Aktualitet

Mali i Zi: Çmimet për vitin rezultuan mesatarisht 16.8 për qind më të larta

Kështu tregojnë të dhënat e reja të Entit të Statistikave – Monstat.

Published

on

Çmimet e konsumit në tetor 2022, krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë, janë mesatarisht 16,8 për qind më të larta, tregojnë të dhënat e reja të Entit të Statistikave – Monstat.

Kjo do të thotë se rritja e çmimeve, e cila është në zonën e hiperinflacionit që prej muajit prill, ka vazhduar rrugën e saj marramendëse.

“Çmimet e produkteve dhe shërbimeve të konsumit personal, të matura me indeksin e çmimeve të konsumit, në muajin tetor në krahasim me shtatorin kanë qenë mesatarisht 1.4 për qind më të larta. Çmimet e konsumit në periudhën janar-tetor të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, janë mesatarisht më të larta për 12,2 për qind”, saktësohet në raport.

Kujtojmë se inflacioni vjetor në muajin e nëntë të këtij viti ishte 16 për qind, ose 11.6 për qind kur krahasohen të dhënat e janarit deri në shtator të vitit të kaluar dhe të këtij viti.

Të dhënat e Monstat tregojnë se ndikimin më të madh në rritjen mujore të çmimeve e ka pasur rritja e çmimeve të qumështit dhe vezëve, e ndjekur nga veshjet, mishi dhe këpucët.

Kujtesë

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 30 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

 30 prill 1994

Lajm i plotë:

Kryetari Rugova priti rektorin e Universitetit të Prishtinës

Kryetari i Republikës së Kosovës, dr.Ibrahim Rugova priti dje rektorin e Universitetit të Prishtinës prof.dr. Ekmi i tyre i vërtetë do të duhej të ishte për të zgjidhur problemin shqiptar, por unë mendoj se për këtë nuk është e interesuar Amerika. Me vendosjen e trupave amerikane në Maqedoni i bëhet me dije kretarit të Shqipërisë, Sali Berishës, se mund të llogarisë me ndihmën amerikane në rast të ndonjë sulmi eventual nga Serbia, por njëkohësisht i thuhet atij se nuk duhet të përmendin apo të flasin diçka në lidhje me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo është një lojë politike e cila nuk mund të vazhdojë aq gjatë”.

Duke u përgjigjur në një pyetje se si e sheh ai zgjidhjen e çështjes së Kosovës, dr. Xhonatan Ejl tha: “Është e pamundshme të zgjidhet problemi i Kosovës vetëm duke ua dhënë shqiptarëve një autonomi. Kosova për Serbinë përherë do të jetë një kancer. Ata mund të vendosin që ose ta kenë këtë kancer, me ç’rast ata do të kenë luftë në Serbi në njëzet vjetët e ardhshme, ose të vendosin që të heqin dorë nga pjesa më e madhe e Kosovës. Këtu qëndron problemi i vërtetë.

Nëse deri te kjo çështje arrihet përmes marrëveshjes, unë mendoj se një status të veçantë do të kishin vendet në Kosovë që janë të shenjta për serbët, disa manastira serb etj. Nuk mendoj se dikush do të bënte problem rreth këtij statusi të vendeve të shenjta serbe. Në të kundërtën, nëse pra do të ketë luftë, atëherë lufta do të vendosë se si do të ndahet Kosova. Nëse kërkoni mendimin tim rreth kësaj çështjeje, mendoj se për tërë rajonin do të duhej të respektohej parimi i shumicës së popullsisë e jo parimi historik. Në këtë aspekt, kur bëhet fjalë për Kosovën, ta zëmë, atë nuk mund të krahasojmë me Bosnjën, sepse në Kosovë dihet se kush e ka shumicën. Do të theksoja se, përkundër përpjekjeve të Milosheviqit për të populluar Kosovën me serbë dhe përkundër investimeve të paraluftës të bëra në Kosovë në drejtim të mbetjes së serbëve në Kosovë, prapëseprapë nuk ka shumë serbë të cilët dëshirojnë të mbeten në Kosovë. Pra, të konkludoj: Ndarja e Kosovës mund të bëhet vetëm me vija etnike dhe mendoj se Serbia duhet të heqë dorë nga pjesët e Kosovës të populluara me shumicë shqiptare”.

Duke folur për situatën në Kosovë, z. Ejl tha se Perëndim njihen shumë mirë problemet me të cilat ballafaqohet z.Rugova. “Në një anë, duhet të jetë shumë i moderuar dhe t’i llogarisë gjërat shumë mirë dhe në të njëjtën kohë ai duhet ta qetësojë popullin, i cili nuk mund të presë më. Do të thoja se është përgjegjësi mjaft e madhe për çdo lider shqiptar të vendosë të bëjë diçka në kohë të gabueshme. Populli i Kosovës vuajti gjatë shtatëdhjetë vjetëve të fundit, në radhë të parë për shkak se dikush në Perëndim vendosi për fatin e tij. Nuk kemi ndryshim të madh në këtë aspekt as sot. Ne e kemi të njëjtën situatë, prandaj kjo mund të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë. Argumenti im i vetëm është se për të gjithë ne do të jetë më mirë nëse serbët e kuptojnë së shpejti se më nuk mund ta mbajnë Kosovën”.

Lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës përmes bisedimeve, z. Ejll parasheh vështirësi të shumta. Ai tha se bisedime nuk mund të priten me regjimin aktual serb. “Kur të fillojnë negociatat kjo do të jetë faza më e vështirë për z. Rugova. Për bindjen time, negociatat do të zhvillohen nëpër faza të ndryshme dhe Kosova, së paku zyrtarisht, nuk do të jetë e pavarur edhe për një kohë. Dr.Rugovës i nevojitet ende kohë për të arritur atë që dëshiron. Sidoqoftë, unë them se Kosova duhet të jetë e pavarur apo t’i bashkohet Shqipërisë. Unë e ndjej se Kosova do të jetë pjesë e Shqipërisë. Është e vërtetë se Kosova përbëhet prej një lloji të veçantë të shqiptarëve, me histori të veçantë, të cilët në aspektin historik dhe kultural ndoshta janë më të zhvilluar se pjesa më e madhe e Shqipërisë së sotme. Megjithatë, ata janë shqiptarë dhe unë do të dëshiroja që problemi i kufijve të Shqipërisë të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Kjo nuk u zgjidh në vitet 1911-1912 dhe duhet të zgjidhet deri në fund të këtij shekulli. Me këtë edhe vetë Shqipëria do të ndryshojë. Sigurisht se do të ndryshojë. Ajo më nuk do të mund të jetë një vend i centralizuar, do të duhej të lejojë më shumë autonomi për rajone të ndryshme”.

 

Lajm i plotë:

Vekoslav Shosheviq: Serbia ka marrë pasurinë e Kosovës

Në një intervistë dhënë gazetës serbe “Jedinstvo” ministri në qeverinë e Serbisë, Vekoslav Shosheviq, duke u përgjigjur në një pyetje për refuzimin këmbëngulës të shqiptarëve për t’u përfshirë në jetën politike të Serbisë, mes të tjerash tha: “Qeveria e Serbisë nuk do të lejojë në asnjë moment kurrfarë paralelizmi në asnjë pjesë të Republikës, në asnjë segment të jetës. Pakica nacionale shqiptare këtë duhet ta ketë të qartë”. Më tutje Shosheviq tha se pushteti serb ka për detyrë t’i eleminojë të gjitha paralelizmat, si në arsim e shëndetësi, gjithashtu edhe në fusha të tjera ku është i pranishëm.

Duke folur se në duart e kujt është kapitali, Shosheviq tha se nuk është e vërtetë se kapitali gjendet në duart e shqiptarëve. Për mua kapital në Kosovë është Trepça, tha ai, me të gjitha pasuritë e veta, xeheroret e qymyrit dhe termocentralet e Obiliqit dhe të gjitha pasuritë e tjera natyrore që gjenden anembanë Kosovës. Për mua kapital janë shumë fabrika moderne në Kosovë, të gjitha këto nuk janë duar të shqiptarëve.

Më tutje Shosheviq tha se kapitali shqiptarëve në krahasim me ato që i ceka më sipër është i parëndësishëm. Por nuk duhet lënë pasdore as atë kapital. Sipas mendimit të Shosheviqit ai kapital gjendet në duar të individëve, nga i cili shteti duhet të marrë atë që i takon përmes tatimeve. Aq më parë ngase ka plotë manipulime dhe shmangie nga obligimet ndaj shtetit. Ne nuk kemi asgjë kundër që individët të pasurohen, por kjo duhet të jetë në mënyrë legale dhe me respektimin e ligjeve të këtij shteti. Mendoj se asnjë shoqëri nuk mund të bazohet në tregëti, dhe ndryshe nuk mund të jetë as në Kosovë, tha mes të tjerash Vekoslav Shosheviq.

 

Lajm i plotë:

Ekstremisti Arkan kërcënohet me pastrime etnike në Kosovë

Në një konferencë me gazetarët kryetari i Partisë së Unitetit Serb Zhelko Razhnjatoviq Arkan, përndryshe krimineli më i kërkaur nga Interpoli në Evropë, tha dje në Prishtinë se partia e tij do të jetë më e pranishme në Kosovë dhe do të punojë në programin për kthimin dhe kolonozimin me serbë e malazezë. Si shkruajnë gazetat e sotme serbe, të cilat i japin vend të dukshëm në faqet  e veta, Arkani tha se duhet të vendosen refugjatët e shumtë serbë që kanë humbur në luftë çdo gjë që kanë pasur.

Ai tha se duhet bërë këtë krahas me dëbimin e 700 mijë shqiptarëve në Shqipëri.

Arkan iu kërcënua kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova: “zoti Rugova nuk mund dhe nuk do të mbetet në vendin e Serbisë. Ai do të deportohet në atdheun rezerv në Shqipëri”.

Ai u kërcënua se do të hapë kufirin me Shqipërinë për t’i dëbuar të gjithë shqiptarët jolojalë që nuk e njohin shtetin e Serbisë. “Do ta deportojmë edhe Rugovën”, tha Arkani.

Kurse në pyetjen e gazetarëve se si do ta bëjë këtë ai tha se kjo do të bëhet në bazë të ligjit që do të aprovohet. Secili që nuk ka shtetësi duhet të ikë jashtë. S’ ka kthim as për ata që kanë dezertuar nga armata.

Ndërtimi i kampeve më parë filloi në Slloveni dhe Austri. Ky ishte program i CIA-s. Ata planifikojnë këtu kaos dhe trazira, tha Arkani duke komentuar ndërtimin e kampeve për refugjatë në Shqipëri.

Lidhur me kinse përqendrimin e forcave ushtarake në kufirin shqiptar dhe prezencën e ushtarëve amerikanë në Maqedoni, ai tha se serbët nuk frikësohen. “Kushdo që orvatet që vetëm një këmbë të shkel teritorin tonë, këmba do t’i pritet”.

Arkani u premtoi goranëve se do të kërkojë nga shteti për t’ua kthyer 7.300 hektarë tokë, e cila u ka mbetur në Maqedoni.

