregon gjendjen reale. Unë nuk i thash, e as i përshkrova as 20% të defekteve, që ka turizmi në Shqipëri sepse për mua sido që të jetë gjendja atje, unë e dua, e përjetoj dhe e ndjej bregdetin shqiptar.

Nëse pushuesi kosovar ose kushdo qoftë ai del herët në mëngjes, për të ecur skaj plazhit qysh në start do të bëhet nervoz sepse e sheh se asnjë nga plazhet nuk janë të pastruara, veti kjo shumë e dëmshme dhe neveritëse. Ose kur në mbrëmje ke dëshirë për të ecur trotuareve publike, do të kënaqesh me kundërmimin e kontenierëve të papastër.

Të bëhemi real këto bashkitë e ato kompanitë publike që paguhen nuk e kryejnë as 10% punën e tyre. Jam i lidhur me atë hapësirë shqiptare dhe dëshirojë që ta shoh të ngritur e të avancuar çdo pjesë të bregdetit në Shqipëri, duke lejuar këtu edhe mendime ndryshe dhe ide e propozime, që mund të ndikojnë pozitivisht, për ta ndryshuar rrëmujën që po shkaktohet nga vetë vëllezërit tanë.

Unë kam përjetuar edhe momente e situata të pakëndshme, gjatë këtyre 24 viteve dhe nuk i takojë kategorisë së kolegëve të mi, që ngarendin pas reklamave dhe detin e shijojnë vetëm nga kafiteritë, thjesht flas nga përvoja ime e përjetuar, por pavarësisht kësaj bregdeti shqiptar për mua mbetet prioriteti kryesor sepse e dua me zemër, e dua me shpirt dhe nuk më bëjnë përshtypje tek e fundit finesat e vogla, anipse me pak syqeltësi ato mund të evitohen nga vëllezërit tanë.

Autori është ligjërues në degën e Media dhe Komunikim në UBT

Op-Ed

A është Putini vërtet i interesuar për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë?

Published

on

By

Shkruan: Alfred Marleku

Presidenti rus, Vladimir Putin, së fundmi ka shprehur mbështetje të kushtëzuar për propozimin amerikan, i cili më parë është pranuar edhe nga pala ukrainase, për një armëpushim të përkohshëm në Ukrainë. Megjithatë, ekzistojnë disa arsye kokëforta dhe strategjike që shpjegojnë se përse Putinit në fakt nuk i konvenon një marrëveshje e tillë, edhe pse ai me elegancë diplomatike dhe për të mos ofenduar Presidentin Trump, pohoi se është një propozim “me vend”.

Rusia ka aktualisht një avantazh strategjik në terren. Forcat ruse kanë arritur të rikthejnë gradualisht territore të humbura më parë dhe momentalisht janë në një pozicion të favorshëm për të forcuar më tej kontrollin e tyre në rajone strategjike. Sipas burimeve të shumta, në rajonin e Kurskut dhe në lindje të Ukrainës, forcat ruse janë afër spastrimit të plotë të forcave ukrainase pas muajsh të tërë inkursionesh të dështuara nga pala ukrainase. Në këtë kontekst, një armëpushim tani do të lejonte Ukrainën të rimarr frymë, të siguroj mbështetje shtesë ushtarake nga aleatët perëndimorë dhe të përgatitet për kundërofensivë, duke rrezikuar humbjen e avantazhit që Moska ka fituar me shumë kosto.

Putini e specifikoj se çdo marrëveshje për armëpushim duhet të çoj në “paqe të qëndrueshme dhe të eliminoj shkaqet rrënjësore të krizës”. Por, ajo që ai e quan “shkaqe rrënjësore” janë në fakt kërkesat maksimale të Rusisë ndaj Ukrainës dhe Perëndimit. Ndër këto kërkesa, e para është mosanëtarësimi i Ukrainës në NATO. Që prej fillimit të konfliktit, Kremlini ka theksuar se anëtarësimi i Ukrainës në NATO përbën kërcënimin kryesor ndaj sigurisë kombëtare të Rusisë dhe se një Ukrainë e lidhur me aleancën ushtarake perëndimore është e papranueshme për Moskën. Rusia kërkon një Ukrainë neutrale sa i përket rreshtimeve ushtarake, pra një shtet që nuk lidhet me asnjë bllok ushtarak dhe që nuk pranon trupa të huaja në territorin e saj.

Një tjetër kërkesë qendrore e Rusisë është njohja zyrtare si territor rus e rajoneve që Moska i ka aneksuar. Donetsku, Luhansku, Khersoni, Zaporizhzhia dhe Krimea konsiderohen nga Putini si pjesë integrale e Federatës Ruse dhe çdo armëpushim, sipas Moskës, duhet ta përfshijë pranimin e këtij realiteti të krijuar me forcë. Kjo kërkesë, natyrisht, bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe me vetë parimet e sovranitetit të Ukrainës.

Një kusht tjetër i shpallur nga Kremlini është refuzimi kategorik i vendosjes së trupave paqeruajtëse ndërkombëtare në Ukrainë. Rusia kundërshton çdo ide që do të sillte forca ndërkombëtare për të garantuar armëpushimin ose për të mbikëqyrur zbatimin e tij, pasi kjo do të dobësonte kontrollin rus dhe do të nënkuptonte pranimin e një roli të drejtpërdrejtë të Perëndimit në zgjidhjen e krizës.

Në këtë sfond, edhe pse Putin deklaron publikisht se “në parim” pajtohet me propozimet për ndalim të luftimeve, ai njëkohësisht thekson se “armëpushimi duhet të çojë në paqe të qëndrueshme”, duke përsëritur se shumë çështje mbeten të hapura dhe se çdo marrëveshje duhet të garantoj sigurinë afatgjatë të Rusisë. Në të vërtetë, këto janë vetëm mënyra diplomatike për të thënë se pa plotësimin e këtyre kërkesave, armëpushimi nuk është realisht i mundshëm.

   

 

Autori është profesor i Shkencave Politike

 

Continue Reading

Op-Ed

Arabia Saudite si sinjal i qartë strategjik nga ShBA-ja

Published

on

By

Shkruan: Alfred Marleku

Takimi i nivelit të lartë mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë në Arabinë Saudite ka provokuar supozime mbi sinjalet strategjike që Uashingtoni dëshiron të përcjellë përmes përzgjedhjes së këtij lokacioni. Në vend që negociatat të mbaheshin në një kryeqytet evropian, siç ka qenë praktikë e zakonshme për çështje të lidhura me luftën në Ukrainë, ShBA-ja ka zgjedhur Riadin si arenën diplomatike për këto bisedime. Ky vendim reflekton një lëvizje të qëllimshme në strategjinë globale të Uashingtonit, e cila shkon përtej Ukrainës dhe përfshin balancimin e fuqisë në skenën ndërkombëtare.

Një nga arsyet kryesore për zgjedhjen e Arabisë Saudite është sinjalizimi i një zhvendosjeje të interesave strategjike të ShBA-së nga Evropa drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme. Lufta për dominim global nuk është më e kufizuar në konfliktin Rusi-Ukrainë, por përfshin garën për hegjemoni mes ShBA-së dhe Kinës. Uashingtoni e kupton se sfida kryesore dhe afatgjate nuk është Rusia, por Kina, një rival i aftë të sfidoj epërsinë amerikane në aspektin ekonomik, teknologjik dhe ushtarak. Për këtë arsye, ShBA-të po përpiqen të ripërcaktojnë prioritetet e tyre duke e zhvendosur fokusin në Indo-Paqësor dhe Lindjen e Mesme, ku ndikimi kinez është në rritje. Këtë e mbështet edhe deklarata e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili deklaroi se evropianët nuk mund të supozojnë se prania ushtarake e Amerikës në kontinent do të zgjasë përgjithmonë.

Një tjetër mesazh i qartë i këtij takimi është dobësimi i rolit të Evropës në negociatat për të ardhmen e Ukrainës. Që nga fillimi i luftës në vitin 2022, vendet evropiane janë rreshtuar pas Uashingtonit, duke mbështetur Kievin me ndihma ushtarake, humanitare e financiare. Megjithatë, zgjedhja e Arabisë Saudite për këto bisedime nënkupton se ShBA-ja nuk e sheh më Evropën si një aktor kryesor në formësimin e një marrëveshjeje të mundshme. Në vend që të lejoj Brukselin ose ndonjë tjetër kryeqytet evropian të ndikoj dialogun me Moskën, Uashingtoni e pozicionon veten si arbitri ekskluziv i çdo zgjidhjeje të mundshme. Kjo i jep Shteteve të Bashkuara fleksibilitet më të madh për të manovruar sipas interesave të veta, pa qenë i detyruar të marrë parasysh shqetësimet evropiane.

Për më tepër, shumë vende evropiane që për dekada të tëra kishin ruajtur statusin e neutralitetit ushtarak, si Finlanda dhe Suedia, të shtyra nga pushtimi rus i Ukrainës, e braktisën këtë status për t’u anëtarësuar në NATO. Ky ndryshim ka ndikuar në perceptimin e tyre si ndërmjetës të mundshëm në negociatat për të ardhmen e Ukrainës, duke e dobësuar rolin e tyre si vende të përshtatshme për të ndërmjetësuar në bisedimet diplomatike.

Ndërkohë, Arabia Saudite ka ambicie të qarta për t’u pozicionuar si lojtar kyç në diplomacinë globale. Ky takim i jep Riadit një platformë për të forcuar statusin e tij si ndërmjetës në konfliktet ndërkombëtare, duke konsoliduar pozitën e tij si një fuqi rajonale me ndikim global. Për ShBA-në, afrimi me Arabinë Saudite është një investim në një partner të fuqishëm që mund të ndihmoj në ekuilibrimin e pushtetit në Lindjen e Mesme.

Fakti që presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky nuk është ftuar në këtë fazë të bisedimeve ka shkaktuar alarm në Kiev dhe në kryeqytetet evropiane. Ukraina ka bërë të qartë se nuk do të pranoj asnjë marrëveshje që arrihet pa pjesëmarrjen e saj. Megjithatë, ky hap tregon qasjen realiste dhe pragmatiste të administratës amerikane. Uashingtoni po teston terrenin për mundësinë e një marrëveshjeje me Moskën për të ulur tensionet, pavarësisht qëndrimit të Kievit. Nëse kjo do të thotë një marrëveshje që e lë Ukrainën në një pozicion të pafavorshëm, kjo nuk do të jetë hera e parë që një fuqi e madhe sakrifikon interesat e një aleati më të vogël për të formësuar rendin ndërkombëtar sipas interesave të saj.

Zgjedhja e Arabisë Saudite si vend për negociatat mes ShBA-së dhe Rusisë për konfliktin në Ukrainë nuk është thjesht një çështje e përshtatshmërisë logjistike të palëve. Ajo përcjell mesazhe të qarta strategjike që përfshin zhvendosjen e vëmendjes gjeopolitike amerikane drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme, zbehjen e rolit të Evropës në bisedime dhe pozicionimin e ShBA-së si aktori kryesor në përpjekjet për një zgjidhje diplomatike. Për Ukrainën dhe Evropën ky zhvillim është një sinjal se duhet të marrin më shumë përgjegjësi për fatin dhe sigurinë e tyre në të ardhmen.

 

Autori është profesor i Teorisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Gjeopolitikës në Fakultetin e Shkencave Politike në UBT

Continue Reading

Op-Ed

Sabedini: Gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur, që etikën ta kem në plan të parë

Published

on

Prishtinë – Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe medias është ilaç për një shoqëri të emancipuar. Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë është shprehur profesori, gazetari e publicisti Musa Sabedini, në parathënien e librit: “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”.

Pjesë të shkëputura nga parathënia e autorit

Libri im i radhës, “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, po vjen në një kohë kur media kosovare në përgjithësi është e mbuluar dhe e përcjellë me shumë gabime e të meta, që shkojnë në dëm të etikës gazetareske.

Libri, gjithashtu, erdhi si rezultat i punës sime të palodhshme disavjeçare, gjatë së cilës jam përpjekur ta avancoj etikën, në të gjitha dimensionet.

Përvoja ime mbi 33-vjeçare në gazetarinë informative dhe atë hulumtuese, përvoja tjetër mbi 13-vjeçare si themelues i një portali me ndikim dhe po kaq vite si pjesë e Bordit të KMSHK-së, më mundësuan të mësoj shumë për gabimet e përditshme që bëjnë portalet dhe të metat e shumta, që shfaqen gjatë të bërit gazetari online.

Në libër kam shtjelluar e trajtuar rolin e etikës në gazetari, në media, rolin e etikës në jetën e përditshme, në shkrime e tekstet tona, që i plasojmë çdo çast. Etika është thelbi i gazetarisë profesionale, sepse nëse gazetari nuk ka etikë personale, ai do ta ketë të vështirë ta zbatojë etikën kolektive ose të respektuarit të etikës në jetën publike.

Jo rastësisht është thënë se pa etikë nuk ka gazetari. Etika është shpirti dhe detaji që e forcon çdo shkrim, kronikë, analizë apo tekst gazetaror. Nëse e kemi respektuar etikën, ne automatikisht jemi bërë përgjegjës ndaj vetes dhe ndaj lexuesve tanë. Etika e mirë, etika me autoritet në gazetari dhe medias është ilaç për një shoqëri të emancipuar.

