Lajmet

​Masakra që bindi botën: Serbia vazhdon të mohojë gjenocidin që kreu në Reçak

Published

on

Njëzetegjashtë vjet më parë bota mësoi emrin e Reçakut – fshatit të vogël që pak kush kishte dëgjuar për të. Aty po kryhej gjenocid nga forcat policore dhe ushtarake serbe, të cilat vranë 45 civilë shqiptarë, në mesin e tyre fëmijë, gra e të moshuar. Të gjitha të dokumentuara, por ende Serbia e mohon masakrën e 15 janarit 1999 e cila shënoi kthesën e madhe për historinë e Kosovës.

Zyrtarët e lartë serbë, nisur nga presidenti Aleksandar Vuçiq, në vazhdimësi e kanë mohuar masakrën duke e quajtur “inskenim” e “gënjeshtër”. Kjo nuk është diçka e re, meqë politikanët në Serbi, historikisht kanë tentuar të shtrembërojnë të vërtetën në Ballkan.

Por që për masakrën e Reçakut flasin raporte ndërkombëtare e burime arkivore të cilat dëshmojnë tmerrin që ndodhi në këtë fshat, e thotë edhe profesori i Historisë, Selim Bezeraj.

“Edhe Pashiqi, ai që ishte shumë më herët se sa ky [Vuçiqi] udhëheqës i Serbisë, ka mohuar krimet që kanë kryer serbët në Kosovë. Kemi mohimin e krimeve edhe në Luftën e Dytë Botërore që bëjnë serbët në Kosovë. E mohojnë edhe Rankoviqi edhe Tito. Dhe natyrisht këta të fundit janë bashkëpjesëmarrës në krimet në Kosovë, për shkak se ata kanë qenë para 26 viteve pjesë e qeverisë kriminale të Millosheviqit dhe natyrisht që këta e mohojnë, por faktet janë tjera, argumentet janë tjera. Sepse pikërisht këta i kanë kryer të gjitha këto krime dhe këtë masakër të 15 janarit në Reçak. Në politikën e tyre të Serbisë është gjithmonë praktikë ajo që dëshirojnë që faktin ta mbulojnë me gënjeshtër, me falsifikim”, shton ai.

I pari që i tha botës që në këtë fshat të Shtimes po kryhet krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Ai vizitoi Reçakun një ditë pas masakrës dhe pasi pa trupat e civilëve tha se “ky është një krim i rëndë kundër njerëzimit”.

Profesori universitar thotë se ajo çfarë ndodhi në fshatin Reçak është kryer me plan të qartë nga Serbia.

“Masakra e Reçakut është një nga masakrat më të rënda që ka ndodhur nga regjimi i Serbisë në Kosovë. Kjo masakër është e kryer plotësisht mbi planet që ka pasur Serbia gjithmonë ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve në Kosovë. Historikisht është e dokumentuar që krimet që ka kryer Serbia janë me plane. Nuk janë aty për aty dhe edhe masakra e Reçakut është një nga ato që është kryer prej Serbisë…Shto këtu që aty kanë qenë të involvuar edhe pjesa intelektuale edhe pjesa fetare-religjioze sepse bekimin e këtyre krimeve e ka bërë kisha që është rast unik në botë që nuk ka ndodhë asnjëherë që të jetë diçka e tillë, sepse ata e involvojnë kishën si diçka nacionale”, deklaron ai.

Njëzetegjashtë vjet pas kësaj ngjarje të tmerrshme, asnjë person nuk u dënua drejtpërsëdrejti për krimet në Reçak.

Tribunali i Hagës për Krimet e Luftës në territorin e ish-Jugosllavisë në 2003 ngriti një aktakuzë kundër disa eprorëve serbë për krimet e kryera kundër popullatës shqiptare në Kosovë në vitin 1999.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj thotë se nuk janë dënuar asnjëherë ata të cilët dhanë urdhër vrasjen e civilëve shqiptarë.

“Ne kemi një aktgjykim në Hagë, i cili dënon njerëz të parëndësishëm sa i përket masakrës së Reçakut. Por ne si IKD kemi thënë vazhdimisht, është e vërtetë që është shumë e vërtetë të ndiqen penalisht kryerësit e këtyre veprave penale por nëse do të kishim një qasje institucionale, nëse do të kishim një qasje shumë më gjithëpërfshirëse, të gjithë e dimë por e dinë edhe Prokuroria Speciale që masakrat që kanë ndodhur në Kosovë gjatë luftës dihet qartë se kush ka qenë komandant i policisë, komandant i forcave ushtarake, komandant i forcave paramilitare, do të thotë grupet kriminale paraushtarake që kanë kryer krimet në Kosovë. Dhe nëse do të kishim më shumë aktakuza që e prekin zingjirin komandues, në një mënyrë do të rritej edhe llogaridhënia edhe përgjegjësia e personave të cilët kanë qenë urdhërdhënës në këto masakra”, deklaron Miftari.

Edhe Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë thotë se ende nuk është ofruar drejtësi për viktimat e Reçakut.

“Fare pak apo aspak është ofruar drejtësi për viktimat civile të cilat janë vrarë 26 vjet më parë në masakrën e Reçakut. Sigurisht që këtu një prej problemeve apo sfidave është mos bashkëpunimi i Kosovës dhe Serbisë dhe personat të cilët i kanë bërë këto krime nuk gjenden në Kosovë. Kohëve të fundit Prokuroria Speciale me hyrjen në fuqi të Ligjit për Gjykim në Mungesë janë ngritur disa aktakuza në mungesë dhe vitin e kaluar, në dhjetor të vitit të kaluar e kemi pasur edhe aktgjykimin e parë në mungesë për krimet e luftës të kryera në Komunën e Shtimes. Aktakuza të tjera lidhur me masakrën e Reçakut nuk janë proceduar pranë gjykatave të Kosovës”, shprehet ai.

Mëngjesin e hershëm të 15 janarit 1999, u vranë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e tyre edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.

Ngjarja e rëndë në Reçak nxiti reagimin e ndërkombëtarëve ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe – bombardime këto të zgjatën 78 ditë. Fundi i tyre u shënua më 10 qershor 1999 kur edhe u miratua Rezoluta 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Pas kësaj, mbi 800.000 shqiptarë të Kosovës – dhunshëm të dëbuar, filluan të ktheheshin në shtëpitë e tyre.

Shifrat flasin për mbi 13.000 civilë të vrarë gjatë luftës së viteve 1998/99 nga forcat serbe dhe për mbi 6.000 të zhdukur me dhunë, 1.600 prej tyre vazhdojnë të jenë të pagjetur.

lajme

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Policia e Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është mbështetur në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e drejtpërdrejtë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Masa e suspendimit përfshin të gjithë zinxhirin komandues dhe hetimor në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së Drejtorit Rajonal, Shefin e Hetimeve Rajonale, Komandantin dhe Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, Shefin e Hetimeve, ushtruesin e detyrës së Shefit të Operativës, Komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky hap është ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /E.A/

 

Continue Reading

lajme

Projekti fitues i studentes së UBT-së merr jetë në “Tirana School Mural Fest”

Published

on

By

Studentja e vitit të dytë në programin e Dizajnit të Modës në UBT, Erza Fejza, ka shënuar një sukses të rëndësishëm krijues, pasi projekti i saj është përzgjedhur fitues në konkursin “Tirana School Mural Fest” dhe tashmë është realizuar në fasadën e Gjimnazit “Bedri Lagami” në Tiranë.

Konkursi, me temën “Ngjyrat dhe simbolet e traditës etnografike shqiptare”, u ka dhënë mundësi të rinjve të interpretojnë trashëgiminë kulturore shqiptare përmes një gjuhe artistike bashkëkohore, të frymëzuar nga ngjyrat, motivet dhe ornamentet e veshjeve popullore dhe tekstileve tradicionale shqiptare.

Pas përzgjedhjes si projekt fitues dhe përshtatjes grafike sipas kërkesave specifike të artit mural, ideja kreative e Erzës u realizua nga artistët profesionistë të Bashkisë së Tiranës. Përzgjedhja e projektit fitues u konfirmua nga Helidon Gjergji, drejtor artistik i festivalit.

Tashmë, murali është bërë pjesë e mjedisit shkollor dhe e përditshmërisë së nxënësve, duke sjellë një interpretim artistik të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe duke dëshmuar se krijimtaria e të rinjve mund të shndërrohet në vepra me ndikim të drejtpërdrejtë në hapësirat publike.

Kjo arritje dëshmon potencialin krijues të studentëve të UBT-së dhe rëndësinë e ndërthurjes së edukimit artistik me projekte praktike që lidhin artin, identitetin kulturor dhe komunitetin.

Continue Reading

Lajmet

UBT kontribuon në zhvillimin e programit të përbashkët ndërkombëtar Master në Siguri Kibernetike dhe Forenzikë Digjitale

Published

on

By

UBT vazhdon të dëshmojë ekspertizën dhe rolin e tij të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në zhvillimin e programeve inovative akademike.

Në kuadër të projekteve Erasmus+, Drejtori për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në UBT, Prof. Dr. Bekim Marmullaku, dhe Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Prof. Dr. Besnik Qehaja, morën pjesë në një punëtori ndërkombëtare të organizuar në Universitetin Teknik të Sofjes, në Bullgari, së bashku me përfaqësues të universiteteve partnere.

Punëtoria u fokusua në zhvillimin e një programi të përbashkët ndërkombëtar të studimeve Master në Siguri Kibernetike dhe Forenzikë Digjitale (Cybersecurity and Digital Forensics). Gjatë saj u trajtuan struktura e programit, harmonizimi i kurrikulave dhe përcaktimi i kompetencave profesionale, në përputhje me standardet evropiane dhe kërkesat e tregut të punës.

Përmes angazhimit aktiv dhe ekspertizës së përfaqësuesve të tij, UBT rikonfirmoi rolin e tij si partner i besueshëm në iniciativat akademike ndërkombëtare, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar, avancimin e ndërkombëtarizimit dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Continue Reading

Të kërkuara