Lajmet

Marshohet në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale, të mbijetuarit presin drejtësi

Dy të mbijetuarat e këtij krimi kanë thënë se pranvera e vitit 1999 ua kujton tmerrin e përjetuar nga kriminelët serbë.

Published

on

Me moton “Të rinjtë mbështesin viktimat e dhunës seksuale” është shënuar Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale. Dy të mbijetuarat e këtij krimi kanë thënë se pranvera e vitit 1999 ua kujton tmerrin e përjetuar nga kriminelët serbë. Vasfije Krasniqi bashkë me Shyrete Tahiri Sulimani i kanë prirë marshit të sotëm të organizuar në mbështetje të të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pas marshimit nga sheshi “Ibrahim Rugova” deri te monumenti “Heroinat”, është prezantuar edhe instilacioni “14 Prilli”, ditë kjo që tashmë njihet zyrtarisht si Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale.

14 prilli i vitit ’99 i ka lënë gjurmë Vasfije Krasniqit për tërë jetën. Ajo tha se ajo ditë do të mbetet në kujtimet më të këqija të saj.

“14 prilli për shumicën e shqiptarëve është vetëm një ditë, por për mua ka qenë dita më e keqe e jetës sime. Se e kam përjetuar atë që është e pabesueshme për njerëzit që ta kuptojnë se çfarë ka ndodhur me neve. Por me ditën e sotmen, unë këtë ditë dua ta shndërroj në forcë, në guxim, kurajo që tu jap forcë viktimave që zëri ynë të dëgjohet në tërë botën se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë gjatë luftës 1998-1999”, ka thënë Krasniqi.

Me kërkesën e Krasniqit, është mbajtur edhe një minutë heshtje për një të mbijetuar, siç tha Krasniqi, që ka vdekur ditë më parë.

Shyrete Tahiri Sulimani, e cila publikisht kishte dorëzuar padinë pranë Prokurorisë Speciale për dhunë seksuale, deklaroi se pranvera e vitit ’98 ka ndryshuar jetën e saj dhe mijëra grave.

“Kjo ditë e 14 prillit është historike e ne e dimë se historia kurrë nuk vdes, brez pas brezi ne do të jemi të gjallë e për të na kujtuar se ne jemi nënat dhe motrat, të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë. Në këtë muaj të prillit të vitit 1999, jeta jo vetëm e imja por e 20 mijë kosovarëve, na ka ndërruar jeta në thelb. Jam shumë krenare që shoh shumë të rinj e të reja këtu sot. E di që këta do të luftojnë çdo herë për neve, e nuk do të lejnë që të harrohet”, ka deklaruar ajo para pjesëmarrësve.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu theksoi se së shpejti do të finalizohet strategjia për drejtësinë tranzicionale.

“Duhet ta luftojmë stigmën dhe të jemi krahë për krahë me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Është përgjegjësi e jona që zërat e të mbijetuarve të dëgjohen dhe që historitë e tyre të mos harrohen kurrë nga asnjë gjeneratë. Lufta në Kosovë pati pasoja të rënda, krimet që Serbia i bëri në Kosovë janë të shumta. Mijëra gra dhe vajza, përfshirë edhe burra u dhunuan nga kriminelët e luftës. Ndërsa, përkujtojmë këtë ditë, do të njohim ndikimin e vazhdueshëm që dhuna seksuale ka tek të mbijetuarit dhe familjet e tyre. Më lejoni të ju njoftoj që si Ministri e Drejtësisë së shpejti do të finalizojmë strategjinë për drejtësinë tranzicionale, e cila në veçanti adreson ndihmën psiko-sociale për të mbijetuarit e dhunës seksuale”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu ka shtuar se së fundmi kanë proceduar edhe ndryshimin e ligjit, me qëllim të zgjatjes së afatit për aplikimin për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale.

“Së fundmi kemi proceduar ndryshimin e ligjit, me qëllim të zgjatjes së afatit për aplikim për njohjen e statusit të viktimave të dhunës seksuale. Dhe nga vendi ku ndodhemi sot ju bëj thirrje të gjithë të mbijetuarve që të aplikojnë për njohjen e statusit të tyre për mbështetjen shtetërore të ofruar nga institucionet e Republikës së Kosovës”, ka shtuar Haxhiu në shënimin e 14 Prillit.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Feride Rushiti ka thënë se shënimi i 14 Prillit është reflektimi i zërave të heshtur të të mbijetuarve të dhunës seksuale.

“Shënimi i kësaj dite është reflektimi i zërave të heshtur të të mbijetuarve dhe kërkesë e vazhdueshme e familjarëve, si dhe organizatave, aktivistëve për të drejtat e njeriut për të ndihmuar të mbijetuarit e dhunës seksuale për tu ballafaquar ashtu siç e meritojnë me të kaluarën. Duke e rindërtuar kështu të ardhmen, mijëra vajza e gra e burra, ne i mbështesim të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës. Kjo ditë na jep mundësi të bashkohemi si shoqëri dhe të reflektojmë mbi vuajtjet, dhimbjet e atyre dhe të ofrojmë edhe më shumë mbështetje. Pikërisht 14 prilli i vitit 2019, bashkërisht me Vasfijen, në ditën dhe vendin ku ajo 20 vjet më parë e kishte përjetuar historinë më të tmerrshme të jetës së saj, nga atje ne ngritëm zërin për më shumë mbështetje familjare, shoqërore e institucionale”, tha Rushiti.

Këshilltarja e presidentes, Donika Kadaj Bujupi tha se dhunimi i më shumë se 20 mijë grave e burrave dëshmojnë se njerëzimi përballet me krimet çnjerëzore.

“Këto krime që po vazhdojnë të ndodhin edhe në këtë shekull, shtojnë domosdoshmërinë që të angazhohemi fillimisht t’i njohim viktimat si të tilla, t’i cmomojmë për kurajon e t’i mbështesim të gjithë ata dhe ato për fuqinë e tyre. Sepse njohja dhe drejtësia janë parakushte të paqes. Të mbijetuarat dhe të mbijetuarit e dhunës duhet të jenë në qendër të procesit të shërimit të shoqërisë sonë. Duke kujtuar viktimat, duke njohur dhe përkrahur viktimat dhe duke mbajtur përgjegjës kriminelët, sigurohemi që e kaluara të mos përsëritet dhe e ardhmja të jetë më e sigurt për secilin nga ne”, u shpreh ajo.

Zyrtarizimi i 14 prillit si të ditë e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës, është bërë në mbledhjen e mbajtur para disa ditëve nga Qeveria e Kosovës, me kërkesë të presidentes, Vjosa Osmani. 

Lajmet

Konjufca pret ambasadorin bullgar: Diskutohet forcimi i bashkëpunimit në siguri dhe politikë të jashtme

Published

on

By

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka pritur në një takim njoftues ambasadorin e Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.

Gjatë këtij takimi, ambasadori Kraevski e uroi ministrin Konjufca për mandatin e tij të ri, duke rikonfirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

Fokus i diskutimit ishte thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit dypalësh, me theks të veçantë në fushën e sigurisë dhe koordinimin e politikave të jashtme.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se partneriteti ndërmjet Prishtinës dhe Sofjes mbetet stabil dhe me interes të ndërsjellë për stabilitetin rajonal.

Me këtë rast, ambasadori Kraevski i dorëzoi ministrit Konjufca ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e radhës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP). Ky takim i rëndësishëm i nivelit rajonal pritet të mbahet në Sofje gjatë muajit qershor të vitit 2026.

Në fund të takimit, u rikonfirmua se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar për të avancuar partneritetin me Bullgarinë, si një shtet mik dhe mbështetës i rrugëtimit euro-atlantik të Kosovës.

Continue Reading

Lajmet

Nënshkruhet kontrata 24 milionëshe për finalizimin e Spitalit të Ferizaj

Published

on

By

Pas një pritjeje të gjatë dhe shumë sfidave procedurale, është hedhur hapi final për kryerjen e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar sot se ka nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve, një projekt ky që kap vlerën prej 24 milionë eurove.

“Kam nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në Spitalin e Ferizajt. Pas shumë sfidave dhe vështirësive të trashëguara e të reja, ky projekt do të finalizohet brenda 30 muajsh”, ka bërë të ditur Vitia.

Ai ka shtuar se ky është një projekt shumë i rëndësishëm për këtë rajon dhe se do të realizohet sipas standardeve më të larta të infrastrukturës spitalore.

Përzgjedhja e fituesit erdhi pas një procesi të gjatë prokurimi ku morën pjesë tetë grupe operatorësh ekonomikë. Ndonëse fituesi ishte shpallur që në nëntor të vitit 2025, nënshkrimi u zvarrit për shkak të ankesave në Ministri dhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Ky hap pason kontratën për riprojektimin e plotë të spitalit që ishte nënshkruar në mars të vitit 2024, duke i hapur rrugë tenderit aktual për ndërtim.

Kontrata e parë për nisjen e punimeve ishte nënshkruar në janar të vitit 2018, në kohën kur ministria udhëhiqej nga Uran Ismaili, i cili asokohe premtonte përfundimin e objektit brenda tri viteve.

Megjithatë, punimet ishin ndërprerë në vitin 2021, duke lënë projektin në pritje deri në riprojektimin e fundit që i dha rrugë marrëveshjes së sotme.

Continue Reading

Lajmet

REL: Mali i Zi bën thirrje për paqe dhe bashkëpunim pasi Serbia blen raketa kineze

Published

on

By

Zyra e Presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, tha se Podgorica mbetet e përkushtuar ndaj “marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë” dhe bashkëpunimit në rajon, pasi Serbia konfirmoi blerjen e raketave kineze CM‑400AKG me aftësi sulmuese.

Në një përgjigje për portalin malazez, Vijesti, zyra e Millatoviqit deklaroi se Mali i Zi ka besim dhe bashkëpunim me të gjitha vendet në rajon, duke theksuar se këto janë parakushte të rëndësishme për “paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm”.

Sipas deklaratës, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në vitin 2017 “e ka forcuar sigurinë” e këtij vendi dhe një gjë e tillë mbetet themeli i sistemit të tij të mbrojtjes.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi javën e kaluar se Serbia ka blerë raketa balistike supersonike nga Kina, CM‑400AKG, duke u bërë vendi i parë në Evropë që i posedon ato.

Ky veprim ndezi alarmin në rajon, sepse objektivat e këtyre raketave, me fuqi të madhe shkatërruese, mund të jenë disa qindra kilometra larg.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se me këtë blerje, Serbia shpërfaqi tendencat hegjemoniste ndaj fqinjëve të saj.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, tha se e ka informuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s për blerjen e raketave kineze nga Serbia, ndërsa presidenti kroat, Zoran Millanoviq, tha se nuk e kupton “përse Serbia furnizohet me armë sulmuese”, duke përmendur edhe shqetësimet për prishjen e mundshme të sigurisë rajonale.

Vuçiq tha se Serbia “nuk po përgatitej për sulm”, por pretendoi se vendet fqinje, Kroacia, Shqipëria dhe Kosova, janë duke krijuar një aleancë ushtarake, të cilën Beogradi e sheh si kërcënim.

Tri vendet i hodhën poshtë këto pretendime.

Bashkimi Evropian, ku Serbia synon të anëtarësohet, tha se rruga e saj evropiane kërkon “zgjedhje të qarta strategjike”, përfshirë shmangien e varësive që nuk janë në përputhje me integrimin evropian.

NATO-ja, partnere e së cilës është Serbia, nuk reagoi ende. /REL/

 

Continue Reading

Lajmet

5-vjeçari në trajtim intensiv për plagë të rënda nga keqtrajtimi i prindërve

Published

on

By

Dy prindër nga Komuna e Lipjanit janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë nën dyshimin se keqtrajtuan fëmijën e tyre  5-vjeçar, i cili është në gjendje trëndë shëndetësore dhe ka plagë të rënda në dy shputat e këmbëve dhe ndryshime të theksuara gangrenoze.

5-vjeçari aktualisht është duke marr trajtim mjekësor në repartin e Kujdesit Intenziv Pediatrik në Klinikën e Pediatrisë pasi gjendja e tij shëndetësore është e  rëndë dhe dyshohet për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim.

“Një fëmijë 5-vjeçar nga Lipjani është sjellë në Emergjencën Qendrore, i referuar nga QKMF Lipjan, për shkak të plagëve të rënda në të dy shputat e këmbëve, të shoqëruara me ndryshime të theksuara gangrenoze. Në momentin e pranimit, fëmija ishte në gjendje të rënduar shëndetësore, me shenja të hipotrofisë (me dyshim për kequshqyerje) dhe me vështirësi në komunikim”, thuhet në përgjigjen e QKUK raporton KosovaPress.

Tutje nga QKUK bëjnë të ditur se pas konsultave mjekësore me pediatrinë dhe kirurgun plastik është rekomanduar që 5-vjeçari të hospitalizohet urgjentë në Repartin e Kujdesit Intensiv Pediatrik, për trajtim dhe monitorim të mëtejmë.

Për shkak të dyshimet për keqtrajtim të mundshëm të fëmijës, QKUK ka njoftuar organet kompetente, përfshirë Policinë dhe shërbimet sociale, në përputhje me procedurat dhe detyrimet ligjore për mbrojtjen e fëmijëve.

Ndërsa, tashmë 5-vjeçari i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratike, dhe ka marrë edhe trajtim psikologjik për shkak të gjendjes së rëndë psikologjike.

Sipas QKUK-së fëmija ndodhet në Kujdesin Intenziv Pediatrik pa përkujdesje prindërore apo kujdestar ligjor.

Siç thonë nga Qendra Klinike Universitare për të miturin po kujdesin stafi shëndetësor dhe punonjësi social.

“Pas pranimit në Kujdesin Intensiv Pediatrik, fëmija i është nënshtruar ekzaminimeve të plota laboratorike dhe imazherike. Trajtimi intensiv i plagëve është duke vazhduar, ndërkohë që janë realizuar edhe konsultat multidisiplinare me kirurgun vaskular, kirurgun plastik dhe ortopedin.Për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike, në procesin e trajtimit janë përfshirë edhe psikologu, psikiatri i fëmijëve dhe punëtori social, me qëllim të vlerësimit dhe ofrimit të mbështetjes së nevojshme psikosociale. Aktualisht, fëmija ndodhet pa përcjellje nga prindërit apo kujdestari ligjor dhe është nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të stafit mjekësor dhe punëtorëve socialë, në përputhje me procedurat për mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijëve në situata të tilla”, thuhet në përgjigjen e QKUK për KosovaPress.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për KosovaPress kanë bërë të ditur se tashmë me vendim të prokuroritdy prindërit e të miturit janë ndaluar për 48 orë ndërsa, brenda afatit ligjor do të bëhet edhe kërkesa për caktim të masës së paraburgimit.

Prindërit e 5-vjeçarit dyshohen për veprën penale veprën penale “Shkelje e detyrimeve familjare” dhe “Lëndim i rëndë trupor”.

“Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar dy (2) persona në kohë zgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar për veprat penale ‘Shkelja e detyrimeve familjare’ sipas nenit 244 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dhe veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’ sipas nenit 186 të KPRK-së. Në këtë drejtim, Prokurori i rastit është duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me këtë rast. Ndërkohë, Prokurori i Shtetit brenda afatit ligjor, do të paraqes kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente. Për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të ofrojmë detaje lidhur me këtë sepse mund të dëmtohet integritetit dhe mbarëvajtja e hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës ky rast është cilësuar si “shkelje e detyrimit familjar”. “Është raportuar se është sjellë në QKUK- Prishtinë viktima mashkull kosovar i mitur, për shkak të gjendjes së tij jo të mirë, për shkak të mos trajtimit nga ana e prindërve të tij. Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

 

Continue Reading

Të kërkuara