Lajmet

MAShTI: Hapet cikli i diskutimeve për rishikimin e teksteve shkollore

Tryeza e diskutimeve është organizuar në kuadër të projektit “European Union Support to Basic and Secondary Education (KosEd”).

Published

on

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Institutin EdGuard, ka hapur ciklin e diskutimeve me mësimdhënës e drejtorë të shkollave, për nevojën e rishikimit të teksteve shkollore, për të vazhduar më pas edhe me diskutime në komuna të ndryshme të Kosovës me akterë tjerë të rëndësishëm si: autorë të teksteve, recenzentë, përfaqësues të shtëpive botuese, ekspertë të arsimit dhe organizata të ndryshme të cilat tashmë kanë bërë vlerësime të teksteve ekzistuese.

Tryeza e diskutimeve është organizuar në kuadër të projektit “European Union Support to Basic and Secondary Education (KosEd”), i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe ka për synim përkrahjen në rishikim të teksteve shkollore, pjesë e së cilës do të jenë hisedarët kyç në proces të zhvillimit, vlerësimit dhe përdorimit të teksteve shkollore.

Ministrja Arbërie Nagavci me këtë rast ka theksuar rëndësinë e dëgjimit të zërit të mësimdhënësve dhe menaxhmentit të shkollave, prindërve dhe të gjithë atyre të cilët drejpërsëdrejti janë të kyçur në procesin mësimor.

Nagavci tha se duke qenë të vetëdijshëm për rolin e teksteve në mësimdhënie dhe në përmirësimin e cilësisë në arsim, janë ndërmarrë një varg aktivitetesh, duke përfshirë edhe hapjen e këtij cikli të diskutimeve.

Ministrja Nagavci po ashtu u shpreh se, ndonëse teksti është vetëm njëri nga mjetet e punës së mësimdhënësve, pra jo detyrimisht është burimi i vetëm dhe kryesori, mëgjithatë për një numër të konsiderueshëm të mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve, teksti shpesh është edhe burimi i vetëm. Duke folur për procesin e rishikimit të teksteve, Nagavci tha se jemi tepër të interesuar që të kemi tekste sa më cilësore dhe në kuadër të këtij synimi janë ndërmarrë një varg aktivitetesh, siç është vendimi për ndryshimin e Ligjit për tekste dhe mjete mësimore, i cili në vitin e ardhshëm do të dërgohet në Kuvend.

Ndërsa, zëvendësministrja Edona Maloku Bërdyna ritheksoi se duke qenë të vetëdijshëm për sfidat dhe problemet ekzistuese në lidhje me tekstet shkollore, përkushtimi i Ministrisë së Arsimit në adresimin e këtyre çështjeve mbetet i plotë.

Rinor Qehaja nga Instituti EdGuard tha se Projekti përkrahë në mënyrë të strukturuar procesin e rishikimit të teksteve shkollore dhe se kjo tryezë është pikënisje e një serie të tryezave në të gjithë vendin.

Lajmet

Policia gjen armë AK-47 në veturën e një të aksidentuari në Gllogoc

Published

on

Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë zjarri të tipit AK-47 me 20 fishekë, pasi ndërhyri në një aksident trafiku në Gllogoc.

Sipas policisë, i dyshuari, një mashkull kosovar, ishte vetaksidentuar, ndërsa gjatë intervenimit në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë gjetën armën brenda veturës së tij.

Arma dhe municioni janë konfiskuar, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Motoçiklisti humb jetën pas aksidentit me veturë në Gjakovë

Published

on

Një motoçiklist ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në Gjakovë.

Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur mes një motoçiklete dhe një veture, të cilat drejtoheshin nga dy meshkuj kosovarë.

Si pasojë e përplasjes, motoçiklisti pësoi lëndime të rënda dhe u dërgua në Emergjencë, ku më vonë ndërroi jetë.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa drejtuesi i veturës është ndaluar për 48 orë. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Aksident me fatalitet në Vërmicë, humb jetën një këmbësor

Published

on

Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në Pikën e Kalimit Kufitar në Vërmicë.

