E ardhmja e Rodrygo Goes te Real Madrid është e pasigurt, pasi klubi është i hapur ndaj mundësisë së largimit të sulmuesit brazilian.
Sipas Fabrizio Romano, një takim i drejtpërdrejtë midis përfaqësuesve të klubit e vetë lojtarit pritet të zhvillohet javën e ardhshme, ku do të merret një vendim përfundimtar. Burime pranë klubit konfirmojnë se nuk ka presion nga Real Madridi për ta larguar lojtarin, gjithçka varet nga dëshira e vetë Rodrygos.
Një element që ka ushqyer spekulimet për një largim të mundshëm është fakti që trajneri i ri Xabi Alonso nuk e ka përfshirë brazilianin në formacionin titullar në pesë ndeshjet e fundit.
Pavarësisht interesimit të raportuar nga klube të Ligës Saudite, Rodrygo nuk e sheh Arabinë Saudite si një opsion për të ardhmen. Përfaqësuesit e tij kanë mohuar çdo lloj kontakti me Al Nassr dhe theksojnë se fokusi është vetëm te transferimet brenda futbollit evropian.
Rodrygo, 24 vjeç, iu bashkua Real Madridit më 2019 nga Santos për 45 milionë euro. Deri tani, ai ka zhvilluar 270 ndeshje, duke shënuar 68 gola dhe dhënë 51 asiste me fanellën e “Los Blancos”. Sipas vlerësimeve të fundit nga Transfermarkt, ai ka një vlerë prej 90 milionë euro.