Kuptohet etikën nuk duhet ta ruajnë apo ta avancojnë vetëm mediat e gazetarët, sepse ajo duhet të respektohet edhe nga lexuesit, dhe ata që i kemi sy e vesh, për punën tonë të përditshme. Etikën si teori ose etikën në gazetari e kam dashur qysh nga fillet e para të gazetarisë sime. Por kjo më hyri në shpirt kur startova me portalin tim, prej nga kisha mundësi të shihja gabime të shumta nga portalet e tjera, shikoja sesi etika sakatohej, keq e më keq, dhe askush nuk ndërmerrte masa.

Gjithmonë në jetën time profesionale jam përpjekur që etikën ta kem në plan të parë, pa anashkaluar shkrimin e fuqishëm ose hulumtues. Në vitin 2009 isha në SHBA, në një trajnim për gazetari hulumtuese, dhe atje pash se etika ishte tema e parë e çdo profesori që ligjëronte në degën e gazetarisë.

Jam përpjekur që libri të dalë i kompletuar, duke ofruar shumë nocione, përkufizime, udhëzime, agjenda e opinione nga më të ndryshmet, për dhe rreth etikës në gazetari. Kam marrë referenca nga qindra studiues amerikanë, kanadezë, japonezë, turq, gjermanë, austriakë, indianë, kroatë, shqiptarë, studiues e ekspertë të fushave të ndryshme që ndërlidhen me etikën. Pra, në libër kam trajtuar edhe shumë raste e shembuj të shkeljes së etikës dhe kam ofruar edhe raste se si duhet të ruhet etika.

Synim imi gjithmonë është alternativa e kompletuar, duke mos e lënë në qiell atë zotësinë, dijen e përvojën time të gjatë në gazetari. Kam folur me shumë kompetencë, mbi shumë dukuri devijante në gazetarinë online në Kosovë dhe në rajon dhe kam ofruar analiza, rezultate e pasqyra të dobishme për studentët, studiuesit, redaktorët e pronarët e portaleve.

Libri është ndërtuar nga arkiva ime shumëvjeçare, me katër çmime të fituara në fushën e gazetarisë hulumtuese dhe është kurorëzuar me vitet e fundit të jetës sime aktive në Kolegjin UBT, si ligjërues i katër lëndëve të gazetarisë, ku sigurisht që e kam avancuar edhe më shumë gazetarinë e nivelit akademik e studimor, duke marrë pjesë edhe në 12 konferenca me karakter ndërkombëtar.

Libri do të kishte efekt, nëse nga këto të meta e dobësi, që i kam përshkruar në detaje, të gjejnë zbatim në praktikë dhe në jetën e përditshme nga gjeneratat e reja të gazetarëve profesionistë. Unë kam bërë diçka, që deri më tani ka munguar në Kosovë, sepse libër për Etikë të gazetarisë, me përjashtim të përkthimeve, autorë shqiptarë, sa unë kam njohuri, nuk ka, por kjo nuk do të thotë që të mos ecet tutje. Të tjerëve u takon që të shkruajnë e të debatojnë për etikën në televizione, në radio, për etikën në komunikim etj.

Ndryshe libri ka tre kapituj dhe secili prej tyre ngërthen tema, që kryekëput ndërlidhen me Etikën.

Në kapitullin e parë kam trajtuar e ballafaquar teorinë mbi etikën, sferën e etikës, kodet dhe parimet e saj, përkufizimet e etikës, rëndësinë që ka ajo në gazetari, thelbi i etikës, rëndësia e saj, sfidat që bartë me vete, kam shkruar gjerë e gjatë mbi gjuhën e urrejtjes, dezinformimin, privatësinë, shpifjen, lajmet e rreme, për vlerat etike të lajmit, për parimet etike, për raportimin jo etik në mediet e Kosovës, për dëmet ligjore që shkakton etika, për shkeljet etike, për sfidat e gazetarisë etike.

Kurse, në kapitullin e dytë jam marrë me kredibilitetin e gazetarit, për etikën në gazetari e media, për plagjiaturën dhe copy-paste lajmet, kam ofruar shumë shembuj praktikë të portaleve që kanë bërë shkelje të kodeve të etikës, kam ofruar udhëzime e qëndrime të KMSHK-së, KPM-së, si dy mekanizma që merren me vetërregullimin e mediave online dhe atyre televizive, për etikën në foto, video dhe videografi, për sharjet e dhunën banale në televizionet tona, për vdekjet e personaliteteve nga bota, tek të cilët është shkelur etika dhe raste studimore të vdekjeve, edhe të njerëzve të famshëm në Kosovë, që ishin atakuar me shkelje të etikës nga mediat, për ndershmërinë e gazetarit dhe problemet që medie digjitale ka në zbatim të etikës, për avantazhet dhe disavantazhet e kodeve të etikës.

Edhe kapitulli i tretë përbëhet nga materiale interesante, ku kam trajtuar dilemat e etikës, për dëmet që sjell TikTok, për rrjetet sociale e mediat sociale, që përshkruhen me shkelje ekstreme të etikës, për etikën në Bllog dhe bllogerët, për abuzimin gjatë aksidenteve, vrasjeve, vetëvrasjeve, dhunës në familje, për vetërregullimin dhe standardet e medies online, për parimet më të pranuara etike, për konfliktin e interesit dhe kualitetin e portaleve në fushën e etikës etj

Mirënjohës e falënderues shumë miqve të mi, dhe atyre që më qëndruan afër me këshilla, e sugjerime profesionale dhe përkrahje tjera.

Musa Sabedini

Continue Reading

Op-Ed

Tensionet, barrierat dhe paqëndrueshmëria politike në Kosovën Veriore

Published

on

By

Prej vitit 2022, veriu i Kosovës ka përjetuar tensione të rënda, të nxitura nga çështje komplekse si mosmarrëveshjet për targat e makinave, braktisja e institucioneve të Kosovës nga komuniteti serb, dhe sfidat në funksionimin e institucioneve lokale dhe të pavarura si policia dhe gjykatat.

Tensionet kanë thelluar ndarjet etnike, duke krijuar pengesa serioze për integrimin dhe bashkëpunimin, sidomos midis komunitetit serbe  dhe qeverisë qendrore. Kjo situatë u përkeqësua edhe më tej kur komuniteti serb braktisi të gjitha institucionet qendrore dhe lokale me urdhra të drejtpërdrejta nga Beogradi. Largimi i tyre krijoi një vakuum institucional, duke rritur rrezikun për destabilizim dhe duke ndikuar negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve të kësaj zone. Përpjekjet e Kosovës për të mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme në 2023 u përballën me bojkotin e serbëve lokalë, duke rezultuar në zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë me një pjesëmarrje minimale të votuesve.

Në shtator 2023, situata arriti një pikë kritike me sulmin në Banjska nga terroristët serbë, që rezultoi në humbje jetësh dhe përshkallëzoi tensionet etnike dhe politike. Për më tepër, sulmi i fundit terrorist në kanalin ujor Ibër-Lepenc, një infrastrukturë jetike për furnizimin me ujë dhe energji elektrike në Kosovë, ka thelluar ndarjet dhe ka nxjerrë në pah rrezikun për stabilitetin në tërësi. Ky sulm, që synonte qartë të dëmtonte infrastrukturën kritike, tregoi përfshirjen e grupeve terroriste të mbështetura nga struktura politike dhe të sigurisë në Serbi.

Pas këtij akti të rëndë, autoritetet e Kosovës ndërmorën operacione të gjera duke arrestuar persona të përfshirë dhe duke sekuestruar armë e municione. Megjithatë, ndikimi i Beogradit në komunitetin serb lokal dhe frika nga grupet ekstremiste vazhdojnë të jenë një pengesë e madhe për stabilitetin dhe integrimin e plotë.

Rruga përpara!

Situata në veri të Kosovës kërkon veprime të qarta dhe të vendosura. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin presionin diplomatik mbi Serbinë për të ndalur mbështetjen ndaj grupeve që destabilizojnë jo vetëm Kosovën por edhe rajonin.

Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës duhet të thellojë koordinimin institucional dhe bashkëpunimin me partnerët Perëndimorë për të siguruar kontrollin e situatës dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve në veri. Çdo hap prapa apo boshllëk në këtë proces mund të rezultojë në pasoja më të rënda dhe të ndërlikuara për stabilitetin e përgjithshëm.

Adoptimi i një qasjeje të balancuar ndërmjet sigurisë dhe dialogut do të jetë çelësi për të siguruar paqe të qëndrueshme dhe për të adresuar shkaqet rrënjësore të tensioneve etnike e politike në këtë zonë të ndjeshme të Kosovës./UBTNews/

 

 

Shkruan: Prof. Dr. Dritero Arifi, politolog dhe profesor në Shkenca Politike

Continue Reading

Të kërkuara