Sipas Policisë së Kosovës, viktima është goditur nga një veturë që drejtohej nga një shtetas i Shqipërisë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa drejtuesi i automjetit është ndaluar për 48 orë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

REL: Kosova në qendër të protestës antiqeveritare në Kralevë të Serbisë

Published

on

By

Nën sloganin “Gjithçka shihet në Vidovdan”, të dielën në Kralevë – pjesa qendrore e Serbisë – u mbajt një protestë e organizuar nga studentët që po udhëheqin bllokadat e fakulteteve në këtë vend.

Mijëra qytetarë u mblodhën në Sheshin e Luftëtarëve Serbë në qendër të qytetit.

Pavarësisht temperaturave të larta, disa protestues përshkuan në këmbë rreth 50 kilometra për të marrë pjesë në tubim.

Ai u zhvillua vetëm një ditë pas mitingut të organizuar nga Partia Pëparimtare Serbe në pushtet, në qendër të Beogradit.

Ai ishte njëri në vazhdën e disa protestave të organizuara nga lëvizja studentore qysh në nëntor të vitit 2024, kur nga shembja e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit humbën jetën 16 persona.

Fillimisht, studentët kërkuan përgjegjësi penale dhe politike për tragjedinë, duke argumentuar se shembja ishte pasojë e korrupsionit në projektin e rindërtimit të stacionit.

Pas disa muajsh protesta, ata shtuan edhe kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Megjithatë, në protestën e së dielës në Kralevë dominuan mesazhet për Kosovën, pavarësinë e së cilës Beogradi nuk e njeh.

Ajo u zhvillua në Ditën e Vidovdanit – festë fetare dhe shtetërore në Serbi – që përkujton Betejën e Kosovës të vitit 1389 kundër Perandorisë Osmane.

 

Çfarë u tha për Kosovën?

Duke iu drejtuar protestuesve, Millena Petroviq, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Matematikës të Universitetit të Prishtinës, që vepron brenda sistemit të Serbisë në Mitrovicën e Veriut, tha se qendrat e pushtetit në Beograd dhe në Prishtinë po veprojnë në mënyrë të koordinuar për të mbrojtur interesat e tyre, në dëm të qytetarëve të zakonshëm që jetojnë në Kosovë.

“Një qasje e tillë nuk kontribuon në respektin, mirëkuptimin dhe pranimin e ndërsjellë mes popullsisë serbe dhe shqiptare, që është parakusht për paqe të qëndrueshme në Kosovë”, tha Petroviq.

Në protestë foli edhe Vlladan Vesellinoviq, veteran i luftës nga Brigada e 63-të Parashutiste, i cili tha se “represioni i pushtetit” është shtrirë edhe ndaj veteranëve që kanë mbështetur protestat studentore.

“Na kanë arrestuar, kontrolluar, ndaluar për intervistim, na kanë linçuar në media, na kanë dërguar inspektorate dhe disa prej nesh, madje, kanë humbur vendet e punës”, tha ai.

Brigada e 63-të Parashutiste e Ushtrisë së Serbisë është shoqëruar me polemika për rolin e saj gjatë luftës në Kosovë.

Ato lidhen veçanërisht me praninë e saj në vendin ku është kryer një nga krimet më të mëdha të forcave serbe ndaj civilëve shqiptarë, në komunën e Gjakovës.

Para të pranishmëve foli edhe Llazar Stevanoviq, student i Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Beogradit, i cili tha se studentët nuk janë armiq të shtetit.

“Në një vend ku korrupsioni dhe dhuna janë bërë pjesë e përditshmërisë, kërcënimi më i madh bëhen ata që kërkojnë përgjigje”, tha ai.

 

Në pritje të datës së zgjedhjeve

Ndërsa protestuesit antiqeveritarë vazhdojnë të kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi më 27 qershor, gjatë një tubimi të Partisë Pëparimtare Serbe, se brenda disa javësh do të japë dorëheqje.

Në përgjigje të kërkesave të studentëve, Vuçiq ka paralajmëruar disa herë deri më tani mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.

Sipas deklaratave të tij të fundit, ato pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. /REL/ /E.A/

 

 

Continue Reading

Të kërkuara