Kronikë e zezë

Mafia shqiptare i zë vendin Ndragetës për trafikun e kokainës

Published

on

“Ndrangheta” ka një konkurrent të ri në tregun e kokainës në Evropë: krimi i organizuar shqiptar po përpiqet të minojë dominimin e atij kalabrez, duke krijuar lidhje gjithnjë e më të forta me kartelet kolumbiane. Dhe tregu për të cilin ata konkurrojnë është mjaft fitimprurës nëse merrni parasysh se konsumi i pluhurit të bardhë është rritur për më shumë se një dekadë në Evropën Qendrore dhe Perëndimore.

Sipas vlerësimeve të fundit, përdoruesit e tij të rregullt janë afërsisht 4.4 milion: kjo e bën kokainën drogën e dytë më të përdorur në kontinent. Sipas Qendrës Evropiane të Monitorimit për Droga dhe Varësi nga Droga (EMCDDA), 18 milionë evropianë midis moshës 18 dhe 64 vjeç e kanë përdorur atë të paktën një herë në jetën e tyre. Mes konsumatorëve, 2.2 milionë janë midis 15 dhe 34 vjeç. Mosha mesatare e konsumit të parë është rreth 23 vjeç, ndërsa ajo e kalimit të parë në qendrat e rehabilitimit rreth 35 vjeç.

Trafiku i kokainës

Në raportin e tij të fundit “Cocaine Insights”, Europol, agjencia evropiane për luftën kundër krimit, shpjegon se shumica e kokainës në Evropë është e importuar dhe se prodhimi vendor është pothuajse inekzistent. Kolumbia vazhdon të jetë furnizuesi kryesor evropian, me Brazilin roli i të cilit është duke u rritur gjithnjë e më shumë. Ky i fundit është bërë vendi me numrin më të madh të dërgesave në Belgjikë, qendra e re evropiane së bashku me Holandën.

Ardhja e kokainës në kontinent është e mundur falë koordinimit midis karteleve të Amerikës së Jugut dhe organizatave kriminale me bazë në Evropë. Raporti i Europol thekson se detyra e karteleve është padyshim e lidhur me prodhimin ndërsa ajo e rrjeteve kriminale evropiane kryesisht me furnizimin me shumicë, por këto nuk përfshihen gjithmonë në shpërndarjen me pakicë. Këto organizata gjithashtu merren me korrupsionin e personelit që punon në porte.

Roli i ‘Ndrangheta në Amerikën Latine

Që nga fillimi i viteve 1990, ‘Ndrangheta’ ka luajtur një rol vendimtar në menaxhimin e trafikimit të kokainës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës. Ata ishin që kishin kontaktet më të ngushta me Kartelin Cali, të cilët menaxhuan importet dhe mbajtën rolin e furnizuesve me shumicë, duke furnizuar gjithashtu drogën për organizatat e tjera kriminale që më pas morën përgjegjësinë për tregtimin.

Sipas raportit, ‘Ndrangheta është ndër rrjetet më të forta të krimit të organizuar që “punon” në fushën e trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë dhe Amerikën e Veriut dhe e ka arritur ketë rezultat falë një rrjeti përfaqësuesish të tyre që jetojnë në Amerikën Latine, të cilët janë të përfshirë në “negocimin e blerjeve, organizimin dhe mbikëqyrjen e dërgesave si dhe mbikëqyrjen e pagesave”.

Humbja e monopolit

Por me kalimin e viteve ‘Ndrangheta ka humbur pozicionin e saj pothuajse monopol në Amerikën Latine, gjithashtu për shkak të copëzimit të peizazhit kriminal kolumbian. Në fakt, ka dy momente kryesore në të cilat ‘Ndrangheta ka humbur më shumë fuqi. E para daton në 2006 dhe u shkaktua nga shpërbërja e grupit paramilitar të ekstremit të djathtë AUC (Autodefensas Unidas de Colombia), një grup me të cilin organizata mafioze kishte krijuar një lidhje shumë të fortë.

“Shpërbërja e AUC është vlerësuar si shkaktari që çoi ‘Ndrangheta të humbasë monopolin e saj në tregtinë transatlantike të kokainës. Rreth të njëjtës kohë, janë shfaqur indikacione se’ Ndrangheta po krijon lidhje me grupet e krimit të organizuar meksikan” – thekson raporti. Ndërsa Brazili u shfaq më pas si një pikënisje kryesore për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine në Evropë, ‘Ndrangheta krijoi një prani atje gjithashtu për të siguruar rrjedhën e kokainës në tregjet e evropiane. Momenti i dytë në të cilin Ndragheta pati një humbje tregtare është viti 2016, viti në të cilin u nënshkrua marrëveshja e paqes midis qeverisë kolumbiane dhe guerilëve komunistë të FARC.