 

30 prill 1997

Lajmet kryesore:

Konferencë për gazetarë në BSPK

Kadare – Oficer i Urdhërit të Legjionit të Nderit

I ofruan bashkëpunim për ta liruar nga dorëzimi i armës të cilën nuk e kishte

U mor peng në vend të vëllait

Në Prishtinë policia serbe bastisi një familje

Persona të panjohur plaçkitën një student në Prishtinë

 

Lajm i plotë: “Human Rights Watch” akuzon Beogradin për helme kimike

Prishtinë, 30 prill (QIK)

Organizata për të drejtat e njeriut “”Human Rights Watch”, me seli në Nju-Jork kërkoi nga regjimi i Beogradit të nënshkruaj dhe të ratifikojë Konventën për ndalimin e armëve kimike e cila dje hyri në fuqi për vendet të cilat e kanë ratifikuar këtë marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare të lidhur më 1993.

Nga autoritetet serbe kërkohet që të ndërprejnë prodhimin e municionit me mbushje kimike, të shpallin dhe të shkatërrojnë të gjitha stoqet me municion të tillë, si dhe agjencat për prodhimin e helmeve kimike. Po ashtu kërkohet edhe çmontimi i kapaciteteve për prodhimin e agjencave për helme kimike dhe të pajisjeve për mbushjen e municionit me helme të tilla.

Kjo organizatë nga autoritetet e Beogradit kërkon që të ndikojnë në udhëheqjen e serbëve të Bosnjës që gjithashtu të ndërprejnë prodhimin e municionit me mbushje kimike dhe t’i asgjësojnë të gjitha stoqet.

Kjo organizatë e të drejtave të njeriut po ashtu kërkon nga Uashingtoni që në pajtim me dispozitat amerikane për eliminimin e armëve kimike dhe biologjike të hulumtojë rastet nëse në ish-Jugosllavi janë përdorur armët kimike dhe nëse po, të aplikojë sanksione në bazë të dispozitave.

Sipas raportit të HRW-së, OKB dhe SHBA-të, të paktën që nga viti 1991, kanë ditur për prodhimin e armëve kimike në ish-Jugosllavi dhe janë zbatuar së paku tri hetime të pavarura, rezultatet e të cilave kurrë nuk janë publikuar.

Në bazë të njohurive që ka kjo organizatë nga ish-oficerët e APJ-së dhe në bazë të raporteve amerikane dhe të NATO-s, ish-APJ ka prodhuar gazin nervor “Sarin” dhe helme të tjera luftarake. Po ashtu, APJ ka prodhuar edhe fosgen dhe gazin psikokimik LSD-25, hloropiklin dhe ka eksperimentuar me gasin nervor soman, tabun dhe të tjerë. Po ashtu, ish-APJ ka prodhuar dhe i ka shndërruar në armë sasi të mëdha të gazit lotsjellës, CS dhe CN. Këto substanca thuhet se i kanë shfrytëzuar të gjitha palët në luftën e Bosnjës.

Në një dokument të kryesisë jugosllave nga viti 1991 përmendet prodhimi i mijëra raketave për raketahedhësin “orkan” me tri mbushje, njëra prej të cilave me mbushje kimike. Sipas këtij dokumenti disa mijëra raketa të tilla janë dërguar në Irak në vitin 1989-90.

 Foto: “Human Rights Watch”

Continue Reading

Live

Tensionet SHBA–Iran rrisin çmimet e naftës

Published

on

By

Irani ka paralajmëruar se do t’i përgjigjet me “goditje të gjata dhe të dhimbshme” çdo sulmi të ri nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke rritur tensionet në rajon dhe duke vështirësuar përpjekjet ndërkombëtare për hapjen e Ngushtica e Hormuzit.

Dy muaj pas nisjes së konfliktit mes Irani dhe forcave të mbështetura nga Izraeli dhe SHBA-ja, kjo rrugë detare kyçe vazhdon të mbetet e bllokuar, duke ndikuar në rreth 20% të furnizimeve globale me naftë dhe gaz. Si pasojë, çmimet e energjisë kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke shtuar frikën për një ngadalësim ekonomik global.

Pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që nga 8 prilli, situata mbetet e tensionuar. Teherani vazhdon të mbajë të mbyllur ngushticën, si kundërpërgjigje ndaj bllokadës detare amerikane mbi eksportet e tij të naftës.

Sipas raportimeve të Axios, presidenti amerikan Donald Trump pritet të shqyrtojë planet për sulme të reja ushtarake ndaj Iranit, me qëllim rritjen e presionit në negociatat për programin bërthamor.

Këto zhvillime kanë ndikuar menjëherë në tregjet globale, ku çmimi i naftës arriti deri në 126 dollarë për fuçi — niveli më i lartë që nga periudha pas pushtimi i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 — përpara se të binte në rreth 113 dollarë.

Një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare iraniane paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake nga SHBA-ja do të pasohet me sulme të forta ndaj objektivave amerikane në rajon.

“Kemi parë çfarë ndodhi me bazat tuaja në rajon; e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me anijet tuaja luftarake”, citohet të ketë thënë komandanti Majid Mousavi.

Ndërkohë, çmimet e naftës Brent janë rritur ndjeshëm që nga fundi i shkurtit, duke nxitur inflacionin dhe duke e bërë koston e karburanteve një çështje të ndjeshme politike në shumë vende.

Përveç bllokimit të kalimit në Ngushticën e Hormuzit, Irani ka intensifikuar aktivitetet ushtarake, përfshirë përdorimin e dronëve dhe raketave ndaj objektivave të lidhura me SHBA-në dhe Izraelin në rajonin e Gjirit.

Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar edhe për “veprime ushtarake të paprecedenta” nëse vazhdon presioni ndaj eksporteve të tyre të naftës, duke sinjalizuar rrezik për përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit dhe ndërprerje të furnizimeve globale me energji.

Continue Reading

Vendi

Zgjedhjet e reja më 7 qershor

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka caktuar 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Ky vendim vjen pas një takimi me përfaqësuesit e partive politike, të cilët në përgjithësi janë pajtuar që kjo datë të jetë më e përshtatshmja për procesin zgjedhor.

Kryetari i Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, deklaroi se për këtë parti çdo datë brenda afateve kushtetuese është e pranueshme, por theksoi se ekziston një pajtim më i gjerë për 7 qershorin.

“Për PDK-në, cilado datë brenda afateve kushtetuese dhe në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është e pranueshme, qoftë 31 maji apo 7 qershori. Partia Demokratike e Kosovës do të garojë si PDK, dhe në listë pritet të ketë edhe emra e figura të reja”, ka thënë Hamza.

Edhe përfaqësuesi i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, konfirmoi se ka një dakordim të gjerë për këtë datë.

“Nga ajo që pamë në takim me kryetaren e Kuvendit dhe partitë politike, ka një dakordim pothuajse të plotë që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor. Edhe ne jemi pajtuar, ndonëse nuk kemi pasur ndonjë preferencë të veçantë”, u shpreh Gjini.

Një qëndrim të ngjashëm ka paraqitur edhe Jehona Lushaku-Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila tha se kjo parti mbështet shpalljen e kësaj date brenda kornizave ligjore.

“Si LDK kemi dhënë opinionin tonë që, në përputhje me ligjin, të shpallet 7 qershori si datë e zgjedhjeve. Duke qenë se kjo datë është kërkuar nga KQZ për shkak të përgatitjeve, ne e konsiderojmë të arsyeshme. LDK mbetet e hapur për bashkëpunim me të gjithë ata që ndajnë vlerat e saj tradicionale”, theksoi Lushaku-Sadriu.

Continue Reading

Lajmet

UBT shënon Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me konferencë për sfidat e gazetarisë moderne

Published

on

By

Në kuadër të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, më 3 maj, Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT organizoi një konferencë ku u diskutua mbi zhvillimet e gazetarisë në kohën moderne dhe sfidat me të cilat përballen mediat sot.

Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve akademike dhe profesionistë të medias, të cilët në një panel diskutimi trajtuan tema që lidhen me dezinformimin, ndikimin e inteligjencës artificiale, pavarësinë e mediave dhe përgjegjësinë e gazetarëve në epokën digjitale.

Rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, duke uruar këtë ditë, theksoi rëndësinë e medias si sektor kyç në shoqëri.

“Me lejoni që në emër të UBT-së t’ju uroj Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit. Mediat janë një sektor i rëndësishëm dhe fakti që sot funksionojnë në formate të ndryshme tregon se ende ka shumë punë për t’u bërë”, tha ai.

Ai shtoi se hapja e Fakultetit të Medias në UBT ka ardhur si përgjigje ndaj nevojës për gazetarë cilësorë në vend. Sipas tij, një nga sfidat kryesore mbetet verifikimi i burimeve dhe saktësia e informacionit, sidomos në një kohë kur dezinformatat janë në rritje dhe teknologjitë si inteligjenca artificiale po ndikojnë fuqishëm në përhapjen e informacionit.

Hajrizi vlerësoi se sistemi mediatik në Kosovë është ende në tranzicion dhe kërkon qartësim më të madh të rolit të mediave private për të garantuar pavarësinë e gazetarëve.

Dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, Ferid Selimi, u ndal te balanca mes lirisë së shprehjes dhe kufizimeve të saj.

“Liria e shprehjes dhe informimit duhet të jetë sa më e gjerë, por kufijtë bëhen të domosdoshëm kur cenohet liria e të tjerëve”, u shpreh ai.

Selimi theksoi se mediat ndodhen në një paradoks, pasi nga njëra anë gëzojnë liri, ndërsa nga ana tjetër përballen me forma të ndryshme kontrolli. Ai paralajmëroi se dezinformimi është kthyer në një ndër kërcënimet kryesore për të drejtën e informimit, duke relativizuar të vërtetën dhe duke krijuar një ambient të pasigurt për publikun. Sipas tij, megjithëse gazetaria e pavarur përballet me sfida financiare, format alternative të financimit mund të ofrojnë mundësi për përmirësim.

Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Naile Selmani theksoi rëndësinë e edukimit medial si mënyra më efektive për të luftuar dezinformimin.

“Mënyra e vetme për ta luftuar këtë mjegull totale është të jemi të edukuar në aspektin medial”, tha ajo.

Selmani nënvizoi se burimi i informacionit është kyç për të shmangur lajmet e rreme, veçanërisht në kohën e inteligjencës artificiale, kur manipulimet janë bërë më të sofistikuara.

Ndërkaq, profesori Musa Sabedini, pjesë e Fakultetit Media dhe Komunikim, gjatë diskutimit në panel foli për rreziqet dhe sfidat me të cilat përballen sot gazetarët.

Ai theksoi se, pavarësisht këtyre sfidave, gazetarët duhet të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në trajtimin e temave që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e shoqërisë dhe në informimin e drejtë të publikut.

Ndërkaq, gazetarja e Deutsche Welle, Vjosa Qerkini, foli për përgjegjësinë profesionale të gazetarëve në epokën digjitale.

“Një gazetar, jo vetëm në Kosovë por edhe jashtë, nëse dëshiron të jetë i respektuar në profesionin e tij, duhet të jetë i vetëdijshëm se çdo postim në rrjetet sociale mund të ketë pasoja në të ardhmen”, theksoi ajo.

Sipas Qerkinit, gazetaria kërkon përkushtim të vazhdueshëm, duke filluar nga përzgjedhja e temave e deri te mënyra e raportimit, ndërsa përmbledhja e informacionit në kohë të shkurtër nuk duhet të vijë në dëm të profesionalizmit.

Konferenca u vlerësua si një platformë e rëndësishme për diskutim dhe reflektim mbi të ardhmen e gazetarisë, në një kohë kur mediat vazhdojnë të mbeten kanali kryesor i informimit për publikun.

Continue Reading

Të kërkuara