Lajmet

“Masat e reja dëmtojnë bizneset, Qeveria të kompensojë humbjet”

Published

on

Vendimi për anulimin e dasmave dhe ahengjeve, si dhe kufizimi i orarit të punës për gastronominë, ka bërë që komuniteti i bizneseve të kërkojë kompensimin e humbjeve gjatë kësaj periudhe.

Kryetari i bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi thotë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për masat e reja antiCOVID i ka goditur edhe njëherë bizneset.

Krasniqi në një intervistë për KosovaPress e quan të ngutshëm një vendim të tillë, teksa shton se nuk u morën parasysh kërkesat e tyre.

“Kërkesat tona kanë qenë që t’i mbulojnë humbjet. Humbjet duhet të mbulohen për ndalesat që bëhen. Duhet t’iu dalim në ndihmë punëtorëve dhe bizneseve kur shteti ua ndalon të drejtën e punës. Me Kushtetutë, punëtori ka të drejtë me punu dhe çdo ndalesë që ia bënë shteti duhet të rezultojë me ndihmë financiare dhe nëse kjo nuk ndodhë, atëherë është ajo mungesa e komunikimit të shtetit me qytetarin e vet”, thotë ai.

Sipas tij, shtrëngimi i madh dhe i menjëhershëm i masave antiCOVID, nuk do të duhej të ndodhte me kaq nguti, pasi që fillimisht do të duhej që shteti të sigurohej që popullata është vaksinuar. Derisa thekson se dëmet e këtij vendimi janë të mëdha.

“Çdo veprim që merr qeveria do të duhej që paraprakisht të analizojmë për efektet dhe kundërefektet që jep një vendim i tillë. Në këtë rast, vendimi i shpejt që është marrë për ndalim i ka dëmtuar shumë bizneset, sepse bizneset filluan edhe falë ardhjes së diasporës, të gjenerojnë të hyra të mira që të mbulojnë shpenzimet për të cilat qeveria nuk iu ka dalë në ndihmë, as kjo e as ajo tjetra. Gjatë gjithë kohës së pandemisë, ndihma e qeverisë ka qenë shumë e vobektë si në aspektin financiar, ashtu edhe në aspektin e përkrahjes ligjore. Ky veprim i ka dëmtuar shumë bizneset”, thotë ai.

Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë vendimin për anulimin e dasmave dhe atë të kufizimit të orarit të punës për gastronominë, por që Krasniqi thotë se nuk është përfill kërkesa e tyre.

“Në kemi kërkuar që të shtyhet deri më 15 shtator në mënyrë që të mos vijë një bllokadë e shpejt. Ne jemi të vetëdijshëm për dëmet që i shkakton COVID-i, por do të duhej që rregullat paraprakisht të analizohen, jo të bëhet hapje e plotë dhe tash mbyllje, sepse i dëmton bizneset shumë, por edhe punëtorët, të cilët janë angazhuar gjatë kësaj kohe. Ka pasur rritje të të punësuarve për këtë situatë dhe të gjithë tash do të largohen nga puna. Këta nuk kanë përkrahje financiare, sikurse nuk ka biznesi si rezultat i investimit që ka bërë, qoftë me mjetet që ka bërë për të blerë gjërat”, shprehet ai.

Krasniqi shtoi se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet shtetërore lidhur me kërkesat e tyre.

“Nuk kemi marrë asnjë përgjigje… I kemi kërkuar edhe ministrit të Shëndetësisë takim që të ketë shtyrje por nuk kemi mundur me e realizu. Edhe kryeministrit i kemi kërkuar që të shtyhet, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ta”, thotë Krasniqi.

Krahas mungesës së ndihmës financiare, kryetari i bordit të OAK-së, thotë se ka mungesë edhe të përkrahjes ligjore dhe të komunikimit të institucioneve me sektorin privat.

“Dëmet do të jenë me dhjetëra miliona, por edhe qindra-mijëra punëtorë do të mbesin pa punë, të cilët kanë qenë të punësuar si punëtorë sezonal dhe të cilëve iu është ndërprerë automatikisht puna për shkak të vendimit. Ne kemi kërkuar që shteti të ndajë buxhet dhe të ndihmojë bizneset që afektohen. Këtë nuk e ka bërë shteti dhe ky është dëm që u shkaktohet edhe biznesit por edhe shtetit”, shton ai.

Masat e reja anti-COVID kanë hyrë në fuqi më 20 gusht.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara