Aktualitet

Mali i Zi është lënë pas dore, Uashingtoni dhe Brukseli ta rikthejnë vëmendjen

Published

on

Analistë amerikanë dhe evropianë thanë se nxitja e hakmarrjes politike dëmton përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Malit të Zi, vendi i vogël që është parë si favorit në mesin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. I pavarësuar 15 vjet më parë, Mali i Zi tash e mbi pesë muaj ka një qeveri të re të zotëruar nga partitë proserbe e proruse, duke ngritur shqetësime për ndryshimin e orientimit të vendit që tashmë është anëtar i NATO-s.

Analisti amerikan, Richard Kraemer nga Instituti Kërkimor për Politika të Jashtme dhe Shef i Programit të Ballkanit Perëndimor në Qendrën Evropiane të Vlerave, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës, se anketat e fundit tregojnë se shumica e qytetarëve të Malit të Zi duan që vendi të vazhdojë rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Kur shohim se çfarë po ndodh muajt e fundit me amendamentimin e Ligjit për ndjekjen e krimit të organizuar dhe si qeveria aktuale po sulmon prokurorin e Posaçëm, Milivoje Katniç për të cilin unë kam vetëm respekt dhe admirim dhe e konsideroj si një patriot të vërtetë, veprimet e tilla kanë pasoja. Nxitja e hakmarrjes politike nuk do t’ju fus në Bashkimin Evropian. A do t’i dëgjojnë udhëheqësit e Malit të Zi këto mesazhe dhe t’i kuptojnë ato, është çështje e tyre”, tha ai.

Analistja Majda Ruge nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha se çështja e këtij ligji që mori një opinion nga Komisioni i Venecias, u paraqit nga shumica parlamentare si një hap më tej drejt luftës kundër korrupsionit. Por, duket më shumë si një përpjekje për të ushtruar ndikim politik në drejtësi, posaçërisht në zyrën e prokurorit.

“Pra çështja është se si do të veprojë qeveria, e cila tha se ‘Komisioni i dha dritën jeshile’, që nuk është e vërtetë dhe si do të punojë për përmbushjen e kapitullit 23, që ka të bëjë me drejtësinë në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Zonja Ruge thotë se në Malin e Zi ka veprime që demonstrojnë një trend drejt revizionizmit, që tashmë është parë edhe në Serbi dhe Kroaci.

“Pamë mohimin e gjenocidit në Srebrenicë nga ministri i Drejtësisë. Sapo kishim vizitën e një delegacioni të Malit të Zi, përfshirë ministrin e Financave, në Republikën Serbe të Bosnjës, dhe takimin e tyre me Milorad Dodikun, pa flamurin e Bosnjës dhe vetëm më simbolet e Republikës Serbe, pak pas publikimit të dokumentit joformal slloven që argumentonte për ripërcaktimin e kufijve në vija etnike dhe deklaratat e Milorad Dodikut se Bosnja duhet të shpërbëhet në mënyrë paqësore. Këto janë vetëm disa shenjat e qeverisë së re dhe çështja është nëse këto do të përkthehen në politika të jashtme dhe rajonale më pak konstruktive të qeverisë së Malit të Zi”, tha zonja Ruge.

Analisti Richard Kraemer për situatën në Malin e Zi

Analisti amerikan, Richard Kraemer, nga Instituti Kërkimor për Politika të Jashtme dhe Qendra Evropiane e Vlerave, tha në një bisedë me Zërin e Amerikës se nxitja e hakmarrjes politike në Mal të Zi nga koalicioni i ri qeverisës, nuk do të ndihmojë integrimin në BE.

Intervistën e plotë mund ta lexoni këtu.

Mali i Zi, i cili deri në vitin 2019, për gati 30 vjet është drejtuar nga Partia Demokratike e Socialistëve të presidentit aktual Milo Gjukanoviç, sfidoi aleatin historik, Moskën në vitin 2017, duke u anëtarësuar në NATO. Analistë të ndryshëm thonë se me qeverinë e re rusët mund të shfrytëzojnë zyrtarët më miqësorë ndaj tyre në Podgoricë për të përfituar qasje në informacionet e besueshme të aleancës. Për zotin Kraemer dhe zonjë Ruge, është vështirë të thuhet se Mali i Zi mund të ofrojë qasje në informacione të tilla.

“Por, duhet kuptuar se veprimet dhe fjalët kanë pasoja. Kur keni dikë si (kryeministrin Zdravko) Krivokapiç, që duket si dikush me mëdyshje rreth një perspektive të një unioni të ardhshëm ndërmjet Malit të Zi dhe Serbisë, ta zëmë, është pengesë e madhe për atë që duhet të jetë integrim efektiv i forcave ushtarake të Malit të Zi nën ombrellën e NATO-s”, tha zoti Kraemer.

