Lufta e Britney Spears për t’i dhënë fund kujdestarisë që ka kontrolluar jetën e saj do të kthehet në gjykatë të ditën e sotme, në një seancë që mund të ndryshojë totalisht çështjen.
Në një dëshmi të rrallë muajin e kaluar, këngëtarja tha se kujdestaria kishte qenë “abuzive” dhe për herë të parë bëri thirrje publike për përfundimin e marrëveshjes ligjore që i ka dhënë babait të saj dhe të tjerë njerëzve kontroll mbi jetën personale dhe karrierën e saj për 13 vjet.
Çfarë ndodhi më pas shkaktoi shumë trazira për cështjen që ishte mbajtur e fshehtë për vite me radhë: Avokati Britney-t i caktuar nga gjykata, Samuel D Ingham, kërkoi të japë dorëheqjen; firma e administrimit të pasurisë, Bessemer Trust, u tërheq nga mbikëqyrja e pasurisë; menaxheri prej një kohe të gjatë u tërhoq; babai i saj, Jamie Spears, i kërkoi gjykatës të hetojë pretendimet e këngëtares; avokatët e përfshirë në këtë çështje kanë debatuar ashpër në proceset gjyqësore.
I dyshimtë është fakti nëse Britney do të jetë në gjendje të punësojë një avokat. Ingham, avokati i saj, është përballur me një hetim të fortë pasi Spears tha në gjykatë se ajo nuk e dinte se mund të bënte kërkesë për të përfunduar kujdestarinë. Të dhënat kanë treguar se Spears për vite me radhë ka kundërshtuar kujdestarinë, por Ingham, i cili është paguar miliona nga pasuria e saj, nuk ka bërë kurrë kërkesë për t’i dhënë fund.
Ingham iu caktua nga gjykata kur u vendos për herë të parë në kujdestari në vitin 2008.
New York Times raporton se Spears ka qenë në kontakt me Mathew Rosengart, një avokat i Hollivudit dhe ish-prokuror federal i cili pritet të marrë pjesë në seancën dëgjimore këtë javë. Ekspertët thonë se nëse Britney arrin të punësojë një avokat, çështja mund të ndryshojë në favor të saj.
“Kjo sinjalizon se e gjithë gjëja më në fund po shkatërrohet. Për mua, është fillimi i vërtetë i fundit,” tha për Guardian Megan Radford, një aktiviste e vjetër e lëvizjes #FreeBritney.
Kevin Wu, një tjetër avokat, thotë se është optimist se “liria e saj po vjen së shpejti”. “Kjo është më e madhe se Britney. Ka shumë njerëz që janë nën kujdestari abuzive. Vëmendja për çështjen e saj shpresoj se do të sjellë drejtësi për shumë nga këta njerëz,” tha ai.
Unioni Amerikan i Lirive Civile dhe grupet e tjera të të drejtave të njeriut paraqitën një njoftim këtë javë në mbështetje të së drejtës së Britney-t për të punësuar avokatin e saj.
Filharmonia e Kosovës do të rikthehet para publikut më 17 prill 2026 me një koncert të radhës, duke sjellë një program të larmishëm me vepra nga kompozitorë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë.
Në këtë mbrëmje muzikore do të interpretohen vepra nga Baki Jashari, Francis Poulenc dhe Ludwig van Beethoven, duke ofruar një përvojë artistike që ndërthur traditën dhe klasikën botërore me krijimtarinë vendore.
Koncerti do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:30.
Në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë u mbajt një koncert solemn, i organizuar në nder të Shën Nënë Terezës, me rastin e 10-vjetorit të shenjtërimit të saj, si dhe për të shënuar 70-vjetorin e shugurimit meshtarak të Kardinalit shqiptar Ernest Simoni.
Ky aktivitet u organizua nga Fondacioni “Kardinal Domenico Bartolucci”, në bashkëpunim me Ipeshkvinë Prizren-Prishtinë, nën patronatin e Ambasadës së Italisë në Prishtinë dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.
Koncerti u hap nga Kori i Katedrales “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, së bashku me sopranon Arta Jashari, të cilët interpretuan veprën “Rri me ne” të kompozitorit Marco Frisina, nën dirigjimin e motrës Lidvina Marku dhe me shoqërim në organo nga Emanuel Mates.
Në vijim, performoi Kori i Fondacionit “Bartolucci”, nën drejtimin e dirigjentit Adriano Caroletti dhe organistit Josep Solé Coll, duke sjellë një program të pasur me vepra me tematikë pashkore, që u prit me emocione të veçanta nga publiku.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, Kardinali Ernest Simoni, Ipeshkvi i Kosovës imzot Dodë Gjergji, si dhe përfaqësues institucionalë, diplomatë, artistë dhe besimtarë të shumtë.
Baleti Kombëtar i Kosovës ka prezantuar për herë të parë në Republikën e Çekisë shfaqjen “Terminal”, në qytetin e Trutnovit, duke zgjuar interes të veçantë te publiku vendas.
“Terminal”, me koreografi nga Evgeny Kozlov dhe Roland Petite, solli një rrëfim bashkëkohor, i cili u komunikua fuqishëm me audiencën përmes lëvizjes dhe interpretimit artistik.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Republikën Çeke, Albesjana Iberhysaj Kapitaj, e shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë, Ilir Tepelena, së bashku me diplomatë dhe dashamirë të artit, të cilët e përjetuan nga afër këtë ngjarje kulturore.
Kjo paraqitje shënon një hap të rëndësishëm në promovimin ndërkombëtar të artit kosovar dhe dëshmon rolin e fuqishëm të diplomacisë kulturore në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet vendeve dhe popujve.
Pas një rrugëtimi të suksesshëm në festivale të ndryshme ndërkombëtare dhe një prezantimi të mëhershëm në Podgoricë, filmi artistik me metrazh të gjatë “Nderi” u shfaq edhe për publikun në Prishtinë në mbrëmjen e së enjtes. Kjo premierë përkoi simbolikisht me shënimin e 20-vjetorit të pavarësisë së Malit të Zi, vend nga i cili vjen edhe produksioni i filmit.
Me regji të Nikola Vukčević, “Nderi” është rezultat i një pune disavjeçare, që i ka marrë regjisorit rreth tetë vite për ta sjellë në ekran. Filmi ndërton boshtin e tij narrativ mbi Kanunin e Lekë Dukagjinit, duke trajtuar tema të thella si morali, nderi dhe sakrifica.
Ngjarja bazohet në një histori të vërtetë nga periudha e Luftës së Dytë Botërore. Rrëfimi ndjek fatin e një fëmije ortodoks që, duke ikur nga një njësi fashiste, gjen strehim te një familje muslimane shqiptare. Pikërisht në këtë raport zhvillohet drama e filmit, duke vënë në pah besën shqiptare dhe vendosmërinë për të mbrojtur jetën e tjetrit, edhe përballë rrezikut ekstrem.
Në rolet kryesore paraqiten aktorët Edon Rizvanolli, Alban Ukaj, Xhejlane Tërbunja, Selman Jusufi, Nikola Ristanovski, Elez Adžović dhe emra të tjerë të njohur të skenës.
“Nderi” është propozuar nga Qendra e Filmit të Malit të Zi për çmimin Oscar, megjithatë nuk arriti të përfshihet në listën e ngushtë. Pavarësisht kësaj, filmi ka shënuar suksese të rëndësishme ndërkombëtare, duke u vlerësuar me çmime dhe duke u shfaqur në festivale prestigjioze, përfshirë edhe ato të kategorisë A, si në Kajro, Goa dhe Palm Springs.