Lajmet

Maqedonci: Ushtria e Kosovës është e gatshme të përballet me çdo kërcënim

Published

on

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaroi se ushtria e Kosovës është e gatshme që të përballet me çdo sfidë dhe kërcënim që tenton të cenojë integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve. Ai tha se deklaratat e kryeministrit Albin Kurti për sulme të mundshme gjatë këtyre ditëve, nuk kanë për qëllim që të frikësojnë qytetarët.

Në konferencën e fundvitit, Maqedonci tha se grupi që kreu sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit, dhe atë të 29 nëntorit të këtij viti në kanalin e Ibër-Lepencit, vazhdon të mbetet i lirë në Serbi.

“Grupi që kreu sulmin e 24 shtatorit por edhe sulme të tjera të radhës, vazhdon të mbetet i lirë në Serbi dhe vazhdon të mbështetet nga strukturat e sigurisë në Serbi. Normalisht që kohët kur këto grupe mund të kryejnë sulme janë të ndjeshme dhe që lidhen me data, siç ishte edhe sulmi i datës 29 nëntorit që ndodhi menjëherë pas sulmeve të Rusisë kundër Ukrainës, në infrastrukturën energjetike por edhe për festat e nëntorit që ndërlidhen me festat në Kosovë por edhe vet në Serbi. Vlerësoj, është thënë edhe nga kryeministri këto ditët e fundit, po e them unë, ne si vend, si qeveri, si institucione garantojmë siguri, kemi institucione të përgatitura dhe të gatshme për tu përballur me çdo sfidë dhe kërcënim. Aspak nuk ka pasur qëllim, asnjë deklaratë e jona që të ndjell panik apo frikë. Qëllimi është që të jemi transparent me qytetarët. Ushtria e Kosovës, Policia e Kosovës, gjitha institucionet e sigurisë në Republikën e Kosovës janë të gatshme për tu përballur me çdo sfidë dhe kërcënim që tenton të cenojë integritetin territorial dhe jetën e qytetarëve tanë”, deklaroi Maqedonci.

Në konferencë për media, ai tha se gjatë vitit 2025 do të validojnë regjimentin e tretë të këmbësorisë, në kuadër të stërvitjes më të madhe ndërkombëtare “Defender Europe 2025”.

Maqedonci tha se për kate vjet mandat është dyfishuar numri i ushtarëve.

Gjatë këtij viti janë shpenzuar 169 milionë e 758 mijë euro të buxhetit dhe shtesave buxhetore të ndara për Ministrinë e Mbrojtjes. Apo shprehur në përqindje rreth 97 për qind të buxhetit. Është shpenzuar dy për qind, janë obligime financiare dhe 1 për qind mjete të zotuara që do të thotë se nuk kemi buxhet të lirë dhe buxheti është realizuar 100 për qind. Buxheti rekord i ndarë për Ministrinë e Mbrojtjes ka ndikuar në zhvillimin me hapa të jashtëzakonshëm të ushtrisë tonë, duke ngritur kapacitetet në tri aspekte kryesore: arsenalin ushtarak, personelin numerikisht dhe ndërtimin profesional përmes trajnimeve të ndryshme. Gjatë mandatit tonë në tërësi, deri më tani janë rekrutuar 1971 ushtarak të rinj, ndërsa jemi në proces të rekrutimit edhe të 300 ushtarëve duke çuar numrin në numrin total deri në 2171. Krahas rritjes në numër kemi mbështetur edhe rritjen e mirëqenies së pjesëtarëve të FSK-së përmes ngritjes së pagave, duke rritur pagën e ushtarit për 60 për qind nga 422 në 726 që do të jetë nga 1 korriku 2025”, theksoi ai.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci theksoi se punën e kanë bazuar në katër objektiva, si zhvillimi i kapaciteteve luftarake për mbrojtjen e sovranitetit, mirëmbajtja e kapaciteteve thelbësore për mbështetje të autoriteteve civile, fuqizimi i mbikëqyrjes civile dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.

Kemi investuar në ngritjen e kapaciteteve luftarake përmes blerjes së armatimit. Gjatë këtyre katër viteve janë investuar mbi 270 milionë euro në blerjet ushtarake, pra blerjet e armatimit. Që është një dallim i jashtëzakonshëm me periudhën e njëjtë të vitit 2017-2020 që ishin investuar vetëm katër milionë euro në këtë drejtim. Përveç dronëve bajraktar dhe sistemeve të ndryshme të mbështetjes me zjarr, artileries, ne kemi vazhduar edhe me aspekte të tjera të forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse duke vendosur për herë të parë bazamentin e industrisë së mbrojtjes përmes nënshkrimit të kontratës për hapjen e fabrikës shtetërore të municionit. Fabrikë që do të jetë e para e këtij lloji në Kosovë, e para që prodhon municion luftarak, i cili do të mundësojë edhe eksport në vendet e NATO-s”, shtoi ai.

Sipas tij, ushtria e Kosovës është “më e fortë se kurrë dhe e gatshme për mbrojtjen e sovranitetit”.

Ushtria jonë sot është më e fuqishme se kurrë, është më e pajisur se kurrë, më e përgatitur dhe më e trajnuar se kurrë dhe më e kompletuar me personel se kurrë më parë dhe më e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e vendit tonë për të mbështetur autoritetet civile në rast të fatkeqësive natyrore si dhe për të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare bashkë me aleatët tanë”, u shpreh ai.

Në Ditën e Veteranëve të Luftës, Maqedonci ka uruar të gjithë veteranët e luftës çlirimtare të Kosovës, teksa kujtoi sulmin e parë në Prekaz të kryer nga forcat serbe.

Lajmet

KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave

Published

on

By

Sot pritet të përmbyllet procesi i rinumërimit të gjithsej 2 mijë e 557 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai bëri me dije se deri më tani janë rinumëruar rreth 95% e tyre.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë”, deklaroi ai.

Continue Reading

Lajmet

Gjenden mbetje eshtërore në Skenderaj, dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në ja në bërë gërmime në fshatin Marinë të Skenderajt, ku janë hasur mbetje eshtërore.

Sipas policisë këto mbetje dyshohet se i përkasin personave të zhdukur në vitin 1998/1999.

Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut. Mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim”, thuhet në raportin policor.

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors”, me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit

Published

on

By

Punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors (J4J) – Mobile Journalism Workshop”, e organizuar nga UBT në bashkëpunim me TRT dhe Institutin Yunus Emre, u përmbyll me sukses, duke ofruar një përvojë të vlefshme profesionale për studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, si dhe për nxënësit e UBT International Smart Schools.

Kjo punëtori shërbeu si një platformë edukative dhe praktike për fuqizimin e të rinjve me aftësi bashkëkohore në gazetarinë mobile, tregimin kreativ të storieve dhe prodhimin e përmbajtjes digjitale me ndikim social.

Gjatë ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione intensive që përfshinë bazat e gazetarisë, etikën profesionale, storytelling digjital dhe përdorimin e mjeteve mobile për xhirim, editim dhe shpërndarje të përmbajtjes mediatike.

Përmes punës praktike në terren, studentët dhe nxënësit patën mundësinë të krijojnë video-storie autentike, të ndërtuara nga perspektiva të ndryshme dhe të përshtatura për platformat digjitale.

Një moment i veçantë i kësaj ngjarjeje ishte Digital Video Competition, ku u realizua shfaqja në grup e video-storieve të përgatitura nga pjesëmarrësit. Këto punime u vlerësuan nga një juri profesionale e përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të TRT-së, të cilët ofruan feedback konstruktiv dhe këshilla profesionale, duke vlerësuar kreativitetin, qasjen vizuale dhe mesazhin shoqëror të videove të realizuara.

Punimet e të rinjve u vlerësuan si dëshmi e potencialit të madh krijues dhe e përgatitjes së tyre për t’u përballur me sfidat e gazetarisë moderne, duke treguar se gazetaria mobile është një mjet i fuqishëm për të rrëfyer histori reale dhe me ndikim.

Punëtoria u përmbyll me ndarjen e certifikatave si vlerësim për angazhimin dhe punën e tyre gjatë gjithë procesit trajnues. Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimeve ndërkombëtare në edukimin e brezit të ri të gazetarëve dhe roli i UBT-së si institucion që promovon arsimin praktik, inovacionin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me industrinë e medias.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” bashkojnë vizionet për arsimin dhe inovacionin

Published

on

By

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi akademik, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite zyrtare të delegacionit të Universitetit “Eqrem Çabej”, të prirë nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Jaho Cana, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Prishtinë. Delegacioni u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të UBT-së.

Gjatë takimit, rektorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar në hapësirën shqiptare, duke vënë theksin në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe realizimin e projekteve kërkimore dhe shkencore me interes të ndërsjellë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi modelin unik të UBT-së, veçanërisht rolin e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik si një urë lidhëse ndërmjet akademisë, industrisë dhe inovacionit, duke theksuar se UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ne kemi menduar të krijojmë një ekosistem transdisiplinar, ku bashkëpunimi është në zemër të strategjisë sonë dhe ku universiteti ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri”, theksoi Hajrizi.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, vlerësoi lart filozofinë dhe misionin e UBT-së, duke e cilësuar këtë institucion si një universitet që ka lindur për t’i shërbyer shoqërisë dhe për të krijuar vlera konkrete për të.

“Ju keni lindur si një universitet për t’i ofruar të mira kësaj shoqërie. Jeni një universitet për t’i dhënë shoqërisë dhe sinqerisht ndihem i befasuar pozitivisht nga ajo që pashë këtu”, u shpreh Rektori Cana.

Ai shtoi se bashkëpunimi me një universitet si UBT-ja është prioritet për Universitetin “Eqrem Çabej”, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme akademike ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në rajon.

“Bashkëpunimi me një universitet si ju është prioritet i yni dhe jemi të bindur se kjo marrëveshje do të prodhojë rezultate konkrete për të dy institucionet”, tha Cana.

Vizita përfshiu edhe një tur në ambientet e Parkut Shkencor të UBT-së, ku delegacioni u njoh nga afër me laboratorët, qendrat e inovacionit dhe infrastrukturën moderne që mbështet arsimin, kërkimin dhe zhvillimin teknologjik.

Continue Reading

Të kërkuara