“Do thosha duhet të jesh i brengosur me shumë nga përzgjedhjet në ministrinë e Mbrojtjes, shefin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe Komisionin parlamentar për sigurinë. Shefi i këtij komisioni është Milan Knezheviç, që ishte dënuar për pjesëmarrje në përpjekjen për grusht shteti të mbështetur nga Rusia në Malin e Zi. Edhe nëse zoti Knezhevic dhe qeveria pohojnë se akuzat ishin të motivuara politikisht, çështja është nëse për emërimet ne sektorin e sigurisë është bërë vlerësimi i duhur”, tha zonja Ruge.

Përveç ndikimeve nga Serbia dhe Rusia, në Malin e Zi është në skenë edhe një lojtar tjetër u fuqishëm, Kina. Rreth një muaj më parë Mali i Zi kërkoi ndihmë nga Bashkimi Evropian për të shlyer një borxh prej 1 miliardë dollarësh që kishte marrë nga Kina në vitin 2014 për ndërtimin e një autostrade nga Tivari në bregdet deri në veri në kufi me Serbinë.

Analisti Kramer e quan “autostradë drejt asgjëkundit” dhe një shembull shkollor se çfarë ndodhë kur shteti kinez përfshihet fuqishëm me një qeveri të një vendi tjetër në atë masë sa diplomacia e kurthit të borxheve përdoret si mjet për të zgjeruar ndikimin gjithandej rajonit.

“Nëse e shihni shumën e kredisë dhe shkallën e ekonomisë në Mal të Zi, po flasim për vlerësimet se një kilometër e autostradës 42 kilometërshe është llogaritur 23,8 milion dollarë, për një vend me 650 mijë banorë, pa industri të zhvilluar, është befasuese për mua që qeveria e DPS-it ishte e vullnetshme të pranojë kushte të tilla. Megjithatë, e pranoj se kjo ka ndodhur para disa vitesh kur shumë evropianë, amerikanë, australianë, shumë njerëz të demokracive funksionale gjithandej në botë, kishin besim se Kina do të bëhet pjesë e komunitetit tregtar dhe investues dhe do të luajë sipas rregullave. Por, kushtet e kësaj kredie tregojnë se nuk kishte asgjë të padëmshme në atë që Kina po synonte. Kina e kishte shumë të qartë idenë se do të jetë në gjendje të marrë shumë nga Mali i Zi madje duke marrë portin e Tivarit si pasojë. Kjo është vetëm keqdashëse”, tha zoti Kraemer.

Për zonjën Ruge, Kina është lojtar i rëndësishëm në Ballkanin Perëndimor dhe paraqet sfidë për rajonin kur flitet për harmonizimin e tyre me standardet e Bashkimit Evropian, në fusha të ndryshme, si standardet e prokurimit, mjedisit apo mbrojtjen privatësisë. Mali i Zi, nuk është përjashtim, thotë ajo.

“Projektet kineze zbatohen gjithandej rajonit, përfshirë kreditë për autostradat dhe hekurudhat e ndërtuara kryesisht nga kontraktorët kinezë, për termocentrale më thëngjill që janë problematike për mjedisin, siç është në Tuzlla të Bosnjës. Për me tepër, kemi investime të mëdha kineze në Serbi, përfshirë blerjen e kompleksit e minierave të bakrit në Bor, shpëtimin e industrisë së çelikut, investimet në fabrikën e gomave në Zrenjanin, dhe pastaj kontratën e Huawei me Serbinë për rrjetin 5G dhe pajisjen me kamerat vëzhguese në Beograd”, thotë zonja Ruge.

Analistët pohojnë se në një botë të preokupuar me COVID-19, Mali i Zi është lënë pas dore, dhe Uashingtoni dhe Brukseli duhet të rikthejnë vëmendjen për të penguar rrëshqitjet demokratike në këtë vend por edhe gjetiu në rajon.

Lajmet

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë

Published

on

By

UBT vazhdon të forcojë bashkëpunimet ndërkombëtare dhe lidhjet institucionale me partnerë evropianë. Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Zëvendësdekani i Departamentit të Turizmit në UBT, Prof. Alban Fejza, zhvilloi një takim në Ambasadën e Italisë në Kosovë, së bashku me Prof. Raffaella Ritucci dhe Lirdion Blakaj.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e konkretizimit të bashkëpunimeve të ndërsjella me UNITO – University of Turin dhe UNITA – Universitas Montium, aleanca universitare evropiane e koordinuar nga UNITO.

Diskutimi u fokusua në mundësi konkrete për bashkëpunim akademik, mobilitet, ndërkombëtarizim dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, me synim që interesat e përbashkëta të shndërrohen në hapa konkretë.

Ky takim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të lidhjeve akademike dhe institucionale ndërmjet UBT-së, partnerëve italianë dhe hapësirës evropiane të arsimit të lartë.

Continue Reading

lajme

UBT ofron 20% bursë për profesionistët në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi përmes ENGAGED SCHOLARSHIP

Published

on

By

Profesionistët që janë aktualisht të angazhuar në tregun e punës dhe dëshirojnë të avancojnë më tej në karrierën e tyre kanë mundësi të ndjekin studimet Master në UBT me 20% bursë, përmes iniciativës së re ENGAGED SCHOLARSHIP.

