Lajmet

​Mangani ende me vlera të larta në ujin për pije, ja edhe sa mund të zgjasë

Published

on

Vlerat e larta të Manganit në ujin e Liqenit të Badocit vazhdojnë të jenë ende prezentë.

Si i tillë uji ende nuk rekomandohet të përdoret për pije e veçanërisht te grupet më të ndjeshme sic janë fëmijët 0-5 vjeç, personat e moshuar dhe ata që kanë sëmundje. Derisa uji i Liqenit të Badocit mund të përdoret për larje të enëve dhe rrobave.

Përkundër që uji po vazhdon të shpërndahet me autobote nëpër lagje të Prishtinës, qytetarët janë shprehur se duhet të rregulluar kualiteti i ujit për pije dhe që furnizimi të jetë i rregullt. Në të kundërtën nëse gjendja do të zgjas, qytetarët kanë paralajmëruar edhe protesta.

Doktoresha nga Institutit Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, (IKSHPK) Burbuqe Nushi thotë se çdo ditë vlerat e manganit vazhdojnë të ngrihen.

Nushi ka paralajmëruar se nëse nuk do të ketë reshje shiu, atëherë kjo gjendje me ujin e pijshëm pritet të vazhdojë edhe përgjatë dy javëve të ardhshme.

“Çdo tejkalim i dozës, mund të ketë efekt toksik. Rekomandohet që qytetarët ende të mos e pinë ujin… Rekomandohet që kryesisht fëmijëve prej 0 deri në 5 vjeç, personat e moshuar dhe ata me sëmundje dhe që kanë diagnoza të mos e konsumojnë këtë ujë, përndryshe krejt veprimtaria tjetër mund të përfundojë me këtë ujë, dhe larja e enëve. Zierja e ushqimit po, por jo përgatitje të ushqimit për foshnja. Sot sillet rreth 0.500 mg/L…. Nëse i referohemi parashikimeve meteorologjike, nuk ka shi edhe 10 ditë, atëherë pritet që kjo gjendje të zgjasë edhe dy javë”, ka thënë Nushi.

Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku ka treguar për masat që ka ndërmarrë kjo kompani për të tejkaluar gjendjen me ujë të pijshëm, pas paraqitjes së vlerave të larta të Manganit në Liqenin e Badocit.

“Është ende në sasi të lartë, ka herë pas here edhe ulje të vlerave, mirëpo ende nuk janë për ujë të pijshëm. Paralelisht ne jemi duke e bërë edhe shpëlarjen e gypave magjistralë dhe sekondarë, duke bartur ujë përmes autoboteve në të gjitha zonat që furnizohen nga Badoci. Qëllimi ynë është që ta zvogëlojmë sasinë e manganit në liqenin e Badocit edhe nëse vazhdon të jetë një sasi shumë e lartë e manganit jashtë vlerave të lejuara, nuk është mirë ta shpërndajmë”, ka thënë Mjeku.

Qytetarët po furnizohen me ujë nga autobotet për ta përdorur vetëm në kuzhinë, ndërsa për ta konsumuar e blejnë atë nëpër markete.

Ilir Fetahaj nga lagjja “Bregu i Diellit”, në Prishtinë, thotë se nëse gjendja e vështirësuar me furnizim të ujit të pijes do të vazhdojë, atëherë qytetarët duhet të dalin në protesta.

“Nuk kam asnjë mendim të mirë. Duhet të bëjnë diçka për ta rregulluar edhe kualitetin dhe furnizimi të jetë i rregullt. Faktikisht, e blejmë ujin e pijshëm, këtë ujë që e marrim, e marrim vetëm për kuzhinë. Të vetëdijesohemi dhe të dalim për të protestuar”, tha ai.

Qytetari tjetër Ibrahim Asllani thotë se zakonisht kur ndodhen në situata të tilla ata janë të detyruar që të blejnë ujin për pije.

“Nuk është e lodhshme kur është e nevojshme, absolut duhet patjetër, pa ujë nuk ka jetë. 6:40 Sigurisht përfundon, duhet të pajtohemi edhe nëse zgjat. Kur nuk vjen cisterna ne duhet të blejmë, patjetër është e nevojshme”, tha Asllani.

Furnizimi me ujë nga autobotet bëhet në lagjet “Badoci i ri”, “Graçanica”, “Hajvalia”, “Veterniku”, “Lagjja e Spitalit”, “Rruga B”, “Bregu i Diellit” dhe “Muharrem Fejza”.

Mangani është një mineral që mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore nëse sasia e tij në ujë është më e madhe se 0.05 miligram për një litër, pasi kjo mund t’i shtojë ujit ngjyrë, erë dhe shije ndryshe.

Disa prej efekteve potenciale të përdorimit të ujit me përmbajtje të lartë të manganit janë problemet në sistemin e tretjes, ndikim në sistemin nervor, dëmtim të shëndetit të fëmijëve dhe probleme me zemër./UBTnews/

Vendi

Jashari pret krerët e Forcave Speciale të Shqipërisë dhe Kroacisë

Published

on

By

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka prit në takim zyrtar Komandantin e Regjimentit të Operacioneve Speciale të Shqipërisë dhe Komandantin e Komandës së Forcave të Operacioneve Speciale të Kroacisë.

Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, koordinimin ushtarak dhe shkëmbimin e përvojave profesionale, me fokus të veçantë në fushën e operacioneve speciale, trajnimeve taktike dhe ngritjes së kapaciteteve operacionale.

Palët nënshtruan rëndësinë e ushtrimeve të përbashkëta për rritjen e ndërveprueshmërisë mes forcave aleate, ku si pikë kyçe e bisedimeve shërbeu ushtrimi ushtarak “Valor Shield 2026”.

Gjeneral Jashari shprehu vlerësimin e tij për partneritetin e vazhdueshëm me Shqipërinë dhe Kroacinë, duke nëvizuar se përkrahja e forcave partnere është me rëndësi vitalë për zhvillimin profesional dhe avancimin e FSK-së. /E.A/

Continue Reading

Vendi

OVL-UÇK paralajmëron protesta nëse nuk procedohet ndryshimi i Ligjit për Specialen

Published

on

By

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Gazmend Syla, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedojë sa më parë në Kuvend Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të martë, Syla mirëpriti miratimin e Deklaratës mbështetëse nga Kuvendi, mirëpo theksoi se ish-drejtuesit e UÇK-së në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete ligjore e jo vetëm zotime politike.

“Deklarata është zotim, ligji është veprim. Ata që sot i kanë duart e lidhura në Hagë kanë nevojë për veprime konkrete. Nëse vendi shkon në zgjedhje pa i dhënë Kuvendit mundësinë për të votuar këtë ligj, përgjegjësia politike për mosprocedimin e tij duhet të jetë e qartë”, deklaroi Syla.

Ai paralajmëroi se kategoritë e dala nga lufta nuk do të rrinë duarkryq dhe se janë të gatshëm të dalin në rrugë e të ndërmarrin hapa të tjerë protestues nëse kërkesat e tyre injorohen.

Më tej, Syla bëri të ditur se tashmë janë kryer të gjitha përgatitjet për marshin protestues kundër vendimit të Gjykatës Speciale, i cili do të mbahet më 1 nëntor, duke filluar nga ora 16:00.

Continue Reading

Botë

Rubio: Një “aktor i huaj” i përfshirë në komplotin e dyshuar për bombë pranë bazës ushtarake në Britani

Published

on

By

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se një “aktor i huaj” ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm me bombë pranë një baze ajrore në Britaninë e Madhe, e cila përdoret nga ushtria amerikane.

Policia arrestoi të dielën pesë persona — të gjithë shtetas britanikë nga Londra, të mosshës 20 deri në 25 vjeç — pasi u njoftua nga një fermer lokal për lëvizjen e tri furgonëve të bardhë në drejtim të bazës RAF Fairford. Kjo bazë britanike strehon bombarduesit amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.

Njësia kundër terrorizmit njoftoi se po heton nëse të dyshuarit po vepronin në emër të një shteti të huaj në këtë plan për të sulmuar bazën ajrore, ndërsa më vonë bëri të ditur se ata do të lirohen me dorëzani.

Duke komentuar rastin në emisionin “Hannity” në Fox News, Rubio u shpreh: “Ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Britani gjatë fundjavës është një situatë shumë serioze. Është një çështje që qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj, megjithëse nuk do të hyj ende në detaje të mëtejshme.”

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishte deklaruar në korrik se baza Fairford përbënte një “cakt të legjitim”. Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate, duke i cilësuar si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që synojnë të nxisin propagandë kundër Iranit.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili tha se autoritetet britanike dhe ato amerikane i kishin pasur të dyshuarit nën hetim prej kohësh, duke pretenduar se ata “po kërkonin të shkaktonin dëme të mëdha”. Pas lajmit për lirimin e tyre me dorëzani, Trump shtoi se rasti “mund të ketë lidhje” me Iranin, por pa dhënë detaje të tjera.

 

Continue Reading

Lajmet

692 milionë euro nga mërgata në gjashtë muajt e parë të vitit

Published

on

By

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se dërgesat e mërgatës në Kosovë kanë arritur në 692 milionë euro gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke shënuar një rritje prej 5.7 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përmes një postimi, Gërvalla ka vlerësuar lart kontributin e bashkatdhetarëve, duke e cilësuar atë si një dëshmi të lidhjes së fuqishme dhe të pandashme me atdheun.

“Kjo shifër tregon shumë më tepër se një kontribut ekonomik. Tregon pikërisht lidhjen e pandashme që nuk e kanë këputur as mijëra kilometra largësi. Tregon se sa fort mërgata jonë vazhdon ta mbajë Kosovën afër vetes”, ka deklaruar ajo.

Më tej, ministrja theksoi se këto mjete financiare luajnë një rol jetik në mirëqenien e familjeve kosovare, konsumin vendor, kursimet dhe investimet, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar të vendit. Ajo rikujtoi se gjatë dekadës së fundit, remitancat kanë përbërë mesatarisht 12% deri në 14% të Produktit Brendshëm Bruto (BPV) të Kosovës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara