Kulturë

Margariti: Kujtojmë aktorin e shkëlqyer Agim Qirjaqi

Qirjaqi u nda nga jeta në 28 mars 2010 në moshën 59-vjeçare pas një sëmundje të rëndë.

Published

on

 Ministrja e Kulturës, Elva Margariti përkujtoi sot aktorin Agim Qirjaqi, në kuadër të “Muajit të Teatrit”.

“Sot, në ditën e ndarjes së tij nga jeta, kujtojmë aktorin e shkëlqyer, Agim Qirjaqi”, tha Margariti.

Agim Qirjaqi lindi në Kolonjë në vitin 1950. Karrierën si aktor e filloi në Teatrin Kombëtar, pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve në Tiranë, më 1973. Shumë shpejt bëhet i njohur nëpërmjet filmave “Rrugë të bardha” i Viktor Gjikës (Profesori), “Lulëkuqet mbi mure” i Dhimitër Anagnostit (Drejtori i Shkollës) etj. Me këtë të fundit fiton çmimin e parë në Festivalin II të Filmit, më 1977.

Më pas punoi si regjisor në TVSH, ku realizon si regjisor e aktor shumë telefilma, mes të cilëve edhe filmin artistik “Dorina” (1980).

Gjatë kësaj kohe vazhdoi të punojë intensivisht në filma, duke qenë i preferuar nga shumica e regjisorëve tanë. Gjithashtu filloi të japë mësim, mjeshtërinë e aktorit, në Akademinë e Arteve, përvojë të cilën e vazhdoi edhe pas rikthimit në Teatrin Kombëtar, më 1981. Në vitet ’80 interpretoi rregullisht në teatër dhe në film, duke qenë njësoj i suksesshëm, si në role dramatikë, ashtu edhe në ata komikë.

Më 1989 largohet për herë të dytë nga Teatri Kombëtar, këtë herë për një trajnim 2 vjeçar pranë të famshmit Xhiorxhio Strehler (Giorgio Strehler) në Teatrin Pikolo (Il Picolo Teatro) të Milanos dhe pastaj në Teatrin Elizeo (Eliseo) të Romës. U rikthye në Teatrin Kombëtar më 1991 këtë herë më i dhënë pas regjisë. Lista filloi me “Rikardi III” të Shekspirit (1992) dhe vazhdon me “Fando e Lis” të Arrabalit, me të cilën fiton Çmimin “Aleksandër Moisiu” në Festivalin e vitit 1994, “Marrëzia e madhështisë” të Vangjel Kozma, “Këngëtarja tullace” të Ioneskos dhe mbaron me “Armiku i popullit” të Ibsenit.

Krahas krijimtarisë, angazhohet edhe në veprimtaritë ‘jashtë skene’, si përkthyes dramash (“Fando e Lis” dhe “Këngëtarja tullace”), bashkëpunëtor dhe anëtar i Këshillit Botues të buletinit Teatër, anëtar i bordeve të Studios Alba Film dhe Akademisë së Arteve, bashkëthemelues dhe kryetar i parë i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve të Teatrit (1992). Më 1996 fitoi titullin “Asistent Profesor”. Në sezonin 2002-2003 ka qenë drejtor i Teatrit Kombëtar.

Qirjaqi u nda nga jeta në 28 mars 2010 në moshën 59-vjeçare pas një sëmundje të rëndë/ATSH

Continue Reading

Lajmet

Hapet ekspozita fotografike “Kronologjia e Lirisë” nga Ridvan Slivova në Prishtinë

Published

on

By

Sot, më 9 tetor 2026, me fillim nga ora 18:00, në hapësirat e Barabar Centre në Prishtinë, do të hapet ekspozita fotografike e titulluar “Kronologjia e Lirisë”, me autor fotografin e njohur Ridvan Slivova.

Ngjarja organizohet në kuadër të festivalit ndërkombëtar të fotografisë “Fotoist”. Ekspozita sjell një kronikë të fuqishme vizuale të periudhës së luftës në Kosovë, duke dokumentuar ngjarje tragjike – përfshirë Masakrën e Gollakut – si dhe momente të tjera kyçe të rezistencës dhe rrugëtimit të popullit të Kosovës drejt lirisë.

Të gjithë të interesuarit dhe dashamirët e artit e historisë mund të marrin pjesë në këtë ngjarje ose të informohen më shumë përmes uebfaqes zyrtare të festivalit, www.fotoist.org.

Continue Reading

Lajmet

“Neighbours – From Motherland” bashkon kulturën shqiptare dhe kurde në Prishtinë

Published

on

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës dhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit të Shqipërisë janë bashkuar në skenën e Amfiteatrit të Teatrit Kombëtar në Prishtinë, përmes shfaqjes koreografike “Neighbours – From Motherland”, e cila trajton rrënjët, identitetin dhe të përbashkëtat mes kulturave shqiptare e kurde.

Shfaqja, e realizuar nga koreografët Brigel Gjoka dhe Rauf Yasit, u prezantua të mërkurën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, pas paraqitjeve më 3 dhe 4 tetor në Tiranë, në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Vallëzimit.

Koreografia ndërthur kërcimin bashkëkohor me elemente të vallëzimit tradicional, ndërsa lëvizjet, ritmi dhe muzika krijojnë një dialog mes kulturave. Në performancë janë ndërthurur tinguj të muzikës kurde, turke dhe shqiptare, përfshirë këngën tradicionale “Fustanin që ta solla mbrëmë”.