Iniciativa është krijuar për të lidhur më drejtpërdrejt përvojën e profesionistëve në tregun e punës me avancimin akademik, duke u mundësuar atyre të zhvillojnë njohuri dhe kompetenca të reja në fusha që lidhen me angazhimin e tyre profesional.

Një nga programet e përfshira në këtë iniciativë është Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE), i cili u dedikohet, ndër të tjera, profesionistëve që punojnë në institucione bankare, kompani private, institucione publike, si dhe profesionistëve të fushës së kontabilitetit.

Një program i orientuar drejt tregut dhe zhvillimit profesional

Programi Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi është i konceptuar për të ofruar njohuri të avancuara në dimensionet kryesore të menaxhmentit, biznesit dhe ekonomisë, duke kombinuar një mjedis akademik me ekspertizë ndërkombëtare. Misioni i programit është të përgatisë të diplomuar që janë të gatshëm të marrin ose të avancojnë në role udhëheqëse në biznes, profesionet e tyre, industri, shërbime publike dhe shoqëri.

Në hartimin e programit janë marrë parasysh nevojat dhe zhvillimet e tregut të punës në nivel vendor, rajonal dhe ndërkombëtar, si dhe kërkesat për zhvillim ekonomik dhe mundësitë e reja profesionale.

Kjo e bën programin veçanërisht të përshtatshëm për profesionistët që tashmë kanë përvojë pune dhe kërkojnë ta thellojnë atë përmes një formimi akademik të avancuar, duke e lidhur dijen e fituar në universitet me sfidat dhe nevojat reale të vendit të punës.

Studime që mund të kombinohen me punën

Një prej elementeve kryesore të ENGAGED SCHOLARSHIP është përshtatja e studimeve me nevojat e profesionistëve që janë në marrëdhënie pune. Ligjëratat zhvillohen kryesisht në orët e pasdites, duke krijuar mundësi që puna dhe studimet Master të zhvillohen paralelisht.

Në këtë mënyrë, profesionistët nuk kanë nevojë të zgjedhin mes zhvillimit akademik dhe angazhimit të tyre profesional, por mund t’i ndërtojnë të dyja paralelisht, duke e shndërruar përvojën e punës në një bazë për zhvillim të mëtejshëm akademik dhe karrierë.

Përmes 20% bursës për studimet Master në Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, UBT synon t’u ofrojë profesionistëve një mundësi konkrete për të avancuar njohuritë, për të zhvilluar kompetenca të reja dhe për ta lidhur më fuqishëm formimin akademik me përvojën profesionale.

Aplikimi për ENGAGED SCHOLARSHIP është i hapur, vendet janë të limituara.

Continue Reading

Rajoni

Rektori Hajrizi diskuton për rolin e AI-së në edukim dhe inovacion në AI4Youth

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në aktivitetin “AI4Youth: From Learning to Building”, në kuadër të panelit “Empowering the Next Generation of AI Innovators”, të organizuar me ftesë të The Foundation House, ku u diskutua roli i inteligjencës artificiale në edukim dhe përgatitjen e të rinjve për profesionet e së ardhmes.

Duke sjellë perspektivën e arsimit të lartë dhe inovacionit, Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e kalimit nga mësimi i inteligjencës artificiale te përdorimi i saj për krijimin e zgjidhjeve konkrete, duke nënvizuar rolin që universitetet duhet të kenë në këtë transformim.

Në këtë kontekst, UBT është institucioni i parë në rajon që ka implementuar një ekosistem të integruar të inteligjencës artificiale në edukim dhe fusha të tjera, duke e shtrirë përdorimin e AI-së në mënyrë gjithëpërfshirëse në mësimdhënie, kërkim, inovacion dhe proceset universitare.

AI4Youth është një program që synon fuqizimin e të rinjve përmes zhvillimit të njohurive dhe aftësive në inteligjencën artificiale, teknologjinë e informacionit dhe komunikimit, si dhe zhvillimin e aplikacioneve, duke i orientuar ata nga të mësuarit drejt krijimit të zgjidhjeve konkrete.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Instituti Yunus Emre nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Published

on

By

UBT dhe Instituti Yunus Emre në Kosovë kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllim të promovimit dhe avancimit të mësimdhënies së gjuhës turke, si dhe organizimit të aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kulturore.

Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe Drejtori i Institutit Yunus Emre, Ramazan Yılmaz.

Në kuadër të bashkëpunimit parashihet organizimi i kurseve të gjuhës turke, punëtorive, ligjëratave të hapura dhe aktiviteteve kulturore, duke krijuar mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe komunitetin.

Një fokus i veçantë do t’i kushtohet Institutit të Gjuhëve të Huaja në UBT, përmes të cilit synohet zgjerimi i mundësive për mësimin dhe certifikimin e gjuhës turke.

Continue Reading

Të kërkuara