Si forcat paramilitare të krahut të djathtë ashtu edhe forcat guerile të krahut të majtë përdorën kokainën për të financuar veten (duke e prodhuar atë drejtpërdrejt ose duke e taksuar atë), me shpërbërjen e tyre prandaj dolën fuqi të reja që e kontrollonin tregun dhe kjo u dha mundësinë organizatave të tjera kriminale ndërkombëtare që të hynin në lojë. Ky është rasti i atyre që vijnë nga Shqipëria, Belgjika, Franca dhe Turqia.

Grupet shqiptare

Sipas raportit, roli i luajtur historikisht nga ‘Ndrangheta tani po kalon në duart e organizatave të tjera dhe në 10 vitet e fundit, grupet shqiptare janë rritur më shumë se ndonjëherë. Sipas raportit të Europol, duket se këto shoqata tani janë në gjendje të menaxhojnë rrjete të mëdha shpërndarëse në Evropë me një shkallë koordinimi ndërkombëtar dhe të krijojnë marrëdhënie të drejtpërdrejta me furnizuesit në Amerikën Latine. Që nga viti 2012, grupet shqipfolëse janë bërë jashtëzakonisht me ndikim në portet kryesore në Amerikën Latine (Venezuelë, Brazil, Kolumbi dhe Ekuador) dhe në Evropë (Belgjikë, Holandë, Gjermani dhe Spanjë).

Në vitin 2020, Europol së bashku me forcat policore të vendeve të ndryshme përfunduan një operacion që synonte çmontimin e organizatës shqiptare ‘Kompania Bello’, një nga më aktivet në Evropë. Ajo që rezultoi nga hetimi, i cili çoi në arrestimin e 104 individëve, është fakti se modeli i tyre i biznesit është jashtëzakonisht i sofistikuar. Sipas raportit, rrjeti kriminal ishte në gjendje të kontrollonte të gjithë zinxhirin e furnizimit. Në fakt, duke përdorur mjete të sofistikuara të komunikimit të koduara, kreu i bandës së organizatës – një shqiptar 40-vjeçar me qendër në Ekuador – negocioi drejtpërdrejt me kartelet e drogës në Amerikën e Jugut, organizoi dërgesa të mëdha të kokainës në portet kryesore në Evropë dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve me qendër në Itali, Holandë dhe Shqipëri krijoi një shpërndarje të organizuar në të gjithë Evropën.

“Degët” evropiane të karteleve

Trafiku evropian i kokainës menaxhohet kryesisht nga organizata të bazuara në kontinent që bashkëpunojnë me kartelet e Amerikës së Jugut. Sidoqoftë kartelet kanë krijuar gjithashtu “degë” evropiane për të menaxhuar më mirë dhe drejtpërdrejt biznesin e tyre në Kontinentin e Vjetër. Ky është rasti i të ashtuquajturave “Oficinas de Cobro” kolumbiane, rrjete kriminale “të cilat janë vendosur në vendet kryesore për tregtinë e kokainës në BE, si Spanja ose Holanda. Këto agjenci të vogla mbikëqyrin ardhjen e dërgesave, shpërndarjen tek klientët, mbledhjen e pagesave dhe lidhjen me ofruesit e shërbimeve të pastrimit të parave.
Belgjika dhe Hollanda qendrat e reja të kokainës

Sa i përket hyrjes së kokainës në BE, qendrat kryesore të mbërritjes së substancës kanë ndryshuar. Deri në vitin 2016 ishte Spanja që mbante rekordin për hyrje, por duke filluar nga viti 2017, Belgjika dhe Holanda u bënë qendrat e reja, duke zëvendësuar vendin iberik. Ka shumë ndryshime në botën e kokainës që kanë ndodhur vitet e fundit. Në vitin 2017, Stefan Kirsch, zëdhënës i drejtorit të përgjithshëm të shërbimit doganor gjerman, i tha redaksisë së Insight Crime se “ka një kalim të qartë nga dërgesat e vogla në të mëdha të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë”, duke deklaruar gjithashtu se ky ndryshim ka filluar në mesin e vitit 2016.

Vitin e kaluar, 66 ton kokainë u kapën vetëm në portin e Antwerp, në 2013 ishin vetëm 5 ton. Në Roterdam u kapën 33 tonë kokainë vitin e kaluar. Antwerp ka marrë rekordin për portin me trafikun më të madh të drogës në Evropë. Ai në Barcelonë, nga ana tjetër, tani ka një rëndësi gjithnjë e më margjinale, me vetëm 4 tonë të sekuestruar në vitin 2020.

Sipas raportit “shumica e kokainës që mbërrin në Antwerp është e destinuar për organizatat që veprojnë në Holandë, nga ku kokaina shpërndahet më tej në destinacionet e tjera evropiane. Belgjika raportoi se grupet etnike marokene dhe shqiptare, të cilat janë përfshirë në nxjerrjen e kokainës nga porti, kanë zgjeruar rolin e tyre në prokurimin e kokainës dhe në zhvillimin e kontakteve në kontaktet në jug Amerikë “. /Marrë nga Europa Today, përktheu LAPSI.al

Continue Reading

Lajmet

Arrestohet 62-vjeçari në Prizren, dyshohet për vjedhjen e qengjave

Published

on

Policia e Kosovës ka arrestuar një 62-vjeçar në Prizren, i dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”, pas vjedhjes së disa qengjave në fshatin Piranë.

Sipas policisë, i dyshuari D.T. nga fshati Serbicë e Poshtme dyshohet se më 14 qershor ka vjedhur disa qengja me vlerë rreth 1 mijë euro, të cilët më pas i ka shitur te persona të ndryshëm.

Pas identifikimit dhe lokalizimit të tij më 23 qershor, me vendim të prokurorit të shtetit ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë dhe është ngritur kallëzim penal.

Në vazhdim të hetimeve, më 24 qershor, policia ka gjetur tre nga qengjat e vjedhur në oborrin e një shtëpie në fshatin Serbicë e Poshtme. Pas procedurave ligjore, bagëtitë e sekuestruara i janë kthyer pronarit.

Policia ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast. /A.K/

Continue Reading

Kronikë e zezë

Tri raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Published

on

By

Brenda 24 orëve të fundit, Policia e Kosovës ka regjistruar tri raste të ndryshme të dhunës në familje në rajone të ndryshme të vendit, të cilat kanë rezultuar me arrestime dhe shoqërime në polici.

Rasti i parë është raportuar në Kamenicë, ku një person është vënë në pranga pasi dyshohet se ka përndjekur dhe shqetësuar vazhdimisht një grua. Sipas policisë, i dyshuari e ka shqetësuar viktimën përmes telefonatave të njëpasnjëshme dhe duke e përcjellë nëpër vendet që ajo frekuentonte. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar menjëherë në mbajtje.

Një tjetër rast ka ndodhur në Fushë Kosovë, rreth orës 11:50, ku një burrë është shoqëruar në stacionin policor nën dyshimin për dhunë në familje ndaj një gruaje. Pas intervistimit të të dyja palëve, prokurori ka vendosur që ata të lirohen, ndërsa rasti ka kaluar për hetim në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Vushtrri, rreth orës 18:30, një fjalosje mes dy burrave ka përfunduar me ndërhyrjen e forcave të rendit. Policia ka arrestuar dy të dyshuarit e përfshirë në konflikt, ku pas konsultimit me prokurorin, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar për t’u hetuar në procedurë të rregullt. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në rajonin e Prishtinës dhe Pejës

Published

on

By

Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë evidentuar katër raste të dhunës në familje, të cilat janë regjistruar në rajonin e Prishtinës dhe atë të Pejës.

Në njërin prej rasteve në Prishtinë, është arrestuar një burrë nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një grua. Sipas policisë, viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Edhe në rastin e dytë në kryeqytet, një person është shoqëruar në stacionin policor pasi dyshohet se ka sulmuar një grua. Rasti është denoncuar nga vetë viktima, ndërsa me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkaq, në Graçanicë është arrestuar një i dyshuar tjetër, i cili në gjendje të dehur ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.

Rasti i fundit është regjistruar në Pejë, ku i dyshuari, përveç se ka ushtruar dhunë në familje, ka kanosur viktimën (grua) si dhe ka dëmtuar një derë dhe një dritare të shtëpisë së saj. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Një i vdekur nga një aksident komunikacioni në Vranidoll të Prishtinës

Published

on

By

Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë komunikacioni që ka ndodhur në fshatin Vranidoll të Prishtinës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana për Kosova Press.

Sipas njoftimit, në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e lëndimeve të marra nga përplasja, një person ka ndërruar jetë në vendngjarje, ku vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor emergjent.

Policia ka bërë të ditur se janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan deri te ky aksident fatal. /Kosova Press/ /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara