Lajmet

Mbi 43 mijë të vdekur nga tërmetet në Turqi, hetohen ndërtuesit

Deri më tani janë identifikuar 564 të dyshuar, 160 persona janë arrestuar dhe shumë të tjerë janë duke u hetuar.

Published

on

Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu ka thënë se numri i të vdekurve pas tërmeteve shkatërruese të këtij muaji ka arritur në 43 mijë e 556.

Sipas Soylut, që nga tërmeti i parë i 6 shkurtit ka pasur edhe 7 mijë e 930 pasgoditje, ku më shumë se 600 mijë apartamente dhe 150 mijë ndërtesa tregtare kanë pësuar dëme.

Teksa vendi po përshpejton përgatitjet për strehimin e të prekurve nga tërmeti, ministri i Brendshëm ka njoftuar gjithashtu se pas tërmetit tragjik, Turqia do ta zgjerojë hetimin e saj ndaj kontraktuesve të ndërtimit që dyshohet se kanë shkelur rregullat e sigurisë.

Suleyman Soylu konstatoi se deri më tani janë identifikuar 564 të dyshuar, 160 persona janë arrestuar, dhe shumë të tjerë janë ende duke u hetuar.

“Qytetet tona do të ndërtohen në vendet e duhura, fëmijët tanë do të jetojnë në qytete më të forta. Ne e dimë se me çfarë lloj prove po përballemi dhe do të dalim më të fortë nga kjo”, tha ai për transmetuesin shtetëror TRT Haber.


Në më pak se një vit, presidenti Recep Tayyip Erdogan është zotuar se të ndërtojë shtëpi për të prekurit nga tërmetet. Erdogan ka 20 vjet që është në pushtet, dhe në plan është që pas katër muajsh të mbahen zgjedhjet.

Sondazhet e kryera përpara tërmetit zbuluan se ai ishte veçse ishte nën presion nga rritja e kostos së jetesës, e cila mund të përkeqësohet tani që prodhimi bujqësor është penguar nga katastrofa.

Soylu tha se rreth 313 mijë tenda janë ngritur deri më tani, ndërsa është paraparë që 100 mijë shtëpi kontejneri do të vendosen në zonën e tërmetit.

Për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset nga pasojat financiare të tërmetit që goditi jugun e vendit, Turqia prezantoi një sistem të përkohshëm të mbështetjes së pagave të mërkurën dhe ndaloi pezullimet nga puna në dhjetë qytete.

Tërmeti me magnitudë 7.8 ballësh i 6 shkurtit shkaktoi dëme të mëdha në qindra mijëra ndërtesa dhe la miliona të pastrehë.

Sipas deklaratës së Erdogan të martën, rreth 865 mijë njerëz janë duke jetuar në tenda, 23 mijë e 500 në shtëpi kontejnerë dhe 376 mijë janë duke qëndruar në bujtina publike dhe konvikte për studentët jashtë zonës së tërmetit.

Ministri i Urbanizmit i Turqisë, Murat Kurum, ka bërë të ditur se 164 mijë ndërtesa, me më shumë se 530 mijë banesa, janë shkatërruar apo janë dëmtuar rëndë nga tërmeti. Qeveria turke tashmë ka nisur proceset e kontraktimit për ndërtimin e banesave të reja në zonën e goditur, ka shtuar Kurum./REL

Lajmet

“French Business Day”, promovon Kosovën si destinacion investimesh

Published

on

Këshilli i Investitorëve Europian ka organizuar eventin, “French Business Day”, që synon të promovojë Kosovën si destinacion investimesh, të fuqizojë dialogun publiko-privat dhe të kontribuojë në thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare ndërmjet Kosovës dhe Francës.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, diplomacisë franceze dhe komunitetit të biznesit, ndërsa u theksua rëndësia e krijimit të partneriteteve afatgjata, rritjes së investimeve dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Ditën e Biznesit Francez ka thënë se Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore, e hapur për investime serioze si dhe ka theksuar se po zgjerohet mundësia tregtare me Evropën, Rajonin dhe më gjerë.

Kurti në fjalën e tij, tha se Kosova tani ka stabilitet institucional.

“Kosova është e gatshme për partneritete të mëdha infrastrukturore. Kosova është e hapur për investime serioze. Kosova po zgjeron mundësitë tregtare me Evropën, rajonin dhe më gjerë. Vendi ynë, Republika e Kosovës, është një shtet i pavarur dhe i konsoliduar me orientim të qartë evropian dhe tashmë kemi edhe stabilitet institucional, i cili dëshirohet aq shumë nga bizneset, meqenëse ofron siguri publike, para shikueshmëri dhe disiplinë të fortë fiskale”, ka thënë ai.

Tutje Kurti u shpreh se bashkëpunimi duhet të ndërtohet mbi besimin.

“Sepse besimi nuk është vetëm vlerë, është avantazh ekonomik. Në një botë të paqëndrueshme, të ndikuar nga tensionet gjeopolitike, transformimet teknologjike dhe rregullimi i fragmentuar, integriteti nuk është vetëm përmbushje rregullash, integriteti është konkurrueshmëri”, tha ai.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, theksoi se interesi i kompanive franceze dëshmon atraktivitetin e vendit.

Ai shtoi se marrëdhëniet ndërmjet Francës dhe Kosovës janë të forta.

“Është gjithashtu një vend me të cilin Franca mban një marrëdhënie shumë, shumë pozitive, një partner, por edhe më tepër një vend mik. Kjo marrëdhënie mbështetet në lidhje njerëzore me diasporën  e cila është padyshim e dukshme mes nesh dhe në lidhje kulturore”, tha ai.

Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë, Emrush Ujkani, tha se platforma ishte përgatitur përmes një procesi të gjatë konsultimesh.

“Ambicia jonë është të nxisim lidhje domethënëse, të promovojmë investime dhe mundësi, si dhe të inkurajojmë inovacionin në këta sektorë, nga financat dhe energjia deri te infrastruktura, mobiliteti dhe teknologjia. Ne besojmë fuqishëm se duke bashkuar institucionet publike, partnerët ndërkombëtarë dhe sektorin privat, mund t’i shndërrojmë interesat e përbashkëta në projekte konkrete”, tha ai.

Në kuadër të eventit “French Business Day”, Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, theksoi se Kosova ofron mundësi të favorshme për investitorët francezë dhe po forcon pozicionin e saj si destinacion konkurrues për bizneset ndërkombëtare, raporton Ekonomia Online.

Ajo nënvizoi se ekonomia e Kosovës ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, me rritje mesatare të PBB-së më të lartë në Ballkanin Perëndimor gjatë tre viteve të fundit, dyfishim të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, inflacion të ulët dhe borxh publik më të ulët në rajon.

“Duke zgjedhur Kosovën, kompanitë franceze forcojnë zinxhirët e furnizimit të Evropës, zvogëlojnë varësinë nga tregjet e largëta dhe fitojnë një partner të besueshëm në zemër të Ballkanit. Ekonomia e Kosovës ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Gjatë tre viteve të fundit, PBB-ja jonë është rritur me mesataren më të lartë në Ballkanin Perëndimor. Eksportet dhe investimet e huaja direkte janë dyfishuar, ndërsa inflacioni mbetet i ulët dhe borxhi publik është më i ulëti në rajon”, tha ajo. E. A. /Ekonomia online/

 

Continue Reading

Live

Presidentja Osmani në Samitin Botëror të Qeverisjes: Sundimi i ligjit dhe dinjiteti njerëzor në zemër të inovacionit

Published

on

By

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur fjalimin e saj të tretë në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes, ku trajtoi rrugëtimin e Kosovës nga rindërtimi pas luftës drejt ndërtimit të një shteti demokratik, të bazuar në sundimin e ligjit, forcimin e të drejtave dhe vendosjen e dinjitetit njerëzor në qendër të inovacionit dhe qeverisjes moderne.

Në fjalën e saj, Presidentja Osmani falënderoi Emiratet e Bashkuara Arabe për organizimin e këtij forumi ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e krijimit të një hapësire ku përvoja, idetë dhe përgjegjësia globale bashkohen për të adresuar sfidat e së ardhmes.

Ajo e cilësoi Kosovën si një shtet të ndërtuar mbi guximin, duke përshkruar tranzicionin e saj “nga mbijetesa në sovranitet”, nga një vend i shkatërruar nga lufta në një shtet që sot krijon rregulla në shërbim të qytetarëve të vet. Sipas Presidentes, me mbështetjen e aleatëve dhe partnerëve ndërkombëtarë, Kosova ka ndërtuar një arkitekturë ligjore dhe institucionale që e vendos demokracinë në qendër dhe drejtësinë si shtyllë kryesore.

