Lajmet

Lufta në Ukrainë: Cilat janë rreziqet e një aksidenti bërthamor në termocentralin e Zaporizhzhia-s?

Rusia dhe Ukraina po e fajësojnë njëra-tjetrën për “terrorizëm nuklear”.

Published

on

Agjencia e Inteligjencës ushtarake të Ukrainës ka paralajmëruar rreth provokimeve të reja nga ana e Rusisë në centralin bërthamor të pushtuar të Zaprizhzhia-s në jug të Ukrainës, ndërsa një kryebashkiak tha se qyteti ku është centrali bërthamor është duke u bombarduar.

Rafael Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, i ka përshkruar bombardimet e fundit në termocentralin më të madh bërthamor si “të pakontrollueshme” dhe “ekstremisht serioze”.

Sipas vëzhguesit të Kombeve të Bashkuara, dhuna në mes të luftës në Ukrainë “nënvizon rrezikun shumë real të katastrofës bërthamore”.

Derisa Rusia dhe Ukraina po e fajësojnë njëra-tjetrën për “terrorizëm nuklear”, Grossi paralajmëroi për përmbajtje maksimale në atë zonë.

Ekspertët, ndërkohë, paralajmërojnë se përfshirja e impiantit në konflikt mund të rezultojë në një aksident bërthamor të ngjashëm me atë në Fukushima të Japonisë, në vitin 2011.

Çfarë ndodhi të shtunën e kaluar?

Kryetari në ekzil i Enerhodarit, Dmytro Orlov tha se banorët vendas i kishin treguar atij për granatimet e reja ruse në drejtim të zonës industriale të qytetit dhe uzinës Zaporizhzhia. Nuk dihet ende nëse ndonjë predhë goditi tokën e uzinës.

Zyrtari rus, Vladimir Rogov shkroi në Telegram se forcat ukrainase po e bombardojnë atë zonë.

Agjencia e inteligjencës mbrojtëse e Ukrainës tha se Rusia po përgatit “provokime” të reja në uzinë, duke thënë se trupat ruse kishin vendosur një obus vetëlëvizës Pion jashtë qytetit dhe kishin vendosur një flamur ukrainas mbi të.

Rreth një javë më parë, granatimet pranë Enerhodar goditën një linjë të tensionit të lartë që futet afër centralit bërthamor. Megjithëse zyrtarët konfirmuan se nuk kishte rrjedhje radioaktive si rezultat i saj, operatorët shkëputën një nga reaktorët e zonës si masë sigurie.

Të nesërmen, operatori bërthamor i Ukrainës Energoatom tha se raketat ruse dëmtuan tre monitorues të rrezatimit në objektin e magazinimit të uzinës për karburantet bërthamore të shpenzuara. Një punëtor u plagos.

Agjencia ruse e lajmeve Interfax tha se forcat ukrainase qëlluan predhat dhe se ato goditën vetëm një nga ndërtesat e administratës së vendit.

Sfondi i ngjarjes

U raportua për gjuajtje me raketa në uzinë që nga fillimi i luftës. Në orët e para të 4 marsit, disa ditë pasi rusët pushtuan vendin, një raketë goditi një ndërtesë stërvitore dhe i vuri flakën.

Shërbimi Shtetëror i Urgjencës së Ukrainës raportoi se operatorët kishin mbyllur një nga reaktorët bërthamorë si masë paraprake, por nivelet e rrezatimit ishin normale dhe infrastruktura kryesore s’ishte dëmtuar.

Zaporizhzhia është shtëpia e gjashtë reaktorëve bërthamorë, duke e bërë atë centralin më të madh në Evropë. Ai ka një kapacitet prej gjashtë gigavat, që është energji e mjaftueshme për të furnizuar katër milionë shtëpi dhe ndodhet pranë lumit Dnipro në jugperëndim të Ukrainës.

Ekspertët besojnë se vetëm tre nga reaktorët kanë qenë në përdorim qëkur rusët e pushtuan Ukrainën./UBTNews/

Lajmet

KQZ pritet që sot ta përmbyllë rinumërimin e votave

Published

on

By

Sot pritet të përmbyllet procesi i rinumërimit të gjithsej 2 mijë e 557 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Ai bëri me dije se deri më tani janë rinumëruar rreth 95% e tyre.

“Nga fillimi i këtij procesi (13 janar) dhe deri në përfundimin e ditës së enjte (29 janar) janë rinumëruar rreth 95% apo 2,414 nga 2,557 vendvotime. Pra, kanë mbetur për t’u rinumëruar edhe 143 vendvotime që i takojnë 4 komuave të fundit nga ky proces, si Prishtinë, Podujevë, Suharekë dhe Shtërpcë”, deklaroi ai.

Continue Reading

Lajmet

Gjenden mbetje eshtërore në Skenderaj, dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

Published

on

By

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në ja në bërë gërmime në fshatin Marinë të Skenderajt, ku janë hasur mbetje eshtërore.

Sipas policisë këto mbetje dyshohet se i përkasin personave të zhdukur në vitin 1998/1999.

Nga njësiti për hetimin e personave të zhdukur gjatë luftës në bashkëpunim me IML-në janë bërë gërmime në fshatin Marinë, ku janë hasur mbetje të eshtrave që dyshohet se i përkasin njeriut. Mbetjet e eshtrave janë marrë nga njësia e IML-së për ekzaminim”, thuhet në raportin policor.

Continue Reading

Lajmet

Përmbyllet me sukses punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors”, me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit

Published

on

By

Punëtoria ndërkombëtare “Journalism for Juniors (J4J) – Mobile Journalism Workshop”, e organizuar nga UBT në bashkëpunim me TRT dhe Institutin Yunus Emre, u përmbyll me sukses, duke ofruar një përvojë të vlefshme profesionale për studentët e Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, si dhe për nxënësit e UBT International Smart Schools.

Kjo punëtori shërbeu si një platformë edukative dhe praktike për fuqizimin e të rinjve me aftësi bashkëkohore në gazetarinë mobile, tregimin kreativ të storieve dhe prodhimin e përmbajtjes digjitale me ndikim social.

Gjatë ditëve të punëtorisë, pjesëmarrësit u angazhuan në sesione intensive që përfshinë bazat e gazetarisë, etikën profesionale, storytelling digjital dhe përdorimin e mjeteve mobile për xhirim, editim dhe shpërndarje të përmbajtjes mediatike.

Përmes punës praktike në terren, studentët dhe nxënësit patën mundësinë të krijojnë video-storie autentike, të ndërtuara nga perspektiva të ndryshme dhe të përshtatura për platformat digjitale.

Një moment i veçantë i kësaj ngjarjeje ishte Digital Video Competition, ku u realizua shfaqja në grup e video-storieve të përgatitura nga pjesëmarrësit. Këto punime u vlerësuan nga një juri profesionale e përbërë nga gazetarë dhe ekspertë të TRT-së, të cilët ofruan feedback konstruktiv dhe këshilla profesionale, duke vlerësuar kreativitetin, qasjen vizuale dhe mesazhin shoqëror të videove të realizuara.

Punimet e të rinjve u vlerësuan si dëshmi e potencialit të madh krijues dhe e përgatitjes së tyre për t’u përballur me sfidat e gazetarisë moderne, duke treguar se gazetaria mobile është një mjet i fuqishëm për të rrëfyer histori reale dhe me ndikim.

Punëtoria u përmbyll me ndarjen e certifikatave si vlerësim për angazhimin dhe punën e tyre gjatë gjithë procesit trajnues. Në këtë ceremoni u theksua rëndësia e bashkëpunimeve ndërkombëtare në edukimin e brezit të ri të gazetarëve dhe roli i UBT-së si institucion që promovon arsimin praktik, inovacionin dhe lidhjen e drejtpërdrejtë me industrinë e medias.

Continue Reading

Lajmet

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” bashkojnë vizionet për arsimin dhe inovacionin

Published

on

By

UBT dhe Universiteti “Eqrem Çabej” në Gjirokastër kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi akademik, me qëllim forcimin e lidhjeve institucionale dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.

Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite zyrtare të delegacionit të Universitetit “Eqrem Çabej”, të prirë nga Rektori i këtij universiteti, Prof. Dr. Jaho Cana, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Prishtinë. Delegacioni u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me stafin akademik të UBT-së.

Gjatë takimit, rektorët e dy institucioneve theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar në hapësirën shqiptare, duke vënë theksin në shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, zhvillimin e programeve të përbashkëta studimore, si dhe realizimin e projekteve kërkimore dhe shkencore me interes të ndërsjellë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi modelin unik të UBT-së, veçanërisht rolin e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik si një urë lidhëse ndërmjet akademisë, industrisë dhe inovacionit, duke theksuar se UBT mbetet i përkushtuar në ndërtimin e partneriteteve strategjike rajonale dhe ndërkombëtare.

“Ne kemi menduar të krijojmë një ekosistem transdisiplinar, ku bashkëpunimi është në zemër të strategjisë sonë dhe ku universiteti ka ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri”, theksoi Hajrizi.

Nga ana e tij, Rektori i Universitetit “Eqrem Çabej”, Prof. Dr. Jaho Cana, vlerësoi lart filozofinë dhe misionin e UBT-së, duke e cilësuar këtë institucion si një universitet që ka lindur për t’i shërbyer shoqërisë dhe për të krijuar vlera konkrete për të.

“Ju keni lindur si një universitet për t’i ofruar të mira kësaj shoqërie. Jeni një universitet për t’i dhënë shoqërisë dhe sinqerisht ndihem i befasuar pozitivisht nga ajo që pashë këtu”, u shpreh Rektori Cana.

Ai shtoi se bashkëpunimi me një universitet si UBT-ja është prioritet për Universitetin “Eqrem Çabej”, duke theksuar rëndësinë e ndërtimit të urave të qëndrueshme akademike ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë në rajon.

“Bashkëpunimi me një universitet si ju është prioritet i yni dhe jemi të bindur se kjo marrëveshje do të prodhojë rezultate konkrete për të dy institucionet”, tha Cana.

Vizita përfshiu edhe një tur në ambientet e Parkut Shkencor të UBT-së, ku delegacioni u njoh nga afër me laboratorët, qendrat e inovacionit dhe infrastrukturën moderne që mbështet arsimin, kërkimin dhe zhvillimin teknologjik.

Continue Reading

Të kërkuara