Lajmet

Lushtaku: Deklarata e Kurtit për zgjedhje, hipokrizi dhe marre, dëshiron të mbulojë vendimin për tokat afër Manastirit

Lushtaku thotë se kërkesa e opozitës për të shkuar në zgjedhje është e kahershme, por që kjo nuk mund të bëhet pa mazhorancën.

Published

on

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, thotë se gatishmëria e kryeministrit Albin Kurti për të shkuar në zgjedhje, shpërfaq hipokrizi dhe për synim ka mbulimin e vendimit për dhënien e tokës Manastirit të Deçanit.

Lushtaku thotë se kërkesa e opozitës për të shkuar në zgjedhje është e kahershme, por që kjo nuk mund të bëhet pa mazhorancën.

“Është bërë më shumë me e tërheq vëmendjen prej shkeljeve të premtimit të tij dhe parimeve të tij dhe prej mbulimit të hipokrizisë dhe marres çfarë ka ndodhur kohët e fundit sidomos prej vendimit prej tokave të Manastirit të Deçanit”, thotë Lushtaku.

E për ta dërguar vendin në zgjedhje, deputeti i PDK-së kërkon “ndihmën” edhe të Lëvizjes Vetëvendosje. Thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të dëmit që ka shkaktuar kjo qeverisje.

“Po besoj se është qesharake propozimi i tij apo opinioni i tij siç është qesharake e gjithë veprimtaria e tij sepse po del në hipokrizi të thellë me atë çfarë ka filluar me atë çfarë ka ëndërruar dhe me atë çfarë është besuar mandati i tij për kryeministër dhe kjo është qesharake për arsye se ne e dimë se kemi kërkuar qysh moti zgjedhjet duke parë që hipokrizia po e dëmton jo vetëm qeverisjen por edhe vetë shtetin e Kosovës dhe vetë të ardhmen e vendit dhe ne kemi kërkuar qysh moti zgjedhjet. E dimë se numrat i ka pozita, pra shumica parlamentare dhe nuk mund të shkojmë në zgjedhje pa e dhënë fjalën e fundit shumica, në këtë rast Vetëvendosja dhe Albin Kurti”, thotë Lushtaku.

Rajoni

Negociatat me BE-në: Shqipëria mbyll Kapitullin 20 në Luksemburg

Published

on

By

Sot në Luksemburg po zhvillohet Konferenca e 10-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, ku do të formalizohet mbyllja e negociatave për Kapitullin 20, i cili mbulon fushat e “Ndërmarrjeve dhe Politikave Industriale”. Me këtë hap, Shqipëria arrin në katër kapituj të mbyllur përkohësisht, duke konsoliduar më tej avancimin drejt objektivit për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda vitit 2027.

Kapitulli 20 përqendrohet në zhvillimin e sipërmarrjes, mjedisin e biznesit, inovacionin dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare në tregun evropian.

Sipas agjendës zyrtare, kryeministri Edi Rama arrin në Qendrën Evropiane të Konventave rreth orës 16:40, ku do të zhvillojë deklaratën për mediat dhe foton zyrtare me Komisioneren për Zgjerim, Marta Kos, si dhe me ministrin irlandez, Thomas Byrne. Konferenca e 10-të Ndërqeveritare nis punimet në orën 17:00, ndërsa pas përfundimit të saj, nga ora 17:45, do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp. /E.A/

Continue Reading

Vendi

Arrestohet i dyshuari për posedim të narkotikëve  

Published

on

By

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, një person është arrestuar në zonën e “Rrethit të Viktorisë” në Prishtinë, pasi gjatë kontrollit të automjetit me targa vendore që po drejtonte, njësia policore i ka gjetur një sasi të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë prej rreth 4.61 gramë.

Sasia e narkotikëve është sekuestruar nga policia. I dyshuari është intervistuar dhe, me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt. /E.A/

Continue Reading

Aktualitet

I ofendoi dhe i sulmoi policët gjatë arrestimit në Gjilan, dërgohet në mbajtje

Published

on

By

Një person është arrestuar në Sheshin e Qytetit në Gjilan pasi ka penguar zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Policia e Kosovës njofton përmes raportit 24-orësh se i dyshuari, për motive ende të panjohura, ka ofenduar pjesëtarët e policisë.

Gjatë momentit të arrestimit, ai ka bërë rezistencë, me ç’rast dy zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje pas intervistimit. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Vdes një person në Ferizaj pasi dyshohet se ra nga lartësia në vendin e punës

Published

on

By

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, një person ka humbur jetën në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, derisa po punonte në vendin e tij të punës.

Viktimat dyshohet se ka rënë në tokë nga një lartësi prej rreth 7 metrash, ku ekipi mjekësor në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e tij.

Njësitet relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Rasti është hapur për hetim nën dyshimin për asgjësim, dëmtim ose heqje të pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim të sigurisë në vendin e punës. /E.A/

Continue Reading

Të kërkuara