Lajmet

Maya Jama do të jetë prezantuesja e re e “Love Island”

Ajo është fanse e madhe e “Love Island”.

Published

on

Maya Jama është shpallur si prezantuesja e re e “Love Island”. Ajo pason prezantuesen Laura Whitmore.

Prezantuesja 28-vjeçare tha: “Unë kam qenë gjithmonë një fanse e madhe e “Love Island” dhe jam shumë e emocionuar që do të drejtojë një nga shfaqjet e preferuara të vendit! Mezi pres të futem në vilë për t’i takuar të gjithë”.

Në Instagram, Jama dhe llogaria zyrtare e “Love Island” ndanë lajmin me një video ku ajo shfaqet me një nga valixhet e famshme të emisionit, si dhe një shishe uji, me mbishkrimin: “Mirë, thashethemet janë të vërteta”./UBTNews/

Continue Reading

Vendi

Sot pritet certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve

Published

on

By

Gjykata Supreme i ka hapur rrugë përmbylljes së procesit elektoral, duke refuzuar si të pabazuara të pesë ankesat ndaj rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit. Pas këtij vendimi që vërtetoi qëndrimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar mbledhjen e radhës për sot në orën 11:00, me të vetmen pikë në rend dite: certifikimin e rezultateve.

Ankesat e refuzuara nga Supremja ishin të dy llojeve. E para lidhej me pretendimet e disa partive të komuniteteve joshumicë se subjekte rivale të të njëjtit komunitet kishin marrë vota në vendbanime ku nuk jetojnë qytetarë të asaj etnie. Konkretisht, Lista Serbe pretendonte se partia ZSPO e Nenad Rashiqit kishte fituar vota në mjedise joserbe, duke i rrezikuar asaj një ulëse të garantuar. Gjykata e cilësoi këtë kontradiktore, pasi mandatin po e fitonte sërish një subjekt serb, ndërsa theksoi se struktura etnike nuk mund të përdoret si kriter për ligjshmërinë e votës, e cila mbetet individuale, e lirë dhe e fshehtë. Ankesa të ngjashme të paargumentuara me prova pati edhe nga Nova Demokratska Stranka (NDS) e Emilja Rexhepit ndaj Koalicionit Vakat dhe ZSPO-së.

Lloji i dytë i ankesave vinte nga kandidatët e PDK-së për deputetë, Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, të cilët kërkonin rinumërimin e të gjitha votave preferenciale të partisë. Gjykata Supreme i hodhi poshtë edhe këto kërkesa, duke konstatuar se rinumërimi paraprak i 7.41% të votave nuk kishte nxjerrë dallime të mëdha dhe se mospërputhjet e vogla lidheshin vetëm me gabime njerëzore apo rikategorizim fletëvotimesh në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Me vendimet e Gjykatës Supreme procesi kalon në fazën finale. Pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja gjatë ditës së sotme, deputetët e legjislaturës së re kanë në dispozicion një afat prej 30 ditësh për thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Zvicra mposht Kolumbinë me penallti dhe prek çerekfinalen historike në Kupën e Botës

Published

on

By

Zvicra ka siguruar një vend në çerekfinalen e Kupës së Botës pas një drame të vërtetë nga pika e bardhë, ku mposhti Kolumbinë me rezultatin 4:3. Koha e rregullt dhe vazhdimet e ndeshjes së zhvilluar të martën mbrëma nuk ofruan gola dhe as shumë spektakël në fushë, duke bërë që gjithçka të vendosej në serinë e penalltive, e cila dhuroi emocione të jashtëzakonshme për tifozët.

Seria e gjuajtjeve nisi me saktësi nga kolumbianët, por kapiteni Granit Xhaka u përgjigj menjëherë duke realizuar me siguri. Gjerat u ndezën në serinë e dytë kur Davinson Sanchez i Kolumbisë goditi traversën, por helvetikët gabuan në serinë e tretë përmes Manuel Akanjit, i cili e dërgoi topin lart mbi portë. Heroi i mbrëmjes doli të jetë portieri Gregor Kobel, i cili në serinë e katërt ndali gjuajtjen e Cucho Hernandezit, duke shënuar edhe momentin vendimtar të kësaj përballjeje. Më pas, Cedric Itten, Luis Diaz dhe në fund Ruben Vargas u treguan të saktë, me këtë të fundit që nisi festën e madhe të zviceranëve.

Ky kualifikim mban një peshë të jashtëzakonshme historike, pasi Zvicra nuk kishte prekur fazën çerekfinale të një Botërori që nga viti i largët 1954. Suksesi i madh mban vulën e Granit Xhakës, i cili po vazhdon të shkruajë histori me fanellën helvetike, ndërsa në këtë arritje kontribuoi edhe Ardon Jashari, i cili luajti gjatë pjesës së parë. Në raundin tjetër, Zvicra do të ketë një punë edhe më të vështirë, ku do të përballet me Argjentinën për një vend në gjysmëfinale./E.A/

Continue Reading

lajme

Në UBT ka nisur trajnimi profesional “Investimi në Tregjet Kapitale”, i udhëhequr nga Prof. Shpresim Vranovci

Published

on

By

Në UBT ka nisur zyrtarisht trajnimi profesional “Investimi në Tregjet Kapitale”, i udhëhequr nga eksperti i financave dhe investimeve, Prof. Shpresim Vranovci. Programi është krijuar për t’u ofruar pjesëmarrësve njohuri të thelluara mbi funksionimin e tregjeve financiare dhe për t’i aftësuar ata të marrin vendime më të informuara investimi përmes një qasjeje praktike dhe të strukturuar.

Trajnimi ka bërë bashkë studentë, profesionistë, sipërmarrës dhe të gjithë ata që synojnë të avancojnë njohuritë e tyre në fushën e investimeve dhe financave. Përmes ligjëratave profesionale, analizave të rasteve konkrete, ushtrimeve praktike dhe diskutimeve interaktive, pjesëmarrësit do të zhvillojnë kompetenca të nevojshme për të kuptuar dhe vlerësuar mundësitë që ofrojnë tregjet moderne të kapitalit.

Gjatë programit katërditor do të trajtohen tema kyçe si funksionimi dhe roli i tregjeve të kapitalit, makroekonomia dhe ndikimi i saj në tregjet financiare, obligacionet dhe bonot e thesarit si instrumente investimi, aksionet (stocks), ETF-të dhe diversifikimi i portofolit. Po ashtu, pjesëmarrësit do të njihen me bazat e stock trading, analizën dhe vlerësimin e aksioneve, ndërtimin e strategjive efektive të investimit, menaxhimin e riskut, investimet në kriptovaluta dhe përdorimin praktik të platformave moderne të investimit (brokerëve).

Nën udhëheqjen e Prof. Shpresim Vranovci, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të përfitojnë njohuri të aplikueshme në botën reale të investimeve, duke ndërtuar një bazë të fortë profesionale për analizimin e tregjeve financiare dhe menaxhimin e aseteve në një ekonomi gjithnjë e më dinamike dhe të digjitalizuar.

Përmes këtij programi, UBT vazhdon të zgjerojë ofertën e trajnimeve profesionale të orientuara drejt nevojave të tregut, duke fuqizuar kompetencat e pjesëmarrësve dhe duke krijuar mundësi konkrete për zhvillim profesional në fushën e financave, investimeve dhe tregjeve të kapitalit.

Continue Reading

Lajmet

Gjykata Supreme i hap rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve

Published

on

By

Gjykata Supreme e Kosovës i ka hapur përfundimisht rrugë certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke i refuzuar si të pabazuara të pesë ankesat e parashtruara ndaj rezultateve përfundimtare. Menjëherë pas këtij vendimi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka caktuar për të mërkurën në orën 11:00 mbledhjen e radhës, ku pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë certifikimi i rezultateve përfundimtare për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjykata Supreme ka rrëzuar pretendimet e Listës Serbe, e cila ankohej se subjekti GI – Za Slobodu, Pravdu i Opstanak (ZSPO) kishte cenuar përfaqësimin autentik serb përmes votave në komunat me shumicë shqiptare. Supremja potencoi se vota është personale, e lirë dhe e fshehtë, dhe se listat nuk përmbajnë të dhëna etnike. Po ashtu, u refuzua ankesa e Emilja Rexhepit për anulim votash, meqë pretendimet për mospërputhje mes strukturës demografike dhe rezultatit nuk kishin bazë ligjore. Gjykata nuk gjeti prova të mjaftueshme as në ankesat e kandidatëve të PDK-së, Bekim Haxhiut dhe Qëndrim Kryeziut, të cilët kërkonin rinumërim të votave.

Sipas rezultateve përfundimtare që pritet të certifikohen, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar 47.13 për qind të votave (53 ulëse), e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 19.44 për qind (22 ulëse), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 16.69 për qind (18 ulëse) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 6.74 për qind (7 ulëse), përderisa 20 ulëse u takojnë komuniteteve pakicë.

Edhe pse Kushtetuta parasheh që seanca konstituive të mbahet brenda 30 ditëve, praktika tregon se ajo thirret menjëherë pas certifikimit. Kryetari i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se bisedat për koalicione do të nisin vetëm pas certifikimit zyrtar. Për formimin e Qeverisë së re nevojiten së paku 61 vota pro, ndërsa sfida kryesore pritet të jetë zgjedhja e presidentit, procedurë e cila nuk mund të nisë pa pjesëmarrjen e të paktën 80 deputetëve në votim, për të shmangur një tjetër shpërndarje të Kuvendit si ajo që çoi vendin në zgjedhjet e parakohshme të qershorit. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara