Kulturë
Martesa 40-orëshe e Adolf Hitlerit
Kërkimet mbi detajet e marrëdhënies së Hitlerit me Eva Braunin, nisën sa kohë që ai ishte ende gjallë.
Published
4 years agoon
By
Betim GashiNjë martesë që zgjati vetëm 40 orë, mbase do të ishte subjekti ideal për një novelë, si për shembull, ato të Cvajgut. Por, çudia ka ndodhur me diktatorin më të paprecedentë. Hitleri dhe Eva Braun, ritkthehen në vëmendjen e historianëve, të cilët, zbulojnë fakte të reja mbi gruan e diktatorit dhe rolin e saj.
Kërkimet mbi detajet e marrëdhënies së Hitlerit me Eva Braunin, nisën sa kohë që ai ishte ende gjallë. Fyhreri, përgjithësisht binte vonë për të fjetur. Mëngjesin e vonë, pasi largohej nga dhoma e gjumit që nga dera lidhëse me vendbanimin e Braunit e teksa stafi ndërronte çarçafët, punonjësit kuriozë i shihnin me shumë vëmendje çarçafët e këllëfët e jastëkëve, në kërkim të shenjave të një nate më parë…
“Zhbironim gjithçka përreth krevatëve”, ka thënë disa dekada më vonë, në një intervistë televizive, Herbert Dëring, menaxher i Berghofit, shtëpia e Hitlerit në alpet bavareze. Por nuk gjenin asgjë, çfarë e bënte Derhingun të mendonte se marrëdhënia mes diktatorit dhe Braunit, vajzës 23 vjet më të re, duhet të ketë qenë platonike.
Në Rajhun e Tretë, D0ehringu ishte njëri prej një grupi shumë të vogël njerëzish, të cilët kishin dijeni për marrëdhënien e ngushtë të Braunit me Hitlerin. Ndërsa publiku, vetëm pas lufte e mësoi faktin se diktatori kishte kaluar shumë muaj nën shoqërinë e një bjondeje tërheqëse nga Mynihu, me të cilën, u martua vetëm pak orë para se të kryenin vetëvrasje, më 30 prill 1945, në bunkerin e Fyhrerit, në Berlin.
Fshehtësia e çiftit bazohej në përllogaritje politike.
“Shumë grave u dukem më tërheqës sepse jam i pamartuar”, besonte Hitleri. “Është e njëjta gjë, me një aktor kinemaje: kur martohet, ai e humbet vlerën në sytë e adhuruesve femra dhe këto, nuk e duan si më parë”.

Për shkak të natyrës relativisht të fshehtë të marrëdhënies së tyre, pas luftës publiku ishte edhe më i intriguar nga historia e bijës së një mësuesi nga Mynihu, që kishte kaluar një dekadë e gjysmë krah tij – kryesisht në Berghof, në Alpet gjermane dhe pas here, edhe në Berlin. Por, përgjigjet e para nuk e kënaqën kuriozitetin. Historiani britanik, njëkohësisht oficer zbulimi, Hugh Trevor-Roper, i cili mori në pyetje shoqëruesit e Hitlerit menjëherë pas fundit të luftës, nxori konkluzionin se Eva Brauni ishte “jointeresante”. Çdo biograf i njohur i Hitlerit, më vonë do të nxirrte të njëjtin konkluzion.
A është e vërtetë?
Historiania nga Berlini, Heike Gërtemaker ka marrë tashmë përsipër, detyrën e korrigjimit të këtij imazhi për Eva Braunin, duke shkruar biografinë e parë të saj. Vepra është paraprirë nga disa të tjera, më të lehta.
Me një qasje strikte akademike, Gërtemaker arrin të përjashtojë shumë prej anektodave që kanë argëtuar lexuesit. Sipas njërës prej këtyre historive, supozohet që Brauni të jetë ankuar në bunkerin e Fyhrerit, për zënkat e vazhdueshme me Hitlerin, në lidhje me vaktet e ngrënies. Hitleri, një vegjetarian i paepur, thuhet se kërkonte që ajo të hante vetëm qull dhe lëng kërpudhash, që asaj ia shpifnin (“Nuk mund t’i ha këto gjëra”).
Sipas një tjetër historie, rrëfyer nga një prej sekretareve të diktatorit, Brauni godiste në fshehtësi me shkelma qenin gjerman të Hitlerit, Blondie, sipas tyre, sepse ishte xheloze për të. Thuhet se, ajo rrinte e vështronte e kënaqur teksa qeni ulërinte nga dhimbjet (“Adolfi është i habitur me sjelljen e çuditshme të kafshës. Kjo është hakmarrja ime”).
“Historia e atij divani”
Gërtemaker i kushton shumë pak vëmendje, historive të tilla për tabloidë. Historiania shkruan se çifti ka pasur një jetë normale, të ngushtë, siç do të tregonin më vonë, miqtë dhe të afërmit e Braunit. Sipas rrëfimeve, kur Brauni kishte parë fotografinë ku kish dalë Kryeministri britanik, Neville Chamberlain i ulur në divan, në apartamentin e Hitlerit në Mynih, më 1993, kishte qeshur dhe kishte thënë: “Sikur ta dinte ai, historinë e atij divani”.
Historiania e merr seriozisht personazhin kryesor të librit të saj dhe në materialin që ka analizuar, ka prova të besueshme se për Hitlerin, Brauni ishte më shumë sesa një “e re tërheqëse”, tek e cila, diktatori “kishte gjetur, pavarësisht, apo ndoshta për shkak të dukjes së saj të pashije, llojin e çlodhjes e qetësisë që kërkonte”, siç do të thoshte më vonë, fotografi personal i Hitlerit, Heinrich Hoffmann.
Në testamentin që Hitleri e shkroi në vitin 1938, emri i Braunit shfaqej menjëherë pas atij të Partisë Naziste. Sipas kushteve të testamentit, partia do të duhej t’i paguante asaj një goxha pension të përjetshëm, që do të përftohej prej aseteve të tij. Ministri i Propagandës dhe i besuari i Hitlerit, Joseph Goebbels vërente disa herë, se, sa shumë e vlerësonte Fyhreri, të dashurën e tij (“Një vajzë e mençur, e cila ka shumë rëndësi për Fyhrerin”).
Ajo u angazhua në planet për shndërrimin e qytetit austriak të Linzit në kryeqytetin kulturor të Fyhrerit, ku Hitleri, i cili kishte lindur në Austri, kishte në plan të tërhiqej pas fitores përfundimtare të nazistëve. Dhe po t’i kish ecur siç kishte menduar, Brauni do t’i kishte mbijetuar edhe rënies së Rajhut gjerman. Ai i kërkoi vazhdimisht që të largohej nga Berlini, në ditët e fundit të luftës, për të shkuar në Bavari. Por, Brauni refuzoi. Deri në fund, Hitleri fliste për të “me shumë respekt e nderim”, ka thënë Albert Speer, princi i kurorës i Hitlerit, në deklaratat e tij të para për aleatët, në vitin 1945.
Pa miq?
Ideja që Brauni kish rëndësi për diktatorin nuk është aq banale sa mund të duket në pamje të parë. Perceptimi për të si një vegël e parëndësishme kontribuoi shumë për imazhin e Hitlerit, si një qenie e pastër politike. Ky është një këndvështrim që është përcjellë nga biografë me libra bestseller mbi Hitlerin, si Joachim C. Fest, Sebastian Haffner dhe Ian Kershaw.
Sipas versioneve të tyre, Hitleri bëri një jetë pa miq, pa dashuri dhe pasion – një jetë që ishte e lehtë ta hidhje poshtë dhe kështu, shoqërohej gjithmonë nga një gatishmëri konstante për të kryer vetëvrasje. Të paktën për Haffnerin, vetëvrasja e Hitlerit në vitin 1945, në bunkerin e tij në Berlin “duhej pritur”. Në një kuptim më të gjerë, politikat “gjithçka ose asgjë” që ndoqi Hitleri, deri në humbjen totale, mund të interpetohen gjithashtu edhe si pasojë e boshllëkut emocional të diktatorit.
Gërtemaker shmang kritikën e drejtpërdrejtë ndaj këtij interpretimi, por është e qartë se rrëfimi i saj e ngre si çështje, edhe një herë, psikikën e Hitlerit. Sigurisht, libri i saj tregon edhe sesa e vështirë do të jetë të gjenden përgjigje, për shkak të urdhrit që Hitleri nxori në vitin 1945, për të shkatërruar të gjitha të dhënat private. Me shumë gjasa, urdhri u shtri edhe në korrespondencën e tij me Braunin, i vërtetuar se ka ekzistuar dikur.
Për këtë arsye, historiania mundet të shfrytëzojë vetëm disa letra që Brauni, ua niste shoqeve të saj dhe të afërmve, si dhe disa fragmente të një ditari të vitit 1935, ndonëse autenticiteti i tij është vënë në diskutim. Ajo përdor gjithashtu deklaratat nga shërbëtorë të Hitlerit, truproja, si dhe disa zyrarë të lartë nazistë në dekadat e para pas luftës, megjithëse këtë informacion e trajton me doza skepticizmi dhe me të drejtë. Një linjë konstante gjatë të gjithë librit, është pranimi prej Gërtemakerit, se ka shumë pyetje, të cilave ajo nuk u jep dot përgjigje.
Edhe fillimi i lidhjes është relativisht i turbullt. Hitleri u takua me Braunin në vitin 1929, kur ajo ishte 17 vjeç në “NSDAP PHOTOHAUS HOFFMANN”, një dyqan fotografish në Amalienstrass, në Mynih. Vajza e re, që në fotografi duket çapkëne dhe e hedhur, kish vazhduar më parë një shkollë vajzash për ekonomi dhe menaxhim zyre, ndërsa tani punonte në dyqanin e fotografive. Shefi i saj, Heinrich Hoffmann, që më vonë u përzgjodh si fotografi zyrtar i Hitlerit, ishte një nga anëtarët e hershëm të partisë naziste në Gjermani. Një antisemit, që pinte shumë alkool, Hoffmanni fitoi shumë para me fotografi propagande dhe libra me foto, duke përfshirë edhe një libër me titull: “Hitleri që askush nuk e njeh”.
Sa politike?
Për Hitlerin, në atë kohë një politikan opozitar 40-vjeçar, kishte shumë shanse për të bërë vizita në dyqanin e Hoffmannit. Zyra kombëtare e Partisë naziste ishte pas qoshes, po kështu edhe zyrat e gazetës së partisë, “Völkischer Beobachter” ashtu sikurse dhe restoranti i preferuar i Hitlerit, “Osteria Bavaria”.
Ashtu sikurse ka konfirmuar edhe më vonë, vajza e Hoffmannit, lideri i partisë e joshi adoleshenten me një sharm fals prej vjenezi. “A mund t’ju ftoj në opera, miss Eva? E dini, unë jam gjithmonë i rrethuar nga burra dhe kështu që mund ta çmoj shumë fatin e mirë, kur e gjej veten në shoqërinë e një gruaje”.
Kur ishte me gra, manierat e vrasësit masiv rafinoheshin, dhe ai asnjëherë nuk tregonte as prirjen më të vogël për t’u dhënë pas femrave. Eva Brauni, një vajzë naive, e cila fantazonte për botën e filmave dhe që pëlqente shumë revistat e modës, u përthith prej fuqive të forta sugjestionuese, që edhe vëzhguesit më neutralë ia kanë atribuar Hitlerit. Menjëherë pasi takoi Braunin, lideri nazist urdhëroi menjëherë që të shihej, se mos familja Braun kishte ndonjë paraardhës hebre.
Askush nuk e di se kur ngacmimi u kthye në një marrëdhënie. Në vitin 1932, Brauni u përpoq të kryejë vetëvrasje me armën e babait të saj, që disa bashkëkohës dyshonin se kish qenë një përpjekje për t’i bërë presion Hitlerit, që t’i kushtonte më shumë vëmendje asaj. Lideri nazist e kishte syrin nga kanceleria, dhe kjo do të ishte vetëvrasja e dytë e një vajze të re që kishte lidhje me Hitlerin. Mbesa e tij, Geli Rauball qëlloi veten për vdekje, thuhet për t’i shpëtuar xhaxhait të saj xheloz.
Prapa grupit
E reja Eva Braun, nga ana tjetër, dukej se kish vuajtur nga një mungesë vëmendjeje nga Hitleri. Veterani i Luftës së Parë Botërore, që në jetën civile kish qenë një dështim, vazhdoi të bëjë një jetë boheme pasi erdhi në pushtet në 1933. Ai shpesh herë mungonte me ditë nga puna e drejtimit të qeverisë në Berlin. Kohën e kalonte duke bredhur nëpër Mynih, duke shkuar në opera dhe teatër me shoqëruesit e tij misteriozë dhe duke vizituar sheshe ndërtimi që, Hitleri, një i dashuruar pas arkitekturës, i konsideronte të rëndësishëm. Në kohë të mirë, grupi do të shkonte në fshat, dhe shpesh herë në këto dalje shkonte edhe Braun.
Sigurisht, asaj i kërkonte të udhëtonte veçmas, bashkë me sekretaret dhe gjatë shëtitjeve në fshatra, vendi i saj ishte prapa grupit. Herë pas here, Hitleri i jepte asaj një zarf të mbushur me para, gjë që Speeret i kujtonte “filmat amerikanë me gangsterë”.
Në vitin 1935, Brauni u përpoq sërish të kryejë vetëvrasje, këtë herë me hape gjumi dhe ka disa të dhëna që pas kësaj, marrëdhënia u bë edhe më e ngushtë. Hitleri pagoi për apartamentin e saj dhe më vonë e mori në shtëpi, me qëllim që ajo, më në fund, të largohej nga shtëpia e prindërve. Eva u bë zonjë shtëpie në Berghof, ku Hitleri shpesh herë kalonte edhe javë të tëra, edhe gjatë luftës. Titulloi i saj zyrtar, ishte “Sekretare private”. Por erdhi një moment që Hitleri dhe Brauni, u bënë më të afërt me njëri-tjetrin edhe në sytë e të tjerëve.
Sigurisht, diktatori vazhdoi ta mbajë marrëdhënien larg vëmendjes së publikut. Vetëm një fotografi e çiftit, u shpëtoi censorëve dhe doli në shtyp. Në të, Hitleri shfaqet në Lojrat Olimpike të vitit 1936, në Mynih, në “Garmisch-Partenkirchen”, me Braunin të ulur një radhë pas tij.
Dëmtim i imazhit
Pavarësisht përpjekjeve të tij për të fshehur këtë marrëdhënie, shtypi i aleatëve mësoi herët a vonë se Hitleri kishte një të dashur që quhej Braun, dhe “Time” e nxori këtë lajm në vitin 1939. Por në Gjermani mbeti një sekret, dhe Hitleri ndoshta kishte të drejtë në supozimin se nëse do ta bënte publike marrëdhënien e tij dashurore, atëherë do t’i bënte dëm imazhit të tij si Fyhrer.
Reinhard Spitzy, një nazist i vendosur dhe i punësuar i ish-ambasadorit gjerman në Londër, Joachim Ribbentrop, u befasua kur pa që një vajzë e re të cilën nuk e njihte, ndërpreu krejt papritur bisedën ndërmjet Ribbentropit dhe Hitlerit në Berghof dhe tha se dy burrat duhej që më në fund të vinin të hanin darkë. Një koleg i shpjegoi Spitzyt pozicionin e Braunit. Ai u befasua, sepse Hitlerin e kish menduar “si një asket, mbi seksin dhe pasionin”. Por, tani, këtu mësoi se heroi i tij nuk ishte i ndryshëm nga gjithë të tjerët.
Brauni kishte një interes të madh për fotografinë dhe filmat e gjithashtu i pëlqente të fotografohej. Albumet fotografike dhe filmat që kanë mbijetuar e tregojnë një grua të shkujdesur, tip atlete dhe ekstroverse, e cila pëlqente të pozonte me kostum banjoje dhe madje, edhe filmonte të motrën tek shkonte të bënte not lakuriq. Pas luftës, një ish pjesëtar i SS-ve do të deklaronte se, “ajo nuk ishte në përputhje me idealin e një vajze gjermane”.
Sipas oficerit SS, Brauni fillonte të bënte “përgatitjet fillestare për gjithfarëlloj dëfrimesh – festa në vendin e fshehtë në mal – menjëherë pasi limuzina e Hitlerit ish larguar nga Berghofi”.
Deklarata të tilla janë në përputhje me një enturazh apolitik që të gjithë ata që ishin të përfshirë – nga shërbëtore deri tek njerëz të njohur si Labert Speer – e kanë përshkruar pas luftës, dhe në të cilin Brauni u integrua me lehtësi. Thuhet se në Berghof kishte një rregull: nuk duhej që të diskutohej për politikë në prani të grave. Në vend të kësaj, temat e diskutimit ishin moda, qentë dhe operetat.
Politikë e pastër
Biografia Gërtemakerit nuk e ka problem të hedhë argumenta kundër ekskluzivitetit të këtij versioni. Një vështrim i albumit fotografik të Braunit, që përfshin fotografi që ajo ka nxjerrë në 23 gusht 1939, mjaftojnë për të vërtetuar këtë ide. Në atë ditë Ribbentropi, që ishte promovuar në postin e ministrit të jashtëm tashmë, ishte në negociata me Stalinin në Moskë në lidhje me ndarjen e Evropës Lindore mes Gjermanisë Naziste dhe Bashkimit Sovjetik. Hitlerit i duhej aleanca, me qëllim që të pushtonte Poloninë. Fotografitë tregojnë se sa i tensionuar dhe i paduruar ishte ai, teksa priste rezultatin e bisedimeve të Ribbentropit me Stalinin. Ishte politikë e pastër, dhe Brauni ishte aty.
Gërtemakeri beson gjithashtu se gruaja në krah të tij “ndante pa asnjë kritikë këndvështrimin për botën dhe bindjet politike të Hitlerit”. Vetë rrethanat tregojnë se kjo është e vërtetë. Brauni e kaloi gjysmën e jetës 33 vjeçare nën shoqërinë e nazistëve fanatikë.
Dihet mirë se në vitin 1939, Hitleri foli hapur në Reichtag për shkatërrimin e hebrenjve europianë – dhe në testamentin e tij të dytë, të cilin e shkroi pak para se të kryente vetëvrasje, ai nënvizonte edhe një herë urrejtjen për hebrenjtë. Eshtë e vështirë të besosh që Brauni do të kish duruar ato 2280 ditë mes dy testamenteve, nëse nuk do të kish qenë edhe vetë një antisemite. Megjithatë, ndoshta nuk do ta mësojmë asnjëherë nëse ajo u përpoq ta influenconte.
Legjendat
Brauni ishte besnike deri në vdekje dhe ishte kjo besnikëri pa kushte, që Hitleri vlerësonte më shumë se çdo gjë tek ajo. “Vetëm Miss Braun dhe Pastori im gjerman, janë besnikë ndaj meje dhe më përkasin”, thuhet se ka thënë ai, aty nga fundi i luftës, kur Evropa ishte nën rrënoja dhe vrasja e hebrenjve europianë ishte kryesisht, një fakt i kryer.
Në atë pikë, Brauni kish vendosur tashmë të qëndronte me Fyhrerin. Madje, ajo i kërkoi dikujt t’i mësonte si të përdorte pistoletën, kur Ushtria e Kuqe të hynte në Berlin. “Këtu po luftojmë deri në fund”, i shkruante ajo nga bunkeri i Fyhrerit, në 22 prill, një mikeshës së saj. “Do të vdes ashtu si kam jetuar. Nuk do të jetë e vështirë për mua”.
Sipas të dhënave të Gjykatës së Distriktit të Berschtesgadenit, Eva Brauni vdiq në 30 prill 1945, në orën 3:28, pasi kapërdiu një kapsulë cianid kaliumi. Hitleri e ndoqi pas, dy minuta më vonë. Tanimë, njerëzit mund t’ia fillonin me legjendat…/Kultplus
Lajmet
Matura Shtetërore 2026: Matematika me rezultatin më të ulët mesatar
Published
2 days agoon
September 3, 2026By
UBT News
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka publikuar rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore 2026, pas përfundimit të procesit të administrimit, vlerësimit dhe përpunimit të të dhënave.
Në këtë afat provimit iu nënshtruan gjithsej 4,433 kandidatë, ndërsa 2,444 prej tyre e kaluan me sukses, që përbën 55.1 për qind të numrit të përgjithshëm të kandidatëve. Të dhënat janë konfirmuar edhe në njoftimin zyrtar të ministrisë.
Arritshmëria mesatare e përgjithshme në test ishte 43.2 pikë.
Sipas lëndëve, rezultatet mesatare ishin:
Gjuhë amtare: 49.3 pikë
Gjuhë angleze: 44.1 pikë
Matematikë: 36.4 pikë
Lënda zgjedhore: 42.9 pikë
Rezultati më i lartë mesatar është shënuar në Gjuhën amtare, me 49.3 pikë, ndërsa rezultati më i ulët në Matematikë, me 36.4 pikë.
Gjatë administrimit të provimit, 18 kandidatë janë larguar nga testi për shkak të mosrespektimit të rregullave dhe procedurave të përcaktuara për administrimin e Provimit të Maturës Shtetërore.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka falënderuar të gjithë personat e angazhuar në organizimin dhe administrimin e provimit për kontributin në mbarëvajtjen e procesit./A.K/
Lajmet
“Jetimët” nga Prishtina drejt Londrës dhe skenave evropiane
Published
2 days agoon
September 3, 2026By
UBT News
Shfaqja teatrore, një bashkëprodhim artistik Shqipëri–Kosovë, vjen më 7 shtator në Teatrin Dodona, ndërsa më 12 shtator prezantohet në Londër.
Shfaqja teatrore “Jetimët”, një produksion i realizuar përmes bashkëpunimit artistik mes Kosovës dhe Shqipërisë, do të ngjitet në skenën e Teatrit Dodona në Prishtinë, më 7 shtator 2026, ndërsa pesë ditë më vonë, më 12 shtator, do të prezantohet para publikut në Londër, në King Alfred Phoenix Theatre.
Duke ndërthurur humorin e zi, tensionin dhe momente thellësisht prekëse, shfaqja lëviz vazhdimisht mes së qeshurës dhe dhimbjes, duke ngritur pyetje mbi familjen, braktisjen, dashurinë dhe nevojën njerëzore për të pasur dikë që mund ta quajmë “tonin”.
Regjia e shfaqjes është e Ilir Bokshit, ndërsa në role interpretojnë Adrian Morina, Ylber Bardhi dhe Ledion Zoi. Asistent regjisor është Butrint Pasha, skenografinë dhe kostumet i ka realizuar Petrit Bakalli, muzika është e Butrint Pashës, ndërsa përkthimi është realizuar nga Artur Lena.
Producentë të projektit janë A&M Arts and Films dhe Teatri Dodona.
Një rol të rëndësishëm në realizimin e këtij projekti ka pasur mbështetja e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Shqipërisë, në kuadër të projektit CultAlb. Ekipi realizues shpreh mirënjohjen për këtë mbështetje, e cila kontribuon në forcimin e bashkëpunimit kulturor dhe artistik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.
Bashkëpunime të tilla ndërmjet institucioneve dhe artistëve të të dyja vendeve krijojnë mundësi të reja për shkëmbim kulturor dhe për prezantimin e krijimtarisë shqiptare në skenat ndërkombëtare.
Pas prezantimeve në Prishtinë dhe Londër, shfaqja “Jetimët” pritet të vazhdojë rrugëtimin e saj ndërkombëtar, me prezantime të planifikuara në Greqi, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, si dhe me pjesëmarrje në festivale dhe aktivitete të ndryshme teatrore në rajon dhe Evropë.
Përmes këtij projekti, “Jetimët” synon të sjellë para publikut një vepër të rëndësishme të dramaturgjisë bashkëkohore, por edhe të dëshmojë potencialin e bashkëpunimit artistik Shqipëri–Kosovë dhe kontributin e artistëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare./RTK/A.K/
Lajmet
Ndahet nga jeta historiani dhe publicisti Daut Dauti
Published
3 days agoon
September 2, 2026By
UBT News
Historiani, gazetari, hulumtuesi dhe publicisti i njohur nga Kosova, Dr. Daut Dauti, ka ndërruar jetë në Londër në orët e para të mëngjesit, pas një sëmundjeje të rëndë me të cilën ishte përballur për rreth dy vjet.
Dauti lindi në vitin 1960 në Kokaj të Gjilanit dhe gjatë karrierës së tij la gjurmë në gazetari, historiografi dhe në studimet për Kosovën dhe çështjen shqiptare.
Ai kreu studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet pasuniversitare i vazhdoi në Thames Valley University në Londër, në fushën e Bashkimit Evropian.
Karrierën në gazetari e nisi në gazetën studentore “Bota e Re”, ndërsa më pas vazhdoi në revistën “Zëri”. Nga viti 1994 deri më 1999 ishte korrespondent i saj në Londër, ndërsa gjatë viteve 1999–2001 punoi si redaktor në Institute for War and Peace Reporting (IWPR).
Në vitet 2000–2002, Dauti shërbeu si sekretar i përgjithshëm i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës dhe ishte anëtar i pavarur i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ai ka ushtruar edhe detyrën e këshilltarit për media dhe zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Bajram Kosumi, ndërsa në Londër ishte i angazhuar edhe me organizata ndërkombëtare.
Me veprimtarinë e tij shumëvjeçare në gazetari, histori dhe publicistikë, Daut Dauti mbetet një nga emrat e njohur të jetës intelektuale dhe mediatike shqiptare në Kosovë./A.K/
Kulturë
Nga Labëria në Hollywood, fyelli shqiptar rikthehet te brezi i ri
Published
3 days agoon
September 2, 2026By
UBTNews
Tingujt tradicionalë të Labërisë po marrin një jehonë të re, jo vetëm në skenën ndërkombëtare të kinemasë, por edhe te brezi i ri shqiptar. Mjeshtri i instrumenteve popullore, Vendim Kapaj, për të tretin vit radhazi do të zhvillojë në Vlorë një kurs falas për mësimin e fyellit dhe instrumenteve të tjera tradicionale.
Nisma synon t’u krijojë të rinjve dhe të gjithë të apasionuarve pas muzikës popullore mundësinë të njihen nga afër me një prej pasurive më të veçanta të trashëgimisë muzikore shqiptare.
Në një prononcim për ATSH-në, Kapaj bëri të ditur se interesi për kursin është rritur ndjeshëm këtë vit. Përveç të rinjve nga Vlora, Tepelena, Kurveleshi dhe zonat përreth, në kurs ka të interesuar edhe nga Tirana.
“Ky është viti i tretë radhazi që ofroj kursin falas të fyellit. Interesi këtë vit ka qenë edhe më i madh. Kam pasur të interesuar edhe nga Tirana, përfshirë disa vajza, ndërsa pjesa më e madhe janë të rinj nga Tepelena, Vlora, Kurveleshi dhe zonat përreth”, u shpreh Kapaj.
Kursi do të zhvillohet nga shtatori i vitit 2026 deri në korrik të vitit 2027. Krahas fyellit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të mësojnë edhe për instrumente të tjera tradicionale, si cylja dyjare, bilbili, xhamba, pipizana, si dhe instrumente të tjera të muzikës popullore shqiptare.
Interesi i shtuar për këtë nismë lidhet edhe me një eksperiencë të veçantë të Kapajt në kinematografinë ndërkombëtare. Mjeshtri shqiptar është përfshirë si solist në fyell në kolonën zanore të filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan dhe muzikë të kompozitorit Ludwig Göransson.
Pjesëmarrja në këtë produksion ka bërë që tingulli karakteristik i fyellit shqiptar të dëgjohet edhe përtej kufijve, duke i dhënë një tjetër dimension traditës muzikore të jugut të Shqipërisë.
“Jehona që ka pasur emri im nga pjesëmarrja në filmin ‘The Odyssey’ ka ndikuar edhe në rritjen e interesit për kursin. Është kënaqësi që pas kësaj vëmendjeje ndërkombëtare, të shohim të rinj që duan të mësojnë dhe të vazhdojnë këtë traditë”, tha Kapaj për ATSH-në.
Për Kapajn, kursi falas është më shumë se një aktivitet muzikor. Ai synon të jetë një mënyrë konkrete për ruajtjen dhe përcjelljen e instrumenteve, repertorit dhe traditës së muzikës labe te brezat e rinj.
Nga Labëria në skenën ndërkombëtare të kinemasë dhe tashmë sërish te të rinjtë shqiptarë, fyelli vijon rrugëtimin e tij si një prej instrumenteve më karakteristike të muzikës popullore shqiptare, duke dëshmuar se tradita mund të ruhet dhe të marrë jetë të re edhe përmes brezave të rinj.
Foto: Kosovapress
D.L
UBT organizon Ceremoninë e Gradimit të studentëve të gjeneratës së 23-të
Seanca konstituive e Kuvendit mbahet më 9 shtator
Marta Kos anulon vizitën në Serbi pas glorifikimit të Ratko Mlladiqit
Aktakuza e parë për Prekazin: 35 të akuzuarit janë të gjallë
Dogana e Kosovës grumbullon mbi 1.3 miliard euro të hyra, shënohet rritje prej 6 për qind
Rektori Hajrizi prezanton modelin UBT 5S për edukimin e së ardhmes në energji
Estevao mund të largohet nga Chelsea në janar
Basketbollistja ukrainase largohet nga LSU pas transferimit të një lojtareje ruse
Aksion për rrënimin e objekteve pa leje në Rezallë të Zubin-Potokut
Të kërkuara
-
Lajmet4 weeks agoInfantino kërkon falje për gabimet, por ruan mbështetjen e drejtuesve të FIFA-s
-
Sport1 month agoUellsi tërheq mbështetjen për Infantinon, kërkon ndryshim në krye të FIFA-s
-
Aktualitet1 month agoRusia sulmon Ukrainën me raketa balistike dhe dronë: Të paktën 14 të vrarë në Kjiv
-
Lajmet1 month ago“Spider-Man: Brand New Day” thyen rekorde, i afrohet miliardit në vetëm pak ditë