“Sot, Kosova nuk është më vetëm përfitues i solidaritetit ndërkombëtar. Ne jemi një kontribues në të, një vend që ka mësuar shpejt, ka ndërtuar mençurisht dhe tani flet me besim. Nga ndërtimi i institucioneve nga zeroja deri te përmirësimi i tyre me qëllim të vërtetë, Kosova është bërë një shembull i gjallë se shoqëritë rezistente, të bazuara në rregulla dhe të orientuara nga qëllimi, nuk janë vetëm trashëguar, ato gjithashtu projektohen në mënyrën më pozitive”, theksoi Osmani.

Presidentja vuri theks të veçantë në rëndësinë e sundimit të ligjit dhe ndërtimit të besimit të qytetarëve në institucione, duke nënvizuar se drejtësia nuk duhet të mbetet e largët dhe e pakuptueshme për qytetarët. Ajo theksoi se digjitalizimi i drejtësisë nuk është vetëm një përmirësim teknik, por një imperativ i të drejtave të njeriut, që synon ta afrojë drejtësinë më pranë qytetarëve.

Në këtë kontekst, Osmani paralajmëroi se teknologjia dhe inovacioni duhet të jenë gjithmonë të ankoruara në të drejtat, barazinë dhe mbikëqyrjen demokratike, duke theksuar se inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e reja nuk duhet të thellojnë pabarazitë apo të dobësojnë të drejtat themelore.

“Transformimi digjital duhet ta afrojë drejtësinë më pranë njerëzve, duke mundësuar që qytetarët tanë të kenë qasje të lehtë në informacion, të ndjekin çështjet e tyre dhe të ndërveprojnë me institucionet pa barriera të panevojshme. Kur udhëhiqet nga vlerat, teknologjia bëhet një urë midis institucioneve dhe njerëzve që ato shërbejnë. Në të njëjtën kohë, ne qasemi tek digjitalizimi me përgjegjësi”, tha Osmani.

https://www.facebook.com/reel/844451768553854

Continue Reading

Aktualitet

Deputeti Shaip Kamberi pranon në Uashington ligjin për vlerësimin e diskriminimit në Luginën e Preshevës

Published

on

By

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se në Uashington ka pranuar personalisht nga Kongresisti amerikan Keith Self projektligjin H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, një akt i rëndësishëm që për herë të parë adreson në mënyrë zyrtare diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Sipas Kamberit, ky ligj nuk ka karakter simbolik, por përbën një instrument shtetëror amerikan, i cili synon të vlerësojë, dokumentojë dhe ekspozojë forma të ndryshme të diskriminimit që përjetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në fokus të këtij vlerësimi janë praktika si pasivizimi administrativ, përjashtimi nga institucionet publike, shtypja e përdorimit të gjuhës shqipe, diskriminimi në arsim dhe margjinalizimi ekonomik.

“Për herë të parë, kjo padrejtësi nuk mbetet në periferi të diplomacisë, por futet në zemrën e politikës amerikane, jo si protokoll, por si detyrim moral”, ka theksuar Kamberi në reagimin e tij.

Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Kongresistit Keith Self, duke theksuar se mbështetja e tij për këtë nismë përfaqëson një qëndrim parimor në një kontekst ndërkombëtar ku, sipas Kamberit, shpeshherë heshtja diktohet nga interesat.

Continue Reading

Lajmet

Aktgjykimi i Kushtetueses: Nënkryetari serb i Kuvendit propozohet nga shumica e deputetëve serbë

Published

on

By

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke theksuar se nënkryetari propozohet nga shumica e deputetëve të këtij komuniteti.

Aktgjykimi i plotë publikohet disa ditë pasi Kushtetuesja publikoi një njoftim lidhur me këtë vendim sa i përket zgjedhjes së Nenad Rashiqit në postin e nënkryetarit gjatë legjislaturës së kaluar, duke gjetur se ai ishte zgjedhur në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

“Kandidati/ja për nënkryetar/e të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb; përderisa kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë propozohet, nga shumica e deputetëve të komuniteteve të tjera që nuk janë shumicë, në përputhje me kërkesat formale dhe në mirëbesim”, thuhet në aktgjykim.

Rashiq, udhëheqës i partisë Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, u zgjodh nënkryetar nga radhët e komunitetit serb në tetor të vitit 2025, përmes shortit të iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Shorti u organizua pasi Lista Serbe – që kishte nëntë deputetë dhe po aq do të ketë edhe në legjislaturën e re – nuk morën votat e nevojshme, dhe u organizua shorti.

Zgjedhja e tij u kontestua nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit.

Që atëherë, Kuvendi është shpërndarë dhe vendi ka mbajtur zgjedhje dhe Kushtetuesja ka thënë se aktgjykimi i saj nuk ka efekt prapaveprues”.

Pra, kjo do të thotë se ky vendim nuk vlen edhe për rastet para hyrjes në fuqi, por për ato që do të merren në të ardhmen.

Gjykata tha se e drejta për të propozuar nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb i takon shumicës së deputetëve të këtij minoritet.

Në aktgjykim u tha se aktivizimi i mekanizmit zhbllokues të shortit, “duhet të vijnë në shprehje rrethana përjashtimore, me ç’rast shumica e deputetëve nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë nuk do të propozonte kandidatët”.

Institucioni më i lartë juridik në shtet tha se në rastin konkret nëntë kandidatë nga komuniteti serb u votuan nga tri herë, pas propozimit nga ana e përfaqësuesit të tyre.

“Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se shumica e deputetëve nga radhët e komunitetit serb ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit për nënkryetar të Kuvendit, respektivisht, anëtar të Kryesisë së Kuvendit, si dhe pas kërkesës nga kryetari i zgjedhur i Kuvendit që të propozohet deputeti i mbetur i pa votuar nga radhët e komunitetit serb, përfaqësuesi i shumicës së deputetëve në radhët e komunitetit Serb kërkoi ripropozimin e kandidatëve nga kjo shumicë bazuar në të drejtën e përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 67 të Kushtetutës në lidhje me nënparagrafin 1 të paragrafit 6 të nenit 12 të Rregullores së Kuvendit”, u tha në aktgjykim.

Në vendim thuhet se përderisa i takon Kuvendit që të vlerësojë rrethanat që e bëjnë të domosdoshëm aktivizimin e mekanizmave debllokues, “Gjykata thekson fuqishëm që këto mekanizma nuk mund të përdoren si procedurë e rregullt e zgjedhjes së kryetarit/nënkryetarëve, por vetëm në rrethana të caktuara, kur një gjë e tillë është e domosdoshme për të debllokuar procesin e konstituimit të Kuvendit dhe vetëm në masën që një gjë e tillë i shërben qëllimit kushtetues për çka këto mekanizma janë përcaktuar”.

“Në parim, ashtu siç është theksuar më herët, propozimet nga grupet parlamentare apo deputetët që gëzojnë të drejtën e propozimit, në frymën e mirëbesimit dhe bashkëpunimit, duhet të synojnë arritjen e konsensusit, të sigurojnë votat e nevojshme dhe të rezultojnë në zgjedhjen e kandidatëve ashtu siç janë propozuar dhe siç parashihet me Kushtetutë. Për më tepër, duke u mbështetur në përcaktimet kushtetuese të lartcekura, ky parim ka rëndësi të veçantë për garantimin e së drejtës së përfaqësimit të komuniteteve që nuk janë shumicë, të cilat nuk disponojnë numrin e nevojshëm për të siguruar vetë zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre në kryesinë e Kuvendi”, thuhet në aktgjykim.

Kushtetuesja thotë se shorti nuk mund të përdoret si mekanizëm në rrethanat kur shumica e deputetëve të Kuvendit do të përcaktonte përfaqësuesin e një komuniteti joshumicë, pa propozimin e këtij komuniteti, pasi argumenton se kjo, “në thelb, do të përbënte anashkalim të garancive kushtetuese dhe atyre të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit”.

Pas njoftimit për aktgjykimin, të publikuar nga Kushtetuesja më 28 dhjetor, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte kritikuar atë, duke vlerësuar se përmbante “gabime thelbësore në interpretim dhe zbatim të normave përkatëse”.

Ai vlerësoi se pretendimet e Gjykatës Kushtetuese “janë të pabaza” sa i përket zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.

Basha deklaroi se Rashiq nuk u propozua nga shumica e deputetëve serbë, pasi siç argumentoi ai, nga shumica e këtyre deputetëve nuk ka pasur propozim.

“Me fjalë të tjera, vetë Gjykata Kushtetuese po e pranon se shumica e deputetëve nga komuniteti serb nuk e kanë propozuar zotin Rashiq, pra kemi pasur të bëjmë me refuzim, apo ndryshe thënë mospropozim nga ana e tyre”, shkroi Basha në rrjetet sociale.

Më 16 tetor 2025, Lista Serbe iu drejtua Kushtetueses me ankesë lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykim i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese, shkruan REL.

Gjykata më e lartë në vend veçse kishte trajtuar një ankesë të Listës Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kryeparlamentari Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

Në atë vendim, Kushtetuesja tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb./KosovaPress/

Continue Reading

Të kërkuara