Lajmet
Lugina e Preshevës do reciprocitet për të drejtat e komuniteteve joshumicë
Lidhja Kosovë-Luginë e Preshevës.
Published
5 years agoon
By
Betim GashiRreth një orë i janë dashur Shkodran Azizit nga Presheva, komunë në jug të Serbisë, që të marrë tabelat e përkohshme prej letre në Prishtinë për regjistrimin e veturës.
Azizit, si dhe shumë shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës, iu kanë dalë punë të reja në nxjerrje të dokumenteve, pas vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet për regjistrimet e veturave që hyjnë nga Serbia në Kosovë.
Sipas këtij vendimi, shoferët nga Serbia, me të hyrë në Kosovë duhet t’i ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës.
“Na kanë dalë shumë punë. Atje [në kufi] janë krijuar radhë të gjata dhe po na duhet të presim shumë gjatë, me orë të tëra”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Shkodran Azizi.
Qytetarët nga Lugina e Preshevës thonë se ata persona që duan të shkojnë në Kosovë, po presin më shumë se dy orë për ta kaluar kufirin nga Serbia në Kosovë, ku po marrin një targë prej letre, për të cilën paguajnë pesë euro.
Shumë banorë të Luginës së Preshevës thonë se në rast të masave të tjera reciproke mes dy shteteve, ata mund të përballen edhe me probleme të tjera, varësisht nga vendimet.
Shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë – komuna në jug të Serbisë, që njihen ndryshe edhe si Lugina e Preshevës – kanë shprehur shqetësim lidhur me mosrespektimin e të drejtave të tyre. Ata kërkojnë që të kenë të drejta njësoj sikurse komuniteti serb në Kosovë.
Disa ligje në Kosovë nuk mund të votohen dhe as të ndryshohen pa mbështetjen e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës. Madje as Kushtetuta e Kosovës nuk mund të ndryshohet pa votat e tyre.
Gjatë procesit të bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, më 2015 ishte arritur një marrëveshje për njohjen e diplomave universitare të lëshuara nga shtetet përkatëse. Serbia nuk e ka respektuar këtë marrëveshje.
Shkodran Azizi thotë se në mungesë të pranimit të diplomës në Serbi, është detyruar që të kërkojë punë në Prishtinë. Ai kërkon që të ketë reciprocitet edhe sa i përket çështjes së diplomave universitare.
“Kam punuar atje, mirëpo pas gjashtë vjetësh e gjysmë jam detyruar të largohem nga Presheva për shkak se nuk i kanë njohur [diplomat e Kosovës] e as ato që i ka nostrifkuar Bashkimi Evropian”, thotë Azizi, duke shtuar se ky është vetëm një nga problemet me të cilat përballen shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Ai konsideron që para se Qeveria e Kosovës të ndërmarrë vendime të tjera reciproke me Serbinë, duhet të bisedojë me udhëheqësit e Luginës.
Edhe Shpend Isufi nga Presheva thotë se çdo pengesë që Kosova mund t’ia paraqesë Serbisë tash apo edhe në të ardhmen, në radhë të parë ato do të mund t’i prek137 shqiptarët që jetojnë në Serbi.
“Çdo pengesë këtu për ta [serbët], ata na pengojnë ne atje. Kurse serbët në Kosovë kanë lëshime për çdo gjë si për [librat] arsim e për ekonomi, gjithmonë. Do të thotë, serbët i kanë të drejtat e tyre. Edhe në Serbi të drejtat e minoriteteve janë të shënuara edhe në ligje, por ato nuk respektohen, gjithmonë pengohemi. Çfarëdo mase reciproke që merret nga Kosova, shqiptarët do të pengohen në Serbi”, thotë ai.
Lidhja Kosovë-Luginë e Preshevës
Përfaqësuesit politikë në Luginë të Preshevës thonë se e kanë mirëpritur vendimin e Kosovës për reciprocitetin për targat, pasi sipas tyre, një vendim i tillë fuqizon sovranitetin e Kosovës. Por, siç thonë ata, kjo çështje paraqet problem edhe për qytetarët që janë të lidhur me Kosovën.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi, thotë se shqiptarët në Luginën e Preshevës presin nga Qeveria e Kosovës që t’i vendosë Serbisë reciprocitet mbi të drejtat e komuniteteve joshumicë, në veçanti për të drejtat e shqiptarëve në Serbi.
“Që nga njohja reciproke e diplomave dhe certifikatave profesionale edhe pas kaq vitesh që nga Marrëveshja e Brukselit, nuk është bërë asnjë hap sa u takon njohjes së tyre, e aq më tepër sa u takon teksteve shkollore. Në Kosovë, komunitetit serb i lejohet edhe sistemi arsimor, por edhe përdorimi i materialeve arsimore nga Republika e Serbisë”, thotë Mustafi.
Ndërkaq, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, thotë për Radion Evropa e Lirë se masa e reciprocitetit për targat e ka vështirësuar qarkullimin e qytetarëve, por siç thotë ajo, po presin vendime të reja që do të ndihmonin qytetarët e Luginës së Preshevës.
“Është e vërtetë që vendimi i fundit për reciprocitet ka vështirësuar qarkullimin e qytetarëve drejt Kosovës, por jemi duke pritur vendime të tjera për lehtësimin e tyre. Çdo vendim për mirëqenien e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është i mirëseardhur”, thotë Sinani.
Që prej 20 shtatorit, kur u vendos masa e reciprocitetit, janë të bllokuara dy rrugë nacionale në veri të Kosovës nga serbë lokalë të cilët po protestojnë kundër kësaj mase.

Veturat e Kosovës që kanë kaluar nëpër Serbi, është dashur t’i heqin targat e tyre RKS (Republika e Kosovës) dhe të vendosin targa të përkohshme prej letre.
Çështja e targave ishte e rregulluar Marrëveshjen e Brukselit për lëvizjen e lirë, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat KS (Kosovë) ose RKS (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.
You may like
Vendi
Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit
Published
13 hours agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Ligjvënësit në Kosovë kanë mbi një muaj kohë për ta zgjedhur presidentin e ri të vendit, pasi gjykata më e lartë në vend e rrëzoi të mërkurën një dekret të presidentes së tanishme, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit pas moszgjidhjes së presidentit në një seancë më 5 mars. Dekreti, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik.
Gjykata Kushtetuese e publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit nga 6 marsi, duke vendosur se në rast se brenda 34 ditësh, nga sot kur ka hyrë në fuqi aktgjykimi, deputetët nuk zgjedhin presidentin, Kuvendi shpërndahet dhe shkohet në zgjedhje.
“Të konstatojë që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin
brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij
Aktgjykimi, bazuar në nënparagrafin 3 të paragrafit 1 të nenit 82 [shpërndarja
e Kuvendit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi shpërndahet ex
constitutione, dhe për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të
zhvillohen brenda 45 ditësh, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 2 të nenit 66
[Zgjedhja dhe Mandati] dhe paragrafin 6 të nenit 86 [Zgjedhja e Presidentit] të
Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, u tha në vendim.
Vendimi vjen pasi në fillim të këtij muaji Kushtetuesja e kishte pezulluar përkohësisht deri më 31 mars dekretin e presidentes, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.
Ajo ia kishte ndaluar çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri i Albin Kurti në emër të Qeverisë./REL/
Aktualitet
Iranit i përgjigjet “negativisht” propozimit të SHBA-së për përfundimin e luftës
Published
13 hours agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Media shtetërore iraniane, Press TV, duke cituar një “zyrtar të lartë të sigurisë politike”, njoftoi se Irani ka hedhur poshtë një propozim të Shteteve të Bashkuara që synonte përfundimin e konfliktit aktual, raporton BBC.
Megjithëse burimi mbetet anonim, raportohet se qëndrimi zyrtar i Teheranit është i prerë: “Irani do t’i japë fund luftës kur të vendosë vetë dhe kur të plotësohen kushtet e tij.” Zyrtarët iranianë kanë theksuar vazhdimisht se kërkojnë një përfundim të plotë të luftës dhe jo thjesht një armëpushim të përkohshëm.
Pesë kushtet e Iranit
Sipas raportimeve, pala iraniane ka paraqitur pesë kërkesa kyçe për arritjen e një marrëveshjeje:
- Ndalimi i plotë i agresionit: Pushimi i menjëhershëm i të gjitha sulmeve dhe atentateve nga ana e armikut.
- Garanci sigurie: Krijimi i mekanizmave konkretë që sigurojnë që lufta të mos i imponohet përsëri Republikës Islamike.
- Dëmshpërblimet: Pagesa të garantuara dhe të përcaktuara qartë për dëmet e luftës dhe reparacionet.
- Zgjidhja rajonale: Përfundimi i luftës në të gjitha frontet dhe për të gjitha grupet e rezistencës të përfshira në rajon.
- Sovraniteti detar: Njohja ndërkombëtare dhe garancitë mbi të drejtën sovrane të Iranit për të ushtruar autoritet mbi Ngushticën e Hormuzit.
Pavarësisht përpjekjeve të Uashingtonit për të vijuar bisedimet përmes kanaleve të ndryshme diplomatike, Teherani i ka cilësuar propozimet amerikane si “të tepërta” dhe të papranueshme në formën e tyre aktuale. /BBC/
lajme
Gjykata Supreme rregullon çështjen e kualifikimit arsimor për skemat pensionale
Published
13 hours agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Gjykata Supreme e Kosovës ka nxjerrë një vendim me rëndësi të veçantë për pensionistët kontributpagues, përmes të cilit shpallet i paligjshëm kufizimi kohor për njohjen e kualifikimeve arsimore.
Ky vendim vjen pas shqyrtimit të një konflikti administrativ kundër Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, ku Gjykata ka shfuqizuar nenin që kërkonte që dëshmitë për shkollim të lartë të ishin fituar para datës 1 janar 1991.
Sipas arsyetimit zyrtar, ky kufizim i vendosur përmes një udhëzimi administrativ nuk ka pasur bazë në ligjin për skemat pensionale dhe ka tejkaluar kompetencat ligjore të ministrisë.
Gjykata vlerëson se e drejta në pension duhet të lidhet me pagesën e kontributeve dhe përmbushjen e kushteve ligjore, e jo me kohën kur dikush ka përfunduar shkollimin.
Ky rregull deri më tani ka krijuar dallime të pajustifikuara dhe ka përjashtuar një kategori të tërë pensionistësh nga e drejta për një pension më të lartë bazuar në kualifikimin e tyre profesional.
Me këtë aktgjykim, Gjykata Supreme konfirmon se kushti i vendosur ishte arbitrar dhe diskriminues, duke cenuar parimin e barazisë para ligjit.
Ky vendim u mundëson pensionistëve kontributpagues që të gëzojnë gradën e tyre arsimore pa u kushtëzuar nga data e diplomimit, duke siguruar që lartësia e pensionit të jetë në përputhje me përgatitjen e tyre profesionale dhe kontributet e dhëna gjatë viteve të punës.
Lajmet
Studimet në Media dhe Komunikim: Karrierë profesionale dhe mbështetje financiare në UBT
Published
14 hours agoon
March 25, 2026By
UBTNews
Zhvillimi i shpejtë i industrisë së medias dhe kërkesat e vazhdueshme të tregut në Kosovë kanë rritur nevojën për profesionalizëm në fushën e komunikimit dhe multimedias.
Programi Media dhe Komunikim në UBT është ndërtuar si një mundësi e mirë që bashkon mësimet teorike me punën praktike, duke u ofruar studentëve aftësitë e duhura për të punuar në fusha të ndryshme pas diplomimit.
Ky program trevjeçar është i fokusuar në këto pika kryesore: zhvillimin e aftësive për intervistim dhe shkrim mediatik, njohuritë mbi funksionimin e gazetarisë moderne, si dhe zbatimin e etikës profesionale në gazetari.
Programi është i krahasueshëm me planet mësimore të universiteteve të njohura në Prishtinë, Tiranë, Zagreb dhe Paris, duke garantuar kështu një nivel cilësor të edukimit.
Një lehtësim i rëndësishëm për studentët e rinj është se kushdo që regjistrohet në këtë drejtim përfiton bursë prej 20% për të tri vitet e studimit, gjë që ndihmon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e studimeve të tyre.
Përmes detyrave individuale dhe projekteve në grup, studentët mësojnë si të punojnë në mjedise të ndryshme, si të krijojnë strategji për marketingun digjital dhe si të nisin bizneset e tyre mbi baza të shëndosha profesionale.
Ky drejtim synon të plotësojë mungesën e gazetarëve dhe ekspertëve të komunikimit në vend, duke u dhënë mundësi studentëve që gjithçka që mësojnë në ligjërata ta ushtrojnë përmes praktikës në institucione shtetërore, publike dhe private
Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit s’ka efekt juridik, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit
Iranit i përgjigjet “negativisht” propozimit të SHBA-së për përfundimin e luftës
Gjykata Supreme rregullon çështjen e kualifikimit arsimor për skemat pensionale
Ministrja Bogujevci priti arkivat rajonale për 75-vjetorin e Arkivit të Kosovës
Studimet në Media dhe Komunikim: Karrierë profesionale dhe mbështetje financiare në UBT
Hannah Montana feston 20 vjet
REL: Kos do t’u përgjigjet eurodeputetëve lidhur me akuzat për bashkëpunim me policinë sekrete jugosllave
Koncerti i rikthimit të BTS në Netflix tërheq 18.4 milionë shikues globalë
Dardanët gati për “Finalen” e Bratisllavës: Sot seanca e fundit para nisjes drejt Sllovakisë
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor në revistën prestigjioze ndërkombëtare të indeksuar në Scopus (Q1)
-
Lajmet1 month agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoProfesori i UBT-së, Kujtim Thaçi publikon artikull shkencor në revistën prestigjioze Frontiers in Immunology
-
Lajmet2 months agoStudentët e UBT-së në vizitë studimore në Presidencën e Republikës së Kosovës