Koreografi Rauf Yasit ka treguar se vepra është zhvilluar në disa etapa. Pjesa e parë u krijua në vitin 2019, fillimisht në heshtje, ndërsa në vitin 2021 u ndërtua pjesa e dytë, me përfshirjen e muzikës.

“Ne festojmë rrënjët tona dhe prejardhjen tonë”, ka thënë Yasit, duke shpjeguar se koncepti është zhvilluar gradualisht përmes hulumtimit të lëvizjes dhe identitetit kulturor.

Për koreografin Brigel Gjoka, i cili për herë të parë ka punuar me Baletin Kombëtar të Kosovës, ky bashkëpunim ka qenë një përvojë e veçantë dhe emocionale.

“Unë nuk do të them se ka të bëjë me humbjen e rrënjëve; do të them se ka të bëjë me rikthimin te rrënjët. Mendoj se jemi më afër secilit person tjetër, pavarësisht kombësisë së tij”, ka deklaruar Gjoka.

Edhe balerina Rovena Shqevi ka theksuar se mesazhi i shfaqjes shkon përtej kulturave shqiptare dhe kurde, duke përcjellë një thirrje për mirëkuptim, respekt dhe bashkëjetesë.

“Në fund të ditës, të gjithë jemi njerëz, pavarësisht kombësive të cilave u përkasim. Marrëdhënia jonë duhet të jetë gjithmonë e mirë, e bukur, me dashuri dhe respekt për njëri-tjetrin, pa dhunë, pa luftë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, balerina e Baletit Kombëtar të Kosovës, Jeta Musolli, e ka vlerësuar lart bashkëpunimin mes dy trupave, duke thënë se gjatë rreth pesë javëve të punës intensive në Tiranë, artistët kanë funksionuar si një trup i vetëm.

Në shfaqje kanë interpretuar edhe dy koreografët, si dhe Isa Gjocaj, Aulonë Nuhiu, Rigon Krasniqi, Sead Vuniqi, Isida Mollaymeri, Livia Lara, Armando Meci dhe Enea Qiriçi.

“Neighbours – From Motherland” sjell në skenë një rrëfim për afërsinë mes kulturave dhe rikthimin te rrënjët e përbashkëta, duke përcjellë mesazhin se arti mund të krijojë ura komunikimi përtej dallimeve kombëtare./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Gonxhja: Muzetë përjetohen bukur edhe në mbrëmje

Published

on

Ministri i Kulturës, Turizmit dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ka vënë në pah mundësinë e përjetimit të muzeve edhe gjatë orëve të mbrëmjes.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gonxhja ka ndarë mesazhin: “Muzetë përjetohen bukur edhe në mbrëmje!”, duke e shoqëruar me hashtagun #AlbaniaAllSenses.

Mesazhi vë në fokus muzetë si hapësira ku historia, arti dhe trashëgimia kulturore mund të zbulohen në mënyra të ndryshme, përtej vizitave gjatë ditës.

Nën atmosferën e mbrëmjes, objektet dhe veprat që ruajnë kujtesën historike marrin një tjetër dimension, duke ofruar një përvojë të veçantë për vizitorët./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Anne Carson fiton Çmimin Nobel për Letërsi 2026

Published

on

Poetja kanadeze Anne Carson është laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi për vitin 2026.

Akademia Suedeze e ka nderuar 76-vjeçaren për “veprën e saj të guximshme dhe novatore, e cila, në një dialog lozonjar me traditën klasike, ka krijuar forma të reja për letërsinë bashkëkohore”.

Sekretarja e përhershme e Akademisë Suedeze, Ingrid Carlberg, tha se ia kishte komunikuar lajmin Carsonit përmes telefonit, pak para njoftimit zyrtar.

“Ajo u kap në befasi, por ishte shumë e lumtur”, tha Carlberg, duke shtuar se Carson i kishte treguar se në atë moment ndodhej në Islandë.

Anne Carson lindi në vitin 1950 në Toronto të Kanadasë. Ajo është poete, eseiste, përkthyese dhe ish-profesoreshë universitare, ndërsa gjatë karrierës së saj ka ndërthurur poezinë, prozën, përkthimin dhe studimet klasike.

Krijimtaria e saj është e njohur për kapërcimin e kufijve mes zhanreve dhe për ndërthurjen e letërsisë bashkëkohore me traditën klasike. Suksesi i saj i madh erdhi në vitin 1998 me veprën “Autobiography of Red”.

Carson ka botuar më shumë se 20 libra me poezi, ese dhe përkthime. Në vitin 2001, ajo u bë gruaja e parë që fitoi çmimin “T.S. Eliot” për veprën “The Beauty of the Husband”.

Vitin e kaluar, Çmimi Nobel për Letërsi iu dha shkrimtarit hungarez László Krasznahorkai, për veprën e tij që, sipas jurisë, mbron fuqinë e artit përballë “tmerrit apokaliptik”.

Njoftimi për Çmimin Nobel për Letërsi vjen pas shpalljes së çmimeve në mjekësi, fizikë dhe kimi, ndërsa këtë javë pritet të shpallet edhe Çmimi Nobel për Paqen./A.K/

Continue Reading

Të kërkuara