Miliona njerëz u bënë dëshmitarë të eklipsit më të rëndësishëm në Evropë prej dekadash të mërkurën, me Diellin që u zhduk prapa Hënës për disa çaste të shkurtra.
Vëzhguesit në pjesën më të madhe të Mbretërisë së Bashkuar panë Hënën të mbulonte më shumë se 90% të Diellit — mbulimi më i madh që nga viti 1999 — ndërsa pjesë të Grenlandës, Islandës dhe Spanjës panë një eklips të rrallë të plotë.


Posa drita nisi të zbehej, turma njerëzish në të gjithë kontinentin ndërprenë atë që po bënin për të kthyer sytë nga qielli e për të parë zhvillimin e këtij spektakli. Disa brohoritën kur u zhdukën rrezet e fundit të Diellit, e të tjerë vështronin në heshtje.
Ata që ndodheshin në shtegun e eklipsit të plotë — zonat ku Hëna e bllokoi tërësisht Diellin — përjetuan errësirë për më pak se dy minuta, përpara se drita të niste të rikthehej.
Eklipsi i plotë nisi në majën e Siberisë në Rusi, me shtegun e ngushtë të mbulimit të plotë që gjarpëronte mes Islandës dhe Grenlandës, përpara se të drejtohej përmes Atlantikut drejt Spanjës veriore.


Vendi i fundit në tokë që pa eklipsin e plotë ishin ishujt e Majorkës dhe Menorkës, përpara se hija të zhdukej në Detin Mesdhe gjatë perëndimit të Diellit.
Spanja ishte një nga vendet më të mira për të parë eklipsin e plotë, me miliona turistë që zbarkuan në vend ditët e fundit për të parë ngjarjen.
Eklipsi i fundit i plotë në Spanjë kishte ndodhur më shumë se një shekull më parë, por vendi pritet të përjetojë një tjetër në gusht të vitit të ardhshëm. Mbulimi i plotë për atë eklips pritet të zgjasë më shumë se gjashtë minuta në disa vende, gjë që ka bërë që ai të pagëzohet si “eklipsi i shekullit”.


Mbretërisë së Bashkuar do t’i duhet kohë për të përjetuar një tjetër eklips si ky. Një eklips pjesor vitin e ardhshëm do të ketë një mbulim rreth 45% në disa rajone, por eklipsi i ardhshëm i plotë diellor në UK nuk do të ndodhë deri në shtator të vitit 2090. /BBC/