Lajmet

Luftërat marrin fund, kostot jo

Kostoja e luftës në Afganistan, në jetë dhe dollarë.

Published

on

Pak para se të mbushte 20 vjet, misioni amerikan në Afganistan ka shënuar luftën më të gjatë të Shteteve të Bashkuara.

Qytetarët e zakonshëm amerikanë kanë tentuar ta harrojnë atë dhe lufta është mbikëqyrur më pak nga Kongresi, në krahasim me luftën në Vietnam.

Mirëpo numri i të vdekurve shkon në qindra mijëra. Dhe për shkak se SHBA-ja ka huazuar shumicën e parave për të paguar për këtë luftë, disa gjenerata të amerikanëve do ta kenë mbi supe barrën e shlyerjes së borxhit.

Më 15 gusht, talibanët kanë pretenduar fitore dhe kontroll të gjithë Afganistanit, para 31 gushtit, njëherësh afatit të fundit për tërheqje të trupave amerikane nga Afganistani.

Aktualisht trupat ndërkombëtare kanë shtuar përpjekjet për evakuim të stafit civil dhe ndërkombëtar nga ky shtet.

Shumicën e të dhënave më poshtë, agjencia e lajmeve Associated Press i ka siguruar nga Linda Bilmes, ligjëruese në Shkollën Kenedy në Universitetin e Harvardit si dhe nga projekti për kosto të luftës në Universitetin Brown.

Për shkak se në periudhën 2003-2011 Shtetet e Bashkuara kanë qenë të përfshira në luftërat në Afganistan dhe Irak, shumë trupa amerikane kanë shërbyer në të dyja luftërat dhe disa të dhëna përfshijnë të dyja vendet.

Lufta më e gjatë

Një në katër amerikanë kanë lindur në SHBA, prej sulmeve të Al-Kaidës më 11 shtator në tokën amerikane.

Kostoja në njerëz

Numri i amerikanëve të vrarë në Afganistan deri në prill të vitit 2021: 2,448.

Kontraktorët amerikanë: 3,846.

Ushtria dhe policia afgane: 66,000.

Anëtarët e forcave të tjera, përfshirë nga vendet anëtare të NATO-s: 1,144.

Civilët afganë: 47,245.

Talibanët dhe luftëtarët tjerë opozitarë: 51,191.

Punëtorët për ndihma: 444.

Gazetarët: 72.

Afganistani pas gati 20 vjetëve të pushtimit amerikan

Raportohet se shkalla e mortalitetit të foshnjave ka rënë për 50 për qind prej kur forcat amerikane, afgane dhe të vendeve tjera kanë rrëzuar Qeverinë e talibanëve.

Përqindja e vajzave adoleshente që dinë të lexojnë në këtë kohë, besohet se shkon në 37.

Mbikëqyrja nga Kongresi

Kongresi ka miratuar ndërhyrjen e forcave amerikane në Afganistan, pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, më 18 shtator të po atij viti.

Megjithatë, ligjvënësit amerikanë nuk kanë votuar asnjëherë për t’i shpallur luftë Afganistanit.

Ligjvënësit amerikanë kanë diskutuar 42 herë për koston e luftës në Vietnam, derisa kostoja e luftërave në Afganistan dhe Irak deri në mesin e verës së këtij viti, është diskutuar pesë herë.

Në Komitetin për Financa të Senatit amerikan, ligjvënësit amerikanë kanë diskutuar për koston e luftërave në Afganistan dhe Irak vetëm një herë nga viti 2001 deri më 2021.

Pagesa për luftën? Me kredi, jo para të gatshme

Ish-presidenti amerikan, Harry Truman ka rritur përkohësisht taksat për të paguar Luftën Koreane për gati 92 për qind.

Më pas ish-presidenti Lyndon Johnson ka rritur taksat po ashtu përkohësisht për të paguar Luftën në Vietnam për 77 për qind.

Ish-presidenti tjetër amerikan, George W. Bush ka ulur taksat për të pasurit për 8 për qind – në vend që t’i rriste ato – për të paguar për luftërat në Afganistan dhe Irak.

Llogaritet se luftërat në Afganistan dhe Irak, janë mbuluar me borxh shtetëror në SHBA në vlerë të 2 trilionë dollarëve deri më 2020.

Kostoja e interesit besohet se do të shkojë deri në 6.5 trilionë dollarë deri më 2050.

Luftërat marrin fund, kostot jo

Bilmes vlerëson se Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të shpenzojnë 2 trilionë dollarë në kujdes shëndetësor, varrime dhe shpenzime tjera për 4 milionë veteranë amerikanë që kanë luftuar në Afganistan dhe Irak.

Periudha kur këto shpenzime do të arrijnë pikun, pritet të jetë pas vitit 2048.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

Continue Reading

lajme

UBT nesër organizon bashkëbisedim me Ministrin Ejup Maqedonci për mundësitë e angazhimit të studentëve në industrinë e mbrojtjes

Published

on

By

UBT do të organizojë më 23 qershor 2026, nga ora 14:00, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik, në Lipjan, (Biblioteka), një bashkëbisedim me Ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ejup Maqedonci, lidhur me mundësitë e angazhimit profesional të studentëve në fabrikën e parë të municionit në Kosovë.

Ky takim synon të informojë studentët dhe të rinjtë për projektin strategjik të industrisë së mbrojtjes, i cili pritet të fillojë prodhimin gjatë këtij viti dhe që konsiderohet një hap i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe teknologjike të vendit.

Gjatë aktivitetit, Ministri Maqedonci do të prezantojë mundësitë konkrete të angazhimit profesional për studentët dhe të diplomuarit në fusha të ndryshme teknike dhe inxhinierike, duke përfshirë inxhinierinë mekanike, elektroteknike/elektrike, metalurgjike, kimike, hidraulike, si dhe profile të tjera të ngjashme.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të diskutojnë nga afër për rëndësinë e zhvillimit të industrisë së mbrojtjes në Kosovë, rolin e të rinjve në këtë proces, si dhe perspektivat për zhvillim profesional dhe avancim teknologjik në kuadër të këtij projekti.

UBT vazhdon të krijojë ura bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, industrisë dhe studentëve, duke ofruar mundësi konkrete për zhvillim profesional dhe përfshirje në projekte me rëndësi strategjike për vendin.

Continue Reading

Vendi

Rektori Edmond Hajrizi priti në takim Alaa Garad, nga Stirling Centre në Mbretërinë e Bashkuar

Published

on

By

UBT mirëpriti në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik një delegacion nga Stirling Centre for Strategic Learning and Innovation, nga Mbretëria e Bashkuar, të kryesuar nga Alaa Garad – Kryetar i Bordit Këshillëdhënës.

Delegacioni u prit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, me ç’rast u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit profesional, ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimit të praktikave të mira në sigurimin e cilësisë.

Palët theksuan rëndësinë e partneriteteve ndërkombëtare dhe zhvillimit të iniciativave të përbashkëta që kontribuojnë në avancimin akademik dhe institucional.

Continue Reading

lajme

Rektori Hajrizi priti në takim delegacionin e Institutit Yunus Emre në Kosovë

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mirëpriti në takim një delegacion nga Instituti Yunus Emre në Kosovë, të kryesuar nga drejtori Ramazan Yılmaz.

Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet UBT-së dhe Institutit Yunus Emre në fushën e gjuhës, kulturës dhe arsimit, me fokus të veçantë në gjuhën turke, zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kulturore, si dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.

Gjatë takimit, u theksua roli i Institutit të Gjuhëve të Huaja në UBT, i cili synon të zgjerojë gamën e trajnimeve dhe certifikimeve profesionale në gjuhë të ndryshme për studentët dhe qytetarët e Kosovës. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me Institutin Yunus Emre pritet të kontribuojë në avancimin e ofertës për mësimin dhe certifikimin e gjuhës turke.

Palët shqyrtuan mundësinë e organizimit të kurseve të gjuhës turke, punëtorive tematike, ligjëratave të hapura dhe aktiviteteve kulturore, të cilat do t’u mundësonin studentëve të njihen më nga afër me gjuhën, traditën dhe kulturën turke.

Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në pasurimin e ofertës akademike dhe ndërkombëtare të UBT-së, duke krijuar ura të reja komunikimi dhe bashkëpunimi me institucione partnere nga Turqia.

Continue Reading

Lajmet

PZAP refuzon ankesat për rinumërim, KQZ pret afatin për ankim në Gjykatën Supreme

Published

on

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se do të presë përfundimin e të gjitha procedurave ankimore para shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Kjo vjen pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesat e paraqitura nga kandidatët për deputetë, Bekim Haxhiu nga PDK-ja dhe Qëndrim Kryeziu nga LDK-ja, të cilët kishin kërkuar rinumërim të votave.

Sipas vendimit të PZAP-it, ankesat janë vlerësuar si të pabazuara dhe nuk është urdhëruar rinumërim shtesë.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se institucioni është njoftuar me vendimet, por ka theksuar se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën Supreme brenda afatit ligjor prej 48 orësh.

Sipas KQZ-së, vetëm pas plotfuqishmërisë së vendimeve do të vlerësohet nëse ekzistojnë obligime konkrete për zbatim nga ana e institucionit. Nëse nuk do të ketë vendime të tjera që ndikojnë në proces, atëherë KQZ do të procedojë me shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Kujtojmë se Bekim Haxhiu kishte kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të PDK-së, duke argumentuar se gjatë rinumërimeve të deritanishme janë evidentuar mospërputhje në numërim dhe se diferencat e ngushta mes kandidatëve mund të ndikojnë në renditjen përfundimtare. Megjithatë, PZAP nuk e ka mbështetur këtë kërkesë. /A.K/

 

Continue Reading

Të kërkuara